(Një tjetër pasqyrë për Tat Tanushin e Bubutimës)
Tat Tanushi i Bubutimës bëri mëkatin e madh të të plotësuarit e urisë së mishit. Dhe kështu fitoi pavdekësinë. Në këtë rrëfim sa panoramik aq edhe sintetik përplot motive të Kutelit, vihen re kontrastet mes dashurisë, besimit të patundur dhe unit të tij në qasje me to. Në një nga këto prerje të këndvështrimeve shoh si themeltar edhe erosin. Përmes të zbuluarit të elementëve që japin panoramën e erotikës, në këte tekst arrihet të kuptohet edhe vetë figura komplekse e Tat Tanushit. Kjo e gjitha e ardhur nga një lexim i vënë në qasje kontekstuale në kohën e zhvillimit të ngjarjeve dhe të kohës që lexohet fizikisht vepra.
Duke u nisur nga një pamje e përgjithshme, erosi, në letërsinë shqipe ka patur hopet e veta. Ndërkaq në Europë e në botë eksperimentohej, shenjat e para të erosit, po në atë trajtë të mirë e të fortë vijnë me lëvrimin e letërsisë moderne. Kur flasim për prozën menjëherë koordinatat ngulen tek krijimtaria e Migjenit dhe e Koliqit. Por është Kuteli një nga më emancipuesit ndër prozatorë që e sjell në mënyrën më elegante të mundshme erosin. Kësisoj duke marrë dy gojëdhëna e duke i kthyer në një rrëfim model, një rrëfim mbi rrëfimet (burimet e para tekstore/gojore në të cilat është mbështetur) e që vë nën lëkurën e një njeriu, qenien me nevoja thelbësore fizike arrin të pleksë pa mundim mëkatarin dhe të dashuruarin.
Në çastin që kemi kontakt me tekstin, qasemi me erosin në një mënyrë më tolerante se në shkrimet e shkrmtarëve të tjerë shqiptarë. Madje ndryshe edhe nga rrëfime të tjera të Kutelit, ndërmend këtu “Vjeshta e Xheladin Beut” ku erosi nuk shihet më në atë suazë të plotë, por të gërshetuar me fetishe, me mani dhe dhunë. Ndryshe nga se është zhvilluar më vonë, tek ky tekst, tema është zhvilluar në një mënyrë të zbutur.
Linja e prerjes erotike mban në qendër Tat Tanushin i cili pas vdekjes të së shoqes së tij, Kalijes (Noemit), tjetërsohet dhe fillon të bëjë gjëra që në të gjallë të Kalijes as që do t’i shkonin nëpërmend t’i bënte. E kopsiten mirë në këtë fjali: “Pa meqë nuk zotëronte dot as dëshirat e mishit, mendimi e shpuri në të tjera mëkate”. Psika e tij duket këtu si një kuti pandore që hapet, pas asaj tronditje të madhe jetësore shfaq trajta kafshërie e maniaku. Kjo vjen prej mosplotësimit të dëshirës. Prej ndrydhjes, prej sfidave të epshit. Por nuk ka asnjë ravijëzim të ashpër e të athët. Gjithë rrëfimi sillet butë dhe tregon me urtësi për të ndodhurën e Tat Tanushit të Bubutimës.
