Nesër
Dalë nga sytë e një pulëbardhe
në flijim,
dita ka me lindë.
Nesër
pa cak, dashuria ka për t’u barabitë
me qiellin në maj
e zanat kanë për t’i holluar thembrat
në vallen e pafundme
për me ia zbutë zotit mërinë,
e egërsume,
prej syve të njerëzve
brejtun ligësish.
Nesër,
mijë violina do ndjellin
shpirtin tonë të tretur.
Kuartet fluturimesh
Mpihet drita në pendët e buta të zogut.
Fluturim i egër sysh mbi këmbët e fëmijës
që theu vazon e paprekshme të kujdesit.
(totem i çmuar nënshtrimi!)
Loti është dënimi,
që na japin të gjithë
aty, ku asnjë fill nuk i lidh zemrat.
Mbamë në duar, mëmë, mirë
që të mos e zgjoj guximin për flatra të bardha
Kur ka kaq pak zogj dhe kaq sy të egër.
***
Zog –
njerëzit, jo, koha, ikin.
Mbetet shkretëtira që qan teksa këndon
e goja jote në zemrën e territ.
Pa mundur të fitojë asgjë në këtë tokë lypsish –
mugullon e thahet
në gardhin e braktisjeve kujtesa.
***
Mbaron dhimbja e lumit
nën mëshirën e diellit prushitës.
Goja s’qenka toka për ta prekur rrufeja e mjekrës së mençur.
Sytë s’qenkan drita për ta zgjuar kujtesën!
Këtu gjithçka fle
pa lëshuar rënkim.
Më duhet të shtrihem në krahët e zogut të ikshëm.
***
Boshllëku lëviz e të ngjeshet në sy
errëplotë.
Hareshëm ky qiell ankthëton dëshirën
për t’i ikur dritares, ku mbërthehet guximi.
Kaq me fat fëmija që mbeti në ajër
pa besuar se bie!
Si rrallëherë sot, imzot
lumshëm rrjedh dritësimi i këngës së zogut
nën lëkurë
për të më bërë ngjyrë të panjohur
në spektrin e kujtesës së miqve.
Apokalipsi
Dhe Zoti tha: –
do të them fund, atëhere
kur drita e këngës së zogut
do të qorrohet
në natën e zemrës së njeriut.
Për t’u ngjallur
Është lojë kjo muzikë që baret kujtesa të nemitura në lejen e ngjeshur të gjakut. Shiu, këndon litanitë e mëshirshme të qiellit n’faltoren tonë dhe përgjunjet…përhapët…përhihet në dheun e ftohtë.
Më duhet të them, çka më vjen në mend, Zot: të jem tjetër formë dhe të zgjojë këngën e ngopur të ujërave në guackën e zbrazur…
S’e din?! Kopshtari s’pat kopsht këtu, dhe prapë iu desh ta hedhë farën në pëllëmbën e lodhur. Të lodhur dhe krenare (të mbijë pemë e tokës në palmën e dorës).
Pranvera do durim për t’u pritur – më thotë, e jo zemër të regjur në lutje… nëse ajo që fshihet më mban më tepër, ajo që shoh më cakton në parzmoren e gjërave të vdekshme.
Duhet t’i pastrojë shtëpitë nga era e flive, që ndotën guximin për t’u ngjallur.
Vegime
Nata m’vesh në lëvozhgën e ngatërruar të dëshirës për t’u bërë tingull…i butë…i ëmbël…i plotë n’këngën këndellëse të bulkthit.
Përlotja ma zgjon përfund ndjesinë e pjekun të synit për ta pasë cakun n’kurorë trëndafilash. Asnjëherë më tej, se bëhesh aromë a frut i këputshëm për erëra.
Sekush mban fshehur në grusht, hartën e ëndrrës së vet…e shket t’i përvidhet fatit.
Ksilomanti i verbër prek damarët e ngritur të bredhit dhe mbledh jetën time në shenja. Dhe jo vetëm kaq. Midis ksilomantit, natës, bulkthave dhe drurëve gjen veten fëmija i përbotshëm.
Shënim: Vjollca Osja është profesoreshë e letërsisë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Filologjisë dhe i Letërsisë. Ka botuar shkrime të ndryshme studimore në revista kombëtare dhe ndërkombëtare. Është autore/bashkautore e disa studimeve monografike, si dhe kontribuese në tekste të ndryshme shkollore. Përmendim këtu: Aspekte të ligjërimit në poezinë e Mjedjes, Nolit, Poradecit dhe Nolit, Antologji e poezisë shqipe + një shtojcë studimore (bashkautore), 100 lirikat- Frederik Rreshpja (bashkautore). Është përkthyese e librit Këngëtari i tangos i shkrimtarit argjentinas Tomas Eloy Martinez. Shkrimet e mësipërme janë shkëputur prej: Nesër – Mehr Licht, Nr.4, nëntor 1997, f.61-62; Kuartet fluturimesh – Mehr Licht, Nr. 11, 1999, f.45-46; Apokalipsi – Mehr Licht, Nr. 11, 1999, f.45-46; Për t’u ngjallur – Orana, Nr.2, mars-prill 2000, f.81; Vegime – Orana, Nr.2, mars-prill 2000, f.81.
Përgatiti: Anxhela Lepuri & Blerina Kanxha


Leave a comment