Një historian i njohur – ashtu siç ai e quante veten – i cili pati kënaqësinë të vdiste njëqind e njëzet vjet më parë, dhe të zinte vendin përkrah kolosëve, – nën këmbët e të cilëve rrjedhin jetët tona – pati sukses në vërejtjet e shumta dhe devijimet si pjesa më unike e punës së tij, dhe veçanërisht në ato kapituj hyrës të librave të historisë, ku dukej sikur ai ulej mbi kolltukun e tij mu përpara nesh dhe niste e bisedonte me atë anglishten e tij të kulluar. Por Filding jetoi kur ditët ishin më të gjata (për kohën, ose paratë që janë kaq të rëndësishme për gjithfarë nevojash), kur pasditet verore ishin të gjata, dhe ora lëvizte më ngadalë drejt dimrit. Ne, historianët e vonuar, nuk duhet të ndjekim shembullin e tij; dhe nëse e bëjmë, atëherë bisedat tona do të jenë të shkurtra dhe të mërzitshme, si zhurma e një karrigeje tundëse dhe një papagalli shtëpie. Të paktën unë kam shumë për të bërë për të njohur disa skuta të fshehura tek njerëzit, dhe të shoh sesi janë endur dhe ndërthurur, se e gjithë vëmendja ime duhet të përqendrohet në këtë rrjetë të veçantë dhe të mos shpërhapet në vargun joshës e të pafund që e quajmë univers.
Tani për tani më duhet të bëj që banori i ri Lidgejt të njihet më mirë prej cilitdo që interesohet për të , sesa nga ata që e kanë parë prej mbërritjes në Middlemarch. Me siguri të gjithë duhet ta dinë se një burrë mund të jetë kryelartë dhe krenar, ziliqar, tallës, i llogaritur si një vegël dhe i dashuruar me të, apo të paktën i përzgjedhur si bashkëshort i ardhshëm, dhe ende të mbetet i panjohur: apo i njohur si një grup shenjash për komshinjtë e tij gërnjarë. Ekziston një përshtypje e përgjithshme, gjithsesi, ky Lidgejt nuk ishte krejt mjek i zakonshëm, dhe në atë kohë në Middlemarch, kjo përshtypje shënjonte pritshmëri të mëdha prej tij. Doktori shihej si dikush vërtet i zgjuar nga të gjithë pjesëtarët e familjes, dhe ishte e kuptueshme që duhet të kishte veti të mbinatyrshme në menaxhimin dhe trajnimin e shumë prej sëmundjeve të rrezikshme. Provat e zgjuarsisë së tij ishin të intuitës së lartë, duke gënjyer në bindjet e palëkundshme të zonjave, dhe bindej vetëm atëherë kur haste në ndonjë kokëngjeshur si vetë ai; çdo zonjë e shihte të vërtetën mjekësore tek Pikëllimi, ‘trajtimin e fortësisë’ tek Kumbimi, dhe ‘sistemin e rënies’ si vdekje klinike. Nuk ishte shkëputur ende nga kohërat e përgjakura, e aq më pak nga kohërat e teorisë gjithëpërfshirëse kur sëmundjet në përgjithësi kishin emra të ndyrë dhe trajtoheshin pa mjekime, por me ç’të kishin, dhe nëse (për shembull) do të quhej rebelim, nuk mund të ndizej në të njomë, por duhet të kishte me patjetër gjak. Të fortët dhe të dobëtit ishin të gjithë burra ‘të zgjuar’ në mendimet e dikujt, gjë që mund të thuhej me bindje për çdo talent të lindur. Askush nuk kishte imagjinuar aq sa të mendonte se zoti Lidgejt mund të dinte më shumë se doktor Sprag apo doktor Minçin-i (të dy fizikanë), të cilët pa asnjë tjetër mes tyre mund të jepnin një fije shpresë kur rreziku ishte i madh, edhe nëse për atë fije shprese do t’iu duhej të paguanin një monedhë. Ende, e përsëris, ishte një përshtypje sipërfaqësore që Lidgejt kishte diçka mes të zakonshmes dhe të jashtëzakonshmes që e veçonte nga të tjerët në Middlemarch. Dhe kjo qe e vërtetë. Dhe nuk kishte kaluar ende të njëzeteshtatat, një moshë në të cilën shumë burra dëshirojnë të arrijnë diçka në jetë, të vendosur të shmangin dhëmbët e rënë dhe dhimbjet e kockave në një të ardhme të afërt.
