I
Evgenij Ivanoviç Zamjatin (1884-1937) është një ndër klasikët e modernitetit letrar të shekullit XX, jo vetëm në Rusi, por në mbarë botën. Nëse mendohesh, pa e shtrembëruar shpirtin, se cili prej shkrimtarëve më të mëdhenj rusë është themelues i një zhanri të ri në traditën botërore, atëherë gjendesh në vështirësi për të dhënë një përgjigje të saktë. Kë të quash? Pushkinin me zhanrin e romanit në vargje? Gogolin me poemën në prozë? Dostojevskin me romanin e tij polifonik? Leskovin me rrëfimin e tij paravolik? Mund të quash fare mirë Andrej Platonovin me prozën e tij antiutopike, por me gojëplotë e pa mëdyshje ia vlen të ndalesh vetëm tek Evgenij Zamjatini me romanin “Ne”.
Sepse ata që kanë lexuar tashmë veprat e zhanrit të antiutopisë (utopia e keqe, ose në shkencën e letërsisë angleze – distopia), romanin “1984” të Oruellit apo “Më e mira e botëve” të Haksllit, nuk e dinë se pionier e themelues i këtij zhanri është Evgenij Zamjatini dhe se gjithçka zë fill tek romani i tij “Ne”, shkruar në Rusi më 1920, përkthyer e botuar së pari në anglisht më 1924, ndërsa në gjuhën amtare ky roman u lejua të botohej vetëm në vitin 1988!
II
Pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, Zamjatini ishte ndër shkrimtarët më të njohur rusë, me një popullaritet gjerësisht të përhapur në elitat letrare ruse. Deri asokohe ai kishte shkruar një varg novelash, tregimesh e pamfletesh dhe gëzonte famën e një “Gogoli të ri”. Me bindje revolucionare bolshevike, ai nuk ishte një ndër intelektualët “armiq” të pushtetit të ri. Për nga profesioni ai ishte inxhinier i ndërtimit të anijeve, ndërsa u bë i famshëm si ndërtues akullthyesesh, për çka herë pas here ftohej në Angli me projekte inxhinierike. Gjithçka u zymtua në jetën e shkrimtarit me romanin e tij të ri në dorëshkrim “Ne”. Ndonëse romani nuk u botua, filloi një fushatë e egër demaskimi e propagande kundër Zamjatinit, madje edhe disa prej miqve të tij letrarë, shkrimtarë që kishin përqafuar dogmën e socrealizmit, iu përveshën për të mos lënë prej ish-mikut të tyre “gur mbi gur”.
Romani “Ne” është bilanci i krijimtarisë së Zamjatinit, moment i shartimit të skepticizmit futuristik në pemën letrare botërore (një vajtim për fatin tragjik të personalitetit njerëzor në kushtet e totalitarizmit të ardhshëm), i cili u rrit si një pyll i harlisur në shekullin XX e deri sot.
Veprimi i romanit “Ne” ndodh në Shtetin Unik të së ardhmes, i cili është i ndarë me një Mur të Gjelbër nga bota e jashtme. Banorët e tij janë njerëzit-numra të udhëhequr nga Bamiri (Mirëbërësi), çka përbën metaforën kulmore të social-darvinizmit, një fole e përsosur milingonash njerëzore, e përllogaritur matematikisht, ekstremisht racionale, që ka për të gjitha shfaqjet e jetës reglamentin e saj, deri në “Tabelën e ditëve seksuale” të përcaktuar me grafik për çdokënd. Apartamentet në këtë botë kanë mure të qelqta, arti ka statusin e shërbimit shtetëror, banorët, të cilët bëjnë periodikisht operim për të larguar organin e fantazisë – përputhen me jo-lirinë e tyre, përderisa “ndërgjegjja personale është vetëmse sëmundje e rrezikshme”; ata refuzojnë vullnetarisht “unin” e tyre dhe shkrihen me pavetoren “Ne”, duke u shndërruar në dofarë funksionesh, detaje të makinës gjigande shtetërore.