Tat Tanushi kërkon përherë ta shijojë jetën: në pjesën e parë të jetës së tij mes parimesh të forta e të patundura dhe në pjesën e dytë përmes shfrenimesh dhe teprimesh. Por Kuteli e sjell po ashtu figurën e tij kaq të paqtë dhe të qetë, sa këto përthyerjet e forta karakteriale që sillen rreth erosit duken si pika kulmore të një përralle. Pasi vdes Kalija, ai gjendet në një zgrip të madh emocional dhe i pashpresë për të shuar mërinë, mërzitjen dhe i pamundur për të patur një grua tjetër në krah. Por aq e fortë është dhimbja e Tat Tanushit sa duket sikur kjo dhimbje nuk është e shpirtit, por e vetë trupit. Është dhimbje e mishit. Krejt biologjike. Nevojë e natyrshme që kërkon përplotësim. E këtu fillojnë e shkërmoqen idealet. Tat Tanushi përligjet duke thënë se gjithçka është e shkruar në Shkronjë, çdo e mirë dhe e keqe si për të shfajësuar veten nga fajet. Nga njëri skaj është ideali, është ndërgjegja, është besimi që e mban të ngërthyer duke u shprehur se “Kushdo që ve re grua, me dëshërim, ka kurvëruar me atë zemër”. E nga skaji tjetër është mungesa, është asgjëja që e mundon, vdekja e dashurisë së tij: “Boshin e math të shpirtit nuk ja mbushnin dot as hija e zbehtë e Kalijes, as korat dhe as të gdhendurat e saj.”
Kjo ide e shuarjes së etjes erotike vjen më së pari në kohçn kur është pranë bagëtive, i sheh, i dëshiron dhe i duken mirëfilli qenie. Po ashtu ky argument fortësohet në momentin që Tat Tanushi është ballë për ballë me zonjën që kërkon të blejë të gdhendur dhe Kuteli rrëfen kështu: “Ardhi pastaj edhe shembja e madhe: trupi i tij njohu trup gruaje”
Për t’iu rikthyer sërish erosit në tekst, një tjetër formë e të kuptuarit se si e gjejmë literalisht është përmes shenjuesve të caktuar me të cilat përfaqësohet. Më së pari është trupi i gruas e vihet re tendenca për ta përshkruar gruan e duke patur si fjalë kyçe “barkun” “sytë” – elemente të sensualitetit po aq sa përbëjnë edhe filozofi më vete. Kësisoj edhe binomi bark-pemë, nuk është naiv, në udhën e lidhjes mes tyre është diçka e qenësishme që i lidh: të dyja janë simbole të jetës. Erosi keqinterpretohet në parim pasi përherë qëndron mania për ta shfaqur vrazhdë, në skelet, me dhunë, me një hijeshi postmoderniste. Por është edhe ky lloj erosi që mbështetet krejt në natyrë, në sende primordiale, që ndërtojnë një panoramë të bolltë të dashurisë, epshit, dëshirës seksuale. Tek Kuteli e gjejmë të shtresëzuar e të konsoliduar mirë. Në rastin e binomit bark-pemë është jeta dhe vazhdimësia ajo që i lidh. Përplotësimi i jetës duke lënë një trashëgimtar. Dhe më pas ky binom plotësohet nga një shenjues tjetër që është fjala “kurm” e që në krahasim më dy të parët, vjen më e trishtë dhe e ndjerë, një fjalë afër vdekjes. E gjitha kjo ndikon tek Tat Tanushi, sepse krijon tërë atmosferën e zymtë të mërisë, shtypjen e drobitjen emocionale. Pamundësia për të mos patur kontakt fizik, mandej edhe përcaktimet që i vishen Kalijes janë:“…ajo ish e bukur midis të bukurash dhe e desh me fuqi të madhe burrën e saj”,”fytyra e saj vishej në një pah drite si drita e hënës mbi ujra”, “buza e saj e hollë kuqonte si lëngu i shegës” “barku i saj nuk kishte lidhur pemë si barku i grarisë, kurmi i mbeti përngahere si kurm virgjëreshe”.
Tat Tanushi ishte një njeri me dije të thella teologjike dhe me një dashuri të madhe për njeriun. Por frika ndaj asaj ç’ka mund ta çonte në haremin e epshit, pra të asaj pjese të ndaluar për karakterin e tij prej murgu (ndoshta po e emërtoj me terma që brenda kontekstit të ngjarjeve nuk përkojnë fort, por besoj se lexuesi do ta përkapë mirë krahasimin.)