Ai mbeti jetim në moshë të vogël, pa dalë ende nga shkolla fillore. Babai i tij, ushtarak, kishte siguruar shumë pak të ardhura për secilin nga tre nga fëmijët, dhe kur djaloshi Tirtius pyeti nëse mund të studionte mjekësi, dukej më e thjeshtë për kujdestarët e tij ta dërgonin në një vend tjetër sesa të gjykoheshin për dinjitetin familjar. Ishte nga të pakët i cili së hershmi mori një vendim dhe ndau mendjen se në jetë duhet bërë diçka më e veçantë për të mirën e vetes, dhe jo sepse kështu dëshironin baballarët. Shumë prej nesh që flasim për tema dashurie kujtojmë mëngjeset apo pasditet kur përpiqeshim të ngjiteshim mbi stola për të kapur librat e ndaluar, ose mbeteshim me gojë hapur duke dëgjuar ndonjë folës të ri, apo për mungesë të librave filluam të dëgjonim zërat e brendshëm si provat e para të dashurisë. Diçka e kësaj natyre i ndodhi dhe Lidgejtit. Ai ishte djalosh i shkathët, dhe kur nxehej nga loja, ulej në një qoshe dhe në pesë minuta përfshihej për vdekje në brendësi të cilitdo libri që kishte në duar; nëse do të ishte Princi i Abisinisë apo Guliveri në vend të fjalorit të Bejlit apo Biblës, më mirë akoma. Diçka duhej të lexonte nëse nuk ishte duke kalëruar, vrapuar apo gjuajtur, e aq më pak duke dëgjuar fjalimet e burrave. E gjitha kjo zgjati derisa u bë dhjetë vjeç; këtu ai nisi të futej në botën e ‘Kristofit, apo aventurat e një monedhe’, që nuk ishte as ushqim për bebe, e as diçka pak më shumë se kjo. Këtu nisi të krijonte idenë se librat ishin diçka dhe jeta ta shpifte. Studimet nuk është se ja ndryshuan mendjen, megjithëse po ‘mësonte’ matematikë dhe letërsi klasike, ai nuk ishte krejt fillestar në to. Ishte thënë për të që Lidgejt mund të bënte gjithë ç’dëshironte, por nuk kishte vendosur ende çfarë. Ai ishte një kafshë e etur me një logjikë të formuar, por ende nuk i ishte ndezur shkëndija e parë për një pasion të caktuar; dituria i dukej diçka shumë sipërfaqësore, e thjeshtë për tu kontrolluar: duke gjykuar bisedat e më të rriturve, ai kishte më shumë dije seç i nevojitej për jetën madhore. Ndoshta ky nuk ishte një përjashtim i jashtëzakonshëm i mësimdhënies së shtrenjtë në kohën e palltove të shkurtra apo e modave të tjera që nuk kishin ardhur ende. Por në një ditë pushimi, shiu e drejtoi në një bibliotekë të vogël private për të gërmuar edhe njëherë një libër që mund t’i dhuronte një eksperiencë të re, por më kot. Në vend të kësaj zgjodhi një kolanë me kapak gri dhe shkronja të qelbura; seria e vjetër e një enciklopedie të cilën nuk e kishte grishur kurrë. Duhet të ishte të paktën një risi për t’i ndezur një dritëz. I duhej të ngjitej në një karrige pasi librat gjendeshin në raftin e sipërm. Hapi vëllimin e parë që mori prej sipër. Madje as e hapi prej fillimit, thjesht shfletoi derisa ndali. Faqja ku ndaloi ishte anatomia e kokës, dhe paragrafi i parë që i tërhoqi vëmendjen ishin valvulat e zemrës. Ai nuk njihte asnjë lloj valvule, por ama e dinte që shërbenin si dyer njëkahëshe, dhe kjo qe shkëndija e parë që e lidhi atë me mekanizmin e jetës njerëzore. Një edukim liberal e kishte lënë të lirë të lexonte gjithfarë klasiku, por përtej domethënies së përgjithshme të fshehtësisë dhe errësirës në lidhje me strukturën e tij të brendshme, imagjinata e tij ishte disi neutrale, ndaj gjithë çfarë dinte për trurin ishte se përbëhej nga kuti të vogla, dhe nuk kishte idenë më të vogël sesi qarkullonte gjaku dhe sesi letra kishte më shumë vlerë se ari. Çasti i profesionit mbërriti, bota tashmë i dukej e re ende pa zbritur prej karriges; kjo prej proceseve të pafund që i kishin zënë sytë nga me atë injorancën e thurur që të gjithë e quanin dituri. Prej këtu Lidgejt ndjeu rritjen e pasionit intelektual.
