Zonja Xhulia Ruber priste motrën e saj të madhe, zonjën Enriketa Letor që kthehej nga një udhëtim në Zvicër. Bashkëshortët Letor qenë nisur prej thuajse pesë javësh.
Zonja Enriketa kishte lejuar që i shoqi të kthehej në pronat e tij të Kalvadosit, ku arsye e interesit e thërrisnin, ndërsa vetë do të vinte të kalonte disa ditë pranë së motrës në Paris.
Mbrëmja po binte. Në sallonin e vogël borgjez të hijeshuar nga muzgu, zonja Ruber kishte humbur në lexim, anipse herë pas here i çonte sytë prej zhurmës më të vogël.
Më në fund zilja kumboi dhe motra u shfaq e mbështjellë e gjitha nga rrobat e zhubrosura prej udhëtimit. Menjëherë, pa shkëmbyer as ndonjë përshëndetje ato u përqafuan fort duke i përsëritur përqafimet disa herë me radhë. Mandej biseduan, pyetën për shëndetin e njëra-tjetrës, të familjeve dhe për një mal gjërash të tjera duke folur pa ndalur, me pyetje të shkurtra e të shkëputura herë njëra e herë tjetra ndërkohë që zonja Enriketa hiqte kapelën. Mbrëmja tashmë kish mbërritur. Zonja Ruber thirri shërbyesin që të sillte një llambë dhe kur drita ndriçoi sallën, e këqyri edhe një herë të motrën për ta përqafuar përsëri. Por çuditërisht u shtang, u befasua, pa i thënë asnjë fjalë.
Motra, zonja Letor kishte mbi tëmthat dy tufa flokësh të bardha, ndërsa gjithë pjesa tjetër e kokës ishte e mbuluar me një masë flokësh të zinj, të errët dhe të shndritshëm. Vetëm atje, nga të dy anët e kokës zgjateshin si dy përrenj të argjendtë dy kapulka që shkonin e derdheshin në grumbullin e errët të flokëve. Anipse ajo nuk i kishte ende njëzetekatër vjet, kjo ndodhia e zbardhjes së flokëve kishte ndodhur menjëherë mbas nisjes për në Zvicër. E shtangur, zonja Ruber e shikonte e pataksur, thuajse e gatshme të shpërthente në lot si të qe fatkeqësi e tmerrshme e misterioze që kishte rënë mbi të motrën dhe menjëherë e pyeti:
-Ç’të ka ndodhur, Enriketa?
Duke vënë buzën në gaz me një buzëqeshje të trishtuar si prej të sëmuri, tjetra iu përgjigj:
-Asgjë, të siguroj. Po sheh flokët e mi të bardhë?
Por zonja Ruber e kapi rrëmbimthi për supesh dhe duke e parë ngulmakëmbazi përsëriti:
-Çfarë ke, më thuaj çfarë ke? Mos të të shkojë ndër mend të më gënjesh.
Ishin përballë motra-motrës, fytyrë më fytyrë dhe zonjëzës Enriketa‚ e zverdhur dhe e alivanosur, sytë që i mbante poshtë, iu mbushën me lot.
E motra i përsëriti:
-Çfarë të ka ndodhur?! Çfarë ke?! Përgjigju!
Atëherë me zë të përvuajtur e të ulët, tjetra mërmëriti:
-Kam… kam rënë në dashuri! – dhe e la kokën e saj të bjerë mbi supet e motrës më të vogël duke vënë kujë. Mandej, kur ishte pak më e qetë e ngashërimet e gjoksit iu rralluan e derisa reshtën, ajo filloi të flasë nxitimthi si për t`u liruar nga ky sekret, t’i zbrazte gjithë dhimbjet e zemrës në një zemër mikeshe. Atëherë u kapën për duarsh që vazhdonin t’i shtrëngonin fort dhe të dyja shkuan e u ulën mbi një divan në fundin e errët të sallës, ndërsa më e reja duke kaluar krahun në qafën e më të madhes, duke e ngjeshur pranë zemrës, dëgjon:
-Oh! E pranoj që nuk ka të falur, po nuk e kuptoj, unë që nga ajo ditë jam si e çmendur. Ah! Isha e vëmendshme njëlloj si ti, ruhesha, se ti e di se sa delikate jemi, sa tërhiqemi e sa shpejt biem. Mjafton një kurrgjë, pra pak, shumë pak, një mallëngjim, një nga ato melankolitë e improvizuara që të kalojnë shpejt në shpirt, një nga ato nevojat për t’i hapur krahët, për të dashuruar me pasion, për t’u përqafuar, për të pasur gjithçka në çdo çast. Ti e njeh tim shoq dhe ti e di sesa e dua unë. Ai është një burrë i pjekur, që arsyeton, por që nuk kupton asgjë nga gjithë dobësia e dridhjeve të një zemre femre. Ai është gjithnjë njëlloj, gjithnjë po ai, gjithnjë i mirë e buzagaz, i sjellshëm e gjithnjë i përsosur. Oh! Sa do të doja që ndonjëherë të më pushtonte me vrull në krahët e tij, të më puthte me një nga ato puthjet e lehta e të ëmbla që turbullojnë dy qenie, që janë si intimitete të heshtura; sa do të doja që të kishte debulesë dhe nevojë për mua, nevojën e ledhatimeve të mia, të lotëve të mi. Të gjitha këto janë marrëzi, por ne kështu jemi mbrujtur. Ç’faj kemi se jemi të tilla? Megjithëse, mendimin për ta tradhtuar nuk e kisha pasur asnjëherë por edhe as u fashit. Tashmë kjo ka ngjarë, pa e ditur, pa motiv për asgjë; sepse vezullonte hëna një natë mbi liqenin e Lusernës. Prej një muaji që ne shëtisnim së bashku, im shoq, me atë qetësinë moskokëçarëse të tij, shkatërroi entuziazmin tim, shoi dhuntitë e mia. Kur zbrisnim brigjet për të mënjanuar diellin me vrapin e katër kuajve të postës dhe duke zbuluar mjegullën tejdukëse të mëngjesit, luginat e gjata, pyjet, lumenjtë, fshatrat, unë përplasja duart shpejt dhe i thoja:
-Ah! Sa e bukur është gjithçka, më përqafo, më puth, – ndërsa ai më përgjigjej me një buzëqeshje të këndshme e të ftohtë duke më kapur lehtë për supesh e më thoshte:
-Po nuk ka shkak për t’u puthur përderisa ty të pëlqen shëtitja.
