Vitet e urithit bën pjesë në romanet që me leximin e parë nuk vjen i plotë, madje duhen rilexime të njëpasnjëshme me derivate të ndryshme. Rrjeta e rrëfimit paraqitet tejet komunikative; në nisje të romanit jemi përballë një dialogu me narratorin. Ky karakter dialogjk hera-herës na bën të nënqeshim përgjatë leximit nga mënyra se si marrim ftesën për të vazhduar më tej në kurthin e fragmenteve të romanit.
“Kështu që s’keni pse të vazhdoni leximin tutje nëse nuk jeni të gatshëm të shihni një qëndismë ngjarjesh dhe bëmash, për të cilat nuk ka asnjë dokument të shkruar përpos mbamendjes së fshatarëve të mi.”[1]
Në roman gjejmë:
–Hoxhën: i cili predikon përmes besimit të tij mysliman dhe i referohet Kuranit.
–Kryeplakun: i cili i referohet një kanuni.
-Personazhi i Fatkës: fallxhore, parashikuese e fatit, njëkohësisht është personazhi urëlidhës.
Historia merr kthesa të herëpashershme pasi gjatë rrëfimit narratori ndalon shpeshherë te një nga protagonistët dhe e lidh me shumë të dhëna të tjera.
Konstante e përhershme e rrëfimit është prania e personazheve episodikë.
E njëjta ngjarje përsëritet disa herë. Kjo ndodh edhe me personazhet. Ka episode, përshembull, ku nuk përmendet Fatka, por vendoset t’i rikthehet më vonë personazheve e kjo ndodh në kënde të ndryshme. Rimerret vendosja në marrëdhënie të reja me gjithçka ndodh. E thamë që ka pak protagonistë, por janë rivendosur në hapësira të ndryshme.
Në pjesën hyrëse gjithçka zhvillohet rreth rëndësisë së rrapit. Fshehtësia që mbart si simbol rrapi e mban të ngërthyer lexuesin për pak dhe më pas e shkëput në dimensionin e historisë. Si një tipar shumë i rëndësishëm i veprave postmoderne shfaqet interteksti i sfondit që na përshkruan narratori. Në roman shohim se si vihen në dyshim shumë nocione historike. Përshkrimet janë mjaft realiste, historinë e merr përsipër ‘gjithëditësi’ ta krijojë të tillë, të formësojë mendimin për disa fakte apo figura historike.
Toposi i zhvillimit të rrëfimit është një fshat. Kaq të dhëna na paraqet teksti. Duke e lidhur shpesh me vendet Ballkanike dhe Turqinë; duhet marrë si i mirëqenë fakti se bëhet fjalë për një fshat që e njohim, pra, brenda kufijve të gadishullit. Shumë të dhëna të së shkuarës zgjidhen jo pak herë që të rrëfehen me anë të notave ironike. Braktiset e shkuara sipas përmasave që jepen. Na përshkruhen shumë episode tragjikomike të cilat duhet t’i rikthehemi për t’i kuptuar dhe për këtë kujtesa historike e narratorit luan me lexuesin herë pas here.
Kombinimi midis asaj që është reale dhe asaj që është fiksion, gjendet në figurën e fallxhores (magjistares,parashikueses së fatit).
Realja dhe magjikja bëhen një. Në këtë mënyrë bashkëvepron dhe e mundshmja me të pamundshmen, e shpjegueshmja me të pashpjegueshmen, e zakonshmja me të jashtëzakonshmen. Ajo që ndodh është shumë e përzier; lexuesi merr informacion me “bollëk”, por i duhet të rikthehet për të balancuar marrëdhëniet midis Reales dhe Magjikes.
Ka një përmbushje të shkak-pasojës. Rrëfimtari luan me një shpërbërje rrëfimore dhe ia arrin të triumfojë. Duket si një kaos teksa e lexon por arrin t’ia dalësh.
Për të shprehur kuptimin e realitetit, njeriu orvatet për të gjetur mënyra të reja, ashtu siç bën edhe narratori me personazhet e tij.
Vitet e urithit; janë vitet e njeriut të shtypur që frikësohet.
URITH m. zool.
-Kafshë e vogël gjitare, me turi të zgjatur me këmbët e para si lopatë, me sy shumë të vegjël e me qime të dendura e të ndritshme, që jeton nën tokë e gërmon dheun dhe që ushqehet me kandrra. Urithi i tokës. Vrimë urithi. Gërmon si urith. I ka sytë si të urithit nuk sheh mirë.
-fig. shar. Njeri me trup shumë të vogël; mistrec. Ik more urith!
* Plug urith shih te PLUG,~U 1.URITHE f. bot.
-Shkurre e vogël me gjeth të ashpra e me qime, që e kanë bishtin me gjemba; me lule të verdha ose të bardha në trajtë vileje.
Gjithçka që rrëfehet është për vitet e urithit, për ata që mundën t’ia dalin, për endacakët e librave dhe bisedat miqësore të lexuesve.
Kështu ngelin edhe protagonistët e romanit, urithë, të vegjël para historisë edhe pse mundohen të predikojnë për një jetë me të drejta.
[1] Kim Mehmeti, Vitet e Urithit, fq.24
Flutura Kamberi

Leave a comment