Guy de Maupassant | Më pas

Published on

in

,

-Vogëlushët e mi të shtrenjtë, – u tha kontesha tre nipërve të saj, – duhet të shkoni për të fjetur.
Të tre fëmijët, dy vajzat dhe djali, u çuan dhe shkuan të përqafonin gjyshen e tyre. Pastaj i nisën t’i uronin natën e mirë edhe famullitarit që kishte ngrënë darkën aty në kështjellë, sikurse bënte zakonisht çdo të enjte. Prifti Modui i mori mbi të dy gjunjët duke kaluar krahët e tij të gjatë në qafat e fëmijëve dhe u dha nga një puthje të gjatë në ballë. Mandej i uli në tokë dhe krijesat e vogla nisën të ecin, djali para dhe vajzat nga pas.
-Ju i doni fëmijët zoti frat – i tha kontesha.
-Shumë, zonjë.
Gruaja e moshuar hodhi shikimin mbi priftin me sytë e saj të kthjellët.
-Dhe… vetmia… vetmia juaj, nuk ju ka rënduar asnjëherë?
-Po… herë pas here.
Për një çast ai nguroi të vazhdonte, por pastaj shtoi:
-Por, unë nuk kam lindur për një jetë të zakonshme.
-E nga e dini?
-Oh! E di mirë. Kam lindur për të qenë prift, kam ndjekur rrugën time.
Kontesha nuk ia ndante sytë.
-Pa të shohim, zoti frat, tregomëni gjithçka. Më thoni se si vendosët të hiqnit dorë nga të gjitha gjërat që të bëjnë të duash jetën, nga të gjitha ato që të kënaqin e të mbajnë gjallë? Ç’ka qenë ajo gjë që ju ka shtyrë të vendosnit për të braktisur rrugën e madhe natyrore të martesës e të familjes? Ju nuk jeni as ndonjë kokëshkretë, as ndonjë fanatik i madh apo ndonjë mizantrop a melankolik. Ka qenë ndonjë ndodhi apo ndonjë dëshpërim i madh që ka ndikuar të vendosnit për të hequr dorë nga të gjitha dëshirat e brendshme?
Prifti Modui u çua dhe u afrua pranë zjarrit. Pastaj ndeu përpara flakës këpucët e tij të rënda siç janë ato të priftërinjve të fshatit. Me ç’dukej, gjithmonë nguronte të përgjigjej për këtë. Prifti qe një plak i nderuar me flokë të bardha, që qysh prej njëzet vjetësh qëndronte në komunën e Shën Antonios së Roçias. Fshatarët për të thoshin: “Ja një njeri i mirë!”
Dhe ishte një burrë i mirë me të vërtetë, i sjellshëm, i ëmbël dhe mbi të gjitha, dorëlëshuar.
Sikurse Shën Martini edhe ai ishte gati ta ndante rasën më dysh po t’ia kërkonte njeri. Qeshte me gjithë zemër dhe po ashtu qante shpejt si një grua dhe një gjë e tillë ia ulte pak atë mendimin e pa lëkundur që kishin fshatarët për të.
Kontesha e moshuar e Savilës, ishte rikthyer në kështjellën e saj të Roçias, për të rritur nipërit e saj pas vdekjes njëri pas tjetrit të djalit dhe të nuses. E donte mjaft priftin dhe thoshte për të: “Ka një zemër të madhe!”
Prifti vinte çdo të enjte dhe kalonte mbrëmjen në kështjellë së bashku me konteshën e nipërit e saj. Kishin lidhur kështu një miqësi të mirë e të sinqertë si dy të moshuar që ishin. Binin dakord për gjithçka me një gjysmë fjale, duke mbetur gjithnjë më të mirët ndër personat e thjeshtë e të dashur.
Ajo këmbënguli:
-Ta dëgjojmë, zoti frat, të rrëfeni përmbysjen tuaj, kthesën tuaj të jetës.
