Sikur të isha grua | Azis Nesin

Published on

in

,

Selameti nisi të punonte si portier në një fabrikë trikotazhi. Si shpërblim, do të paguhej me 80 lira në muaj. Me kaq para nuk mund të jetonte jo vetëm një njeri, por as edhe gjysma. Të gjitha shpresat i kishte mbështetur në dëshirën për të punuar. Sido që të bëhej, pronari do ta vlerësonte zellin e tij dhe do t’i ngrinte rrogën. S’ka dyshim se puna e portierit ishte e ulët për të, por ç’të bënte? Në ditët tona, kur bota ka humbur drejtpeshimin, ka shumë njerëz që punojnë si portierë tek ata të cilët as vetë nuk bëjnë për të tillë. Tani pronarët dhe portierët kanë shkëmbyer vendet.
Duke mos kursyer as forcat e as mundin, ai punonte ditë e natë për të marrë qoftë edhe shumë më pak mbi pagën. Ah, sikur të kishte mundësi të qe roje nate! Roja i natës në fabrikë merrte plot 200 lira në muaj. Puna ishte shumë e rehatshme.
Kur njeriut i shkon mendja për diçka, dëshira e tij plotësohet. Një ditë prej ditësh pronari e thirri në zyrë.
– Jam i kënaqur nga ti, – i tha.
– Ju falenderoj.
Tjetri e pyeti:
– I martuar je?
Ai, sikur të kishte bërë ndonjë krim, iu përgjigj i turbulluar:
– Po.
Dhe pasi pranoi plotësisht fajin, për t’u qetësuar shtoi me kokën poshtë:
– Kam edhe dy fëmijë bej efendi.
Pronari si për ta ndihmuar, i tha:
– Pu-pu-pu! Po si jetoni?
– Me të keq, bej efendi.
– Unë do të të bëj një të mirë. A mund të punosh edhe portier edhe roje nate?
– Mundem, si jo.
– Ti qëndron gjashtë orë në ditë te porta. Puno dhe tetë orë roje nate, gjithsej katërmbëdhjetë orë. Kështu të mbeten edhe dhjetë orë të lira, pranon?
– Ju falenderoj bej efendi!
Për punën natën do të merrte dhe 30 lira më shumë.
Roja i natës, që merrte 200 lira në muaj, u pushua menjëherë pasi flinte shumë dhe në vend të tij u vu portieri ynë. Ditën qëndronte tek porta, ndërsa natën, me një orë kontrolli të varur në qafë, ruante fabrikën. Tani paguhej 110 lira në muaj.
Ishte i zellshëm dhe i kujdesshëm. Nisi të mendonte: pronari nuk është budalla, me siguri do ta vërejë zellin e puntorit të tij dhe me patjetër do të bëjë diçka. Ja, për shembull, mund ta bënte sekretar të fabrikës; sa mirë! Sekretari merr 300 lira në muaj.
Kur njeriut i shkon mendja për diçka, dëshira e tij plotësohet. Pronari e thirri në zyrë:
– Jam i kënaqur nga ty, – tha, – dhe dua të të bëj një të mirë. Natën ti nuk je shumë i zënë. Po sikur të merresh me shkresurina? Do të të paguaj 60 lira më shumë.
Roja u mendua. Do të merrte 170 lira prej tash e tutje.
– Allahu ju dhëntë ymër, bej efendi, – iu përgjigj.
Sekretari i fabrikës që merrte 300 lira në muaj, u pushua menjëherë sepse mendimet, kafja dhe duhani i hanin kohën e punës dhe vendin e tij e zuri roja ynë. Tani, ditën qëndron tek porta, ndërsa natën, teksa ruante fabrikën, vendoste përpara një makinë shkrimi dhe shkruante.
Punonte aq sa bëhej ujë në djersë. Pronari nuk ishte idiot; herët a vonë do ta vërente mundin e tjetrit dhe me siguri që do ta shpërblente. Llogaritari i fabrikës paguhej 400 lira në muaj. Sikur të kishte mundësi të bëhej dhe llogaritar!
Kur njeriut i shkon mendja për diçka, dëshira i plotësohet. Një ditë prej ditësh pronari e thirri në zyrë:
– Unë e di që sot 170 lira nuk janë asfarë gjëje, ndaj dua të të ngre rrogën.
– Ju falenderoj bej efendi!
– Ju kohë të lirë nuk se s’keni. Sa të rrini në shtëpi duarkryq, merruni më mirë me llogaritë e fabrikës.
– Dakord bej efendi.
– Mrekulli, do t’ju shtoj dhe 45 lira.
