Përzgjedhja e kësaj teme u bë në varësi të interesave tona të studimit, në veçanti të kontradiktave që vetë kjo periudhë, pra Realizmi Socialist shqiptar paraqet. Zgjedhja për trajtim e një pikture të realizmit socialist nuk ishte e rastësishme. Realizmi Socialist, (utopia e tij), ka lënë gjurmë në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën e gjithsecilit prej nesh. Ai ende sot na rrethon çdo ditë, i risjellë nëpërmjet qindra e qindra imazhesh e monumentesh.
Bëmë objekt të studimit tonë një pikturë të realizmit socialist, jo vetëm për faktin se edhe në të, ashtu si në të gjitha artet e tjera, përfshi këtu letërsinë, skulpturën, fotografinë etj., shpërfaqet ideologjia e shumëkërkuar dhe e domosdoshme në atë periudhë. Por edhe për një fakt tjetër. Njerëzit shpesh ngacmohen emocionalisht nga pikturat; i gjymtojnë, i puthin, qajnë përpara tyre dhe bëjnë udhë të gjata për t’i parë; ato u fashitin inatin, i përndezin emocionalisht dhe i shtyjnë të ngrenë krye. Njerëzit shfaqin mirënjohjen përmes tyre, presin që ato t’i lartësojnë dhe emocionohen sa s’thuhet prej empatisë dhe frikës që u ngjallin. Ata kanë reaguar gjithmonë kësisoj; madje vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe sot. Ata janë sjellë kështu si në shoqëritë që ne i quajmë primitive, ashtu edhe në ato moderne; në Lindje dhe në Perëndim, në Afrikë, Amerikë, Azi dhe Europë.[1]
Pra, fuqia e imazheve është shumë më e madhe nga sa pranohet zakonisht. Shumica e bisedave tona të artit është thjesht një arrati. Roland Barti kur fliste për pikturën apo fotografinë, duke u përpjekur të rrokte thelbin e saj, donte vetëm të fliste për reagimin, pra raporti që krijohet midis imazhit dhe njeriut.[2]
Megjithëse traditat e të folurit rreth artit mund të jenë aq të fuqishme saqë vërtet ne provojmë kënaqësi të thella intelektuale nga formalizmi i lartë, ne e dimë, po ashtu që mund të shkojmë në një galeri dhe të prekemi, të mbetemi pa fjalë apo të na dalin edhe lot. Ne e pranojmë se kjo mund të ndodh kur hyjmë në një muze dhe shohim një pikturë apo skulpturë të famshme. Ne shohim një objekt dhe ndiejmë që historia dhe gjykimi racional e kanë vendosur me të drejtë statusin e tyre në kanon: ne nuk kemi asnjë dyshim për praninë e tij; ne ndiejmë plotësinë e aurës dhe forcën e saj të madhe.[3]
Një nga objektivat kryesore të kulturës së shtetit socialist shqiptar e lidhur ngushtë me doktrinën e Realizmit Socialist ishte krijimi i Njeriut të Ri, një term i huazuar nga kultura sovjetike e që për më tepër se tridhjetë vjet mbizotëroi në ligjërimin publik shqiptar.
Në këtë mënyrë kultura socialiste ishte një kulturë që mbartte brenda vetes misionin mesianik të shpëtimit të njeriut dhe brumosjes së tij me idealet e marksizëm-leninizmit duke krijuar premisa krejt të kundërta nga atë çka kultura në vetvete përfaqëson sipas Branislaw Malinowski se kultura është ajo tërësi integrale që konsiston në mjete, sende të konsumit, në normat e së drejtës për grupe të ndryshme sociale, në idetë dhe mjeshtëritë njerëzore, në besime e zakone. Në regjimin komunist ishte tentuar që besimet e zakonet e rrënjosura prej kohësh të çfuqizoheshin në shërbim të idealit epuvretë të Njeriut të Ri.