Romani është shkruar në formën e ditarit, të cilin e mban D-503, ndërtuesi i Integralit, një agregat i fuqishëm, destini i të cilit është t’i nënshtrojë “Bashkimit të arsyes së dobishme” qytetërimet e Universit. Pra, ky agregat do të fluturojë drejt planeteve me qytetërime të panjohura duke i bërë ata “sus”, që të pranojnë me forcë lumturinë, d.m.th., t’i detyrojë ata të jenë të lumtur. D-503, matematicien, është në mahni nga bukuria matematikore me të cilën është ndërtuar harmonishëm Shteti Unik. Megjithatë, ai, pavullnetshëm, është i detyruar të kalojë sprova të rënda. Për një kohë të gjatë ai është i magjepsur nga dashuria ndaj I-330, një ndjenjë e panjohur në botën e Shtetit Unik dhe për herë të parë mendja e tij e kulluar kristalore turbullohet. I-330, kryengritëse, përpiqet të shkatërrojë gjithçka që D-503 deri atëherë e ka pranuar pa diskutim si etalon të më të mirit, më të përsosurit prej organizimeve shoqërore. Kjo është një periudhë tronditjeje në jetën e tij, një kohë alarmi i dëshiruar dhe stuhie e brendshme. Ashtu si njerëzit e parë në parajsë, D-503 është vënë para zgjedhjes së vështirë: ose lumturi pa liri, ose liri pa lumturi. Por D-503 nuk është në gjendje të tejkalojë inercinë e botëkuptimit të tij, të cilin ia kanë rrënjosur që prej lindjes numrat e Shtetit Unik, më të mençurit numra nga shoqëritë e të gjitha kohërave. Duke iu ndriçuar gjithçka përreth tij me një dritë të ndritshme e verbuese të pasionit të dashurisë ndaj I-330, ai në fund të fundit e tradhëton të dashurën për Shtetin Unik dhe fill pas operimit që ia largon organin e fantazisë, ndjek si spektator me zemrën e ftohur dhe logjikën e pashmangshme ndëshkimin e saj me vdekje.
Inkuizitori i Madh, i përshkruar dikur prej Dostojevskit, triumfon në këtë botë të së ardhmes, duke u fshehur nën guaskën e Bamirit. Padyshim që në ndërtimin e kësaj antiutopie zamjatiniane ka pasur një precedent të fortë real dhe kjo është pikërisht Rusia bolshevike (Shteti Unik) me udhëheqësin e saj Stalinin (Bamiri). Fill pas shkrimit dhe leximit të romanit prej disa botuesve, shkrimtarëve dhe kritikëve, interesi ndaj tij u rrit, por në një drejtim tjetër: edhe pse në dorëshkrim, filloi fushata kundër autorit, duke filluar me Dmitrij Furmanovin, shkrimtar dhe komisar, autor i romanit “Çapajev”, i cili shkroi: “Romani “Ne” është një pamflet-utopi përplot ligësi mbi mbretërinë e komunizmit”. Pas tij vërshuan sulmet e panumërta. Zamjatinit i hiqen menjëherë nga skena dramat e tij, që ishin në pikun e suksesit. I ndalohet botimi. Ndërkaq, vetë autori, shkruan: “Ky roman është një sinjal për rrezikun që i kanoset gjithë njerëzimit nga pushteti i hipertrofizuar i makinave dhe pushteti shtetëror – pa rëndësi se cili”. Romani “Ne” mbeti libri më i rëndësishëm i Zamajtinit, që luajti njëkohësisht një rol fatal në jetën e tij. Pas përkthimit dhe botimit të romanit në një sërë gjuhësh të huaja, shtypi sovjet botonte fragmente të përkthyera të romanit për të ushqyer kompaninë e sulmeve të shfrenuara për një diskreditim popullor të tij.
Në vitin 1931 Zamjatini i shkruan letër Stalinit për ta lejuar të largohej jashtë shtetit, ku shkrimtari, pasi i paraqet Udhëheqësit gjendjen e rëndë të sulmeve ndaj tij, të cilat i barazon me dënimin me vdekje, i kërkon që ta këmbejë “vdekjen letrare” me shpëtimin e jetës dhe ta lërë të largohet nga Rusia. Për fat të mirë, një rol pozitiv në marrjen e vendimit për ta lënë të lirë Zamjatinin, luajti padyshim, Maksim Gorki. Në tetor të vitit 1931 Evgenij Zamjatini, bashkë me të shoqen, braktisin Rusinë dhe largohen përfundimisht në Paris. I gjendur jashtë rreziku, Zamjatini në Paris u mundua të rrëfente për tragjedinë e inteligjencies ruse dhe për format e dhunshme që shteti sovjet ushtronte mbi artistët e shkrimtarët. Por, për çudi, askush prej intelektualëve francezë nuk e besoi. Dhe kjo kishte ngjarë edhe më parë, por ngjau edhe më pas, me disidentë të tjerë rusë: inteligjencia franceze e asaj kohe ishte e molepsur në masë nga një dashuri absurde e platonike ndaj komunizmit dhe Bashkimit Sovjetik. Në këto kushte, Evgenij Zamjatini u mbyll në botën e vet hermetike derisa vdiq në vitin 1937, pa e ditur se me romanin e tij kishte hapur një traditë të re letrare në letërsinë botërore të shekullit XX: traditën e romanit antiutopik dhe se ai ishte i pari që kishte hapur shtegun.