Nuk kemi frikë të themi sesa burra bien në dashuri me një grua dhe më pas martohen me të, apo më keq, të ndahen prej tyre. A është për shkak të poezisë dhe paditurisë së tepërt që nuk jemi lodhur kurrë për të përshkruar se si Mbreti Xhejms e quajti drejtësinë e një gruaje, (mos u lodh kurrë së dëgjuari vargjet e vjetra rapsodike) apo janë shpërfillës ndaj asaj drejtësisë tjetër që duhet kundërshtuar me zell dhe durim prej dëshirave të vogla? Edhe në këtë histori, vazhdimi ndryshon: ndonjëherë triumfon martesa, e ndonjëherë ndarja dëshpëruese. Rapsodi ka kënduar gjithashtu edhe për rastet kur katastrofa është lidhur me pasionin. Për shumë nga meso-burrat të cilët shkonin në kurse ditore për të mësuar një profesion, përfunduan duke mësuar sesi të lidhin kravatat në mënyrë të njëjtë, dhe shumë pak prej tyre që ia arritën qëllimit dhe mundën të ndryshonin botën. Historia e kthimit të pllakës – që të bëheshin burra të pashëm dhe të fuqishëm – është vështirë të thuhet edhe në nënvetëdijen e tyre: mbase sepse aroma e zemërgjerësisë së papaguar u zbeh po aq në mënyrë të mistershme sa aroma e dashurive të hershme, derisa një ditë rinia e tyre eci si një fantazmë në shtëpinë e vjetër dhe e shndërroi gjithçka në të re. Nuk kishte asgjë më delikate në botë sesa procesi i ndryshimit të tyre! Në fillim e përftuan pa vetëdije: mund të kemi kontribuar dhe ne të dy me frymën tonë në infektimin e tyre, kur shqiptonim pabesitë apo shfaqnim përfundimet e çmendura; ose ndoshta erdhi nga dridhjet që shkaktonin shikimet e grave.
Lidgejt nuk donte të ishte pjesë e këtij dështimi. Dhe kishte gjasa të bëhej dikush, sepse interesi i tij mbi shkencat nisi të merrte formën e një ngazëllimi profesional: kishte besim që kështu mund të fitonte bukën e gojës, dhe jo duke qëndruar duar kryq në rolin e një çiraku; dhe e ndoqi shkollën në Londër, Edinburg, Paris, me bindjen se mjekësia si e tillë ishte gjëja më e mirë në botë; duke qenë kështu dhe ndërthurja më e mirë mes shkencës dhe artit; duke ofruar drejtpërdrejt një aleancë mes pushtimit intelektual dhe të mirave shoqërore. Natyra e Lidgejtit kërkonte këtë shkrirje: të ishte një qenie emocionale, prej mishi dhe gjaku ndaj miqësisë që të mund t’iu rezistonte të gjitha shkëputjeve të studimeve të veçanta. Nuk interesohej vetëm për ‘çështjet’, por edhe për Xhonin dhe Elizabetën, sidomos Elizabetën.
Kishte dhe një të bukur tjetër në profesionin e tij: duhej reformuar, dhe i dha një burri mundësinë për të vendosur i zemëruar refuzimin e titujve dhe dekoratave, dhe të ishte zotërues i kualifikimeve të mirëfillta edhe pse të padëshiruara. Shkoi të studionte në Paris me qëllimin që kur të kthehej në vendin e tij, të punonte në ndonjë qytet si praktikant i përgjithshëm, dhe t’i rezistonte ashpërsisë racionale mes njohurive mjekësore dhe kirurgjikale në interes të studimeve shkencore, po ashtu edhe vazhdimësisë së përgjithshme: ai mund ta mbante larg joshjen intriguese të Londrës, xhelozinë dhe jetën shoqërore, megjithëse ngadalë, siç kishte bërë dhe Xhener me vlefshmërinë e punës së pavarur. Ajo që duhet mbajtur mend është se kjo qe periudha më e errët; dhe përkundër kolegjeve të njohur të cilët bënin çmos të siguronin pastërtinë e diturisë duke e bërë të pakët, dhe duke u përjashtuar nga një veçori e ngurtë në lidhje me tarifat dhe emërtimet, ndodhi që të rinj budallenj të emëroheshin në qytet, dhe shumë të tjerë fituan të drejtën të bëjnë praktikën në qytetet më të mëdha. Gjithashtu, standardi i lartë i paraqitur në publik nga kolegji i cili iu dha sanksione të veçanta shtrenjtësisë dhe rrallimit të madh të udhëzimeve mjekësore siguruar nga diplomat e Oksfordit dhe Kembrixhit, nuk i ndaluan aspak mashtrimet nga suksesi i tyre; pasi praktika profesionale kryesisht bazohej në dhënien me shumicë të ilaçeve, njerëzit dolën në përfundimin se do të ishin më mirë nëse merrnin shumë medikamente, sidomos nëse ishin të lira, dhe kështu përfundonin duke gëlltitur masa të mëdha kubike të rekomanduara nga injoranca e paskrupullt që nuk kishte diplomë. Duke marrë parasysh që statistikat nuk kishin ende një numër të saktë të budallenjve apo të doktorëve të paaftë që as nuk duhet të ekzistonin, Lidgejt-i mendoi se një ndryshim në bërthamë ishte mënyra më e mirë e përmirësimit të numrave. Domethënë të krijonte një njësi që do të bënte një sasi të caktuar të ndryshimit për mirë që do të përhapte traditën e një të ardhmeje të ndritur, dhe në të njëjtën kohë të ketë kënaqësinë e të bërit një ndryshim dobiprurës në organet jetësore të pacientëve të tij. Por ai nuk synonte vetëm një praktikë më të veçantë se e zakonshmja. Ishte ambicioz për gjëra më të mëdha: ai u ndez nga dëshira se mund të punonte me një koncept anatomik dhe të krijonte një lidhje të re në zinxhirin e zbulimeve.