-Këto fjalë ma ngrinin akull zemrën. Kurse mua më duket që kur dashuron, duhet të kesh gjithnjë dëshirë të dashurohesh shumë më shumë kundrejt dukurive që na prekin zemrën. E më pas ndjeva në vetvete ndezjen e një poezie që nuk kishte mundur të përhapej. Ç’të të them? Për pak isha ndrydhur si një kaldajë vapori plot e për plot dhe e mbyllur hermetikisht. Një mbrëmje (për nja katër ditë qëndruam në një hotel në Fluelen), Roberti, që vuante nga një dhimbje koke, ra të flinte menjëherë pas darkës, dhe krejt e vetme shkova për të shëtitur në bregun e liqenit.
-Ishte një natë që të merrte më qafë. Hëna plotësisht e rrumbullt, e plotë, qëndronte në mes të qiellit; malet e lartë me borën e tyre dukeshin si të veshur në argjend dhe uji valë-valë i liqenit xixëllonte. Ajri i këndshëm të jepte një freski, dhe në të njëjtën kohë një farë lodhje e mallëngjim pa shkak. Po sa i ndjeshëm e drithërues bëhet shpirti në këto grimçaste! Sa tronditet e sa fort troket zemra! U ula në barin e këndshëm të lëndinës dhe sodisja atë liqenin e madh e të magjepsshëm. Kisha në vetvete diçka të çuditshme, më buroi një nevojë e pa ngopur për dashuri, një kryengritje kundër monotonisë së zgjatur të jetës sime. Pse pra pikërisht unë të mos shkoja në krahët e një burri të dashur në një breg liqeni të puthur nga rrezja e hënës? Vallë nuk do të ndjeja unë kurrë të vinte tek unë një nga ato puthjet e thella, zbavitëse, që të çmendin e që këmbehen në këto net të ëmbla që vetë Zoti i ka krijuar për njomështitë? Nuk do të isha kurrë e shtrënguar nën dridhmat e dy krahëve të fuqishëm, e ndodhur nën hijet e qarta të një mbrëmje vere? Dhe fillova të qaja si një e çmendur. Dëgjova një zhurmë prapa meje. Një burrë qëndronte më këmbë duke më vrojtuar. Kur ktheva kokën ai më njohu dhe mu afrua:
-Ju po qani, zonjë?
-Ishte një djalë i ri, avokat, që shëtiste gjithnjë me të ëmën dhe që ishim takuar disa herë. Sytë e tij më kishin ndjekur shpesh herë. Isha shumë e mallëngjyer sa që nuk dija t’i përgjigjesha, nuk kisha asnjë mendim. U ngrita dhe i thashë se ndihesha pak më mirë. Ai filloi të ecte përbri meje me një mënyrë të natyrshme dhe me shumë respekt, duke më folur për shëtitjen tonë. Gjithçka që kisha provuar, ai i përkthente në fjalë, gjithçka që më bënte të dridhesha, ai e kuptonte si dhe unë, madje më mirë se unë. Kishte një sjellje që më kujtonte do vargje të De Muses. Unë isha si pa frymë e kapur e gjitha nga një mallëngjim i pakthyeshëm. Më ngjanin që vetë malet, liqeni, qartësi e hënës, dëshmonin gjëra të patregueshme. Dhe kjo gjë, nuk di si, nuk di përse, ishte një lloj haluçinacioni.
-Sa për të… nuk e kam parë që nga e nesërmja e çastmbërritjes së nisjes. Më ka dhënë kartëvizitën e tij.
-Dhe zonja Letor, gati e alivanosur në krahët e së motrës lëshonte rënkime gati si klithma. Atëherë zonja Ruber, e përmbajtur, hijerëndë, i tha me ëmbëlsi:
-Shiko motra ime, shumë herë nuk është një burrë që ne duam, por dashuria. Atë mbrëmje ishte vezullimi i hënës dashuria jote e vërtetë.
Guy de Maupassant | Vezullimi i hënës
By
Read Next:
Hey!
Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀
Join the Club
Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.
Categories
Tags
Agron Tufa Alban Tufa Aleph Andrea Koroveshi anila balla Anna Kove Antonio Çikollari antonio çikollari anxhela lepuri Arka e Noes art Bajram Karabolli Bashkim Shehu blog Elena Garro Enrique Vila-Matas franz kafka fund i lumtur Gazmend Krasniqi Gjergj Fishta Gustav Flaubert Herta Müller Ismail Kadare Joan Benesiu Korab Hoxha letersi Letërsi shqipe Malcolm Lowry Mali magjik margaret atwood Mario Benedetti miguel de unamuno Mikhail Lermontov Oliverio Girondo Pesë vdekje poezia Përkthime roman jakobson Satira shqip Thomas Mann Tregim Umberto Eco Under the volcano Zonja Bovari

Leave a comment