Ai përsëriti:
“Nuk kam lindur për të jetuar si të tjerët. Unë kam ardhur në kohën e duhur për mbarësi dhe shumë herë kam mundur të konstatoj se nuk jam gabuar. Prindërit e mi, tregtarë në Verdier dhe mjaft të pasur, kanë menduar si ambiciozë për mua. Më vendosën në një kolegj në moshën djaloshare. Nuk e di se sa mund të vuajë një fëmije në një kolegj për vetë mënyrën e ndarjes dhe izolimit. Ajo jetë monotone, pa larmi, është e mirë për të vetmuarit dhe e urryer për të tjerët. Të vegjëlit kanë një zemër më të ndjeshme nga sa mendojnë të rriturit për ta, e t’i mbyllësh kaq shpejt larg nga të afërmit e të dashurit e tyre, mund të lindë e të zhvillojë tek ata një ndjenjë të sentimentalizmit të tepruar që gjithnjë shkon në rritje e që mund t’u bëhet një sëmundje e rrezikshme.
Unë nuk kisha shumë dëshirë të luaja, nuk kisha shokë dhe i kaloja orët e mia duke kujtuar me keqardhje e përmallim shtëpinë; natën qaja në krevatin tim dhe e lodhja trurin për të rigjetur kujtimet e shtëpisë sime, kujtimet edhe për sendet e parëndësishme edhe për ndodhitë e vogla. Mendoja vazhdimisht për gjithçka që kisha lënë atje.
Dalëngadalë fillova të bëhesha një kokëshkretë e fanatik për të cilin kundërshtimet më të vogla ishin ndërkohë dhimbje të thella. Qëndroja i heshtur, i mbyllur, pa ngrohtësi, i pasigurt në vetvete. Ajo puna e ngacmimeve nervore më mbushte me trishtim. Nervat e fëmijëve ngacmohen me lehtësi; është mirë që të mbahen nën vrojtim ata që jetojnë të vetmuar, të lihen në një qetësi të thellë deri në zhvillimin e tyre pothuaj të plotë. Por kush mendon më, që një ndëshkim i pa drejtë për disa konviktorë mund të jetë një dëshpërim i thellë si ç’do të ishte ai për vdekjen e një shoku? Kush e ka bërë llogarinë e saktë sa vuajnë disa shpirtra të rinjsh, për hiçmosgjë, me emocione të llahtarshme dhe se brenda pak kohe bëhen shpirtra të sëmurë e të pa shërueshëm? Është rasti im. Tek unë forca e keqardhjes u zhvillua në një mënyrë të tillë që e gjithë qenia ime të bëhej një martir. Unë nuk tregoja, nuk tregoja asgjë, por pak nga pak u bëra shumë i ndjeshëm, ose më mirë me një prekshmëri të atillë që shpirti më ngjante me një plagë të hapur.
E gjithë kjo më mallëngjente, prodhonte vuajtje, dridhje të tmerrshme dhe pastaj një shkatërrim të vërtetë. Janë të lumtur ata njerëz që natyra u ka dhënë indiferentizmin dhe i ka pajisur me durimin. Isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç. Një druajtje e tepruar ishte pasojë e prirjes për të vuajtur për gjithçka. Për të qëndruar në mbrojtje kundrejt gjithë sulmeve të rastit apo të fatit, u kisha frikë të gjithë kontakteve, të gjithë afrimeve me njerëzit dhe u shmangesha thuajse të gjitha ngjarjeve. Jetoja si nën kanosje të vazhdueshme të një gjëme të panjohur dhe gjithnjë isha duke e pritur atë. Nuk guxoja as të flisja, as të dilja në publik. Kisha plotësisht ndjenjën se jeta është një betejë, një luftë e frikshme në të cilën merren goditje të mëdha, plagë të dhimbshme e vdekjeprurëse.
Ndërsa ushqeja – si të gjithë burrat – shpresën e gëzimit të së nesërmes, trembesha vetëm në ngjarje konfuze e ndjeja në vetvete një dëshirë të fshehur për evitimin e këtyre betejave në të cilat ngeleshin disa fitues dhe të tjerët të humbur.
