A. B.|Anila Balla

Published on

in

, ,

Amarildo Bajraktarin e zë gjumi gjithmonë në dhomën e miqve dhe çuditërisht zgjohet në stallën e lopëve.
I kishte dalë një puçër poshtë buzës. U përpoq ta shtrydhë. Ndjeu dhimbje dhe hoqi dorë. Ashtu, serioz nuk e ndjente fare dhimbjen, mblodhi buzët përpara, puçra thëmboi. Do t’i duhej mos të lëvizte shumë mimikën e fytyrës, ndryshe do të ndjente dhimbje. I shpëtoi një ngërdheshje… dhimbje…. ai nuk para qeshte.

E premte. Laç

Amarildo Bajraktari hap sytë dhe gjëndet përsëri në stallën e lopëve. Merr frymë me përtesë dhe çohet. Ngathtësisht i afrohet Larës, i përshkon dorën në bark nja dy herë dhe fillon ta mjelë. Del nga stalla. Balta e përzjerë me kashtën, i mbështjell opingat dhe ashtu shkel në shtëpi. Muret e suvatuara qëkuri kanë marrë një ngjyrë gri nga tymi i zjarrit që ngroh shtëpinë, çimentoja aty këtu është e gërryer dhe gri, në këndet e dritareve janë vendosur sëndukë, batanije, rroba, e të tjera rraqe të padobishme apo edhe të dobishme, të cilat pengojnë dhe bllokojnë funksionin e dritareve.
Si në çdo shtëpi shqiptare, edhe kjo shtëpi e vogël në një fshat të vogël të Laçit, dhomën e pritjes ose të miqve e ka të rregulluar sa më mirë, dritaret nuk i kanë mbuluar përveçse me një dantellë të bardhë, me cepa trekëndorë të cilat varen deri në treçerekun e dritares. Kjo dantellë e bardhë ka marrë nuanca vjetërsie, nuanca të vërdheme. Të paktën, pamja është shumë e bukur. Të gjithë ngjyrat e natyrës shtrihen jashtë dritares së dhomës së miqve të familjes Bajraktari.
Shtëpia është e vjetër, e ndërtuar me gurë dhe me baltë. Mbahet fort!
Në tavan janë krijuar vargëzime të thella, prej nga koha kur është ndërtuar, madje në disa vende janë hapur disa gropëza të vogla nga ku vjen një errësirë e thellë, gjithashtu edhe disa fije kashte të mbështjella me baltë të tharë dhe të zezë. Nga këto gropëza ose vrimëza në tavan, të cilat nuk ndodhen në dhomën e miqve ose të pritjes, ravijëzohet deri në dysheme një vijë e lehtë ndryshku, që edhe pse muret janë lyer – dhe duket që janë lyer – ato harta ndryshku të shpërndara kudo nëpër shtëpi vazhdojnë të qëndrojnë me kryeneçësi, aty, bojë pas boje.
Pra, Amarildo gjendet përpara errësirës së shtëpisë së tij. I njeh çdo cep, tashmë prej 23 vjetësh. Shkon në dhomën e miqve – ose të pritjes – dhe shtrihet. Aty përpiqet të mbyllë sytë dhe të flerë përsëri. Lopët, delet, dhitë, le të presin. Amarildo Bajraktari kishte kohë që nuk flinte mirë. Gjumin e bënte me ndërprerje, kishte ankthe që e zgjonin gjithmonë. Dhimbje koke konstante dhe një angështi që nuk i largohej kurrë.
Zhurmat mëngjesore ngrijnë krye mbi qetësinë e natës dhe dëshira e Amarildos për të bërë një sy gjumë mbetet në tentativë. Mamaja është zgjuar tashmë dhe ka nisur përditshmërinë e saj. Futet në dhomës e miqve. Amarildo ia ndjen qortimin.
-Çohu!
-Më lë edhe pak se nuk ndihem mirë.
-Ti ashtu je gjithmonë. Çohu tani.
Amarildo çohet.