Kjo shkëputje dhe ndërprerje me traditën kishte sjellë konceptimin e artit dhe kulturës si një instrument të vënë në shërbim të ideologjisë. Arti vihet në shërbim të masave të gjera popullore dhe shndrrohet në një armë të fuqishme të edukimit estetik, të edukimit komunist, të përhapjes në shoqëri të idealeve më të larta social-estetike, të idealeve komuniste.
Diktatura u përqendrua tek krijimi i “njeriut të ri” sepse kështu do ta kishte jetën më të gjatë, ekzistencën të sigurt. “Njeriu i ri”, do të brumosej me mësimet ideologjike të Partisë dhe ideologëve të saj, e cila nënkuptonte, se ai do të ishte një lloj roboti njerëzor, që i lidhur në mënyrë serike, do të komunikonte informacion me qelizën mëmë, partinë, për çdo problem dhe shqetësim që mund të dëmtonte apo të përbënte rrezik për sistemin.
Shteti zhvillonte një veprimtari të gjerë ideologjike e kulturore për edukimin komunist të punonjësve, për formimin e njeriut të ri, kujdesej në mënyrë të veçantë për zhvillimin dhe edukimin e gjithanshëm të brezit të ri në frymën e socializmit e të komunizmit. Makina shtetërore ideologjike punonte pa pushim për krijimin e “veprës më të madhe të partisë”, siç emërtohej shpesh “njeriu i ri”. Pasi kishte dështuar me përrallën e mirëqenies dhe jetës së lumtur socialiste diktatura mburrej me krijimin e “njeriut të ri”, punë të cilën, duhet pranuar, e realizoi me mjeshtëri, aq sa pasojat e saj do të jenë të pranishme edhe për shumë vite në shoqërinë tonë.
Në këtë mënyrë kultura socialiste ishte një kulturë që mbartte brenda vetes misionin mesianik të shpëtimit të njeriut dhe brumosjes së tij me idealet e marksizëm-leninizmit duke krijuar premisa krejt të kundërta nga ato çka kultura në vetvete synon.Njeriu i ri socialist- i mbushur me portrete heronjsh, luftëtaresh dhe punëtoresh ndërtues të shtetit – dhe e gjithë atmosfera e mbretëruar në artin shqiptar të periudhës soc-realiste,krijonte përherë imazhe të ekzagjeruara të asaj që e konsideronin realitet i shprehur në art.
Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, patriotizmi e njeriu i ri pasqyroheshin me elementë si shpata, pushkë, kazma e lopata, partizanë, fshatarë e punëtorë. Nga ana konceptuale hapesirat vizuale u mbushen me shpata e pushkë, kazma e lopata, ushtare e militarë, fshatarë e punëtorë. Për nga gjuha shprehëse arti i Realizmit Socialist ishte ndërtuar mbi koncepte e parime akademike. Këndvështrimi konservator në ide ilustrohej edhe me një qëndrim konservator në formë, duke lënë shumë pak vend apo hapësira për shprehje dhe karakteristika personale.
Në këtë pasuri pikturash, skulpturash, fotografishë, e vepra të tjera arti, sot magazinohet memoria gjysmë shekullore e një vendi, çka përbën një detyrim moral e profesional, sidomos për brezin e ri, i cili me optikën e ndryshme, me mjete e qëllime të reja, duhet të zbërthejë fenomenin komunizëm. Pasi e gjithë kjo trashëgimi, në botëkuptimin e vet është e kaluara, dhe si e tillë është e domosdoshme për të kuptuar të tashmen.
[1] Freedberg, David. Fuqia e imazheve (përktheu Gëzim Qëndro), Ditura, Tiranë, 2013, f.1
[2] Freedberg, David. Fuqia e imazheve (përktheu Gëzim Qëndro), Ditura, Tiranë, 2013, f.430
[3] Freedberg, David. Fuqia e imazheve (përktheu Gëzim Qëndro), Ditura, Tiranë, 2013, f.432
(Dokumenti në PDF) PIKTURA-E-REALIZMIT-SOCIALIST


Leave a comment