Guy de Maupassant | Miku Xhuzepe

Published on

in

,

Ata ishin lidhur në një miqësi të ngushtë me shoku-shokun gjatë një dimri në Paris. Mbasi nuk ishin parë më qysh atëherë, siç ndodh gjithnjë mbas largimit nga kolegji, një mbrëmje, u ndodhën të dy në një festë, por mëtash të plakur e të thinjur, njëri beqar e tjetri i martuar.
Zoti Dë Merul, jetonte gjashtë muaj në Paris e gjashtë muajt e tjerë të vitit në një kështjellë të vogël në Turbevil. Ishte martuar me vajzën e një çifligari të po atij vendi dhe kish kaluar një jetë të qetë e të mirë, në plogështi, të një njeriu që nuk bënte asnjë lloj pune. Me një temperament të qetë dhe me mendime të vjetra, jo inteligjent e pa guximin e pavarësisë, e kalonte kohën duke qarë me lot të kaluarën, me kritika ndaj modës së veshjes e institucioneve të kohës e duke i përsëritur gjithnjë gruas së vet që të çonte sytë drejt qiellit, shpesh me duart të kryqëzuara në gjoks, për të miratuar vrullshëm së bashku:
“Nën sundimin tënd jetojmë, Zoti im!”
Zonja Dë Merul nga ana intelektuale i ngjante burrit të vet si të ishin motër e vëlla. Ajo e dinte, sipas traditës, se ishte e nevojshme para së gjithash të respektohej Papa dhe Mbreti. Pikërisht për këtë ajo i donte e i respektonte ata me thellësinë e shpitit të saj, ndonëse pa i njohur, me një afsh poetik, me një devotshmëri të trashëguar dhe me dhembshurinë e një gruaje të edukuar mirë.
Ajo ishte e mirë në çdo cep të zemrës së saj. Nuk kishte mundur të lindte fëmijë dhe këtë fatkeqësi e qante me lot në sy kohë pas kohe. Kur zoti Dë Merul takoi në ballo mikun e vjetër Xhuzepe Muradur, ai ndjeu një gëzim të jashtëzakonshëm e të çiltër, sepse në rininë e tyre ishin dashur shumë me njeri-tjetrin. Pas klithmave të surprizës së takimit dhe për ndryshimet që mosha u kishte shkaktuar në fytyrë e në trup, u vunë në dijeni ndërsjlletazi për mënyrën e jetesës së tyre gjatë viteve që kishin kaluar.
Xhuzepe Muraduri, një mesdhetar, kishte qenë këshilltar i përgjithshëm në vendin e lindjes. Në një mënyrë të hapur e pa drojë, fliste me një ton të lartë të zërit, pa asnjë preokupim e duke i thënë mendimet e veta pa asnjë rezervë. Ai ishte një republikan, nga ai lloji i republikanëve të kulluar që e bëjnë ligjin pa asnjë druajtje dhe që kanë një pavarësi të fjalës që në fund të fundit mund të shkojë deri në brutalitet.
Me të hyrë në shtëpinë e mikut, shumë shpejt fitoi simpatinë për përzemërsinë e tij, pavarësisht nga idetë e avancuara në krahasim me bashkëshortët. Zonja Dë Merul shpesh thoshte:
– Ç’mëkat i madh, një burrë i tillë kaq simpatik!
Ndërsa zoti Dë Merul i thoshte mikut të vet me një ton konfidencial.
– Ti, as që e mendon sa keq i bën vendit tonë.
Por pavarësisht kësaj, ai e donte, sepse nuk ka asgjë më të fortë se sa lidhja fëmijënore e rifilluar përsëri në një moshë të pjekur. Xhuzepe Muraduri nga ana e vet shpotitej me bashkëshortët, e i quante si me shaka “breshkëzat e mia të ëmbla”, anipse shpesh herë i neveriteshin për deklamimet emfatike ndaj personave që u vinin pas, ndaj paragjykimeve dhe zakoneve të tyre. Kur në këto raste u lëshonte breshërinë e elokuencës së vet demokratike, bashkëshortët, ndonëse mërziteshin, por për mirësjellje dhe për edukatë, heshtnin e më pas bashkëshorti mundohej ta dredhonte bisedën për të mënjanuar përplasjet. Ata e merrnin Xhuzepe Moradurin vetëm në rrethe të ngushta.