E imagjinoni dot që një kirurg nga Middlemarch ëndërron të bëhet zbulues? Në të vërtetë shumë prej nesh nuk i kanë njohur krijuesit e mëdhenj përpara se të bëheshin sundimtarë të fateve tona. Për shembull Hershel, i cili theu barrierat e Parajsës – a nuk luante organo në korin e kishës, apo a nuk jepte mësime pianoje të paaftëve? Gjithsecili prej Rrëzëlluesve duhet të ecte mbi tokë përkrah fqinjëve që ndoshta e paragjykonin më shumë prej veshjes sesa të mund të mendonin për famën që mund të merrte një ditë: secili prej tyre kishte historitë personale të spërkatura me tundime të vogla dhe guxime të befta, që bënë të mundur vonesën e kursit të tij drejt shoqërimit final me të pavdekurit. Lidgejt nuk ishte i verbër ndaj këtyre rreziqeve, por kishte besim se mund t’i shmangte sa më shumë të qe e mundur: të qenit 27 vjeç, e bënte të ndihej më me eksperiencë. Dhe ai nuk do të binte aspak pre e sukseseve të dukshme të botës së kryeqytetit, por do të jetonte mes njerëzve që nuk i ofronin sfidë me ndjekjen e një ideje të njëjtë që kishte të bënte me praktikën e profesionit të tij. Kishte ende shpresë që të dy qëllimet do të ndriçonin njëri-tjetrin: vëzhgimi i kujdesshëm dhe përfundimi e cila ishte puna e përditshme, përdorimi i lenteve për të çuar më tej gjykimin e rasteve të veçanta, do të shtynin më tej mendimin e tij si një instrument i kërkimeve të mëdha. A nuk ishte kjo epërsia tipike e profesionit të tij? Do të mund të bëhej doktor i mirë në Middlemarch, dhe me këtë do të thotë ta mbash veten në gjurmët e kërkimeve shkencore. Në këtë pikë, ai me të drejtë mund të kërkojë miratimin në këtë fazë të karrierës: me këtë nuk donte të thoshte imitimin e modeleve filantropike që marrin fitime nga turshitë e helmuara për të mbështetur veten e tyre teksa shfaqin falsifikimet, apo mbajnë aksione nëpër pika bixhozi që të mund të kenë kënaqësinë për të prezantuar kauzën e moralit publik. Ai synonte të fillonte në këtë rast disa reforma të veçanta të cilat ishin brenda mundësive të tij për tu arritur dhe shumë më pak problematike sesa demonstrimi i një konceptimi anatomik. Një nga këto reforma ishte të vepronte me mjeshtëri mbi fuqinë e një vendimi të ligjshëm, pa shpërndarë ilaçe apo të merrte përqindje nga farmacistët. Kjo ishte një risi për dikë që kishte zgjedhur të adoptonte stilin e mjekut të përgjithshëm në një qytezë, dhe do të dukej kritikë fyese nga kolegët profesionistë. Por Lidgejt synonte të krijonte diçka në mjekimin e tij, dhe ishte mjaftueshëm i zgjuar të shihte që siguria më e mirë për praktikën e ndershme referuar besimit të tij, qe të binte pre e tundimeve të njëpasnjëshme për të kundërtën.
