Kasollja | Vicente Blasko Ibañez

Published on

in

,

2.

Kur në kohën e të korrave xha Barreti shikonte pamje të ndryshme të mbjella në të cilat ishin ndarë tokat e tij, nuk mund ta përmbante atë ndjenjë krenarie, dhe shikonte kallinjtë e gjatë të grurit, lakrat e kuqe me në mes gonxhet e tyre të dredhura përbrenda, pjeprat që përgjonin në heshtje shtresën e sheshtë të tokës apo specat dhe domatet gjysmë të fshehura prej gjetheve, vlerësoi mirësinë e tokës dhe përpjekjet e të gjithë paraardhësve të tij që kishin punuar më mirë se kushdo tjetër në krahinë.

I gjithë gjaku i gjyshërve të tij gjendej atje. Gjashtë apo shtatë breza prej Barreti kanë kaluar jetën e tyre duke punuar të njëjtën tokë, duke e kthyer përmbys, duke e kuruar thellësinë e saj me pleh organik, duke u kujdesur që të mos ulë prodhimin, duke i përkëdhelur dhe duke i krehur me shatë dhe duke i sheshuar të gjitha kodrinat, nga të cilat nuk kishte mbetur asnjë pa u ujitur me djersën dhe gjakun e familjes.

Punëtori e donte shumë gruan dhe ia kishte falur gabimin e të lindurit katër vajza dhe asnjë djalë që të mund t’i vinte në ndihmë në punët e tij: edhe të bijat i donte, engjëjt e Perëndisë, që e kalonin ditën duke luajtur e duke qepur tek porta e kasolles, dhe ndonjëherë shkonin nëpër fusha për të çlodhur pak babanë e gjorë: por pasioni suprem i xha Barretit, dashuria e dashurive, ishin ato toka, mbi të cilat kishte kaluar e vetmuar dhe e heshtur historia e familjes së tij.

Përpara shumë vitesh – në kohën kur xha Tomba, një plak i verbër që ruante kopenë e një kasapi të Alborajas, shihej prej botës si pjesë e Fretërve që qëllonin me armë kundër francezve – këto toka ishin të Manastirit të Shën Migelit, të disa zotërinjve të mirë, të shëndoshë, të mbajtur, që nuk nxitonin në mbledhjen e qirave, duke i dhënë kënaqësinë që pasdite, teksa kalonin nga kasollja, shlyheshin prej gjyshes që në atë kohë ishte një vajzë e vërtetë, duke u paraqitur me ëmbëlsira dhe fruta nga më të ndryshmet. Më parë, shumë më parë, kishte qenë pronar i tyre një zotëri i madh, i cili vdiq duke depozituar mëkatet e tij dhe fermat brenda komunitetit; dhe tani i përkisnin don Salvadorit, një të çuditshmi valencian, që ishte tortura e xha Barretit, pasi i shfaqej dhe në ëndërr.

Punëtori i shkretë ia fshehu dhimbjet edhe vetë familjes. Ishte një burrë i gjallë, me zakone të pastra. Të dielave, nëse kishte sadopak kohë të lirë shkonte në tavernën “Copa”, ku bashkohej me njerëzit e të gjitha shtresave për të parë magjistarët dhe iluzionistët, për të qeshur si një shenjtor i bekuar që dëgjon marrëzirat dhe shakatë pa kripë të Pimentos dhe të të rinjve të tjerë që hiqeshin si hundëpërpjetët e pemishteve, por kurrë nuk i afrohej banakut që të paguante një gotë. Mbante gjithmonë me vete një faqore në xhepin pranë stomakut dhe pinte prej tavernës vetëm atëherë kur ndonjë fitues paguante për të gjithë.

Armiku e komunikoi dënimin e tij. Ai dukej gjithmonë i qeshur, i sjellshëm, i qetë, mbante mbi veshë një kësulë blu e cila justifikonte deri diku dhe emrin e tij.

Punonte çdo natë; kur i gjithë fshati binte në gjumë, ishte i vetëm, endej në dritën e pasigurt të agimit, e duke punuar arat gjithnjë e më tepër bindej se nuk mundej më.

Ishte punë e tëpërt vetëm për një burrë. Të paktën të kishte një djalë! Kërkonte ndihmë, punësonte njerëz të cilët e vidhnin duke punuar pak e duke fjetur thuajse gjithë kohën nën dritën e diellit.

I ndikuar prej respektit të paraardhësve të tij, donte të plaste prej lodhjes nëpër ato kodrina, përpara se të miratonte huazimin e tyre në duar të panjohura. Dhe kur nuk mundej t’i punonte të gjitha, gjysmat i linte djerrë, dhe me pjesën tjetër ushqente familjen dhe paguante pronarin.

Ky angazhim qe për të si një luftë e verbër, e trishtuar, këmbëngulëse, kundër nevojave të jetesës dhe kundër mundësive të tij.

Nuk kishte veçse një dëshirë: që vajzat të mos i mësonin shqetësimet e tij; që asnjë në shtëpi të mos i kuptonte mërzitjet dhe problemet e babait; që të mos ndërpriteshin gëzimet e shenjta të banesës, gjallërinë e ditës prej të qeshurave dhe këngëve të të katërta motrave mosha e të cilave ndryshonte vetëm me një vit. Ndërsa ato, që tashmë kishin filluar të tërhiqnin vëmendjen e djemve të fshatit, bridhnin me shamitë e reja prej mëndafshi, të ndrithshme, të hekurosura dhe fundet e zhurmshme nëpër festat e qytezave, apo zgjoheshin në mëngjes herët dhe dilnin zbathur dhe me këmishë gjumi për të parë përmes të çarave të dritareve se kush këndonte që pa gdhirë apo kush luante në kitarë. I mjeri xha Barret, i përkushtoj gjithmonë e më shumë ekonomisjes së problemeve, tërhiqte qindarkë pas qindarka prej grushtit të arit që i kishte lënë babai vetëm për t’i mbyllur gojën don Salvadorit, plakut kurrnac që nuk kishte kurrë të ngopur, dhe që nuk kënaqej derisa të të shtrydhte mirë, duke u justifikuar me kohën e keqe në të cilën jetonin apo me rritjen e taksave dhe me nevojën që kishte ai për të rritur përsëri qiranë.

