Qysh nga publikimi, Pedro Paramo ka ngjallur mendime të ndryshme dhe kontradiktore. Në të njëjtën kohë që për disa kritikë është një roman realist dhe referencial, siç lihet të kuptohet nga vetë deklaratat e Rulfos, për të tjerët është një roman që nuk i përmbahet asnjë baze apo reference historike.
Para një pabarazie të tillë mendimesh ndodh të pyetet se deri në çfarë pike autorët e tyre nuk kanë qenë të kushtëzuar nga opinione ideologjike a priori të huaja për letërsinë, duke anashkaluar të vërteta elementare.
Pedro Paramo është një roman. Të paktën për këtë mendoj që ka një unitet mendimi. Si i tillë, ofron një vizion, detyrimisht personal dhe subjektiv të botës; dhe për ta dhënë përdor, po në mënyrë personale, mjetet artistike dhe elementet përbërëse të narracionit romanesk.
Fillimisht, duke e konsideruar romanin si produkt të imagjinatës dhe si mjet shprehjeje të një vizioni të përcaktuar të botës, duhej të mbajë në shkallë të ulët marrëdhëniet që do të kishte teksti romanesk me bazat ose referencat historike që do e shpjegonin dhe mbështesnin, dhe në shkallë më të lartë ato që mbajnë elementet përbërëse të shprehjes së njëjtë me realitetin për të thënë.
Me këtë i referohem fenomeneve kryesore: nga njëra anë, fakti i konsiderimit të letërsisë si një dokument ose kopje e një realiteti historik të përkufizuar, që jo gjithnjë është i vërtetë. Madje: marrëdhëniet mes letërsisë dhe realitetit objektiv të jashtëm në produktin letrar janë aq komplekse sa nuk mund të reduktohet letërsia në rolin e një kopje të thjeshtë ose dokumenti; nga ana tjetër, fakti i dhënies (letërsisë) se një roli me funksioni ideologjik ose social që jo gjithnjë është i veti, çon në gabime në vetë kuptueshmërinë ose receptimin korrekt të veprës letrare dhe interpretimit të saj.
Ky shpjegim i fundit rreth veprës letrare, funksionit të saj dhe marrëdhënieve me botën përreth, nuk ka objektiv tjetër veç të kujtuarit që për analistin, kritikun ose hetuesin është i rëndësishëm fakti i të nisurit nga vetë vepra dhe jo nga supozime ideologjike dhe “horizonte pritshmërie” a priori dhe subjektivisht të parapërcaktuar. Është akoma më e nevojshme në raste veprash, si Pedro Paramo, që kanë ngjallur një numër të rëndësishëm kritikash dhe interpretimesh që janë formuluar nga gjithë këndvështrimet dhe prespektivat.
Juan Rulfo e përkufizon romanin e vet si “dëshira për të bërë të rijetojë sërish një fshat i vdekur”. Duke folur historikisht, përgjegjësia për këtë situatë vdekjeje dhe keqardhjeje i është atribuar realiteteve të ndryshme të mbivendosura dhe empirikisht të vërtetueshme që Rulfo do të shprehë në funksion të ndjeshmërisë së vet dhe falë mjeteve të veta të shprehjes:
“Thjesht njoh një realitet që dua ta njohin dhe të tjerët. Vepra ime nuk është prej reporteri, as etnografi, as sociologu. Ajo që bëj është një zhvendosje letrare të faktve të vetëdijes sime. Zhvendosja nuk është një deformim por një zbulim formash speciale ndjeshmërie.
Nuk është e nevojshme të theksohet që blasfemia dhe tradhëtia ndaj tradicionales dhe të zakonshmes janë disa nga elementet që lejojnë zhvillimin e romanit në të njëjtën kohë që shpjegojnë dhe justifikojnë të rejat e saj. Nëse Pedro Paramo ka qënë klasifikuar si romani i një leximi të vështirë është pikërisht sepse shtyllat tradicionale të romanit (personazh, kohë dhe hapësirë në radhë të parë) shfaqen në të në mënyrë profane: gjithë personazhet janë të vdekur, dhe ai që rrëfen është i vdekur. Pra, nuk ka limit mes hapësirës dhe kohës. Të vdekurit nuk kanë as kohë, as hapësirë. Nuk lëvizin as në kohë, as në hapësirë.
