Borges: Eseja si argument imagjinar|José Miguel Oviedo

Published on

in

, ,

Eseistit Borges i detyrohemi, të paktën, për dy gjëra: Sjelljen e një repertori të stërmadh autorësh dhe veprash, të cilat, me shumë gjasa do kishin mbetur të huaja për traditën tonë letrare dhe artin e arsyetimit, përreth tyre, me argumente që stimulojnë lirinë e imagjinatës sonë. Këto janë dy cilësitë më të rëndësishme që mund të përcjellë një eseist, detyra e të cilit është të mendojë dhe të mësojë të mendojnë individualisht. Interesantja është, që po të shohim krijimtarinë eseistike të Borgesit, që fillon, pak më vonë pasi u nis si poet, me vëllimin e parë të “Inkuizicionet” (1925), të cilin do e përjashtojë nga veprat e tij të plota, vërtetojmë se gati nuk ka libra organikë ose të stërholluar në të, por është e përbërë nga tekste shumë të shkurtër, komente modeste leximesh, përmbledhje të thjeshta, prologë dhe tekste të tjera rastësore. Pra, gjithçka sugjeron praninë e një eseisti që do të shihet si një lexues i thjeshtë dhe jo si një mendimtar ambicioz.

Borgesit i interesonte pak të shfaqej si një shkrimtar “origjinal”; preferonte më tepër të shihej si dikush që reflektonte në mënyrë diskrete, i drejtuar vetëm nga dëshira për të përcjellë të njëjtën kënaqësi që kishte eksperimentuar duke përshkruar tekste të ndryshme. Ky ishte justifikimi i tij për të përvetësuar me anë të leximit dhe shkrimit, vepra të huaja dhe për t’i bërë të vetat në një mënyrë që vetëm tani, falë teorive moderne mbi funksionin e lexuesit dhe krijimit të kuptimit tekstual, mund të kuptojmë arritjet e tij. Në “Shënimet rreth Bernard Shaw” përfshirë në “Inkuizicione të tjera” (1952) që mund të konsiderohet libri i tij më i rëndësishëm si eseist, konteksti i të cilit nuk ndryshon shumë nga të tjerët, Borges pohon diçka shumë radikale që pak e kishin kuptuar: Libri nuk është një ent i pakomunikueshëm: është një marrëdhënie, është një rrjet marrëdhëniesh të panumërta. Një letërsi jep më tepër jo nga teksti, por nga mënyra e leximit të tij: Nëse do më jepej të lexoja çdolloj faqeje aktuale, p.sh. siç do lexohej në vitin 2017, unë do mësoja si do ishte letërsia në vitin 2017.

Ky konceptim do të hapte më vonë rrugë të panjohura për ushtrimin letrar: më konkretisht: për mënyrën e të menduarit të këtij ushtrimi, që sjell pasoja direkte mbi praktikën dhe funksionin e esesë. Kjo ide përshkon njësoj të gjithë zhanret që kultivoi Borges, të karakterizuara nga shkurtësia; është mjaft e njohur lidhja e tij paradoksale me romanin, si një lexues konstant i tij (madje dhe përkthyes), por që nuk deshi ta kultivojë asnjëherë. Është e pasaktë të flasim për “zhanre” në rastin e Borgesit, sepse vazhdimisht shkroi në intersticet e tyre, duke krijuar dyjësi tekstuale që parodizonin limitet e vendosura nga retorika midis këtyre kategorive të diskursit letrar. Vepra e tij mund të shihet si një bashkim ngjarjesh që kuptohen dhe zgjaten me dëshirë dhe rikthehen gjithnjë në qendra që i prodhon. Borges është virtuoz në praktikën e takimit të brendshëm, jehonës të një zëri tjetër me të tijin, bashkim i disa simboleve dhe metaforave, të rigjallëruara për variante të ndryshme; këto variante qarkullojnë nga një tekst në një tjetër, duke emigruar nga një poemë për të shkuar në një tregim ose për t’u rishfaqur në një ese. Në të vërtetë, ekziston një operacion konstant vajtje-ardhje që organizohet si një sistem me koherencë të jashtëzakonshme dhe profilin e të cilit e dallojmë nga disa shenja gjuhësore, poetike dhe intelektuale.