Barreti nuk mund të gjente pronar më të poshtër se kaq. Don Salvador gëzonte nam të lig në të gjithë zonën, pasi thuajse të gjitha tokat ishin të tijat. Pasditeve, mbështjellë me një petk të vjetër, që e vishte edhe në pranverë, me një pamje prej lypësi, dhe i shoqëruar me mallkimet dhe gjestet ofenduese nga pas kurrizit, shkonte nëpër vreshta për të vëzhguar të ardhurit. Ishte një këmbëngulje prej kopraci që dëshironte gjithmonë të gjendej pranë pronave të tij, litari i fajdexhiut që ka llogari pezull për të zgjidhur.

Qentë lehnin ndaj tij prej së largu, si të paralajmëronin vdekjen, fëmijët e shihnin zymtë; burrat fshiheshin si për të shmangur justifikimet e dhimbshme dhe gratë dilnin nëpër dyert e kasolleve me shikimin drejt tokës dhe me gënjeshtrën për t’iu lutur don Salvadorit që të kishte durim, duke iu përgjigjur me lot thirrjeve dhe kërcënimeve të tij.

Pimento, që në cilësinë e tij prej mbikqyrësi i interesonte fatkeqësia e fqinjit dhe ishte si një kalorës brenda kufijve të kopshtit, premtoi nëpër dhëmbë diçka si të godiste dikë, dhe qetësohej më pas në një kanal; por të njëjtat viktima të kopracit e frenonin gjuhën mbi rëndësinë e don Salvadorit, burrë që i kalonte mëngjeset nëpër gjykata dhe që kishte miq në shumë këmbanore. Me njerëz të tillë, ai që humbet është i varfri.

Nga të gjithë të ardhurit, më i miri ishte Barreti: edhe pse në kurriz të përpjekjeve të mëdha nuk i detyrohej asgjë. Dhe plaku, që imitonte modelët përpara të tjerëve, kur gjendej përballë tij e humbiste mizorinë, tregohej më i ndjeshëm, ngazëllehej prej zemërbutësisë së punëtorit, ishte i lumtur që kishte gjetur një burrë që mund të plotësonte pa frikë instiktet e tij të shtypjes dhe grabitjes.

U rrit, më në fund, çmimi i qiradhënies së tokave. Barreti protestoi dhe gjithashtu ngriti zërin duke i kujtuar padronit meritat e familjes së tij, që kishte lënë kockat në ato fusha për të bërë më të mirën. Por don Salvadori nuk tundej prej së tijës. A ishin ata më punëtorët? Ai thjesht duhet të paguante më shumë. Dhe Barreti e pagoi shtesën. Më mirë jepte gjakun sesa braktiste arat që po i shuanin jetën.

Tashmë nuk kishte para për të dalë nga vështirësitë; numëronte vetëm të ardhurat që vinin prej prodhimtarisë. Dhe tërësisht vetëm, ia fshihte familjes gjendjen e tij, shtirej sikur qeshte kur gjendej me gruan dhe të bijat, të cilat e këshillonin që të mos mundohej shumë. I gjori Barret iu dha çmendurisht punës.

E harroi gjumin. Dukej sikur perimet e tij rriteshin më ngadalë se ato të fqinjëve; dëshironte vetëm të mbillte të gjitha tokat; punonte natën si i verbër; reja më e vogël të dukej dhe ai gjendej përjashta; i trembur për vdekje; dhe ai, kaq i sjellshëm, kaq i ndershëm, arriti të përfitonte nga pakujdesia e bujqërve të tjerë për të vjedhur një pjesë të ujit.

Nëse familja ishte e verbër, kasollet ngjitur e kishin kuptuar gjendjen e Barretit, e mëshironin përulësinë e tij. Ishte naiv, nuk dinte të përballej sy më sy me koprracin e rrezikshëm. Përpara tij dukej si një thërrime në vend të një buke të tërë.

Ashtu ishte. I shkreti punëtor, i pushtuar prej etheve dhe çmendurisë së mundimshme, i kishin dalë kockat, dridhej si një tetëdhjetë vjeçar me sy të përlotur. Ajo kapele karakteristike e justifikonte nofkën e tij që nuk ndalej vetëm tek veshët; por përfitonte prej imtësisë që përfundonte afër supeve dhe e bënte të dukej si një i vdekur në mes të të gjallëve.

Më e keqja për të ishte se e gjithë kjo lodhje e tepërt i mundësonte atij t’i paguante vetëm gjysmën e detyrimit viganit të pangopur. Pasojat e çmendurisë së tij për këtë punë priteshin të ndodhnin. Kali i xha Barretit, një kafshë e vuajtur që e ndiqte në të gjitha mundimet, i lodhur së punuari ditë e natë, së tërhequri qerren drejt tregut të Valencias, mbushur plot e përplot me zarzavate, dhe në vazhdim, pa patur kohë të pushonte dhe të mbushej me frymë, mbrehte parmendën, mori vendimin të ngordhë, përpara se t’i lejonte vetes përpjekjet për rebelim ndaj të zotit.

Tani po që e konsideronte veten të humbur dhe të pashpresë i gjori punëtor. Me dëshpërim shihte fushat, që tashmë nuk mund të mbilleshin më; rreshtat me perime të freskëta, që njerëzit e qytetit i hanin me indiferencë, pa e çarë kokën nëse prodhimi i tyre kishte lodhur ndonjë baba të mjerë që vazhdimisht Lufton me tokën dhe mizerien.

Por Perëndia, që kurrë nuk i braktis të varfërit, foli me gojën e don Salvadorit. Disa thonë se Zoti shpesh e tregon të drejtën nëpërmjet të gabuarës.