Ndoshta kjo ishte kohë më e gëzuar për vëzhguesit dhe teoricienët sesa realistët: ne jemi të aftë të mendojmë se epoka më e bukur qe kur nisi të zbulohej Amerika, kur një marinar i guximshëm, edhe sikur të qe duke vdekur, mund të zbarkonte në një mbretëri të re; dhe rreth vitit 1829 territoret e errëta të Patologjisë ishin pjesë e një Amerike më e mirë për shpirtin e një aventurieri të ri. Lidgejt ishte mbi të gjitha ambicioz për të kontribuar drejt zgjerimit të shkencës dhe bazës racionale të profesionit të tij. Sa më shumë interesohej për sëmundjet, siç është natyra e etheve, aq më shumë ndjeu nevojën për njohurinë themelore të strukturës e cila ishte ndriçuar prej zgjuarsisë dhe mprehtësisë së Biçat-it, i cili vdiq sapo kish hyrë në të tridhjetat, por, si një Aleksandër i vërtetë, la pas një perandori të madhe për pasardhësit e tij. Ky francez i madh krijoi fillimisht konceptin se trupat e gjallë, në thelb, nuk janë shoqata të organeve që mund të kuptohen thjesht duke u studiuar veçmas e pastaj si një e tërë; por duhej konsideruar si një përbërje e një rrjete primare apo indeve, nga të cilat organe të ndryshme – truri, zemra, mushkëritë e kështu me radhë – janë kompakte, siç është ndërtimi i një shtëpie me materiale të ndryshme si druri, hekuri, betoni, tullat dhe të tjerat, ku secili material ka përbërjen dhe rolin e tij të veçantë. Askush nuk mund ta shohë dhe vlerësojë të gjithë strukturën apo pjesët e saj si të tilla – cilat janë dobësitë e saj, çfarë është riparuar e çfarë jo – pa e ditur natyrën e materialeve. Dhe koncepti sjellë prej Biçat-it në studimin e tij të hollësishëm të indeve të ndryshme, veproi domosdoshmërisht në pyetjet mjekësore pasi kthimi i dritës së vajgurit do të vepronte në errësirë duke treguar lidhje të reja dhe fakte të fshehura të strukturave që duhen marrë parasysh konsideratën e simptomave të sëmundjeve dhe veprimin e ilaçeve. Por rezultatet nga të cilat varet ndërgjegjja dhe inteligjenca njerëzore punojnë ngadalë, dhe tani, në fund të 1829-s, shumica e praktikave mjekësore ishin ende duke u grumbulluar përgjatë shtigjeve të vjetra, dhe duhej bërë ende shumë punë shkencore që mund të dukej se ishte një përkim i drejtpërdrejtë i Biçat-it. Ky profet i madh nuk shkoi përtej konsideratës së indeve si fakt përfundimtar në një organizëm që jeton, duke shënuar kufirin e analizës anatomike: por për një grup njerëzish qëndronte ende pyetja nëse nuk kishin këto struktura ndonjë bazë të përbashkët nga e cila kanë filluar të gjitha? Këtu do të ishte një dritë tjetër, si oksi-hidrogjeni, duke shfaqur pikën fillestare të gjërave dhe duke rishikuar shpjegimet fillestare. Lidgejt ishte dashur për këtë rend të veprës së Biçat-it, tashmë duke rrahur përgjatë shumë mendjeve Evropiane; ai dëshiroi të tregojë marrëdhëniet intime të strukturës së të jetuarit, dhe të ndihmonte të përcaktonte mendimet e burrave sa më saktë pas urdhrit të vërtetë. Puna nuk qe bërë ende, por ishte përgatitur për ata që dinin të ndiqnin hapat. Cili ishte indi primitiv? Në këtë mënyrë Lidgejt shtroi pyetjen – jo plotësisht në mënyrën e duhur nga përgjigja që priste; por mungesa e fjalës së duhur e bën kërkuesin të vuajë. Dhe ai llogariste në heshtje intervalet që mund t’i kapte syri për të gjetur fillin e kërkimeve të tij – në shumë sugjerime të fituara nga kërkesat e zellshme, jo vetëm të kokës, por edhe të mikroskopit, të cilin kërkimet kishin nisur ta përdornin përsëri me një entuziazëm të ri. I tillë ishte plani i Lidgejt për të ardhmen: të bënte një punë të mirë për Middlemarch-in dhe një punë të mrekullueshme apo madhështore për botën.