Erdhi vera. Në këtë stinë, festa më e madhe e Dë Merulëve ishte ajo e organizimit të pritjes së miqve me këtë rast, në çifligjet e tyre të Turbevilit. Për ta ky ishte një gëzim i veçantë dhe tejet i madh, një gëzim i njerëzve të mirë e i fshatarëve tipikë. Shkonin e i prisnin të ftuarit deri tek stacioni i trenit e i rikthenin me karrocën e tyre, gjithnjë të prekur prej komplimentave që u bënin për vendin e tyre, gjelbërimin, gjendjen e rrugëve të departamentit, për pastërtinë e shtëpive të fshatarëve, për kafshët e majme që kullosnin në fushë e për gjithçka që shihej në horizont. Ata ua drejtonin vëmendjen miqve të ftuar në atë që kali i tyre trokte në një mënyrë të mahnitshme, megjithëse ishte një kafshë që gjatë një pjese të mirë të vitit i nënshtrohej punëve të fushës dhe ndërkohë prisnin me ankth e me shumë vëmendje të dëgjonin vlerësimin e tyre, gjithnjë duke qenë të mirësjellshëm.
Xhuzepe Muraduri ishte një nga të ftuarit dhe u njoftua ardhja e tij. Bashkëshortët shkuan deri tek treni për ta pritur dhe ishin të lumtur që ai do t’i nderonte me qëndrimin e tij si mik në shtëpinë e tyre. Porsa i pa, Xhuzepe Muraduri kërceu nga vagoni me një hov që e shtoi edhe më shumë gëzimin e bashkëshortëve. Pasi shtrënguan duart, shkëmbyen përshëndetjet e para dhe i bënë një sërë lëvdatash njëri-tjetrit, hypën karrocën dhe u nisën. Gjatë rrugës së gjatë që ishte shumë tërheqëse, miku habitej me lartësinë e drurëve, me të korrat e bollshme dhe me trokun e shpejtë të kalit.
Kur zbritën e filluan të ngjiteshin më këmbë në shkallinat e kështjellës, zoti Dë Merul i tha mikut me një solemnitet të sigurt:
– Ti tani je si në shtëpinë tënde.
Xhuzepe Muraduri u përgjigj;
– Faleminderit miku im i dashur, edhe unë e prisja një gjë të tillë. Ndryshe nuk lidhem në miqësi dhe nuk kam ndrojtje me miqtë. Nuk e kuptoj ndryshe mikpritjen, veçse në këtë mënyrë.
Më pas u ngjit në dhomën e tij për t’u veshur për festën si fshatar – siç i tha mikpritësi – dhe zbriti mandej me një kostum prej cohe ngjyrë blu, me një kapele të gjatë, këpucë të verdha duke braktisur në këtë mënyrë plotësisht parisienin në pushime. Ngjante si të ishte bërë më i thjeshtë, më i ri, më familjar. Duke pasur këtë veshje ndjente një vetëbesim që do të pajtohej lehtë-lehtë e do të mund të përshtatej mirë në këto rrethana. Veshja e tij i preku disi bashkëshortët të cilët e mbanin veten gjithnjë seriozë e me dinjitet, madje për vete në fshat mbanin para mbiemrit të tyre pjesëzën “Dë” prej oborrtarësh, e cila e bënte më të plotë organizimin e një ceremonie të tillë edhe në rrethe të ngushta.