Llogaritari i fabrikës i cili paguhej 400 lira në muaj, u pushua me të pulitur sytë, pasi në vend të mbledhjes bënte zbritjet; në vend të shumëzimit, pjestimin.
Tani portieri ynë paguhej 215 lira rrumbullak. Ditën qëndronte gjashtë orë tek porta, natën ruante tetë ore dhe në të njëjtën kohë daktilografonte, ndërsa në shtëpi merrej me llogari.
Punonte kaq shumë, ishte kaq korrekt dhe përpiqej të bënte më shumë seç i kërkohej. Tani, nisi të mendonte për vendin e përgjegjësit të depos. Përgjegjësi i depos merrte 450 lira në muaj.
Kur njeriut i shkon mendja për diçka, dëshira i plotësohet. Pronari e thirri përsëri:
– Dua t’ju bëj një të mirë. Ç’thoni sikur t’ju propozoj vendin e përgjegjësit të depos?
– Kënaqem tej mase bej efendi.
– Mrekulli pra. Rroga do të të shtohet edhe me 35 lira të tjera. Shkoni dhe merrni depon në dorëzim.
Përgjegjësi i depos, një njeri harraq, i cili gabimisht pati çuar disa rroba në shtëpi në vend të depos, u pushua menjëherë dhe nga puna nisi portieri ynë.
Po punonte ditë e natë pa kursyer forcat, e aq më pak kohën. Pronari nuk ishte gomar, me siguri do ta vlerësonte vetëmohimin. Dhe në të vërtetë, pronari e thirri:
– Ju falenderoj shumë, jam tejet i kënaqur! Kush punon pa hile, është gjithmonë i fituar. Puna e portierit s’është për ju, ndërsa të gjitha të tjerat mbajini. Veç këtyre ju caktoj edhe drejtor të fabrikës time.
Drejtor?! E humbi fare! Kishte kohë që ia kishte vënë syrin postit të drejtorit. Kur njeriut i shkon mendja për diçka, dëshira i plotësohet. Ja, më në fund u bë edhe drejtor.
– Jua shtoj rrogën me 90 lira, – tha pronari.
Duke qenë se nuk ishte më portier, rroga i ulej me 80 lira. Ndërsa si drejtor i shtoheshin plot 90 lira. Pra, do të paguhej gjithsej 260 lira në muaj.
Drejtori i mëparshëm që paguhej 500 lira u pushua menjëherë pasi i vinte rrotull sekretares së pronarit.
Fabrika kishte dyzet punëtorë, dy mjeshtra dhe njëzet makineri. As njërën e as tjetrën nuk kishte dëshira ta bënte, pasi nuk se i jepej dorësh. Makinerinë gjithashtu nuk mund ta zëvendësonte. Në zyrat e fabrikës patën mbetur vetëm ai dhe sekretarja.
Kur kishte kohë të lirë bisedonin me njëri-tjetrin dhe mburrnin pronarin:
-Allahu i dhëntë ymër, është flori burrë! Erdha në fabrikë si portier, më dha 80 lira në muaj. Më caktoi si roje dhe më paguante me 110 lira. Më pas sekretar; kështu që rroga u rrit në 170 lira. Më vonë më besoi llogaritë dhe më paguante 215 lira. E kështu më ngarkoi dhe depon e nisi të më paguante 250 lira. Ndërsa tani jam edhe drejtor dhe paga ime shkoi 260 lira të plota.
Edhe sekretarja nisi të lavdëronte pronarin:
– Unë e nisa si pastruese me 40 lira. Më pas mora përsipër pastrimin e shtëpisë së pronarit në këmbim të 60 lirave. Më vonë u bëra edhe daktilografiste dhe rroga u rrit në 80 lira. Pastaj nisa të gatuaja dhe t’i ndihmoj në ekonomi dhe më paguante 100 lira. Në fund… në fund ju e kuptoni vetë ç’u bëra. Paga mu shtua me 5 lira. Rroga ime u bë plot 115 lira.
Një ditë prej ditësh i tha sekretares:
– Ti punon shumë dhe këputesh.
Sekretarja ia ktheu:
– Pse, ju pak punoni? Mos nuk jeni të kënaqur me pagesën? Mos dëshironi t’ua shtojnë?
Ai vështroi sekretaren. Më pas i ra ndërmend se në zyrë nuk kishte mbetur asnjë veç tij dhe sekretares. Zuri të mendonte detyrën e saj.
– Jo, jo. – i tha. – Nuk më duhet më shumë. Faleminderit dhe me kaq. Po sikur të isha grua… Pronari do të të pushonte edhe ty e do të më shtonte 20 lira… Jo, jo! Jam shumë i kënaqur… Veçse… Sikur të isha grua!

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.