Ai ishte shumë i lumtur në këtë kohë: të jesh njëzeteshtatë vjeç, pa asnjë ves, me një zemërgjerësi për të arritur diçka për të mirën e botës, dhe me idetë në kokën e tij që ja bënin jetën më interesante sesa kultet e kalitjes dhe ritet e tjera mistike e vëzhgimeve të kushtueshme, që me 800 paundët e lënë pas blerjes së praktikës, me siguri nuk do të kishte shkuar aq larg. Ai ishte në atë pikë ku shumë nga moshatarët e tij luanin bixhoz, nëse do të ishte ndonjë zotëri i dhënë pas atij dëfrimi që mund ta vlerësonte mundësinë e ndërlikuar të një qëllimi të vështirë, me të gjitha prishjet dhe përparimet e mundshme, të gjitha mrekullitë e ekuilibrit, nga të cilat një burrë noton dhe përmbush pikën e tij ose ndryshe heq dorë. Rreziku do të mbetej edhe me njohuritë më të ngushta të karakterit të Lidgejt; edhe për karakterin është një proces dhe një shpalosje. Ky njeri ishte ende në formim e sipër po aq sa doktori i Middlemarch dhe zbuluesi i pavdekshëm, madje ka pasur edhe virtyte dhe gabime të afta për tkurrje apo zgjerim. Uroj që gabimet e tij të mos jenë arsye për zbehjen e interesit tuaj ndaj tij. Mes miqve tanë nuk është askush që ndihet pak më shumë vetëbesues dhe përbuzës; mendja e të cilit është pak e ndotur me banalitet; i cili është pak i rrëmbyer këtu dhe pak i hedhur aty; apo energjitë e të cilit janë përgjegjëse të humbasin në kanalin e gabuar nën ndikimin e kërkesave kalimtare. Të gjitha këto mund të jenë të vlefshme kundër Lidgejt, por më pas do të jenë periferitë e një edukate predikuese, e cila flet për Adamin, dhe nuk do të doja përmendja diçka të dhimbshme për qiradhënësin. Gabimet e veçanta nga të cilat distancohen këto përgjithësime delikate kanë fizionomitë, dallimet, theksin dhe grimëmasat; duke mbushur pjesët në drama të ndryshme. Sqima ndryshon njëlloj si hunda: e gjithë mendjemadhësia nuk është e njëjta, por ndryshon në varësi të gjendjes mendore që përbën njeriun. Mendjemadhësia e Lidgejt ishte një lloj arrogance, asnjëherë e pakëndshme, kurrë e pashpirt, por e madhe në pretendimet e tij dhe dashamirësisht përçmuese. Ai do të bënte një marrëveshje të mirë për makaronat, duke i ardhur keq për to, dhe duke qenë i sigurt që ato nuk kishin fuqi mbi të: ai kishte menduar të bashkohej me Shën Simonianët kur ndodhej në Paris, me qëllim që t’i kthente disa prej tyre kundër doktrinave që ndiqnin. Të gjitha gabimet e tij ishin shënuar nga tiparet fisnore, dhe ishin ato të një njeriu që kishte një bariton të shkëlqyer, rrobat të cilit i qëndronin pas trupit, dhe i cili ngjante kaq natyrshëm në çdo gjest të zakonshëm që bënte. Pra, ku shtriheshin njollat e bashkësisë(?), thotë një zonjushë e dashuruar me atë hir të pakujdesshëm. Si mund të ketë ndonjë të përbashkët në një njeri kaq të miredukuar, kaq ambicioz mbi dallimin shoqëror, kaq bujar dhe i pazakontë në pikëpamjet e tij mbi detyrën shoqërore? Po aq lehtë saç mund të ketë budallallepsje në një burrë të mençur nëse e pyet befas për temën e gabuar, apo aq sa një burrë i cili ka vullnet për të ecur përpara në mijëvjeçarin shoqëror dhe që duhet të ketë imagjinatën e kënaqësive primare; i paaftë për të ndjekur muzikën e Ofenbah-ut, apo batutave të komedisë më të fundit. Pikat e zakonshmërisë së Lidgejt shtrihen në kompleksitetin e paragjykimeve, të cilët, përkundër qëllimit dhe simpatisë fisnike, ishin gjysma e asaj që gjenden në meshkujt e zakonshëm: atë dallim të asaj mendjeje që i përkiste aromës intelektuale, nuk e depërtonte ndjenja e tij dhe gjykimi mbi orenditë, apo gratë, apo të qenit i famshëm (pa e thënë me zë të lartë) se ai ndryshe nga kirurgët e tjerë, kishte lindur me këmishë. Për tani ai nuk mendonte për orenditë; por sa herë e mendonte, frikësohej se as biologjia e as reformat nuk do ta ngrinin më kurrë mbi vulgaritetin e ndjesisë se nuk do të kënaqej kurrë pa pasur takëmet më të mira.