Mjaft të themi se edhe vendi kur zhvillohen ngjarjet. Qysh prej çastit kur Tat Tanushi bashkohet me Kalijen : “Dashuri, sa më shumë pi nga mburimi yt , aqë më shumë et kam!”
Ndërsa mbartja e këtij mëkati duke njohur shijen e përjetësisë dhe monotonisë së vetëndëshkimit ja zbardh zëmrën mërisë së Zotit në këtë rast dhe si “zëri” si Tata falen për gjithë rrjedhën e kohës së kaluar. Kjo përplasje mes idealit dhe fizikes e bën të ndërdyshet Tat Tanushin në ciklin e gjatë të jetës së tij gjersa u pluhuros e u kthye në pëllumb, edhe ky një simbol i pastër pafajësie e lirie. Por jo në sensin e përgjithshëm. Kjo liri Tat Tanushit i erdhi pas një kohë të gjatë të regjur në pendim dhe kërkim të vërtetash. Një kohë të gjatë udhëtimi dhe plot mbirje brengash.
Ndërkaq kjo lloj ndërprese e dashurisë dhe të mos paturit të drejtën, përcaktuar nga një kanun për të mos patur më lidhje fizike, seksuale me dikë tjetër e gërryen në shpirt. E kësisoj kuptohet, sa i lirë do të ishte nëse kjo lidhëse e nyjtuar mbi seksin në mendjen e tij do të zgjidhej do të jetonte një jetë pa brenga. Por ky mbetet thjesht një interpretim dhe teksti është i hapur për të patur qasje të tjera ndoshta edhe më të qëna mbi atë se ç’trazohet tek Tat Tanushi.
Përgjatë viteve e shekujve ky mëkat mban peng shpirtin e Tat Tanushit. Dëshira për të kryer marrëdhënie me një person duke iu kundërvënë dogmës të çon në këtë sens primitivizmi dhe vetëpengimi kaq të rrudhur në kohë. Aftësia e Kutelit ta shpalosë këtë shtjellë të erosit dhe ndëshkimit dhe Tatën mes Erosit dhe Thanatosit, përthyhet në vija dritash që zbulojnë thelbin e çështjes. Epshi pengim (varg i Mjedjes tek Vaji i bylbylit) konfiguron dhe Tat Tanushin, por duke e mëkuar me pavdekësi. Dhe duke jetuar në botën e Erosit me pendim, bota e Thanatosit i duket më e ëmbël se mjalti. Dhe është një nga rastet në letërsinë shqipe kur erosi nuk jepet i vrazhdë, i thiktë, me pasoja të thella për psikën kolektive dhe individuale siç i gjejmë tek romanet e Kongolit apo Tufës, por tek Kuteli në zanafillën më të mirë të zhvillimit të letërsisë moderne, erotikja është kaq mirë e ngjeshur dhe e trajtuar duke e sjellë pa frikë për të dashuruar, duke falur. Erotika zhvishet prej paragjykimeve, moralizimit dhe është njejt’ me jetën.
Erosi i zbutur|Blerina Kanxha
By

Read Next:
Hey!
Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀
Join the Club
Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.
Categories
Tags
Agron Tufa Alban Tufa Aleph Andrea Koroveshi anila balla Anna Kove Antonio Çikollari antonio çikollari anxhela lepuri Arka e Noes art Bajram Karabolli Bashkim Shehu blog Elena Garro Enrique Vila-Matas franz kafka fund i lumtur Gazmend Krasniqi Gjergj Fishta Gustav Flaubert Herta Müller Ismail Kadare Joan Benesiu Korab Hoxha letersi Letërsi shqipe Malcolm Lowry Mali magjik margaret atwood Mario Benedetti miguel de unamuno Mikhail Lermontov Oliverio Girondo Pesë vdekje poezia Përkthime roman jakobson Satira shqip Thomas Mann Tregim Umberto Eco Under the volcano Zonja Bovari

Leave a comment