Kur mbaruan studimet, më dhanë gjashtë muaj leje për të zgjedhur një karriere. Por, një fakt shumë i thjeshtë më bëri të shihja mjaft qartë goditjen brenda meje; mu paraqit një gjendje e sëmurë në të menduarit tim, mu bë sikur më pushtoi rreziku dhe vendosa të largohem. Vendieri është një qytet i vogël, i rrethuar me fusha dhe pyje. Në rrugën qëndrore gjendet shtëpia e prindërve të mi. I kaloja atëherë ditët e mia jashtë shtëpisë ku kisha pasur shumë kujtime e shumë dëshira. Ishin tek unë si të pikturuara, si ëndrra dhe shkoja nëpër fusha pasi kështu më dukej sikur ato do të humbitnin e do të shpërndaheshin prej mendjes sime. Babai im dhe nëna ime, shumë të zënë me punët e tregtisë së tyre dhe njëkohësisht të preokupuar për të ardhmen time, nuk më flisnin as për shitjet e tyre dhe as për projektet e mia. Më donin si njerëz pozitivë që ishin, me një shpirt praktik; më donin më shumë me mendje se sa me zemër. Unë jetoja i mbyllur në mendimet e mia dhe duke u rrëqethur për të njëjtat shqetësime. Një mbrëmje, pas një shëtitje të gjatë – ndërsa kthehesha me hapa të përshpejtuara për të mos qenë i vonuar – pashë një qen që vraponte para dhe drejt meje. Ishte i një race ”Spanjolle”, i kuq, mjaft i dobët e me veshë të gjatë.
Kur u afrua rreth dhjetë hapa para meje u ndal. Ashtu bëra dhe unë. Atëherë filloi të tundte bishtin dhe të më afrohej; bëri pak hapa me lëvizje të frikshme të të gjithë trupit, përkulej mbi këmbë si për të mu lutur dhe duke tundur lehtësisht kokën. E thirra. Atëherë bëri një gjest si për t’u shtrirë në një mënyrë ashtu të përunjur, të trishtuar dhe lutëse që më shkaktoi lot në sy. Erdhi për qark, u largua, pastaj u rikthye. U ula duke vendosur një gju në tokë dhe i ofrova ngrohtësi për ta ledhatuar. E kapa, e mora ndë duar me kujdes dhe e përkëdhela pa kurrfarë shqetësimi. U qetësua, u çua ngadalë, vuri këmbët mbi supet e mi dhe filloi të më lëpinte fytyrën. Më ndoqi der në shtëpi. Në të vërtetë ishte e para qenie që desha me pasion, sepse më ktheu në shpirt dashurinë time. Dashuria ime për këtë kafshë sigurisht ishte e tepruar dhe dukej qesharake. Më dukej se ishim si dy vëllezër të humbur mbi tokë, të izoluar e të pambrojtur, njëri më shumë se tjetri. Nuk më braktisi kurrë. Flinte përfund të krevatit tim, hante në tavolinë me mua – ndonëse prindërit e mi ishin të pa kënaqur nga kjo gjë – dhe më ndiqte çdo ditë në shëtitjet e mia të vetmuara.
Shpesh ndalesha në brigjet e një kanali dhe ulesha mbi bar. Semi – kështu e quajta qenin – menjëherë vraponte rrethepërqark, më futej pas brinjëve apo nën gjunjë dhe kërkonte të më çonte dorën me turirin e tij për ta përkëdhelur. Një ditë, aty nga fundi i qershorit, ndërsa kalonim në rrugën San Pietro dë Kasol, pashë të vinte drejt meje karroca e postës së Ravëroit. Ajo vraponte me galopin e katër kuajve të saj, me karrocerinë e verdhemë dhe me mbulesën prej lëkurë të zezë që ngrihej deri në tavanin e karrocës. Karrocieri përplasi kamxhikun dhe një masë pluhuri u ngrit prej rrotave të rënda dhe formoi pas saj një re të madhe tymi. Një tërheqje nga mbrapa e saj bëri që ajo të vinte drejt meje dhe ja, Semi, i trembur nga zhurma, kërceu, pastaj u duk sikur fluturoi dhe ra para meje. Këmbët e një kali e kishin goditur. E pashë atë të rrotullohej, të binte përmbys, e të mundohej të çohej, por u ndodh nën këmbët e kuajve. Menjëherë karroca bëri disa kërcime përpjetë dhe prapa saj, në pluhur pashë diçka që lëvizte mbi rrugë. Ishte Semi gati i ndarë më dysh. Gjithë të brendshmet e barkut ishin shqyer dhe i kërcenin spërka gjaku. U përpoq të çohej, u mundua të ecte por, vetëm dy këmbët e para mundën të lëviznin e të gërryenin tokën si për të hapur një gropë. Dy të tjerat tashmë ishin të vdekura. Ulëriti me dëshpërim. Pas pak minutash ngordhi. Nuk mund të përshkruhet se çfarë provoi dhe sa vuajti!
