Gjithsesi, një ditë kur guri u rrokullis përposhtë malit, Sizifi e ndoqi si gjithmonë, por ndërsa përgatitej të ribënte punën përsëri ditën tjetër, ndodhi diçka e re.
U ndesh me një fëmijë.
Fëmija u duk papritur në këtë mal të përsëritjes së përjetshme, duke qëndruar në anë të rrugës dhe duke parë gurin që rrokullisej me Sizifin që e ndiqte pas. Ky fëmijë ishte i zakonshëm, i pafajshëm dhe plot kërshëri për botën. Herën e parë që Sizifi e pa këtë fëmijë, thjesht e vështroi me bisht të syrit. Ditën tjetër kur po shtynte gurin drejt majës së malit, fëmija nuk gjendej më buzë rrugës, megjithëse kur e ndoqi gurin përposhtë në mbrëmje, fëmija ishte përsëri aty.
Këtë herë, Sizifi ndaloi dhe i tundi kokën fëmijës duke e pyetur, “Si je”? Aty ra një heshtje e pafundme. Kjo ishte hera e parë që ai kishte pëshpëritur këto fjalë.
Sa herë që Sizifi ndiqte gurin përposhtë drejt lumit, gjithmonë do të shihte fëmijën tek qëndronte buzë rrugës dhe do t’i tundte kokën duke i thënë disa fjalë.
Sizifi nisi të dashurohej me këtë fëmijë.
Me kohën, kjo dashuri dhe ky fiksim nisën të lidhen së bashku, duke e lejuar Sizifin të zbulojë një kuptim të ri dhe një ekzistencë të re të ndëshkimit të tij të përjetshëm. Tani, sa herë që shtynte gurin drejt majës së malit vetëm për ta parë të rrokullisej në anën tjetër përpara se të kishte mundësinë të mbushej me frymë, e dinte se, ndërsa ndiqte gurin, do të kishte mundësinë të shihte atë fëmijë të zakonshëm dhe të pafajshëm, i cili ishte plot kureshtje për botën dhe njohjen e saj. Fëmija ishte gjithmonë duke pritur për të po në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend. Sizifi nuk mund t’i harronte sytë e kristaltë të fëmijës. Për aq kohë sa e shtynte atë gur drejt malit çdo mëngjes, do të mund të shihte fëmijën kur të rrokullisej poshtë, dhe po të mos ishte për gurin që shkonte poshtë kodrës, nuk do ta kishte kurrë mundësinë për të parë sytë e kristaltë të fëmijës…
Përktheu Antonio Çikollari
©Arka e Noes


Leave a comment