Nuk besoj se kjo lejon të pohohet që te Perdo Paramo nuk ka “një formulim racional të historisë dhe realitetit”, as që historia, në këtë roman është “një cikël i mbyllur (në të cilin) është e pamundur të modifikohet ose nxitet ndonjë veprim”. Përkundrazi, Pedro Pramo lind si një protestë kundër një gjendjeje gjërash historike dhe empirikisht të verifikueshme: ndaj ndikimit të kryetarëve të tribuve në jetën politike dhe shoqërore të një komuniteti që gjithnjë ka shkatërruar zonën e Haliskos, që në kohët e pushtimeve dhe kolonizimit. Nuk është rastësor, as pa rëndësi që Revolucioni Meksikan ashtu si revolucioni i krishterë do të zhvillohen fillimisht në Halisko. Objektivi i Pedro Paramës është “të vendosë në pikëpytje këto tradita shkatërrimtare, këto tendenca çnjerëzore që kanë si pasoja të vetme mizorinë dhe vuajtjen.”
Menjëherë, Pedro Paramo nuk pretendon të jetë një roman historik, por parashikim dhe shfaqje në vazhdimësi që Historia jo vetëm që është e pranishme, por është një element vendimtar në përpunimin e vet.
Në krah të kundërt të kompleksitetit strukturor dhe formal të Pedro Paramo, argumenti është i thjeshtë dhe madje relativisht i shpeshtë në letërsinë hispan-amerikane të gjysmës së parë të shek. XX. Pedro Paramo është një personazh që niset nga një situatë varfërie praktikisht të skajshme dhe me shumë borxhe, dhe mbyllet duke marrë në zotërim Komalën dhe duke u kthyer në një nga kryetarët e tribuve më të fuqishëm të rajonit. Mjetet e përdorura nga ai për realizimin e ambicjeve të tij për pasuri dhe pushtet nuk ndryshojnë shumë nga ato tipike dhe karakteristike që shfaqen në romanin indigjen, jo vetëm meksikan por edhe latino-amerikan në përgjithësi: martesa me interes, dinakëria, mashtrimi, forca dhe eleminimi fizik i kundërshtarëve dhe armiqve të vet. Në fillim martohet me Dolores Preciado për tja marrë tokat dhe pasurinë para se ta braktisë. Më pas vjen vjedhja tokave të Toribio Aldrete dhe varja e tij, si hallkë e një zinxhiri të gjatë abuzimesh dhe terroresh që e ngrenë Pedro Paramon në katëgorinë e kryetarit të gjithëpushtetshëm, të cilit ia kanë frikën dhe e urrejnë të gjithë. Pushteti i tij është i tillë që, në fund të jetës së tij, kur vendos të “kryqëzojë duart” për tu hakmarrë ndaj Komalës dhe të lejojë që ajo të vdesë, në të vërtetë rajoni mbetet i nënshtruar në një shkretim absolut.
Nga martesa e Pedro Paramo me Dolores Preciado lind Juan Preciado, tjetër protagonist i veprës, i cili pas vdekjes të nënës, kthehet në Komala në kërkim të të atit. Ai mendon se do gjejë një fshat me fusha të gjelbra të banuar nga njerëz të hareshëm, pra imazh parajsor i Komalas që ia tha e ëma para se të vdiste. Juan Preciado njihet jo vetëm me vdekjen e fshatit, por edhe me vdekjen e tij.
Prepotenca dhe mizoria që sapo përmendëm përbëjnë një aspekt të Pedro Paramos që mund të studiohet në dimensionin e vet simbolik përfaqësues të realitetit historik i njohur mirë. E reja tjetër, jo më pak e rëndësishme është njerëzorja: qysh prej adoleshencës Pedro Parama ndjen një dashuri të madhe për Susana San Juan. Sekuencat e lidhura me këtë temë janë një lirizëm aq i zjarrtë sa bëjnë të harrohet për pak mizoria dhe cinizmi i padronit. Saktësisht për shkak të kësaj dashurie, Paramo ka kryer një nga krimet e veta, ka vrarë të atin e Suzanës që të mund të martohet me të. Dëshira e tij përmbushet pas një kohe të gjatë pritjeje dhe incidentesh të shumtë.
Kur, më në fund, mund të martohet me të, Suzana tashmë është çmendur. Rënia konstante e këmbanave për vdekjen e saj tërheq njerëzit gjithandej dhe ai që filloi si një funeral përfundon në një panair, për të cilin Pedro Parama vendos të hakmrret ndaj Komalës, duke e lënë të vdesë urie.