Koprraci i padurueshëm, fajdexhiu i pangopur, duke e ditur fatkeqësinë e tjetrit, i ofroi ndihmë me mirësi atërore dhe prekëse. Çfarë i nevojitej për të blerë një kafshë tjetër? Pesëdhjetë dollar? Epo ai prandaj gjendej aty, për ta ndihmuar, që të vërtetonte se sa të padrejta ishin urrejtjet dhe fjalët e këqija për të.

Dhe i huazoi paratë Barretit, me detajet e parëndësishme i kërkoi një firmë – biznesi është biznes – në fund të një flete ku flitej për interesin, për grumbullimin e të ardhurave, për përgjegjësinë, përmendur këtu dhe mobiljet, mjetet e punës, gjithçka kishte punëtori në kasolle, përfshirë dhe gjënë e gjallë.

Barreti, i inkurajuar prej blerjes së një kali të ri dhe të fortë, u kthye me zell në punën e tij, gati të vritej përsëri në ato kodrina, që dukeshin më të forta dhe që mund të arrinin ta mbështillnin atë me qefin të kuq.

Pjesën më të mirë të të korrave e hante familja, dhe ato pak grushta që mbeteshin, dhe që shiteshin në tregun e Valencias, dëshpërimisht, nuk krijonin të ardhura të mjaftueshme për të shlyer don Salvadorin.

Këto ankthe të xha Barretit për të përmbushur borxhin pa mundur të arrijë shlyerjen e tij përfundimisht, zgjuan tek ai ndjenjën e rebelimit, duke i dhënë jetë mendimit vrastar, të paqartë dhe ideve konfuze mbi drejtësinë. Përse nuk ishin të tijat tokat? Të gjithë gjyshërit e tij kishin dhënë jetën për ato fusha; i kishin ujitur me djersën e familjes; po të mos ishte për ta, për Barretët, do të ishin toka po aq të populluara sa edhe bregu i detit… Dhe tani vjen të shtrëngon lakun, të bën të vdesësh me kujtimet e tua, ai plak i pashpirt që ishte pronar, dhe pse nuk kishte kapur kurrë shat me dorë në jetën e tij, madje as nuk ishte përkulur njëherë më kurriz… O Zot! Dhe si i rregullonin gjërat ata burra!…

Por ato rebelime ishin të përkohshme; i kthehu atij dorëheqjen si fermer, respektin tradicional dhe paragjykimin për pronën. Ai duhej të punonte dhe të ishte i ndershëm.

Dhe burri i gjorë, që e quante mospagimin si çnderimin më të madh, iu kthehej detyrave të tij gjithnjë e më i dobët, i rraskapitur, duke ndjerë se po e braktiste e gjithë forca e trupit, i bindur se nuk mund ta fitonte këtë betejë, por i mërzitur prej mundësisë së vetme të braktisjes së vendit të të parëve.

Në kohën e Krishtlindjeve nuk mundi t’i jepte don Salvadorit më shumë se gjysmën e parave. Mbërriti dhe Shën Huani, dhe asnjë qindarkë. Gruaja iu sëmur, për të mbuluar shpenzimet i duhej të shiste “arin e martesës”, vathët, varëset me perla, që ishin thesari i familjes, dhe që në një të ardhme do të bëheshin objekt bisede në mes motrash se kush do t’i trashëgonte.

Plaku koprrac u tregua i palëkundur. Jo, Barret, kjo gjë nuk mund të vazhdonte më tej. Me mirësinë e tij (gjë që njerëzit nuk e besonin), ai nuk mund të lejonte që punëtori të vritej duke punuar një tokë që i tejkalonte fuqitë e tij. Nuk mund ta miratonte; ishte vendim prej një zemërmiri. Dhe pasi kishte marrë një ofertë tjetër qiraje, e lajmëroi Barretin që të lironte tokat sa më parë të qe e mundur. I vinte shumë keq, por edhe ai ishte i varfër. Ah! Bashkë me këtë e kujtoi që të paguante dhe borxhin e kalit, që bashkë me kamatvonesat shkonte rreth…

Punëtori i gjorë as që e kishte vënë re se borxhi i tij kishte arritur majën për shkak të interesave: kaq të hutuar dhe konfuz e la urdhëri për të braktisur tokat.

Dobësia, kjo veshje e brendshme shkaktohet prej dërrmimit në vazhdim të viteve që shfaqen papritur.

Ai, që nuk kishte qarë kurrë më parë, u mek si një fëmijë. E gjithë mendjemadhësia e tij u zhduk me këtë goditje, dhe shkoi ra në gjunjë përpara njeriut të çuditshëm që të mos e përzente, sepse shihte tek ai babanë e tij.

Por babai i mirë ia mohoi kërkesën Barretit. Don Salvadori u tregua përsëri i ashpër. I vinte keq, por nuk mund të bënte asgjë. Ai gjithashtu ishte i varfër, duhet të mendonte dhe ai për të ardhmen e fëmijëve… Dhe vazhdoi të shfaqte hipokrizinë e tij me shprehje patetike.

Punëtori u lodh duke kërkuar mirësi. Shkoi disa herë në Valencia, në shtëpinë e pronarit, për të folur për etërit, për të drejtat morale që kishte mbi tokat. Duke e humbur durimin, deklaroi me shpresë se ai kishte paguar, dhe në fund të kësaj pronari i mbylli derën në fytyrë.

Dëshpërimi e rigjeneroi Barretin. E ribëri përsëri djalin e fushave, kryelartë, enrgjik dhe të vrazhdë kur bëhej fjalë për arsyetim. Nuk dëshironte pronari ta dëgjonte? Nuk mori mundimin t’i jepte një mundësi? Shumë mirë; ai e priste në shtëpi; nëse tjetri e kërkonte, le të vinte ta merrte. Pa të shohim se kush ishte aq trim sa ta nxirrte nga kasollja!

Vazhdoi të punonte, edhe pse me dyshim, shikonte me mëdyshje saherë kalonte ndokush i panjohur nëpër shtigje. Priste që nga çasti në çast të sulmohej në befasi prej ndonjë grupi banditësh.

