Milingonat | Pierre Autin-Grenier

Published on

in

,

Sot, në mesditë, tek po shkundja sallatën, para shtëpisë, një krah që më përkiste mua, befas u shkëput dhe iku tutje, bashkë me shportën, mandej u rrokullis në bar. Pasi kaloi një grimë çmeritjeje të vërtetë, shkova me vrap ta merrja. Tek po e bëja këtë punë, tani qe një këmbë që u nda nga unë po aq papritmas dhe ma preu hovin. Duke ecur tingthi, u nisa për te ky organ i domosdoshëm. Me të arritur aty, tek po ulesha për ta kapur me dorën që më kishte mbetur, i shastisur, pashë se ajo ra me një zhurmë të mbytur në bar, siç bie koka e një të dënuari në një kovë me tallash. Kjo ndodhi para syve të gruas sime që zbavitej, duke e ndjekur këtë skenë nga dritarja.
Atëherë, nga të gjithë anët, njëkohësisht, në varganë të lemerishëm e gëlimtarë, ia behën me miliarda milingona të vockla, të zeza, me këmbë të leshtorme e me kafka të vdekurish. Në të vërtetë, dukej sikur ato nuk vinin nga asnjë vend, po sikur mbinin nga dheu. Pa humbur asnjë çast, sakaq zunë t’i çonin në filifistun pjesët e mjera e të përndara të vetes sime. Të gjitha lëviznin si në ethe, duke filluar që nga milingonat më të reja e deri te plakat marroqe e dhëmbërëna.
Ndonëse secila ishte e aftë të mbartte dymbëdhjetë herë më shumë se pesha e saj, sipas Bufonit, kafshëzave të shkathëta iu desh të lëviznin tërë pasditen, në diell, për ta mbledhur tok në thneglishten e tyre të nëndheshme atë vandak gjymtyrësh të mangëta. Vetëm kur ra nata, i bashkuar me kujdes prej tyre, pa shumë vështirësi, munda ta shkundja pluhurin që më mbulonte. I shqetësuar, u ktheva prapë në shtëpi, e ndërkohë mendoja: edhe sot shpëtove paq or mik!

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.