Legjenda e vetmisë | Ridvan Dibra

Published on

in

,

Nana djalin ka qorrue,

Me gjaks t’burrit m’u martue.

Ridvan Dibra e shkroi romanin Legjenda e vetmisë mbi bazën e kësaj legjende të moçme. Kjo e dhënë tregon motivimin autorial dhe frymëzimin nistor. E vendosur që në hyrje të tekstit, dëshmon se ai (teksti) është i shkruar në mënyrë të tillë që t’i lërë transparente shqiptimet dhe tekstet e tjera paraardhëse. Është i njohur fakti që shpesh  letërsia merr si referencë burime të tjera më të hershme se ajo, për t’i bërë pjesë oragnike të saj, duke u dhënë specifika të veçanta, të ndryshme nga arketipi fillestar, ose në raste të tjera duke i qëndruar me besnikëri. Si shembull të tillë në letërsinë shqipe mund të përmendim Kadarenë, i cili jo vetëm i bëri të vetat mitet e legjendat e vendit të tij, por edhe ato të vendeve më të largme.

Të interpretosh një tekst nuk do të thotë t’i japësh atij një domethënie, por në të kundërtën e kësaj të çmosh se çfarë pluraliteti e konsistuon atë[1]. Vetë fakti që kjo vepër vjen prej një parateksti të mëparshëm (legjenda), reflekton tek lexuesi shtresa kuptimesh të ndryshme. Kalimi nga njëri medium (folklori)  në tjetrin (letërsi), ndërrimi i statusit nga oraliteti në literaritet, sjellë një çlirim të tekstit nga izolimi, duke e paraqitur atë  si një ligjëratë apo më mirë të themi si një dialog mes syresh.

Teksti nis me rrëfimin e një narratori të gjithëdijshëm, i cili ecën në hapat e personazhit kryesor, mbytet në vetminë e tij, ndjen dhimbjet dhe kënaqësitë e çastit, sikur të ishte vetë personazhi (Bala) që rrëfen. Fjalitë e para të çdo kapitulli (Bala rri vetëm gjithmonë; Bala është rrekur ta thyejë vetminë; Bala tash është prapë vetëm; Bala nuk e harron atë muzg; Bala e ka të vështirë të mësohet pa atin; Bala kishte qenë në klasën e dytë; Bala nuk shkon më në shkollë; Bala nis e mbyllet në vete; Balës nuk i dihet baba, kishin thënë dikur shokët; Bala nis e shkon te Pylli i Bjeshkës, Bala nis e trazohet prej ëndrrash; Bala i përgjigjet ftesës së nënës; Balës nis e i bëhen të njëllojta ditët; Balës i ikën edhe shoqja e bankës; Bala nuk lexon më; Balës nis e i neveritet nëna; Bala provon të kalojë natën në pyll; Bala nis e mendon veç për HAKMARRJEN; Bala mëson ndoca lajme fort të çuditshme; Bala i hedh në letër planet e hakmarrjes; Bala nuk e di moshën e vet; Bala ka një vizitë të papritur; Bala ka një takim sot; Bala fillon të ketë telashe me njërin sy; Bala nis e trembet për syrin tjetër; Bala e zgjedh përfundimisht; Bala nis e tregohet i vëmendshëm; Bala, ndërkaq, merr një lajm të papritur; Balës ia përshpejton PLANIN; Bala nuk ka sesi të mungojë në dasmë;), i japin kuptim rrëfimit të mëpasshëm. Ato janë kryefjala e rrëfimit, duke qenë njëkohësisht himn i kësaj legjende të vetmisë. Bala, personazhi kryesor i këtij rrëfimi, gjendet përherë i vetmuar. Ai largohet nga shoqëria, ashtu siç largohet edhe nga vetë nëna e tij. Adhuron vetminë, sepse vetëm ajo i lë hapësirë të meditojë e vajtojë për të atin e vrarë padrejtësisht prej nënës dhe të dashurit të saj. Edhe vetëm nëpërmjet këtyre fjalive të veçuara, kuptojmë se kemi të bëjmë me një rrëfim që ngërthen tema dualiste, të tilla si: vetmia dhe lumturia, jeta dhe vdekja, hakmarrja dhe tradhtia, dashuria atërore dhe mëmësore, dashuria e shpirtit dhe ajo e trupit, besimi dhe mosbesimi.