E thirrën në gjykatë dhe nuk u paraqit. Ai e dinte se çfarë do të thoshte kjo gjë: ngrenë gracka të tilla për të shpërqëndruar njerëzit e mirë. Nëse donin ta vidhnin, le ta kërkonin atje, mes fushave që ishin pjesë e lëkurës së tij, ku edhe ai të mund të mbrohej.

Një ditë i thanë që atë pasdite do të vinin njerëz nga gjykata për të proceduar kundër tij, për ta përzënë nga tokat, duke i konfiskuar të gjithë pasurinë që nevojitej për të shlyer borxhin. Pra atë natë nuk mund të flinte në kasolle.

Kaq e papritur ishte kjo për xha Barretin, sa ai qeshte me mosbesim. Kjo gjë mund të bëhej për mashtruesit, për ata që s’paguanin asnjëherë; por jo atij, që kishte paguar gjithnjë, që kishte lindur pikërisht aty, që i detyrohej vetëm një vit qira… Dreq o punë! Apo një që jeton në mes të egërsisë, pa përkujdesje dhe pa besim!

Pasdite, kur pa të vinin prej rrugës disa zotërinj veshur me të zeza, si shpendë të zymtë me letra të fshehura nën sqetull, nuk dyshoi më. Ata ishin armiqtë. Erdhën për ta grabitur.

Dhe ndjeu në qenien e tij trimërinë e verbër prej tregëtari kënete që vuan prej të gjitha llojeve të ofendimit, por që çmendet kur i prekin pronën. Barreti hyri me vrap në kasolle, rrëmbeu armën teke që e mbante gjithmonë të mbushur prapa derës, mori shenjë prej poshtë hardhisë dhe u bë gati të vriste të parin bandit që do të shkelte në pjesën e tij.

Gruaja e sëmurë rendi pas tij me një frymë, dhe vajzat, duke qarë si të çmendura, përqafonin të atin, përpiqeshin t’i merrnin armën duke ia tërhequr prej gryke me të dyja duart. Dhe të tilla ishin të bërtiturat e tyre, që duke luftuar dhe u përleshur shkonin sa në një tendë e në një tjetër. Filluan të dilnin jashtë njerëzit e kasolleve pranë, vinin duke vrapuar, në grup, të shqetësuar, me solidaritetin vëllazëror të atyre që jetojnë të braktisur.

Pimento ishte ai që ia shkëputi teken nga dora dhe e shpuri në kasollen e tij. Barreti i shkoi pas, duke u përpjekur ta ndjekë, por e kishin mbërthyer krahët e fortë të djemve të zonës, që shfrynin zemërimin kundër shtazëve që ai po përpiqej t’i vriste.

-Pimento!… Hajdut!… Më kthe armën menjëherë!…

Por trimi qeshte me pa të keq, i kënaqur që po tregohej i urtë dhe atëror me plakun e tërbuar; dhe kështu ishte derisa e shpunë në kasollen e tij, ku e qetësuan dhe e këshilluan që të mos e bënte një gabim të tillë. Hap sytë xha Barret! Ata njerëz ishin të drejtësisë, dhe i varfri gjithmonë humbet kur ngatërrohet me ta. Qetësia dhe qëllimi i keq do të marrin atë që meritojnë.

Dhe në të njëjtën kohë zogjtë e zinj shkruanin letra dhe vetëm letra për në kasollen e Barretit, i sekuestruan mobiljet dhe enët e shtëpisë, përfshirë në inventor dhe qerren e fortë dhe të qëndrueshme, ndërkohë gruaja me të bijat lebetiteshin të dëshpëruara tek dera dhe ndiqnin me sy të tmerruar të gjithë procesin e konfiskimit, e bashkë me to shihnin dhe gratë e kasolleve pranë të ardhura për ngushëllim, dhe mallkonin nëpër dhëmbë çifutin don Salvador dhe ditëzinjtë e gjykatës që viheshin në shërbim të tij.

Në të errur, Barreti, që ishte si i shtangur dhe pas krizës së furishme dukej sikur kish rënë somnambul, pa nën këmbët e tij një grumbull leckash dhe dëgjoi një zhurmë hekurishtesh prej një thesi që mbante veglat e tij të punës.

-Baba!… Baba! – thirrën me një zë të drithëruar.

Ishin të bijat që e përqafonin në krahët e tyre; e më pas gruaja e gjorë, e sëmurë, që dridhej prej etheve; dhe në fund u nisën drejt kasolles së Pimentos dhe humbën tutje portës së shqyer, në mes të njerëzve që i ngjanin korit të tmerruar të tragjedisë.

Tani i kishin nxjerrë përgjithmonë nga streha e tyre. Burrat me të zeza e kishin mbyllur, i kishin vënë drynin. Nuk kishin asgjë më shumë se dengjet që gjendeshin përdhe, rrobat e trupit, disa enë: të vetmet që i kishin lejuar të nxirrnin prej shtëpisë.

Dhe fjalët ishin të prera prej të qarave, dhe kthehej e përqafohej i ati me të bijat, dhe Pepeta, pronarja e kasolles, dhe gratë e tjera qanin dhe përsërisnin nëpër dhëmbë mallkimet kundër plakut koprrac, derisa Pimento ndërhyri menjëherë. Kohë kishin për të folur për aq sa ndodhi; tani, le të hanë. Çfarë djalli! Nuk do të rrinin duke qarë për faj të një plaku çifut. Sikur t’i shikonte, do të gëzohej ditëziu!… Njerëzit e kopshtit ishin të mirë; familjen e xha Barretit e donin të gjithë, dhe me ta ndanin dhe kafshatën e fundit.

Gruaja me të bijat shkuan tek disa fqinjë, për të fjetur në kasollen e tyre. Xha Barreti qëndroi aty, nën vëzhgimin e Pimentos.

Mbetën të dy burrat deri në dhjetë ulur në disa stola prej kashte, nën dritën e kandilit, duke tymosur cigare pas cigareje.

