Një djalë iu tha prindërve:
-Mund të shkoj në pyll për shkarpa?
Prindërit e lejuan dhe djali me të marrë një sëpatë dhe një kanistër, u nis. U fut në xhungël dhe afër mesditës kishte mbledhur mjaftueshëm dru zjarri. I vendosi stivë në kanistër dhe filloi të kërkonte diçka për t’i lidhur.
U ngjit majë një kodre dhe i zunë sytë një liqen të vogël aty pranë. Djali mendoi: “Po pi pak ujë, e pastaj po gjej litarin”. E ndërsa po shuante etjen, u përball me një krokodil të madh. Ia mbathi me të katra, por pas një grime dëgjoi krokodilin tek po e thërriste:
-Djalosh, më ndihmo të lutem! Kam tri ditë këtu pa ngrënë. Nëse ia mbath, me siguri do ngordh urie.
Krokodili quhej Bambo. Kur e pa djalin, mendoi se do të kishte mish të shijshëm, ndaj e ndolli.
-Telashi im është i njëjtë me atë të gjetheve. A e di se kur fryn erë e fortë, gjethet fluturojnë lart dhe mbeten nëpër zgavra pemësh? Ato s’mund t’ia mbathin prej atje nëse era pushon. E njëjta gjë më ndodhi dhe mua. Erdha në këtë liqen nëpërmjet lumit, duke menduar se mund të gjeja ushqim. Tanimë që lumi u tha, s’mund të kthehem pas. Djalosh, duhet të më ndihmosh të kthehem, ndryshe kaq e pata.
Djali nisi të qante, pasi nuk donte që krokodili të vdiste.
-Përse qan djalosh? – i tha Bamboja. – Unë nuk do të të ha.
-E si të të lëviz? Ti je më i madh, më i rëndë dhe më i gjatë se unë. – pyeti djali.
-E thjeshtë fare, – u përgjigj Bambo. – Merr sëpatën dhe pri dy shkopinj të gjatë.
Djali ndoqi udhëzimet e krokodilit. Preu dy shkopinj të gjatë dhe e vendosi njërin në krye e tjetrin përfund. Pastaj e lidhi fort dhe arriti ta shtynte deri buzë lumit. Ndërkohë bërtiste dhe këndonte:
Oh, kam frikë nga krokodili,
Kam frikë nga krokodili,
Ja prisni kur të më hajë!
Bambo iu përgjigj:
-Nuk do të të ha. Nëse do e bëja, atëherë do të thotë që po ta shpërblej të mirën me të keqe.
Por djali vazhdonte përsëriste të njëjtat fjalë.
Kur më në fund u afruan buzë lumit, djaloshi e ktheu krokodilin përmbys, por Bamboja i tha:
-Nëse më braktis këtu në këtë mënyrë, i bie të mos e plotësosh tërësisht premtimin tënd. Më solle deri në buzë të lumit duke më shpëtuar nga një vdekje e sigurt. Pas një gjesti kaq fisnik, mos më braktis tani në fund.
Kështuqë djaloshi e futi krokodilin në lumë aq thellë sa uji i mbërriti në bel.
-Edhe pak më tutje, – e nxitte Bambo.
-Epo më arriti uji në bel, – kundërshtoi djali. – Duke mos përmendur faktin që unë nuk di të notoj. Nëse vërtet dua që e mira të mos më kthehet në të keqe, atëherë duhet të të braktis këtu.
-Të lutem pra djalosh, edhe pakëz më tutje.
Djaloshi vazhdoi dhe disa hapa derisa uji i mbërriti në fyt.
-Më lejo të të zgjidh këtu, – tha djaloshi.
-Dakord, – u përgjigj krokodili.
E lëshoi dhe më pas i hoqi dhe litarët nga koka te këmbët duke e lënë në liri të plotë. Me një lëvizje të shkathët, krokodili e rrëmbeu me kthetrat e tij të mëdha drejt vetes. Tri ditë agjërim kishin ndjellë një uri të madhe tek Bamboja.
-Si munde të ma bëje këtë? – nisi të bërtiste djali mes lotëve. – E harrove premtimin?
-Epo tani. Ishte një premtim jo i mirëmenduar. E mbi të gjitha aspak serioz. Pastaj, kisha mbetur në liqen; ndërsa tani, nëse të le t’ia mbathësh do mbetem pa ngrënë. E di që nuk është në të mirën tënde, por dreqi ta marrë, duhet të më kuptosh dhe mua. – u justifikua Bambo.