Legjenda e vetmisë përmes kësaj risjelljeje që i bën legjendës në fjalë, pranohet e përthithet nga lexuesi, edhe pse zgjedhjet e saj stilistike janë ato të letërsisë postmoderne, ku monologu i brendshëm, shkallmimi i sekuencave kohore, bëjnë që njëherësh t’i ikë stilit gojor të legjendës. Ridvan Dibra është konsideruar si autor postmodern, term i cili na vetëdijëson se vepra postmoderne janë ato që tërheqin një publik të gjerë, megjithëse kanë referime të ngritura dhe zgjedhje stilistike “të lëvruara”.[2] Legjenda e vetmisë vjen si një vepër që gërsheton në një, përbërësit tradicionalë me ata modern. Kur themi tradicional e kemi fjalën për frymëzimin popullor që ka në thelb kjo vepër. Ajo i qëndron besnike legjendës deri në fund, edhe pse lexuesi priret të krijojë një përfytyrim tjetër, të kundërt me atë të legjendës, duke menduar një fund të tjetërllojtë. Pra, mund të flasim për një shndërrim të prirjeve të lexuesit falë teknikave narrative, lojës me intrigën, angazhimit “autorial”. Kemi parasysh një autor model, i cili herë pas here na sinjalizon se duhet t’i kthejmë disa faqe mbrapa për të lexuar edhe njëherë kapitullin x, sepse diçka të rëndësishme kemi harruar ose duhet ta rilexojmë për të kapur fillin e intrigës.

Vepra paraprihet nga një “projekt poetik”, së cilit autori preferon t’i vendos si titull “Lehtësia e papërballueshme e bukurisë” dhe si nëntitull “Dy fjalë për lexuesit dhe kritikët”. Që në krye të herës, ai (autori) mendon për kritikun por më tepër për lexuesin, i cili mund edhe të mos jetë “model” në shumicën e rasteve. Qartësohemi që në krye se qëllimi i këtij shkrimtari është të shkruajë një libër para së gjithash të bukur, sepse tanimë është i ngopur teorikisht rreth shkencës së letërsisë dhe më shumë preferon të shkruajë një libër për ndjenjën sesa për trurin, i bindur se ndjeshmëria vazhdon të jetë po aq elitare sa intelekti, në mos më shumë.

Kjo vepër vjen si një homazh për epet dhe legjendat e popullit tonë, të lëna padrejtësisht jashtë vëmendjes. Autori është i vetëdijshëm se historia e një populli rrjedh nga struktura e tij shpirtërore. Në të gjitha shfaqjet e jetës së kombit ne gjejmë gjithmonë se shpirti i pandryshueshëm i rracës e end vet fatin e saj. Dhe ku më mirë sesa tek legjendat dhe epet ne mund të gjejmë shpirti tonë, atë fillestarin dhe ndoshta të pandryshueshmin. Këto “institucione gojore” të popullit janë shprehje e shpirtit të tij, janë shprehje e psikologjisë së tij nëse do të shpreheshim në terma të  Gustave Le Bon-it, kur flet për psikologjinë e popujve dhe të turmave. Lihet të nënkuptohet se autori kërkon të shkruhen shumë vepra me në bazë epet dhe legjendat, të rishkruhet e të ribëhet historia, por shpirti të mbetet i njëjtë. Ky rrëfim nuk shkruhet vetëm për hir të rrëfimit, por për hir të ndjeshmërisë njerëzore, të humbur tashmë në këtë botë materialiste dhe sipërfaqësore.

Ky “projekt poetik” i vendosur qëllimisht në fillim të  tekstit, vjen si një hapësirë motivuese e ideve të gjendshme në tekst. Fare mirë lexuesi mund të bëjë një sprovë, të ballafaqojë tekstin me projektin në fjalë dhe t’i japë përgjigje vetes, nëse çdo qëllim i autor është realizuar apo jo.

Legjenda e vetmisë, një rrëfim që pretendon të jetë i thjeshtë, i këndshëm si muzika; një rrëfim që përbuz artificet kompozicionale, dhe që i mëshon më së tepërmi thjeshtësisë së stilit, harmonisë dhe ritmit. Një rrëfim që i kushton rëndësi më së tepërmi formës sesa esencës, me mendimin se forma mund të jetë esenca, thellësia e vetë artit rrëfimor. Një rrëfim që i kushtohet tmerrit të vetmisë.

Anxhela Lepuri

[1] Barthes, Roland. S/Z, Hill and Wang, New York, 1974, f.5.

[2] Eco, Umberto. Për letërsinë, Dituria, Tiranë, 2010, f.208.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.