Plaku i gjorë dukej si i çmendur. U përgjigjej shkurt ngacmimeve të atij kokëfortit, dhe tani qëndronte i heshtur; dhe nëse fliste, përsëriste vetëm fjalët:

-Pimento!… Më kthe armën!

Dhe Pimento qeshte me një admirim të sinqertë. Çuditej me egërsinë e papritur të plakut, që e gjithë zona e mbante për të urtë. T’ia kthente armën!… Menjëherë! Por ai e shihte mirë inatin në ballin e vrenjtur të plakut që ishte betuar ta bënte pluhur autorin e shkatërrimit të tij.

Barreti mërzitej sa herë shihte të riun. E quante hajdut për shkak se nuk i kthente armën. Nuk kishte miq; të gjithë ishin mosmirënjohës, njëlloj si koprraci don Salvador. Nuk donte të flinte aty: i merrej fryma. Dhe rrëmoi në thesin e veglave, zgjodhi një drapër, e vari në brez dhe doli nga dritarja, pa u ngacmuar nga Pimentoja.

Në një kohë të tillë asgjë e keqe nuk mund ta gjente plakun: që fjeti në qiell të hapur kundër dëshirës së tij. Ndërsa Pimento mbylli dyer e dritare duke hequr dorë prej kthimit.

Xha Barreti shkoi drejt e në fushat e tij, dhe si një qen i braktisur vinte rreth e rrotull kasolles.

E mbyllur!… E mbyllur përgjithmonë! Ato mure i kishte ngritur i gjyshi dhe i kishte mirëmbajtur vetë që atëherë. Ende qëndronte jashtë në errësirë, nën të bardhën e mprehtë të gëlqeres me të cilat të bijat kishin lyer tre muaj më parë.

Vatha, hambari, stalla e derrave, ishin vepër e babait të tij; dhe atë kulm prej kashte, kaq të lartë, kaq të brishtë, me dy kryqe në skaje, e kishte ngritur ai vetë nga e para, në vend të të vjetrës që pikonte ujë nga të gjitha anët.

Vepër e duarve të tij ishte gjithashtu dhe gryka e posit, shtyllat e hardhive, pritat e peshkut, shtyllat e larta mbushur me lule dhe bimë kacavjerrëse. Dhe të gjitha këto do të ishin pronë e dikujt tjetër vetëm e vetëm se kështu deshën ata?…

Kërkoi në brez shiritin prej fosfori me të cilin ndizte cigaren. Kërkonte t’i vinte flakën kashtës së çatisë. T’i çonte të gjitha në djall! Fundja ishte e tija, e dinte edhe Ai lart, dhe më mirë ta shkatërronte sesa ta shihte në duart e hajdutëve.

Kur u bë gati t’i vinte zjarrin shtëpisë së vjetër, ndjeu një përshtypje të tmerrshme, sikur u shfaqën përpara tij shpirtrat e stërgjyshërve, dhe e hodhi fosforin e ndezur në tokë.

Vazhdonte ashtu i zhurmshëm në kokën e tij, dhe për tu kënaqur mori drapërin në dorë, vrapoi nëpër fusha sikur ato të kishin zgjedhur atë për xhelat.

Tani do t’ paguante të gjitha vuajtjet e tij kjo tokë mosmirënjohëse!

Për orë të tëra zgjati ai shkatërrim. Përmbyseshin nën thembrën e tij purtekat mbi të cilat ngjitej bari i gjelbër, bishtajat dhe bizelet; binin bathët pjesë-pjesë prej drapërit të furishëm, lakrat e mbjella rresht kërcenin prej prekjes së çelikut të nxehtë sa në një krah në tjetrin si koka të prera duke shpërndarë ngado fletët e tyre si flokë… Nuk do të lejonte askënd të përfitonte prej punës së tij! Dhe këtë punë bëri derisa zbardhi dita. Preu, shkatërroi si i çmendur, duke sharë me zë të lartë, duke bërtitur blasfemira; derisa në fund lodhja e vuri përposhtë, dhe u shtri në një gropë duke qarë si fëmijë, duke menduar që toka prej tani do të ishte shtrati i përjetshëm dhe profesioni i tij i vetëm, lypja.

E zgjuan rrezet e para të diellit që i ngacmonin sytë dhe cicërimat e gëzueshme të zogjve që po vërtiteshin rreth kokës së tij për të përfituar një mëngjes prej mbetjeve të natës së kaluar.

U ngrit i lodhur nga mpiria dhe lagështia. Pimentoja dhe e shoqja e thërrisnin që larg, duke e ftuar të pinte diçka. Barreti u përgjigj me përçmim: “Hajdut! Ti që nuk më jep armën! …” Dhe mori rrugën drejt Valencias, duke u dridhur nga të ftohtët, duke mos e ditur se ku të shkonte.

Kur mbërriti përpara tavernës “Kopa”, hyri brenda. Disa karrocierë të fshatit i shprehën ngushëllimet për fatkeqësinë që e zuri dhe e ftuan të pinte gotë, gjë që ai e pranoi. Dëshironte diçka kundër të ftohtës që i kish hyrë deri në palcë. Dhe ai, kaq parimor, piu njëra pas tjetrës dy gota alkool që i ranë si valë zjarri në stomakun e boshatisur.

Fytyra iu skuq dhe iu zverdh menjëherë si të kishte vdekur; sytë iu skuqën prej damarve gjakut. U shfaq përpara karrocierëve, që iu dukën të besueshëm dhe të ndjeshëm, si të mos i kishte ndodhur asgjë. I quajti bijtë e tij, dhe i siguroi që nuk bëhej merak për sa i kishte ndodhur. Ende kishte diçka më të mirë se shtëpia, drapërin e gjyshit: një xhevahir që nuk e ndërronte as me pesëdhjetë hektarë prej toke pjellore.

Dhe nxorri nga brezi harkun e metaltë, të pastër dhe të ndritshmëm: një vegël me çelik të rrahur dhe me the të mprehtë; që sipas Barretit, mund të priste në ajër letrën e cigars.