Pas kësaj qëndrova i mbyllur në dhomën time thuajse një muaj. Një mbrëmje babai im, i tërbuar tek më shihte në këtë gjendje, më tha: “Çfarë do të bësh ti atëherë kur do të vuash nga pikëllime të vërteta nëse do të vdesë gruaja apo fëmija? Je shumë budalla, me të vërtetë.” Këto fjalë që më tronditën shumë, do të mbeteshin gjithnjë në mendjen time: “Çfarë do të ndodhë me ty kur të kesh fatkeqësi të vërteta, nëse të vdesin gruaja dhe fëmija?” Pas kësaj fillova të shoh më qartë brenda vetes. U ndrydha sepse gjithë fatkeqësitë e vogla të çdo dite më dukeshin në sytë e mi si katastrofa; kuptova se isha bërë në atë mënyrë që të vuaja tmerrësisht për gjithçka, për të perceptuar produktin e ndjeshmërisë sime të sëmurë si dhe të gjitha mbresat e pikëllimeve. Më kapi kështu një frikë e madhe. Nuk kisha më pasione, as ambicie.
Vendosa të sakrifikoj gëzimet e mundshme për të evituar disa pikëllime. Ekzistenca në këtë jetë është e shkurtër dhe “duhet të vendosja, të kaloja në shërbim të të tjerëve, për të lehtësuar dhimbjet e tyre” – i thoja vetes. Por nuk do të provoja as njërën, as tjetrën. Ta dini sa më bënte të vuaja mjerimi. Po ajo që ka qenë për mua vuajtje e padurueshme, ka qenë keqardhja, mëshira. Sa pikëllime që në çdo moment prekja – si të thuash me dorë – nuk do të mund t’i kisha duruar nëse do të kishin rënë në shpirtin tim. Nuk do të mund të shihja vdekjen e ndonjë prej fëmijëve të mi para vdekjes sime. Dhe pavarësisht kësaj, ende kam një frikë të madhe të fshehur e të thellë të ngjarjeve që më jep vizita e postierit që më vjen në shtëpi çdo ditë. Më kalon një rrëqethje, anipse nuk ka asgjë për t’u trembur sot, pas kaq kohe.”
Famullitari ra në heshtje. Vrojtonte zjarrin në oxhakun e madh, si për të zbuluar diçka misterioze, gjithë të fshehtat e vetë qenies së tij për sa kish mundur të jetonte, sepse kishte qenë më i fortë përpara shkaktimit të këtyre vuajtjeve. Pastaj përsëriti më zë të ulët: “Kam pasur të drejtë. Nuk isha bërë për këtë botë.”
Kontesha nuk foli. Më në fund pas një heshtjeje të gjatë, ajo i tha:
-Unë, nëse nuk do të kisha nipërit e mi, besoj se nuk do të kisha më guxim të jetoja.
Famullitari u çua pa thënë më asnjë fjalë. Meqenëse shërbëtoret ishin duke dremitur në kuzhinë, kontesha vetë e shoqëroi priftin deri tek porta e sallonit, ndërkohë që ai u dha në oborr; ajo e shihte tek humbiste hija e tij e gjatë, i ndriçuar nga një rreze e llambës që ajo mbante në dorë. Më pas u kthye, u ul në ndenjësen para oxhakut dhe filloi të mendonte për shumë gjëra që nuk i kish menduar prej rinisë së saj.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.