-E dija! E dija që do më haje, – bërtiste djali. – Prandaj qaja dhe bërtisja gjithë rrugës. E dija që do ma ktheje me të keq.
-Epo duhet të ushqehem pra. Jam shumë i uritur. Dhe nëse të le t’ia mbathësh, nuk do gjej kurrë më një pre kaq të mirë dhe të shijshme.
Afër bregut të lumit gjendej një pemë. Djali i tha krokodilit:
-Përpara se të më hash, eja pyesim këtë pemë se çfarë mendon.
Krokodilit i pëlqeu ideja dhe të dy nisën t’i tregonin historitë e tyre pemës. Në përfundim, pema psherëtiu dhe tha:
-Krokodil.
-Po. – u përgjigj tjetri.
-Mendoj se këtë herë ke të drejtë. Ne pemët e dimë sa të këqinj dhe hakmarrës janë njerëzit. Vijnë e qëndrojnë nën hijet tona kur dielli ju merr mendtë, dhe ne i mbrojmë nga rrezet vrastare. Ne ju shërbejmë si ilaçe dhe mbajmë tokën e bashkuar që të mos u rrëshkasë. Dhe megjithëse jemi të larta dhe të forta, vijnë e na presin për qëllimet e tyre egoiste. Janë të çmendur dhe mosmirënjohës. Pra, i dashur krokodil, haje prenë tënde. – e mbylli fjalimin pema.
Krokodili gati sa nuk u hodh nga gëzimi nga fjalët që sapo dëgjoi.
-Pra, e dëgjove, – tha, – është e vërtetë që mund të të ha. E gjithë bota e di sa mosmirënjohës janë njerëzit.
Djaloshi nisi të këndonte:
Oh, kam frikë nga krokodili,
Kam frikë nga krokodili,
Ja prisni kur të më hajë!
Pikërisht në atë çast bri lumit u shfaq një lopë që nisi të pinte ujë. Djali i tha krokodilit:
-Duhet të pyesim dhe lopën për situatën tonë. Jam i sigurt që ajo do e kundërshtojë pemën dhe do nxjerrë në pah virtytet tona. Shkojmë shohim ç’do na thotë.
Bamboja ra dakord dhe thirri lopën, e cila sapo mbaroi së piri ujë. Kur të dyja palët përfunduan versionet e tyre, lopa ngriti kryet dhe tha:
-Krokodil.
-Po. – tha krokodili.
-Mund ta hash. Njerëzit janë raca më mosmirënjohëse që rron mbi tokë. Kur isha e re dhe mund t’iu jepja qumësht, më ushqenin dhe më mbanin mirë, por tashmë që s’jam asgjë më tepër veçse një lopë plakë dhe e shterur, më kanë braktisur dhe nuk më japin as edhe një pikë ujë të mbaj shpirtin. Ti e ke parë vetë sa e gjatë është rruga për të mbërritur deri bri lumit. Për kaq sa thashë i nderuar krokodil, mendoj se ke të drejtë. Je i lutur ta hash prenë tënde. – përfundoi lopa.
Djaloshi nisi të këndonte:
Oh, kam frikë nga krokodili,
Kam frikë nga krokodili,
Ja prisni kur të më hajë!
Djaloshi këndonte dhe krokodili përgatitej ta hante, kur papritur një gomar u duk për të pirë ujë.
-Prit, – briti djali. – Duhet t’ia tregojmë dhe gomarit historinë tonë.
-Djalosh! – bërtiti krokodili. – Nuk ka asfarë rëndësie fjala e gomarit. Do të të ha.
-Megjithëkëtë duhet ta dëgjojmë dhe fjalën e gomarit. – foli në të qarë djali.
Gomari piu aq sa uji po i dilte hundësh, dhe palët nisën t’i tregonin historinë e tyre. Pasi përfunduan, gomari tha:
-Krokodil!
-Po, – tha Bamboja.
-Kur isha i ri, njerëzit më ngarkonin me gjithfarë peshe, por tani që jam plak dhe nuk iu hy në punë për gjësend më kanë braktisur. Më lanë të ngordh i vetëm. As më jepnin bar e as ujë. Njerëzit janë qeniet më mospërfillëse në botë. Mund ta hash. – përfundoi gomari.
-Ëh! – shpërtheu krokodili nga gëzimi. – Përfundimisht nuk të liroj. Tashmë s’ka asgjë që mund të të shpëtojë.
Por përpara se të fillonte ta hante, një lepur vrapoi bri lumit.
-Duhet t’ia tregojmë historinë dhe lepurit, – u qa djali.