Karrocierët paguan dhe drejtuan kafshët e tyre drejt qytetit, duke e mbushur rrugën me fishkëllimat e rrotave.

Plaku qëndroi më shumë se një orë në tavernë, duke folur me vete, duke ndjerë se koka rrotullohej; derisa u bezdis prej shikimit të banakierëve, që mendonin për gjendjen e tij, i erdhi turp dhe u ngrit e doli pa përshëndetur duke u larguar me hapa të çrregullt.

Nuk mundte ta largonte nga mendja atë kujtim të ngulitur. Shikonte me sy mbyllur një kopsht të madh me portokaj që ishte thuajse një orë larg, ndërmjet Benimakles dhe detit. Atje kishte shkuar shpesh për punët e tij, dhe atje do të shkonte dhe tani, të shihte nëse dreqi ishte aq i mirë sa ta përballte me pronarin, për të cilin ishin të rralla ditët që nuk shkonte atje të hetonte me shikimin prej koprraci pemët e bukura si tu numëronte kokrrat e portokajve.

Arriti pas afro dy orësh ecje, duke u ndalur disa herë që të merrte veten që nuk mund ta balanconte mbi këmbë.

Alkooli e kishte zënë. Tashmë nuk e dinte as se përse kishte ardhur deri aty, kaq larg prej kopshtit ku jetonin njerëzit e tij, dhe përfundoi duke e lënë veten të shtrihet në një fushë me kërp anës rrugës. E pas pak gërhitjet e tij prej pijaneci u dëgjuan në mes të gjelbërimit dhe kërcejve të gjatë.

Kur u zgjua kishte rënë nata. E ndiente kokën të rëndë dhe stomakun të zalisur. I buçisnin veshët dhe në gojë kishte një si shije të tmerrshme. Çfarë e solli aty, pranë kopshtit të çifutit? Si arriti të vinte kaq larg? Ndershëmria e tij primitive e bëri t’i vinte turp prej atyre shpifjeve, dhe u përpoq të qëndronte më këmbë që të mund të largohej. Shtypja që krijoi mbi stomak drapëri i varur në brez i dha të dridhura.

Duke drejtuar trupin, zgjati kokën nëpër kallamishte dhe pa në mes të rrugës një njeri të çuditshëm që ecte ngadalë i mbështjellë me një batanije.

Barreti ndjeu gjakun t’i hypte në kokë, iu rikthye dehja, dhe rrëmbeu draprin në dorë… Kush është ai që thotë se djalli nuk është i mirë? Atje ishte ai burrë; i njëjti që deshte të shihte një ditë më parë.

Plaku i fajdeve kishte parë përreth përpara se të dilte nga shtëpia. E ngacmonte diçka në lidhje me xha Barretin; ndodhia ishte e freskët dhe pemishtja ishte tradhtare. Por frika prej përfitimit të mungëses së tij në kopshtin me portokalle ishte më e madhe dhe mendoi se kjo fermë ndodhej larg prej kasolles së sekuestruar, ndaj u nis në këmbë.

Tashmë arriti ta shihte kopshtin, qeshi prej frikës së mëparshme, kur papritur pa të dilte prej tokës me kallamishte Barreti dora vetë, i cili iu duk në ato çaste si dreqi vetë, me fytyrën e kuqe, me krahët e hapur që i bllokonin çdo mundësi arratisjeje dhe e shtyu drejt kanalit në anë të rrugës. Kujtoi se qe ëndërr; dhëmbët i kërcisnin, fytyra iu zverdh, batanija i ra duke i nxjerrë në pah një pallto të vjetër dhe disa shami mbështjellë rreth qafës. Kaq të mëdha ishin frika dhe sikleti saqë foli në dialektin e Kastijës.

-Barret! Biri im! – thoshte me zë të dridhur. -E gjitha ishte një shaka: mos e bëj kaq të madhe. E djeshmja ishte sa për të të trembur pak… asgjë më shumë. Ti i ke ende tokat… Kalo nesër nga shtëpia… të flasim. Më paguaj si të të duket më mirë.

Dhe e kërrusi trupin që të mos i jepte mundësi Barretit t’i afrohej. Përpiqej të shpëtonte, të ikte prej drapërit të tmerrshëm, në tehun e të cilit binte një rreze dielli dhe pasqyronte në të kaltërsinë e qiellit. Duke pasur ngrehinën e kanalit pas, nuk gjente hapësirë ku të lëvizte, dhe e shtynte trupin pas, duke pretenduar të mbrohej me duart e rrudhura.

Punëtori qeshte si egërsirë duke nxjerrë në pah dhëmbët e ndritur dhe të mprehtë.

-Gënjeshtar! Gënjeshtar! – përgjigjej me një zë që ngjante me gërhitjen.

Dhe lëvizte armën e ftohtë sa në një dorë në tjetrën, duke parë se ku ta godiste e duke iu shmangur duarve të plakura dhe të dëshpëruara të vëna përpara.

-Por Barret! Biri im! Çfarë është kjo?… Ule armën… mos luaj kështu… Ti je njeri i ndershëm… mendo për vajzat e tua. Po të them që ishte thjesht shaka. Eja nesër që të të jap çels… Oh!…

Ishte një ulërimë e mbytur, një e bërtitur prej kafshe të plagosur. Drapëri i lodhur prej pengesave, kishte prerë me një goditje të vetme njërën prej duarve të mbledhura grusht. Mbeti varur prej tendinave dhe lëkurës, dhe cungu i kuq hodhi gjakun me forcë duke spërkatur Barretin në fytyrë, që bërtiti kur i njomi fytyrën ajo vesë e nxehtë.

Plakut iu drodhën këmbët, por përpara se të binte në tokë, drapëri lëvizi horizontalisht në qafën e tij, dhe… fap, preu lidhjen e ndërlikuar të shamive duke hapur një të çarë të thellë dhe duke ndarë kokën nga trupi.