Mbasi hëngrën sillën, shkuan për të vizituar fermën dhe aty parisieni i mrekulloi fshatarët përzemërsinë dhe nuancat e respektit në bashkëbisedimet me ta. Në drekë, me zotërinjtë u shtrua dhe një prift i moshuar, që ishte një nga ata që ishin të ftuarit e gjithë të dielave, e që në këtë ditë të jashtëzakonshme i ishin lutur të merrte pjesë për të nderuar të porsa ardhurin e ri. Xhuzepe, me ta parë u ngërdhesh, mandej e vështroi me një farë habie si një qenie të rrallë të një race të veçantë që nuk kishte parë kurrë ndonjë herë kaq nga afër.
Gjatë drekës ai tregoi lirisht gjithfarë anekdotash që mund të tregoheshin vetëm në rrethe të ngushta shoqërore, porse në dukje ishin jo të përshtatshme për vendin e Dë Merulëve dhe për më tepër në prani të një prifti. Ai nuk i drejtohej atij me “zoti prift”, por thjesht “zoti” dhe e bënte atë të hutohej me konsideratat filozofike për supersticionet e ndryshme që ekzistojnë në gjithë botën. Ai i thoshte:
– Zoti yt, zotëri, është nga ata që ka nevojë të respektohet, por ka edhe nevojë që të diskutohet. I imi quhet “I arsyeshmi” dhe gjithnjë ka qenë armiku i atij tëndit.
Dë Merulët, të dëshpëruar për situatën e krijuar, kërkonin gjithnjë si e si të ndryshonin drejtimin e bisedës. Prifti u largua shumë shpejt. Atëherë mikpritësi me njëfarë ëmbëlsie i tha mikut të ftuar:
– Ti mbase e teprove pak me këtë priftin.
Por Xhuzepeja menjëherë klithi:
– Eh, ç’budallallëk! A mund të rrish duarkryq e të druhesh nga një prift?! Veç kësaj, miku im, ti do të më jepje kënaqësi që të mos ta sjellësh më këtë individ në tavolinë. Servirini ju sa të doni të dielave apo në ditë pune të javës, por mos ua impononi atë miqve, djalli ta marrë!
– Por i dashuri im, karakteri i shenjtë i këtij…
– Po, e di, – e ndërpreu Xhuzepe Muraduri-, sigurisht që duhet trajtuar si i virgjër. E di, e di. Kur këta lloj zotërinjsh do të respektojnë bindjet e mia, atëherë edhe unë kam për të respektuar ato të tyret.
Kështu u mbyll ajo ditë. Të nesërmen, zonja Dë Merul, me të futur këmbët në sallonin e saj, gjeti në mesin e tavolinës tri gazeta: “Volter”, “Francezi Repulikan” dhe “Drejtësia”, që e bënë të hedhë një hap prapa. Por po atë çast, në prag të sallonit u shfaq Xhuzepe Muraduri, gjithnjë me veshjen e tij ngjyrë blu, duke lexuar i përqendruar me vëmendje gazetën “Intransigjenti”.
– Këtu, në këtë numër të kësaj gazete, – tha ai me një zë të lartë -, është një artikull i shkëlqyer i Roshforit. Ky djalosh është i mahnitshëm.
Ai filloi ta lexonte artikullin duke vënë theksin e me një ton më të lartë në fraza të veçanta dhe as që e vuri re mbërritjen e mikut të tij në sallon. Zoti Dë Merul mbante ndë duar gazetën “Galua” për veten e tij dhe “Kleron” për bashkëshorten. Prozën e nxehtë të shkrimtarit guximtar, me të cilin i kundërvihej pushtetit, Xhuzepeja e deklamonte me shumë forcë. E lexonte pothuajse me theks mesdhetar dhe lëshonte breshërinë e fortë të fjalëve të pacipa e qesëndisëse kundër perandorisë, që e bënte të ushtonte salloni i qetë, të lëkundeshin perdet e vjetra e të papërkulshme; dukej sikur i hidhte mendimet mbi muret, mbi kolltukët e mëdhenj e mbi orenditë e rënda që prej një gjysmë shekulli zbukuronin ato dhoma, duke qëndruar në të njëjtat qoshe.