III
Në vitin akademik 1919-1920 E. Zamjatini mban një kurs leksionesh në Shtëpinë e Arteve të Shën Petërburgut me titull “Teknika e prozës artistike”. Në vitin 1929 ai përgatit librin “Si shkruajmë”, që grishte të “kënaqë interesin e krijuesve rishtarë pikërisht për teknikën e prozës artistike”. Njëra prej eseve të këtij libri është ajo me titull “Përtej kulisave”. Ajo nis kështu: “Në Shtëpinë e Arteve nisa një kurs të teknikës së prozës artistike; më takoi për herë të parë të kundroj veten time pas kulisave – dhe disa muaj pas kësaj përvoje nuk arrija të shkruaja më. Gjithçka në dukje ishte mirë, fletët e bardha si çarçafë të saposhtruar, ideja mbi të përgjumet dhe sapo nisja, kisha një si zgjim të beftë, fill pas të cilit gjithçka zhdukej, sepse tashmë unë kisha nisur me vetëdije të përndiqja veten, mekanikën e ëndrrave, ritmin, asociacionet, imazhet. Vetëm më vonë, gjatë kohës së punës, kur u mësova të harroj që unë e di se si shkruaj, vetëm atëherë arrita t’i shpëtoj kësaj topitjeje[1]“. Në esenë “Pas kulisave” Zamjatini flet jo vetëm për prototipat e zakonshëm për shkrimtarët, po dhe për fabulën, për pëlhurën muzikore, ritmin prozaik, për imazhet pamore, ndërsa në shtojcën e esesë për teknikën e prozës artistike, ka sjellë edhe planin e novelës së tij “Ishullorët” me variante të ndryshme të pikëzgjidhjeve.
Ndryshe prej shkrimtarëve të “brendësisë” së vrullit të drejtpërdrejtë irracional, Zamjatini, çfarëdo të ketë thënë a menduar për veten e tij, është një mjeshtër konstruktor i prozës. Drita e esëllt e vetëdijes ndriçon skutat më të errëta të botës së tij. Jo rastësisht vepra kryesore e Zamjatinit (romani “Ne”) është shkruar në zhanrin e prozës intelektuale, ku gjendet “teza abstrakte, ideja” dhe ku konstrukti triumfon dukshëm mbi materien dhe materialin. Por, padyshim, imazhet e brendshme, embrionet zanafillore të prozës së Evgenij Zamjatinit, ndër to, sigurisht edhe farëza e idesë së romanit antiutopik “Ne”, kanë zanafillë irracionale, thelb fantazmagorik, diç të vegimtë dhe paradoksalisht absurde, njëlloj siç bën vaki me ëndrrat dhe maskat simbolike të tyre kur profetizojnë një fat apo fatet e gjithë njerëzimit.
Në fund të kursit të leksioneve mbi “Teknikën e prozës artistike” për shkrimtarë të rinj, Zamjatini u thotë krijuesve diçka që ka lidhje me proceset subkoshiente të krijimit, për çka vetë shkrimtari ishte vetëdijësuar tashmë. Eshtë një histori paravolike që e ka sajuar shkrimtari; ajo më së shumti i shërben jo vetëm rastit të Zamjatinit, por çdo shkrimtari të prirjes së tij:
E pyetën njëherë dyzetkëmbëshin:
– Nga cila këmbë e filloni lëvizjen?
Dyzetkëmbëshi heshti në kërkim të përgjigjes. Ai jo vetëm nuk u përgjigj, por “harroi” të lëvizë.
[1]Zamjatin, E. “Si shkruajmë”, Moskë, 1989. F. 26
Përgatiti Agron Tufa


Leave a comment