Ra don Salvadori në kanal. Këmbët i mbetën në anë të rrugës duke u dridhur prej goditjes së pamëshirshme të vdekjes. Dhe ndërkohë, koka, e ngjeshur na baltë, e lëshoi të gjithë gjakun drejt hendekut dhe uji u bë i kuq dhe duke ndjekur rrjedhën e tij të qetë, gëzonte heshtjen madhështore të asaj pasditeje të vonë.

Barreti mbeti pranë trupit si ndonjë i mangët. Sa shumë gjak paska pasur xha hajduti! Kanali skuqej dhe dukej më i fuqishëm. Papritmas, punëtori, i tmerruar nga ajo çfarë bëri, nisi të vrapojë si të kishte frikë se përroi i gjakut mund ta mbyste me gjithë atë prurje.

Përpara se të mbaronte dita, lajmi u përhap si një gjëmim topi që tronditi të gjithë fushën. A keni parë gjest hipokrit, ngazëllim të heshtur, me të cilin pret një fshat i tërë vdekjen e sundimtarit që i kishte shtypur?… Kështu e qanë njerëzit zhdukjen e don Salvadorit. Të gjithë e dinin që qe dora e xha Barretit, por nuk folën. Kasollet do të kishin hapur për të vrimat më të fshehta, gratë do ta kishin fshehur nën fustan.

Por vrasësi shëtiti si i marrë nëpër pemishte, duke ikur nga njerëzit, duke u zvarritur nëpër shkëmbinj, duke u fshehur poshtë urave, duka ia mbathur përmes fushave, duke u trembur prej lehjes së qenve, derisa të nesërmen e gjeti Garda Civile duke fjetur në një mullar bari.

Gjatë gjashtë muajve flitej për xha Barretin ngado nëpër fusha.

Të dielave shkonin si për pelegrinazh burra e gra në burgun e Valencias për të parë pas hekurave “shpëtimtarin” e mjerë. E gjenin çdo herë e më të dobët, me sytë e përhumbur e me fytyrë të shqetësuar.

Mbërriti dita e procesit gjyqësor, dhe e dënuan me vdekje.

Lajmi shkaktoi trazira në fshat; priftërinjtë dhe kryetarët u vunë në lëvizje për të shmangur këtë turp… Çdo ndarje e vogël administrative u ngjit në tribunën e ekzekutimit! Dhe si Barreti që kishte qenë i ditur, ata votuan që të urdhëronin prijësin t’iu bindej për sa e urdhëronin; të shkonte në Madrid për t’i shpëtuar jetën, dhe fatmirësisht kërkesa u miratua.

Punëtori doli prej burgut i bërë si mumje, dhe u dërgua në fortesën e Seutas, ku vdiq disa vjet më vonë.

Familja iu shpërnda; u zhduk si një grusht kashte në erë.

Të bijat, njëra pas tjetrës, braktisën familjet ku jetonin, lëvizën në Valencia për të fituar bukën e gojës si shërbëtore; dhe plaka e gjorë, e lodhur prej sëmundjeve u shtrua në një spital, dhe vdiq pak kohë më pas.

Njerëzit e kopshtit, me thjeshtësinë që ka gjithë bota për të harruar fatkeqësinë e tjetrit, mezi e kujtonte kohë pas kohe tragjedinë e tmerrshme të xha Barretit, duke pyetur se çfarë u bë me të bijat.

Por askush nuk i harroi fushat dhe kasollen, të cilat mbetën në po të njëjtën gjendje që prej ditës kur drejtësia i sekuestroi.

Kjo ishte një marrëveshje e heshtur e të gjithë kopshtit; një komplot i pavetëdijshëm, i cili u përgatit pa u thënë asnjë fjalë; dhe u duk sikur pjesë e tij u bënë pemët dhe gurët e rrugës.

Pimento e kishte thënë që ditën që ndodhi gjëma: “Të shohim kush është aq trim sa të hyjë në ato toka!”

Dhe të gjithë njerëzit, madje gratë dhe fëmijët gjithashtu, dukeshin sikur përgjigjeshin në po të njëjtën mënyrë: “Po, pa të shohim!”

Bimët parasite, murrizat, filluan të mbinin mbi tokën e mallkuar të cilën xha Barreti e kishte shkatërruar me drapër natën e fundit, si ta parandiente se për faj të saj do të vdiste në fortesë.

Bijtë e don Salvadorit, të babëzitur si babai, e pandehnin veten e tyre të fundosur në varfëri pasi ajo copë toke nuk punohej.

Një punëtor që jetonte në fermën ngjitur, burrë që mbahej për trim dhe që kurrë s’kishte patur tokë mjaftueshëm, i joshur dhe prej qirasë së ulët, u fut në fushat që të gjithë i kishin frikë.

Nisi të punojë tokat me armë në sup; ai dhe shërbëtorët qeshnin me vete kur shihnin që fqinjët mbeteshin pas; kasollet mbylleshin pas hapave të tij, dhe prej së largu e ndiqnin vështrime armiqësore.

Punëtorin e ruanin pasi kishin frikën e ndonjë pusie; por që nuk i shërbeu për gjë, pasi një pasdite tek kthehej vetëm në shtëpi, kur ende nuk i kishte përfunduar plugimin e tokave të reja, u dëgjuan dy të shtëna. Nuk pa asnjë keqdashës, dhe shpëtoi mrekullisht shëndoshë e mirë prej plumbave që i kaluan pranë veshëve.

Në rrugë s’dukej këmbë njeriu apo ndonjë shenjë tjetër. E kishin qëlluar nga kanali, e më pas qitësi ishte larguar nga kallamishtet.

Me armiq të tillë ishte e pamundur të luftoje; dhe qiramarrësi, në të njëjtën natë, u dorëzoi çelësat e kasolles pronarëve të tij.

Vetëm t’i dëgjoje djemtë e don Salvadorit. “Ekziston siguria dhe qeveria mbi të drejtën e pronës… apo nuk ekziston?”