Qendra e statutit borgezian është e shënjuar nga nocioni i shpikjes, i kuptuar si aftësia e krijimit të ideve të reja duke filluar nga ato më të njohurat. Borges punon me arketipe të vendosur nga bashkëveprimi i shumë shenjave: një zinxhir dhëniesh dhe transformimesh që na lejojnë të shohim një të vërtetë nga një këndvështrim tjetër, si ta kishim formuluar vetë ose të paktën na le të luajmë me këtë hipotezë. Kështu, ligjërimi shprehës dhe analitik i esesë rifut elementët e fiksionit dhe kërkimin e metaforës poetike. Pa dyshim, Borges është një shkrimtar libresk, por është në një mënyrë parodike: Në bibliotekën e stërmadhe që na jep vepra e tij, librat që ka shpikur për të tallur eruditët janë elemente të rëndësishme, dhe jo më pak prania e fiksionit të tij: ky Borges fantazmë, që rikrijon veten si krijues dhe lexues i këtyre librave. Ka shumë tregues që një nga sekretet e tij të qëllimshme ishte të fshihte kufijtë që ndajnë esenë nga fiksioni. Nga një anë, të kemi parasysh që, si “Examen de la obra de Herbert Quain[1]“, “Pierre Menard, autor del Quijote[2]” o “Tlön, Uqbar, Orbis Tertius”, adoptojnë formën e notës bibliografike, nekrologjisë letrare dhe spekulimit shkencor, më të afërta me fushën eseistike sesa me atë të fiksionit. Ka të bëjë, në të vërtetë, me tregime që kanë një linjë argumentimi dhe dy elementë thelbësore të ligjërimit narrativ: intriga dhe evolucioni dramatik i personazheve.

Megjithatë, i lexojmë si “tregime” sepse paraqiten si modele të artit të të imagjinuarit dhe fantazuarit me mundësitë më të çuditshme dhe të veçanta të konceptuara nga mendja njerëzore. Anasjelltas, jo pak vepra të tij mund të lexohen si alegori, funksioni “narrativ” i të cilave është të ndriçojnë pyetjet estetike dhe metafizike. Një shembull i dukshëm i kësaj është “El acercamiento a Almootásim[3]“, që u shfaq i pari si një nga “Dy shënimet” në librin “Historia e përjetësisë” (1936) dhe me pas emigroi tek “Ficciones” (1944); autori propozoi dy lexime të veçanta të të njëjtit tekst, të lehtësuara nga jopërkufizimi i tij i përgjithshëm. Duke e vendosur argumentimin intelektual si një makinë për të stimuluar imagjinatën tonë dhe për ta drejtuar në qendër të fiksionit, Borges prodhoi një shkëmbim kualitativ në ligjërim dhe në qëllimin e zakonshëm të tij. Në “Inkuizicione të tjera” ka një tekst të titulluar “Lulja e Kolerixhit” që trajton një nga motivet e tij të preferuara: atë të krijimit letrar si një bashkim të limituar imazhesh dhe formash që shpërfaqen në një seri të pafundme versionesh të veçanta, brenda të cilit ngatërrohen origjinalja me kopjen, ose, ende më mirë, nuk ekziston as njëra dhe as tjetra. Në të njëjtin libër shfaqet një tekst tjetër mbi një autor anglez, titulli i të cilit është “Ëndrra e Kolerixhit” në rrethin e aktivitetit letrar drejt onirikes, kuptojmë se dhe vetë bota mund të jetë një iluzion.