Ky është në vija të përgjithshme argumenti i romanit, që pranon, mes interpretimesh të tjera, që përkon me atë që ankdota është pretekst për të denoncuar një realitet historik: atë të padrejtësisë dhe abuzimeve (nga të cilat është viktimë) që vuajnë zonat rurale meksikane në duart të kryetarëve. Komala nuk është një hapësirë referenciale me ekuivalencë gjeografike konkrete në Meksikë dhe për këtë rezulton të jetë mjaft simbolike: mund të jetë ndonjë nga fshatrat meksikanë që vuajnë nga padronët. Nga ana tjetër, temat e dashurisë, zemërimi, mjerimi ose vuajtja nuk kanë as kohë, as hapësirë.
Tanimë, dukë marrë parasysh nuancën historike të Pedro Paramo, mund të përcaktojmë kronologjinë diegjetike përafërsisht mes viteve 1860 – 1933 që korrespondojnë, e para me lindjen e Pedro Paramos dhe e dyta me vdekjen e Juan Preciados. Mes dy datimeve vendosen ndodhitë e Pedro Paramos, disa nga të cilat korrespondojnë me fakte konkrete të historisë së Meksikës duke i dhënë në këtë mënyrë një vlerë të lartë simbolike romanit.
Duke u përpjekur të rindërtohet historia e Komalës dhe protagonistëve të vet (duke kujtuar me “rindërtim” veprimin e kthimit tek argumenti i një lineariteti që për motive estetike, në tekst nuk qëndron) shihet që fillon në dekadën 1860-70. Edhe pse, në realitet, datat sakta janë të anashkaluara me dëshirë në gjithë veprën, Mundet, falë disa treguesish, të përcaktohen kronologjikisht ndodhitë. Tek faqja 42 Pedro Paramo i drejtohet mendërisht Susana San Juan:
“Tridhjetë vjet prita që të kthehesh Suzana. Doja të kisha gjithçka…”
[…]
“Dhe në këtë kohë, frynin erëra të rralla. Thuhej se kishte njerëz që kishin rrokur armët. Na kishin arritur zëra.
Duke marrë si pikë referimi këtë datë (viti 1910), është e mundur të rindërtohet, me jo pak mundësi suksesi, kronologjia e ndodhive duke mbajtur si trajektore strukturuese jetën e protagonistit Pedro Paramo.
Nëse i zbresim 30 vitet e pritjes së përmendur në citim, jemi në vitet 1880, vit i supozuar në të cilin Suzana iku nga fshati. Atëherë, Pedro Paramo është një adoleshent, forca e karakterit të të cilit habit të gjyshen dhe Fulgot Sedano. Lindja e tij vendoset në dekadën 1860-70, në mënyrë që kur fillon Revolucioni, Pedro Paramo është pak a shumë 50 vjeç.
Nga ana tjetër, nëse Suzana San Juan mbërrin në Gjysmë Hënën 1910, vdekja e saj, e lajmëruar falë shuarjes së dritës në dhomën e saj pasi kishte qëndruar e dehur përgjatë 3 vjetësh ndodh në vitin 1913. Pohohet kjo datë kronologjike kur Damasio “el Tilcuate” (gjarpri) i sjell Pedro Paramos lajme nga ardhja e vilistëve (mbështetësve të Panço Vilës). Po në këtë sekuencë flitet për Susana San Juan ende gjallë, por e kthyer në “puñadito de carne, “copë mishi”, një grua që nuk i përkiste më kësaj bote”.
Faqe më vonë po “Tilcuate” ofron një sintezë të “udhëtimit” të vet për ndodhitë revolucionare në Meksikë qysh në 1914 deri në fillim të konfliktit të krishterë, rreth 1926: fillimisht me karrancistët (mbështetësit e Jose Venustiano Carranza) më pas me obregonistët (mbështetësit e Gjeneral Álvaro Obregón), më pas me të krishterët (at Renteria) nëse nga njëra anaë, deri në datën e fundit, Tilcuate vazhdon t’i tregojë Pedro Paramos, nga ana tjetër, Abundio, pak më parë se të godiste me thikë Pedro Paramon, informon se at Renteria është ende “në revoltë”, pra vdekja e kryetarit, rreth 70 vjeç, do të vendoset pak më parë se mbarimi i luftës së krishterë, ndërmjet 1928 – 1929:
“Dhe kur i duhej dhe pak për të vdekur erdhën luftërat e të krishterëve dhe jehona e trupave të rrafshuar të pak burrave që ishin.” (fq.258).