E shtunë. Laç

Amarildo Bajrktari, nga fisi i Bajraktarëve trima, u zgjua përsëri në stallën e lopëve. Kovën e qumështit e mbante gjithmonë aty për të eleminuar vajtje-ardhjet që në pikë të mëngjesit, ndryshe do të zgjonte të gjithë familjen dhe ç’shpjegim do t’i jepte?! Megjithatë mamaja ishte shumë e lumtur me korrektësinë e Amarildos këto kohët e fundit, ndërsa babai, si gjithmonë, shprehte pakënaqësi ndaj kësaj korrektësie, që e bënte Amarildon të dukej në sytë e të atit si një djalë mamaje. Sigurisht, Amarildo Bajraktari ishte përpjekur t’i bënte të dyja, të kënaqte dhe babain, edhe nënën, por kishte rezultuar një dështim, një përpjekje e kotë nga ana e Amarildos, sepse nuk e bënte dot atë që babai kërkonte dhe babai nuk do të kënaqej, në qoftë se ky ndryshim nuk do sillte para në shtëpi, ashtu siç sillte djali i filanit a i fistekut; ndërsa nëna ishte ajo që e përkrahte, e kuptonte, që e motivonte; por me një mendim të fshehur, të lexueshëm, që Amarildo, për keqardhjen e saj të madhe, edhe pse ajo si një nënë e mirë do t’i qëndronte krah, ishte një djalë i dështuar. Pasi u martuan motrat, Amarildo mbeti vetëm me babain dhe nënën. Babai nuk ishte i kënaqur nga sjellja e Amarildos. Ai nuk kishte sjellje mashkullore, prej burri të vërtetë, prej Bajraktari të vërtetë. Sigurisht për këtë fajësohej nëna, e cila nga fisi i saj, me sa dukej, kishte një kushëri, që nuk kishte sjellje të përshtatshme. Atij kushuriri të largët nuk i thuhej kurrë emri. Ai jetonte jashtë shtetit, atje ku lejoheshin perversitetet.
Kur i ati shfaqi pakënaqësitë e para, Amarildo qante e qante papushim.
-Mblidhe veten, – i thoshte e ëma.
Dhe Amarildo shfajësohej për veprimet që kishin bezdisur të atin, që atij mbase i vinin natyrshëm, mbase e bënte për të tërhequr vëmëndjen e të atit, mbase nuk e mendonte aq mirë dhe ai qante dhe pendohej, qante te mamaja, e cila e ngushëllonte.
-Pse s’përpiqesh të…po sikur të….ja, shiko Filanin!
Në qoftë se nënës dikur i jepte sqarime dhe i tregonte si funksiononin gjërat të para – sigurisht nga sytë e Amarildos, – tani ai nuk e merrte më mundimin, thjesht dëgjonte dhe kaliste durimin ndërsa nëna i jepte këshilla si të ftillonte jetën.
Babai, ai ishte krejt tjetër. Babai mbante krenar mbiemrin dhe jetën e tij mbi supe. E gjithë historia fisnore e Bajraktarëve përmblidhej në qenien e babait dhe shpërfaqej në çdo hap të tij. Kur babai hapte gojën për të lëshuar tingujt e tij të motçëm, e gjithë shtëpia dëgjonte kokëulur dhe zbatohej, përkrahej, qeshej, qahej, dënohej çdo gjë që dilte nga ligji gojor i burrit të shtëpisë.
Ndërsa Amarildo nuk ishte si babai, nuk ishte si nëna, nuk ishte si motrat, nuk ishte si kushurinjtë, nuk ishte si shokët. Amarildo ishte vetëm. Amarildo donte të bëhej si babai, donte të bëhej si farefisi i tij i hershëm, donte të ishte i denjë për mbiemrin e tij, por nuk arrinte dot. Ai nuk mësoi në shkollë, ai nuk iku në Itali, Belgjikë, Zvicër. Ai qëndroi, aty, me lopët. E çfarë të keqe ka, mendonte ai, tani që nuk kishte mundësi tjetër zhdukjeje nga këtu.
Motrat, të gjitha të martuara, të gjitha me fëmijë, sjellin gjithmonë dritë në shtëpi sa herë që vijnë. Shtëpia kthehet përmbys. Motrat fillojnë pastrojnë, edhe pse mamaja i ka mbaruar punët pak përpara se vajzat t’i vijnë për vizitë. Amarildo dhe babai mirëpresin vajzat e shtëpisë. I vetmi çast i bukur në jetën e Amarildos ishte ardhja e fëmijëve, por së fundmi edhe ardhja e tyre e bezdiste. Nuk kishte dëshirë të shikonte njeri. Megjithatë shtirej mirë. Arrinte të imitonte më së miri sjelljen e tij kur ishte i kënaqur.
Amarildo zbriti në qytet dhe piu një kafe me shokët. Ai u ul te kafja në qendër dhe vëzhgoi xhiron e qytetit. Bisedat ishin po ato. Sa e mirë ajo, çfarë bythësh ajo, sa pede ai, sa lek ka ai, ça kurve është ajo, ai pastaj ajo, ajo pastaj ai. E, Amarildo thotë, që ajo është kurvë sepse kishte bërë këtë e atë, që ai vetë nuk e kishte parë, por e kishte të sigurtë. Burimin e informacionit nuk e tregonte asnjëherë, kështu rritej besueshmëria. I duhej të thoshte diçka, ndryshe shokët do mendonin se ai vërtet i kalonte ditët me lopët dhe delet. Pasi hodhi grykëve gllënjkën e fundit të kafes ekspres, takoi çunat që do rrinin gjatë aty, ata, si gjithmonë e pyetën pse largohej aq shpejt:
-Nuk ndihem mirë. Do kaloj edhe nga kisha.
Ata tundën kokën mosbesues, por Amarildo i dëgjoi:
-Ky vetëm qahet. Si nuk u lodh!
-Vet e ka fajin!
‘Laçi, qytet i shenjtë’ shikon të varur një shirit nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