Edhe pse vetëm do të merremi me të parin, duhen lexuar si tekste njëkohësisht paralele dhe të ndryshme. Është një pikë domethënëse e artit eseistik të Borges: Trajtimi i çdolloj teme është i vazhduar,çka justifikon praninë e shënimeve dhe datave që rishohin ekzaminimin e bërë. Arsyetimet e tij duket se ndjekin një metodë paradoksale hapat e të cilës përshtaten me një skemë mjaft të dallueshme: Vendosja e një teorie ose çështjeje me kuptim letrar, filozofik ose intelektual në thelb problematike dhe e vështirë për t’u pranuar; përmbledhja e interpretimeve të ndryshme që kjo çështje ka mbajtur përgjatë kohës dhe gabimet e mundshme të tyre; trajtimi i alternativave që çështja lejon, duke përfshirë të vetën; dhe dyshimi që propozimi i ri nuk është domosdoshmërisht i nxjerrë nga ndonjë anije e fshehtë, gjë që na detyron të mendojmë sërish. Kjo e fundit është thelbësore, pasi e lë lexuesin në liri mendimi ose imagjinate të plotë, dhe mbi të gjitha pohon ironinë dhe skepticizmin filozofik të Borges përsa i takon ligjeve që nënvijëzojnë njohjen njerëzore dhe kërkimin e të vërtetës. Shumë prej këtyre shfaqen në “Lulja e Kolerixhit”.

Eseja fillon me një citim të Paul Valéry që përmban një ide gati të çuditshme: Atë që historia e vërtetë e letërsisë nuk duhet të flasë për autorë dhe vepra, por të paraqesë “Historinë e Shpirtit si prodhues ose konsumues të letërsisë”. Edhe pse pika e nisjes së tij është një ide e huaj, Borges menjëherë e asimilon në sistemin e tij, duke shtuar që teoria befasuese e Valeri në të vërtetë nuk është origjinale: Një shekull më parë, Shpirti, përmes studiuesve të tij të shumtë, njëri prej të cilëve quhej Emerson, kishte vëzhguar që ekzistonte një unitet i tillë mes gjithë librave të botës që fare mirë mund të kenë qenë të redaktuar nga një “kabalist i gjithëdijshëm”. Borges evokon një studiues tjetër të mëparshëm, Shelli, i cili cilësoi që gjithë poemat janë fragmente të një poeme të vetme të pafundme. Me mjeshtëri, autori e konverton një ide, në parim e pazakontë, në një lloj mendimi njerëzor konstant, përveçse traditë, që e lejon të luajë me një tjetër nga temat e tij të preferuara: karakteri surprizues i burimeve letrare. Për të realizuar qëllimin e tij modest, ai prezanton 3 tekste të ndryshme që, në fillim, duket se kanë pak lidhje me njëra-tjetrën. Në mendjen e Borgesit, tekstet lidhen në mënyrë të pazakontë dhe anormale, duke mohuar kronologjinë dhe herë logjikën.

Teksti i parë është ai i Kolerixh dhe përmban një mundësi gati të pakonceptueshme: Çdo të ndodhte nëse një burrë do të ëndërrojë se ka qenë në Parajsë, dhe si provë i japin një lule, dhe të zbulojë, kur të zgjohet se ka të njëjtën lule në dorë? Që këtu, eseisti nxjerr një përfundim të parë: atë që në letërsi “nuk ka veprim që të mos jetë kurorëzim i një pafundësie shkaqesh dhe efektesh”. Në fund, lulja është një alegori që është rishfaqur shumë herë në letërsinë universale, në forma të ndryshme, mbi kontaktet, magjepsëse dhe tmerruese, të botës sonë me atë përtej, që implikon një udhëtim në të panjohurën dhe një kundërshti e gjithë dukshmërive të realitetit të zakonshëm. Në letërsinë tonë, shembulli më i njohur është tregimi “Lanchitas” (1878), i José María Roa Bárcenas (1827-1908), në të cilin një prift që shkon tek një leckaman dhe harron pecetën e tij atje, dhe kur shkon ta marrë, zbulon se ai vend nuk është banuar nga njeri prej kohësh; pra, ai ka qenë në botën e të vdekurve dhe ka vetëm si provë shaminë që nuk ka qenë në ëndërr dhe se nuk është i çmendur. Teksti i dytë që evokon Borges mbi këtë temë është “Makina e kohës” (1894),e Uells, protagonisti i të cilit realizon një udhëtim të pamundur në kohë, specifikisht, në të ardhmen dhe sjell një lule prej andej. Në këtë rast, imagjinata letrare bashkëvepron me teoritë shkencore që sjellin mundësinë konkrete për të realizuar një udhëtim në një tjetër drejtim të kohës. Vite më parë, kjo temë ka reshtur së qeni një spekulim i pastër nga lidhjet e shkencës (fiksion ose materiale) me anë të kinemasë, për tu kthyer në motiv të reflektimit shkencor.

