Romancieri i shquar kinez Yan Lianke ka shpjeguar atë që ai e quan “amnezi me karakteristika kineze” si një humbje të kujtesës së administruar nga shteti që regjimi e sheh si thelbësor për mbijetesën e tij. Kjo amnezi, ka shkruar ai, është arritur duke ndrydhur mendjet e njerëzve, duke ndryshuar historinë, duke manipuluar librat shkollorë, duke kontrolluar letërsinë dhe artet dhe duke përdorur stimuj financiarë për t’i joshur njerëzit që të heqin dorë nga kujtimet e tyre. Vetë Yan Lianke duhet të llogaritet si një nga dështimet më të mëdha të kësaj strategjie. Asnjë shkrimtar tjetër në Kinën e sotme nuk e ka eksploruar, nuk e ka shpërndarë dhe nuk e ka tallur në mënyrë më të vazhdueshme gjashtë dekadat e fundit sundimin komunist kinez. Ai nuk ka ngurruar kurrë të shkelë gishtat e Partisë: ai ka satirizuar Revolucionin Kulturor, (Shërbeju Njerëzve!); ka hulumtuar tmerret e një skeme zyrtare të shitjes së gjakut në provincën e tij të lindjes Henan dhe epideminë Aids që u shkaktoi (Ëndrra e Fshatit Ding), dhe ka tallur lëvizjen e Kinës drejt kapitalizmit (Puthjet e Leninit). Fati i këtyre romaneve në duart e censurave ishte i përzier: disa u botuan në Kinë, të tjerë u botuan vetëm për t’u tërhequr.
Romani i tij më i fundit, Katër Librat, ka dëshmuar një hap shumë të largët. I ndaluar në Kinë, ai është mbjellë në një pjesë të zbrazët të historisë zyrtare, në vitet 1958 dhe 1962, dhe ngjarjet e tmerrshme që partia krijoi dhe të cilat përpiqet të fshijë nga kujtesa e kombit. Kjo ishte koha e Hapit të Madh Përpara, rrëzimi i skemës së industrializimit të Maos. Bujqësia dështoi, fshati u shkatërrua dhe thuajse 40 milion njerëz vdiqën urie. Ndërkohë që njerëzit vuanin urie, Kina eksportonte orizin e prodhuar.
Yan ka shkruar që Katër Librat i mori njëzet vjet për ta planifikuar dhe dy vjet për ta shkruar. E shkroi pikërisht siç e donte, pa asnjë pendesë për censurën. U refuzua nga njëzet botues, të cilët mendonin se botimi i tij do të thoshte faliment për ta.
Ngjarjet janë vendosur në një kamp riedukimi në veri të Kinës, pranë Lumit të Verdhë. Emrat e intelektualëve janë sipas profesioneve – Teologu, Dijetari, Gjuhëtari, Inxhinieri, Muzikantja, Shkrimtari – janë cilësuar si “të djathtë” dhe janë duke u riedukuar politikisht përmes punës së detyruar, nën kontrollin e komandantit të kampit, një figurë e çuditshme prej të mituri që njihet si Fëmija. Fëmija ngrohet gjatë dimrit duke djegur librat të cilët të dënuarit përpiqen t’i fshehin. Ai vrapon nëpër kamp duke iu përmbajtur Dhjetë Urdhëresave, me të dhjetën që thotë se Nuk duhet t’ia mbathin, dhe kontrollon sjelljet e të burgosurve përmes shpërblimeve me lule të kuqe apo yjeve prej letre. Ata që grumbullojnë mjaftueshëm iu premtohet liria; vetë Fëmija i mbledh këto shpërblime për t’u ngritur në detyrë.
Titulli lidh si ungjijtë, ashtu edhe Katër Librat e kanunit klasik Konfucian. Romani përfshin fragmente të katër librave fiktivë të vetë Yan Lianke-s, dy prej të cilëve janë shkruar prej Shkrimtarit – Të dhënat penale, raportime të fshehta mbi shokët e tij, nxitur nga Fëmija duke premtuar lirinë; dhe fragmente nga Rrjedha e vjetër, romani prej 500 faqesh i Shkrimtarit. Ka gjithashtu pjesë nga Fëmija i parajsës, një dorëshkrim anonim shkruar në stilin biblik; dhe Miti i ri i Sizifit, një reflektim filozofik në ndëshkimin hyjnor dhe përgjigjen njerëzore. Mbledhur së bashku, këto “tekste” pasqyrojnë katastrofën e kohës dhe meditojnë për kuptimin e integritetit, të vërtetës, dashurisë dhe etikës kur ndeshen me tmerrin. Yan Lianke ka thënë se shpreson që një memorial i amnezisë i gdhendur me të gjitha kujtimet e dhimbshme të kombit të Kinës së shekullit të kaluar, të ngrihet një ditë në Sheshin Tiananmen. Ajo ditë mbetet e largët, por ndërkohë që pret, ai ka shkruar një roman të jashtëzakonshëm, i cili përkujton edhe viktimat e shtetit, edhe kundërshton amnezinë e financuar nga qeveria kineze.
https://www.theguardian.com/books/2015/mar/29/the-four-books-yan-lianke-review


Leave a comment