-Djalosh! Po më sos durimi! Jam tmerrësisht shumë i uritur! Duhet t’i japim fund kësaj loje pa kuptim. – bërtiti krokodili.
-Oh! Të lutem! Edhe kësaj here! – këmbënguli djali.
-Dakord, por lepuri do jetë i fundit që do pyesim.
Kur lepuri sosi së piri ujë, pa t’i afroheshin dhe pyeti si qe puna. Krokodili i tregoi versionin e tij. Më pas djali nisi të thoshte argumentat pro vetes, por lepuri i acaruar e ndërpreu.
-Mbylle! Kam dëgjuar të flasin për ty. E gjithë bota e di sa i poshtër je. I pari do flasë krokodili dhe pikë.
Dhe në mes të rrëfimit, e ndërpreu krokodilin dhe i tha:
-Kërkoj ndjesë. Veshët e mi, pavarësisht se janë të mëdhenj, nuk dëgjojnë dhe aq mirë. Mund të afroheni dhe pak më shumë?
Krokodili dhe djali u afruan kah lepurit. Niveli i ujit tashmë i arriti djalit në gjoks. Krokodili nisi të tregonte përsëri historinë prej fillimit, dhe në të përfunduar lepuri i tha:
-Të kërkoj ndjesë dhe njëherë, por nuk munda të dëgjoj asgjë. Të lutem, afrohu dhe pak nga bregu. Pa merak, preja është e sigurt. Nuk shoh asnjë mundësi arratisjeje.
Dhe kështu bënë.
-Pra, – tha lepuri, – pa nise dhe njëherë historinë.
Krokodili i shpjegoi versionin e tij dhe më pas la djalin të flasë. Kur përfunduan, lepuri tha.
-Djalosh, je mashtrues dhe gënjeshtar. Ti je kaq i vogël dhe krokodili kaq i madh, sa është e pamundur që ta kesh sjellë prej kodrës e deri këtu. Nëse është e mundur, më lejoni ta shoh si e bëtë.
Krokodili nisi të dyshonte, por lepuri e qetësoi duke i thënë:
-Mos u bëj merak, me të më treguar si ja bëtë, je i lutur ta hash menjëherë.
Djaloshi preu dy shkopinj të gjatë dhe e vendosi njërin në krye e tjetrin përfund. Pastaj e lidhi fort. Krokodili kishte rënë në kurth! Nuk mund të lëviste. Atëherë lepuri e pyeti djaloshin:
-E pëlqejnë njerëzit tuaj mishin e krokodilit?
-Është i vetmi mish që pëlqejmë.
-Shumë mirë, ja tek e ke çmimin tënd, – iu përgjigj lepuri.
Djaloshi rrëmbeu shkopinjtë dhe u nis drejt shtëpisë. Ndërkohë krokodili nisi të këndonte:
Oh, kam frikë nga djaloshi,
Kam frikë nga djaloshi,
Kam frikë se do më hajë.
Kur njerëzit e tij e panë të mbërrinte me një krokodil lidhur mes dy shkopinjve, ja nisën me brohoritje:
-Pa shikoni! Djaloshi ynë shkoi për shkarpa dhe na solli krokodil!
-Nuk mbaron me kaq, – tha djaloshi, – kam sjellë dhe një lpur. Është mes ferrishtave. Shkoni gjejeni.
Të gjithë fëmijët nisën të rrëmonin kudo dhe lëshuan langonjtë. Lepuri, me të dëgjuar ato fjalë, tha: “Duhet t’ia mbath sa jam në kohë dhe të fshihem mirë, njerëzit kanë qenë dhe janë qeniet më mosmirënjohëse që jetojnë.”
Fëmijët kërkuan ngado dhe nuk mundën të gjejnë asgjë. Kur u dorëzuan dhe nisën të ktheheshin kokëulur për në shtëpitë e tyre, lepuri thirri djaloshin dhe i tha:
-Fjalët që tha pema, lopa dhe gomari për qeniet njerëzore janë krejtësisht të vërteta. Isha unë, lepuri, që të shpëtova jetën, dhe tani ti dëshiron të më hash në të njëjtën mënyrë si krokodili donte të të hante ty. As mos ta dëgjofsha më emrin.
Thonë që për këtë arsye lepujt vrapojnë aq shpejt kur shohin njerëz. Përpara kësaj ndodhie, nëse dikush humbiste mes pyjeve, shfaqej gjithmonë një lepur i cili u tregonte rrugëdaljen.
Përktheu nga spanjishtja: Antonio Çikollari


Leave a comment