Fizikanë si i famshmi Stefan Hawking kanë shkruar vepra që ekzaminojnë këtë mundësi si pjesë të problemave esenciale të fizikës moderne. Çelësi për të realizuar këtë udhëtim nuk ngjan të jetë në përdorimin e anijeve ndërgalaktike, por me aparate si shpejtuesi i joneve dhe me supozimin që universi është jolinear. Megjithatë, të kalosh nga teoria në praktikë nuk është e thjeshtë, dhe kërkon zgjidhjen e çështjeve dhe paradokseve që nuk janë shumë të ndryshme nga lulja e Kolerixhit dhe shamia e braktisur e tregimit të Roa Barcenas; psh atë që fizikanët e kanë quajtur “paradoksi i gjyshit”: Nëse një udhëtar në kohë takon të gjyshin dhe e vret, ekzistenca e tij si nip është logjikisht e pamundur. Gjithë kjo, që Borges nuk mund ta kishte parashikuar, tregon se lëvizja e ideve nuk është lineare, njësoj si universi, sipas fizikanëve të rinj. Teksti i tretë është “Kuptimi i të shkuarës”, një roman i papërfunduar dhe pak i njohur i “të trishtit” Henry James, heroi i të cilit bën një udhëtim në të kundërt me Uellsin, regresiv në të shkuarën, ekzaktësisht në shek. XVIII. Shkaku i këtij kthimi është një portret që dikush i ka bërë, por në shek. XVIII, në të cilin ai nuk ekzistonte.

Nga gjithë kjo, Borges nxjerr një përfundim alarmant: Pasoja vjen pas efektit: Shkaku i udhëtimit është një nga pasojat e udhëtimit. Me një ironi të thjeshtë, autori çliron skandalin e dukshëm të teorisë që “gjithë autorët janë një autor”, duke deklaruar që ekzistonte vizioni klasicist për të cilin “kjo shumësi ka rëndësi shumë pak”, që rivjen tek ideja e Valeri, që shërbeu si impuls për krijimin e kësaj eseje. Pjesa mbyllet me një vëzhgim që, sërishmi, duket i papërmbajtshëm, por që Borges do të arrinte ta tregonte në një mënyrë magjistrale: Ajo e cila kopjohet “në mënyrë të çlirët” nga një autor tjetër, bëhet “në mënyrë jo të personalizuar”, sepse ngatërrohet autori me shkrimin. E dimë mirë që vënia në praktikë e kësaj teorie të plagjiaturës si krijim suprem ose i fshehtë është lidhja “Pierre Menard, autori i Kishotit”. Dhe kështu, eseja që përfundon duke qenë një ushtrim brilant i imagjinatës pohohet nga një marrëdhënie që merr këtë formë të ulët të kritikës, që është ajo çka thamë në fillim, notën nekrologjike. Rrethqarkullimi i artit borgezian vë në qendër të të gjithë arsyetimit imagjinativ lirinë e lexuesit për të krijuar atë që do. Mos ndoshta nuk është ky virtyti i vërtetë i zhanrit eseistik?

[1] “Këqyrja e punës së Herbert Quain”

[2] “Pierre Menard, autor i Kishotit”

[3] “Qasja për Almootasim”

https://www.letraslibres.com/mexico/borges-el-ensayo-como-argumento-imaginario

Përktheu Antonio Çikollari

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.