Pa dyshim që ishte Pimento autori i sulmit, ai që ndalonte mbjelljen e tokave, dhe Garda Civile e kapi trimin e kopshtit dhe e futi në burg.

Por kur erdhi momenti i dëshmive, e gjithë zona rrëfeu përpara gjykatësit pafajësinë e Pimentos, dhe ishte e pamundur të shkëpusje prej atyre fshatarëve dinakë ndonjë fjalë kontradiktore.

Të gjithë recituan të njëjtin mësim. Madje dhe plakat shëndetliga që u detyruan të dalin prej kasolleve për të dëshmuar, rrëfyen se atë ditë, në të njëjtën orë që dëgjuan të shtëna, Pimento ishte në një tavernë në Alboraja duke pirë me miqtë e tij.

Nuk mund të bëje asgjë kundër atyre njerëzve budallenj dhe zemërbardhë, që krruanin qafën dhe gënjenin me aq mjeshtëri; Pimento ishte tashmë i lirë, dhe prej të gjitha kasolleve doli një psherëtimë triumfi dhe lehtësimi.

Tashmë ishte dhënë prova: të gjithë ata që kërkonin të mbillnin ato toka do të paguanin me jetë.

Pronarët lakmitarë nuk u dorëzuan. E mbollën tokën vetë; kërkuan punëtorë dhe gjetën disa të mjerë dhe të nënshtruar që mbanin era varfëri dhe mizerie, të cilët të shtyrë prej urisë, u zhvendosën prej fundit të provincës, nga malet në kufi me Aragonën.

Në kopësht u erdhi keq për këta barktharë. Të mjerët! Erdhën vetëm për atë rrogë; ç’faj kishin? Dhe në darkë, kur ktheheshin me shat në sup, nuk mungonte ndonjë shpirtmirë që i thërriste nga porta e tavernës “Kopa”. Hynin brenda, pranonin të pinin diçka dhe më pas flisnin dhe dëgjonin me fytyra të vrenjtura atë zë atëror që dukej sikur këshillonte një fëmijë për të keqen që i kanosej. Dhe përfundimi ishte se këta barktharë të urtë, ditën tjetër, në vend të linin fushat, paraqiteshin tek të zotët e tokave.

-Zotëri: vijmë të marrim rrogën.

Dhe ishin të kota të gjitha argumentat e të dy beqarëve të tërbuar, pasi prekeshin aty ku iu dhimbte.

-Zotëri – përgjigjeshin të gjithë. – Jemi të varfër, por nuk e gjetëm shpirtin pas mullarit.

Jo vetëm që e linin, por nxisnin dhe fshatarët e tyre se nëse shkonin të fitonin para në fushat e xha Barretit, ishte si të shkonin në djall.

Pronarët e tokave kërkuan mbrojtje prej gazetave publike. Dhe u duk Garda Civile e cila shëtiste pemishtet, kontrollonte rrugët, përpiqej të dëgjonte ndonjë fjalë, por pa sukses.

Të gjitha ditët ishin njëlloj: gratë qepnin dhe këndonin nën hardhi; burrat punonin fushat pa ngritur kokën për asnjë çast; Pimento ishte shtrirë si zotëri përpara tre shkopinjve duke pritur zogjtë dhe në të rrallë ndihmonte me përtesë dhe dembelizëm Pepetën; në tavernën “Kopa” disa pleq po ngroheshin në diell duke luajtur me letra. Pesazhi merrte ajër në paqe dhe egërsia e nderuar ishte si një Arkadia afrikane. Por fisnikët nuk kujdeseshin për të; asnjë punëtor nuk i donte ato toka edhe sikur tua jepnin pa para, dhe më në fund pronarët i hodhën armët duke i lënë fushat të mbulohen nga gjembat dhe kasollen të bjerë, e ndërkohë prisnin të dilte ndonjë njeri i zoti që dëshironte t’i blinte dhe t’i punonte.

Njerëzit kënaqeshin jashtë mase kur shikonin sesi humbiste gjithë ajo pasuri dhe sesi trashëgimtarët e don Salvadorit shtireshin sikur nuk u bëhej vonë.

Ishte kënaqësi e re dhe e ndershme. Ndonjëherë duhej plotësuar dëshira e të varfërve dhe të ulej hunda e të pasurve. Dhe buka e thatë dukej më e shijshme, vera më e mirë, puna më e lehtë, kur mendonin tërbimin e dy të babëziturve që me gjithë ato para u duhej të duronin dhe talljet e fshatarëve.

Për më tepër ajo pjesë e braktisur dhe e mjeruar në mes të fushës shërbente edhe për pronarët rreth e rrotull, që të mos e tepronin me kërkesat e tyre, të mos shtonin qiranë dhe të tregoheshin më të duruar nëse nuk paguheshin në kohë.

Tokat e shkretuara ishin hajmalia që mbante lidhur bujqërit, si një shoqëri me rregulla: një monument që shpallte fuqinë e tyre mbi pronarët; mrekullia e solidaritetit të varfërisë kundër ligjeve dhe pasurisë së atyre që zotërojnë tokat dhe që nuk kanë djersitur kurrë për t’i punuar.

Të gjitha këto, të menduara çrregullisht, i bënin të besonin se ditën që do të punoheshin tokat e xha Barretit, kopshti do të pësonte të gjitha llojet e fatkeqësive. Dhe nuk e mendonin se pas dhjetë vjetësh triumph, do të mund të hynte në ato fusha të braktisura dikush tjetër përveç xha Tumbas, një bari i verbër dhe llafazan, që duke mos patur dëgjues, u tregonte historitë e luftës tufës me dele të pista.

Prandaj i gjithë fshati u çudit dhe u tërbua kur Pimento nga fusha në fushë e nga kasollja në kasolle përhapi lajmin se tokat e xha Barretit i kishte marrë me qira dikush, një i panjohur “ky”… “ky” – cilido të qe – që ndodhej atje me gjithë familjen, i vendosur në kasolle pa lajmëruar… “si të ishte e tija!”

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.