Sa i përket femrave, njëherë mori veten në qafë, pasi mendonte ta kish në plan të fundit, dhe martesa i përkiste një kohe të largët. Për ata që duan ta njohin Lidgejt-in do të ishte mirë ta dinin se cili ishte ai rast i marrëzisë, pasi mund të qëndrojë si një shembull i lëkundjes së pasionit, ndaj të cilit ai ishte i prirur, bashkë me mirësjelljen e cila e ndihmoi për ta bërë moralisht të dashur. Historia mund të rrëfehet shkurtazi. Ndodhi gjatë studimeve të tij në Paris, pikërisht në kohën kur përveç punëve të tjera, ai po merrej dhe me një eksperiment galvanik. Një pasdite, i lodhur nga eksperimentet dhe i paaftë të dilte në përfundime konkrete, ai la disa bretkosa dhe lepuj nën përpjekjen e tyre dhe veprimeve misterioze të tronditjeve të pashpjegueshme, dhe shkoi në teatrin e Port Seint Martin, ku jepej një melodramë të cilën e kishte parë disa herë; ishte tërhequr jo prej punës së bërë prej gjithë kastit, por vetëm prej njërës prej aktoreve pjesa e të cilës ishte të vriste të dashurin e saj duke e ngatërruar me dukën djallëzor. Lidgejt ishte dashuruar me ketë aktore ashtu siç dashurohet një burrë me një grua që nuk pret t’i flasë kurrë. Ajo ishte provinciale me sy të errët, me posturë greke dhe me forma të lakuara bukur, duke pasur atë lloj bukurie me të cilën të bën të të lëshojë goja lëng, dhe zëri i saj ishte kaq i ëmbël dhe i butë. Ajo kishte mbërritur së fundi në Paris dhe krijoi një reputacion të virtytshëm; i shoqi aktronte me të si një dashnor i pafat. Aktrimi i saj ‘nuk mund të ishte më mirë se aq’, por njerëzit ishin të kënaqur. Qetësia e vetme e Lidgejt-it për tani ishte të shkonte dhe të shihte këtë femër, dhe ndihej si të qe shtrirë mbi një shtrat mbushur me manushaqe, pa paragjykuar galvanizmat e tij për të cilat do të kthehej një kohë. Por këtë mbrëmje, shfaqja kishte një katastrofë të re. Në çastin kur heroina duhet të aktronte sikur qëllonte me thikë të dashurin e saj – dhe ai rrëzohej gjithë hijeshi – ajo e godet vërtet të shoqin i cili rrëzohet mbi skenë krejt i vdekur. U dëgjua një britmë therëse dhe provincialja u dergj mbi trupin e të shoqit: një e bërtitur që duhet të ndodhte në shfaqje, ndërsa këtë herë qe e vërtetë. Lidgejt kërceu drejt e në skenë (as vet nuk e kuptoi se si), dhe u tregua i gatshëm për ndihmë duke e ndarë heroinën nga trupi i viktimës dhe duke ja vendosur kokën butësisht në supin e tij. Parisi gëloi nga ky lajm: mos ishte vrasje? Disa nga admiruesit e aktores prireshin të besonin në fajin e saj dhe kështu u përhap fjala (e tillë ishte koha); por Lidgejt besonte krejt të kundërtën. Ai e mbështeti ashpër pafajësinë e saj, dhe gjithë ai pëlqim që kishte më parë për të u shndërrua në besnikëri personale dhe nisi të mos mendonte për tjetër gjë veç saj. Pista e vrasjes ishte absurde: nuk gjetën asnjë motiv, çifti i ri nuk kishte asnjë mosmarrëveshje; dhe gjithashtu nuk ishte e logjikshme që vetëm një e rrëshqitur e dorës të shkaktonte një pasojë me vdekje. Hetimet përfunduan me pafajësinë e zonjës Lauri. Gjatë kësaj kohe Lidgejt kishte pasur shumë takime me të dhe pëlqimi i qe shtuar së tepërmi. Ajo ishte fjalëpakë; dhe kjo e bënte më tërheqëse. Ajo ishte melankolike dhe dukej mirënjohëse; prezenca e saj ishte po aq e rëndësishme sa drita e pasdites. Lidgejt ishte çmendurisht në ankth për dashurinë e saj, dhe xheloz se mos ndonjë burrë tjetër do ta fitonte zemrën e saj përpara tij. Por në vend që të kërkonte mëtonjës në Port Seint Martin, ku ishte kaq e famshme për ngjarjet e fundit, u largua nga Parisi pa lajmëruar kënd dhe duke thyer zemrat e gjithë adhuruesve të saj. Ndoshta asnjë nuk e ndjeu mungesën e saj veç Lidgejt-it, i cili mendonte se e gjithë shkenca kishte arritur të qëndronte në këmbë ndërkohë që vetë imagjinonte Laurin e pakënaqur, e goditur nga pikëllimi dhe duke mos gjetur një shpatull për tu mbështetur. Faktet e fshehura janë më të vështira për tu gjetur sesa aktoret e fshehura, dhe nuk zgjati shumë derisa Lidgejt-i të zbulonte se Lauri qe nisur për në Lion. E gjeti duke aktruar me po të njëjtin sukses në Avinjon po me emrin e saj dhe dukej më madhështore sesa një grua mjerane me një fëmijë në krahë. Ai i foli pas shfaqjes ku u prit po me atë lakonizmin e saj të zakonshëm që dukej po aq bukur dhe kthjellët sa ujërat e thellë, dhe kërkoi ta vizitonte të nesërmen; ku ai do të përgjunjej dhe do t’i shprehte asaj dashurinë dhe dëshirën për martesë. Ai e dinte se ishte impulsi i papritur i një të çmenduri – i pavullnetshëm edhe me shkathtësinë e zakonshme. Gjë pa rëndësi! Ishte diçka që atij nuk i bënte më përshtypje. Dukej sikur brenda tij jetonin dy persona dhe ata duhet të mësoheshin me njëri-tjetrin dhe të mos krijonin pengesa. Çudi sesi disa prej nesh, me një vizion të shpejtë, shohin përtej pasionit dhe madje ndërsa ngjitemi lart, ndalemi dhe shohim rrafshinën e gjerë ndërkohë presim veten tonë të na bashkohet. T’i ishte afruar zonjës Lauri me ndonjë veshje të padenjë do të ishte një kontradiktë e gjithë ndjenjës ndaj saj.
