Testamenti | André Maurois

Published on

in

,

Kështjella e Sardejit i përkiste një tregtari që sëmundja dhe pleqëria e detyruan të kërkonte një pension fshati. Gjithnjë Perigori fliste për luksin dhe shijen me të cilën ishte ndërtuar shtëpia. Kopshtet sidomos, thuhej se ishin të mrekullueshëm. Një arkitekt i ardhur nga Parisi e kishte rrethuar luginën e Lusë për të formuar një liqen artificial dhe e kishte bërë Sardejin si një Versajë të dytë.
Kopshtet e bukura janë të rralla në këtë provincë të varfër. Megjithatë kur pas një viti pune pronarët e rinj erdhën të banonin, vizitorët u pakësuan në masë. Askush s’e dinte se kush ishte kjo zonja Bernin. Dukej se sapo i kishte mbushur të tridhjetepestat, ndërsa i shoqi ishte ishte gjashtëdhjetepesë vjeç. Ajo ishte e bukur dhe i ndërronte veshjet tri herë në ditë. Kjo gjë s’dukej e natyrshme, madje në fillim banorët menduan se ajo s’ishte e shoqja, por e dashura e tij. Zonja Gishardë, anipse kishte jetuar në provincë që pas lufte, e njihte për mrekulli Parisin dhe e pohoi se ajo ishte e shoqja dhe vinte prej një familje të thjeshtë borgjeze. Të gjithë pranuan pa fjalë, sepse asnjërit prej tyre s’i shkonte ndër mend të kundërshtonte një grua të mençur si ajo. Megjithatë shumë familje vazhduan ta ruanin në heshtje gjithë dyshimin.
Gaston dhe Valentina Romil, fqinjët më të afërt të Berninit, menduan se ata ishin të parët që u takonte t’u bënin vizitë. Si vizitorët e parë që ishin, i pritën aq mirë sa më s’bëhej. Jo vetëm i mbajtën për të darkuar, por gjithashtu i shëtitën rreth shtëpisë duke iu treguar kopshtet e ç’kish rrotull. Gastoni dhe Valentina e ndienin që këta dy njerëz vuanin nga dëshira për t’u mburrur me aq sa zotëronin. Bernini si shef uzine ruante një ton autoritar dhe ishte mësuar të pohonte në mënyrë të prerë mendime mbi tema të ndryshme, qoftë edhe të panjohura për të, por dukej njeri i zoti. Valentina u prek nga delikatesa me të cilën ai e trajtonte të shoqen. Por zonja Romil shtangu në vend kur, duke vizituar katin përdhes, duke parë ndryshimet që qenë bërë në një kohë aq të shkurtër, duke admiruar muret dhe ashensorët, dëgjoi zonjën Bernin t’i thosh:
Po Adolfi është kujdesur që gjithçka të shkojë mirë. Tani për tani Sardeji s’është veçse një shtëpi fshati, porse Adolfi e di se unë aty dua të jetoj pas vdekjes së tij, larg qoftë, pra ai do që unë të jetoj njëjtë si në shtëpi qyteti. Ju me siguri e dini se ai me gruan e parë ka dhe fëmijë, por edhe për këtë ka menduar. Sardeji është në emrin tim dhe më përket plotësisht.
Më poshtë një fermë e vjetër ishte shndërruar në stallë kuajsh. Gastoni admiroi bukurinë e kuajve.
-Kuajt më kanë pëlqyer gjithnjë, – thotë me gjallëri zonja Bernin. – Sigurisht, do thoni që duhen shpenzime për t’i mbajtur. Por Adolfi edhe për këtë ka menduar: në testament është parashikuar një fond i veçantë për përmirësimin e racës. E kështu, ju e kuptoni, u shpëtoj edhe taksave.
Kopshtet ende s’kishin përfunduar. Arkitektët përditë ndërtonin statuja edhe më të bukura e në mes një liqen artificial.
-Nuk e njoh këtë fshat, – thotë Valentina.
-Nuk është fshat, – thotë zonja Bernin duke qeshur. – Janë shtëpi. Adolfit i shkoi nëpër mend t’i ndërtonte larg prej njëra-tjetrës. E do ta shihni sa mirë do të jetë në të ardhmen. Ne kemi disa shërbëtorë që dua t’i mbaj edhe kur të jem vetëm. Adolfi i ka ndërtuar secilit shtëpi më vete. Kështu edhe ata janë të lidhur me mua, edhe mua nuk më duhet të shpenzoj për ta. Kjo është një garanci për mua, apo jo? Edhe fëmijët e tij s’kanë ç’të thonë.
-Besoni se lejohet?
-Ah, i nderuar. Ju s’e njihni aspak Adolfin. Ai ka pyetur gjithkund. Apo jo, Adolf? – drejtohet kah i shoqi dhe i hedh dorën rreth qafës.
Shëtitja qe e gjatë. Në fund kur Romilët ishin vetëm në veturë, Valentina tha:
-Pa hë, si tu dukën?
-Zoti Bernin më pëlqeu, – u përgjigj Gastoni. – Është njeri mjaft i mirë. Ndërsa ajo sesi mu duk. E çuditshme.
-Si?! E çuditshme?! E tmerrshme thuaj! Testamenti aty, testamenti atje… Largoqftë… Dhe e gjithë kjo bisedë para syve të një fatkeqi që do të vdesë. Nuk dija as ç’të thosha.
Ata mbetën pak kohë pa folur. Heshtja u prish prej fjalëve të Gastonit:
-Megjithëse… Më duket e arsyeshme të merren masaqë gruaja të mund të jetojë e qetë pas vdekjes… Duke i dëgjuar, mendoja për ne të dy. Kam bërë gabim që nuk kam shkruar testament. Do të filloj të merrem menjëherë me të.
-Ç’mendim i dashur! E tmerrshme! Mbase mund të jem unë që do vdesë më parë!
-Pse? Ti je më e re se unë. S’ke asnjë sëmundje, ndërsa unë…
-Pusho… Ti je i sëmurë për mend… Pastaj, ti mbahesh për bukuri, dhe po të vdesësh, nuk dua më të jetoj. Ç’do të ishte jeta ime pa ty? Unë do të vrisja veten.
-Si flet të tilla budallallëqe? Ti e di mjaft mirë se sado e madhe të jetë dhimbja, njeriu nuk vdes. Fundja ti s’më ke vetëm mua në këtë botë. Ke Koletën, fëmijët e saj.
Reshtën së foluri pasi makina nisi të shkundej nëpër rrugën me gurë. E ndërkohë Valentina tha me zë të ulët:
-Fundja, po u desh të jetoj të paktën disa muaj pa ty, do të isha më e qetë sikur të kisha… Jo një testament… Kjo s’do të më dukej e drejtë… Jo… Vetëm një letër të thjeshtë ku të thuhej se tokat do të më përkasin mua. Dhëndri do të ishte i arsyeshëm. Për këtë jam mjaft e sigurt, por… Ai e dëgjon shumë të atin. Atij po i pëlqejnë tokat… E kjo gjë për mua do të ishte e tmerrshme.
-Kjo s’duhet të ndodhë kurrë, – thotë Gastoni. – Unë jam gati të firmos të gjitha fletët që do ti. Veçse nuk di diçka: A të takojnë ty t’i mbash të gjitha?
-Po, po. Kjo është e thjeshtë, – ia kthen Valentina. – Rregullohet.
-Si? E ke pyetur ndonjëherë noterin për të?
-Oh! Fare rastësisht, – thotë Valentina.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.