Burrë e grua, njëri më këmbë e tjetra ulur, dëgjonin si të shushatur e shumë të skandalizuar dhe dukeshin si të ishin ngurtësuar. Muraduri, lëshoi frazën e fundit si të lëshonte një flakë zjarri false, mandej me një zë triumfues tha:
– Eh! Çfarë të thuash! Ky është një artikull i shkëlqyer. Është i kripur, ëh!…
Por, në një çast vuri re dy gazetat që ndodheshin në duar e mikut dhe u ndal krejt i habitur. Shkoi shpejt ballë tij me hapa të mëdha dhe me një zë të furishëm e pyeti:
– Çfarë ke ndërmend të bësh me ato letrat aty?
– Por… këto janë… dy gazetat e mia.
– Gazetat e tua? Ti kërkon të tallesh me mua! Do të më jepje kënaqësinë po të lexoje të miat që të zgjojnë ide; sa për të tuat… ja çfarë mund të bëj, unë…
Dhe para se mikpritësi i hutuar të arrinte të mendohej se si t’i mbronte, ai ia rrëmbeu, i copëtoi të dy gazetat e i hodhi jashtë nga dritarja. Mandej rëndë-rëndë i vuri ndër duar zonjës Dë Merul gazetën “Drejtësia” kurse të shoqit gazetën “Volter” dhe u fundos në një poltron për të përfunduar leximin e gazetës “Intrasigjenti”.
Bashkëshortët Dë Merul, për edukatë mbasi lexuan diçka prej atyre gazetave që i mbanin në majë të gishtave si të ishin të helmuara, i lëshuan mbi tavolinë. Miku që e vuri re këtë ia dha gazit dhe duke u drejtuar kah tyre u tha:
– Tetë ditë me këtë ushqim dhe do t’u shndërroj me idetë e mia.
Në krye të tetë ditëve ai në fakt ishte bërë si të ish padroni i asaj shtëpie. Ia mbylli derën priftit tek i cili tashmë zonja Dë Merul shkonte ta vizitonte mbasi të kishte dalë fshehurazi prej shtëpisë e pa u vënë re nga askush. Ai ndërkohë, ndaloi futjen në kështjellë të gazetave “Galua” dhe “Kleron”, porse një nga shërbyesit e shtëpisë shkonte fshehurazi për t’i tërhequr në postë dhe po fshehurazi i vendoste poshtë nënkresave të divanit për të mos u diktuar prej mikut.
Ndërkohë Xhuzepe Muraduri jepte urdhëra sipas mënyrës së vet, anipse gjithnjë desh të dukej simpatik, gaztor e shpirt mirë, porse tashmë ishte bërë zot shtëpie e i plotfuqishëm. Priste të tjerë miq që hynin e dilnin si njerëz të devotshëm e legjitimë. Të zotët e vërtetë të shtëpisë gjykonin se e kishin të pamundur të takonin të tillë lloj miqsh dhe duke mos ditur ç’të bënin e nga t’ia mbanin, një mbrëmje e njoftuan mikun se ishin të detyruar të mungonin për disa ditë në shtëpinë e tyre kinse do të shkonin diku për të kryer disa punë të vetat, prandaj iu lutën të mos mërzitej që do të qëndronte vetëm në shtëpi.
Ai nuk u turbullua aspak dhe u përgjigj:
– Shumë mirë, shkoni, për mua nuk ka rëndësi, ju pres deri kur të doni. Unë ju kam thënë. Mes miqsh nuk ka pse të ketë drojë. Ju kini të drejtë të merreni me punët tuaja… djalli ta hajë. Unë nuk fyhem aspak për këto gjëra, përkundrazi, madje kështu ndihem më i çliruar prej jush. Shkoni, do ju pres këtu.
Zonja dhe zoti Dë Merul u nisën të nesërmen. Ai i priste aty.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.