Pak vite më vonë, Juan Preciado vjen në Komalë në kërkim të të atit dhe i jep fillim rrëfimit.
Siç mund të vlerësohet përmes këtij prezantimi të shpejtë të kronologjisë, ka disa referenca me historinë të kuptuara si ndodhi, fakte të shquara, “dallgë të sipërfaqes” si flaka Unamuno. Megjithatë dhe këtu zë rrënjë një nga aspektet më interesante të Pedro Paramos, në një prespektivë të zhvillimit të romanit meksikan; shprehja e historisë nuk është e mundur veç nën formën direkte, dokumentare dhe dëshmuese. Madje, falë artit, letërsisë, mund të ofrohen versione të historisë nga një anë gjithëpërfshirëse nga ato të ofruara nga historiografía dhe, nga ana tjetër, rikuperues nga ana e heshtur saj. Ajo që i intereson Rulfos nuk është Historia por e kundërta e saj, fytyra tjetër e historisë, ajo e njerëzve të vendosur jashtë ndodhive, mes jetës dhe vdekjes, mes kujtesës dhe harresës. Vazhdimësia e vdekjes dhe dëshpërimi dhe pamundësia e personazheve për të hyrë në kohë wshtw e pamundur.
Tek Pedro Paramo vdekja është një shprehje vazhdimësi. Mjerimi që asgjeson banorët e Komalës, shpronësimi i pandreqshëm, varet nga pamundësia për të hyrë në kohë. Dimensioni politik i Pedro Paramos është specifikisht letrar: historia e atyre që nuk mund të kenë Histori.
Në roman ekzistojnë shumë përkime mes elementeve të historisë së rrëfyer dhe atyre të historisë së Meksikës, që ilustrojnë këtë që jam duke thënë.
Këta 3 vjet, që në shfaqjen revolucionarëve të parë (sekuenca 50) përkojnë, jo rastësisht, me tre vitet që zgjati ëndrra maderiste dhe shpresa që i dha domethënien projektit qevrisës së Francisko Ignacio Madero. Ky i fundit nuk arriti të bindë dhe për këtë filluan të shfaqen, njëkohësisht por ndarazi, fraksione revolucionare (zapatistë, vilistë, huertistë, karrancistë dhe obregonistë, mes më të rëndësishmëve). Gjithashtu është domethënëse që vdekja e Pedro Paramos ndodh në këtë moment kur konsumohet tradhëtia e Revolucionit, në epokën e bujqësisë së drithërave.
Mendoj se mjaftojnë këta shembuj “përkimesh” në realitet të paramenduara, për të rrëzuar çdo pohim që do pretendonte të mohonte ankorimin historik të këtij romani, edhe pse do limitohemi me konsiderimin historik vetëm të faktve të shquara të shënuara në libra, arkiva dhe dokumente. Duke u mjaftuar me data të afërme në trajektoren jetësore të prsonazhit Pedro Paramos, shohim që kjo gërshetohet në mënyrë domethënëse me historinë e Meksikës. Në shumë sekuenca, evidentohet në diskursin rreth një fakti historik aq të rëndësishëm siç mund të jetë Revolucioni falë manovrës së korruptimit të revolucionarëve nga Pedro Paramo:
“- Siç po e shihni, kemi ngritur armët.
-Dhe?
– Dhe kjo është e gjitha. Ju duket pak?
-Por për çfarë arsye e kanë bërë?
– Sepse e kanë bërë dhe të tjerët. Nuk e dini ju? Prisni pakëz sa të na vijnë udhëzimet dhe atëherë do vërtetojmë kauzën. Për momentin, ja ku jemi këtu.
– Unë e di kauzën, – tha tjetri, – dhe po të doni, ua them. U rebeluam kundër qeverisë dhe kundër jush sepse jemi lodhur duke ju duruar. Qeveria për shkak të zvarritjeve, dhe ju, sepse nuk jeni veçse banditë burracakë dhe hajdutë deposh. Për zonjën Qeveri nuk po them më gjë, sepse do t’ja themi me plumba atë që duam t’i themi.