E diel. Laç

Nuk i hapi sytë, por ndjeu erën dhe aty për aty vendosi t’i verë zjarrin stallës. Le të ngordhin dhe lopët! Po lopët ç’faj kanë? Jo, lopët do t’i nxirrte nga stalla dhe pastaj do t’i vinte zjarrin. U çua dhe rrëmoi në veglat e babait. Mori një litar të gjatë dhe u nis për në shëpi. Në tërbim e sipër, përplasi derën, pa kokëçarje mos zgjonte ndokënd, pa u merakosur se gjumi i shenjtë i nënës do të tronditej, apo pa e vrarë shumë mendjen se babai do të zgjohej i nevrikosur dhe do ta shikonte këtë zhurmë në mes të natës si një kërcënim të themeleve të familjes së tij. Shkoi në dhomën e miqve dhe hapi dritaret potërshëm. E ndjeu menjëherë të ftohtin që përfshiu dhomën. Qetësia dhe i ftohti mbanin era vdekje.
Amarildo Bajraktari vari veten në dhomën e miqve. Bashkë me mutin dhe shurrën, edhe puçra me qelb kishte shpërthyer.

E diel. Tiranë

Një djalë, nën inicialet A.B nga qyteti i Laçit vari veten në stallën e lopëve. Mësohet se qytetari A.B kishte kohë që vuante nga depresioni. Ai ishte vetëm 23 vjeç’.
Vajza kthen faqen. Ky lajm nuk i duket aq interesant sa ta zhvillojë në një tregim, i duhet diçka më pikante, më emocionuese, më drithëruese, që të tërheqë vëmendjen e publikut, që të arrijë të mbërthejë zemrat e njerëzve, që kur ta lexojnë t’i japin asaj hakun e merituar si shkrimtare e madhe.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.