– Ke ardhur prej Parisit të më gjesh mua? – i tha ditën tjetër ndërkohë i gjendej e ulur përballë me krahët e kryqëzuar dhe duke e parë drejt e në sy si një kafshë që pret ndonjë mrekulli. – Kështu janë të gjithë anglezët?
– Erdha sepse nuk mund të jetoj pa të patur pranë. Ti je e vetme; të dua; dua të të kërkoj të bëhesh gruaja ime; mund të pres, por dua të më premtosh që do të martohesh me mua dhe jo me ndonjë tjetër.
Lauri e pa në heshtje me një melankoli të thellë derisa ai luajti vendit dhe i shkoi pranë gjunjëve.
– Do të të them diçka, – tha ajo si në belbëzitje, duke mbajtur po të njëjtin qëndrim, – vërtet që më rrëshqitën këmbët.
– E di, e di, – tha Lidgejt i nervozuar. – ishte një aksident famëkeq, një ngjarje e keqe që më bëri të afrohem më shumë me ty.
Lauri heshti për pak dhe tha me zë të ulët:
– Unë e bëra me qëllim!
Si burrë i fuqishëm që ishte, Lidgejt nuk e dha veten, por u mendua pak dhe u largua për tek karrigia e tij.
– Epo do ketë ndonjë të fshehtë, – tha me një zë të mbytur. – Me siguri ai të rrihte: dhe ti e urreje!
– Jo, ai më lodhte; ishte shumë egoist: preferonte të jetonte më mirë në Paris sesa në vendlindjen time; dhe unë nuk isha dakord.
– Zot i madhërishëm! – tha Lidgejt i tmerruar. – Dhe ti vendose ta vrasësh?
– Nuk paramendova asgjë: më lindi si ide kur isha në skenë – ishte e qëllimshme.
Lidgejt qëndroi i heshtur dhe krejt pa vetëdije po bënte shuk kapelën e tij. Ai shikonte këtë grua – të cilës i fali adhurimin e rinisë – mes turmës së vrasësve budallenj.
– Je djalë shumë i mirë, – i tha. – Por unë nuk dua të martohem më. Kurrë më!
Pas tri ditësh Lidgejt kishte shkuar përsëri pranë galvanizmave të tij në portat e Parisit, duke besuar se ato iluzione po merrnin fund. Ai kishte shpëtuar paq nga zhgënjimi me idenë se do të shpërblehej për mirësinë dhe dashurinë. Tashmë kishte më shumë arsye se kurrë për t’i besuar gjykimit të tij, tashmë kishte eksperiencë; prej tani e tutje do të merrte parasysh një vështrim të rreptë shkencor të gruas, duke mos krijuar pritshmëri siç kish bërë më parë.
Askush në Middlemarch nuk ka të ngjarë të ketë një njohuri të tillë për të kaluarën e Lidgejt-it siç u shfaq këtu, dhe në të vërtetë bashkatdhetarët e tij nuk i dhanë askujt më shumë seç iu dhanë gjithë të vdekshmëve në përgjithësi në përfaqësimin e vetes së tyre. Jo vetëm virgjëreshët, por edhe burrat me mjekër të atij qyteti, shpesh nxitonin në krijimin e historive për të kënaqur qëllimet e tyre, dhe kënaqeshin me thashethemet në të cilat ndërtohej jeta e tjetrit. Në të vërtetë, Middlemarch, llogaritej në gllabërimin dhe tretjen e Lidgejt-it në një formë shumë të qetë.
Përktheu Antonio Çikollari


Leave a comment