Mbi të gjitha, dhe përveç ankorimit historik kjo novelë pretendon të shpëtojë nga harresa aspekte të një kulture falë artit dhe duke e bërë tregon të mbajë një dimension kompromisi shumë më efikas se dokumentim të qartë, të drejtpërdrejtë. Tek Rulfo historia nuk është vetëm një grupim datash të shquara në të ardhmen e një komuniteti. Përbërësit e vërtetë të historisë janë nën protagonistë anonimë: burrat dhe gratë numri i të cilëve nuk do kujtohet nga Historia zyrtare, besimet e tyre, vuajtjet dhe jeta e përditshme; me një fjalë, kultura e tyre. Pikërisht këtë histori kërkon të shpëtojë Rulfo.
Do e shihnim Pedro Paramo (e thwnw mw qartw) një mostër të letërsisë fantastike të shkëputur nga realitetit dhe historia. Por Pedro Paramo nuk rezulton aq i vështirë për tu interpretuar apo kuptuar. Thjesht ofron, në kontekstin ndërkombëtar dhe universal, “tjetër” imazh të njeriut dhe gjendjes së tij njerëzore. Në këtë novelë shkrimi zhvendoset nga rajonalja në universale dhe nga universalja në rajonale. Duke e bërë arrin në shtresat e fundit që përcaktojnë atë që duhet bërë dhe marrëdhëniet e njrëzve në kohë: historia. Domethënia e vet dhe specifika konkretizohen në britmën e perceptueshme dhe të dëgjueshme të përditshmërisë.
Tek Pedro Paramo ka një finesë që duhet të dalë në pah; mes historisë dhe ligjërimit ka një marrëdhënie thelbësore: eksperienca historike është e vlerësueshme vetëm falë ligjërimit; dhe kjo u takon të gjallëve, jo të vdekurve. Tek Pedro Paramo ka një paradoks: historia e populluar nga të gjallët është konceptualizuar, në të kundërt nga ajo që shpresohet, për të vdekur. Nga kjo formë, një pjesë e madhe e veprës prezantohet nën formë nekrologjike. Tanimë, nëse shënimi mbizotërues i tematikës së romanit rezulton të jetë braktisja historike, mjerimi dhe lënia pas dore me të cilat dënohet Komala (hapësirë imagjinare por lartësisht simbolike) dhe banorët e saj nga një pushtet arbitrar dhe mizor (i personifikuar në të, jo më pak imagjinar por njësoj simbolik, Pedro Paramo), e bën Pedro Paramon një roman denoncimi. Por përveç denoncimit të kësaj situate braktisje dhe mjerimi, denoncon një tip tjetër padrejtësie: të privosh një komunitet njerëzor dhe kulturor nga ligjërimi është ta privosh nga identiteti i vet dhe historia.
Gjithë elementët e analizuar në këtë punim janë dashur të rindërtohen, të ristrukturohen për të dhënë një roman me formë të çlirët, të pastrukturuar nëse pika e nisjes është lineariteti. Rulfo paralajmëron, për këtë formë, që një histori e tërë do humbte mundësinë e shpëtimit falë ligjërimit dh shprehjes nga ana e autorit, dhe falë sforcimit të ri-leximit dhe ri-ndërtimit për të cilin është ftuar lexuesi. Në këtë kuptim, Rulfo lidh me orientimin e madh meksikan dhe latino amerikan të rikuperimit të identitetit kulturor në të cilin ligjërimi bëhet një komponent esencial, sepse pa ligjërim nuk mund të ketë konceptualizim, as objektiv as subjektiv të historisë. Dhe saktësisht këtu ndërhyn krijuesi, romancieri si subjekt transindividual, për të përdorur ligjërimin dhe letërsinë për të shprehur këtë: të konceptualizosh këtë realitet që, po të mos ishte, do binte në harresë dhe në vdekje.
Pedro Paramo ishte perceptuar për një kohë të gjatë si një kritikë e thjeshtë për Revolucionin, saktësisht sepse përmban koordinatat e historicitetit: shkëlqimin dhe rënien e kryetarëve të tribuve, humbjen e komunitetit agrar, vuajtjen kolektive të njëpasnjëshme në Revolucion dhe skemat shtypëse që përjetësoi ose krijoi ky i fundit dhe pezullimi i njerëzve mes jetës dhe vdekjes. Mes të qenurit dhe mosgjësë. Gjithë kjo, e shprehur në një mënyrë të re e bën Pedro Paramos një metaforë të braktisjes dhe vdekjes në kohën kur një dëshirë për të shpëtuar për jetë, që sipas mendimit të Rulfos dënohej padrejtësisht me vdekje. Metafora, në këtë kuptim, rezulton më shprehëse dhe më eficente se ligjërimi i drejtpërdrejtë denotativ.


Leave a comment