Masha (Përrallëz popullore ruse)
– Tungjatjeta, moj mashë.
– Tungjatjeta, o njeri.
– Për ku je nisur kështu?
– Kërkoj një punë për vete.
– Çap me mua.
– Po çfarë pune do të bëj?
– Kongjijtë e zjarrit do t’i kthesh e stërkthesh poshtë kusive dhe tepsive, për zjarrin do të kujdesesh, që gjella të mos digjet, që supa të mos derdhet, që byrekët të piqen dhe hiri të hiqet.
– Jo, nuk është për mua kjo punë. Më duhet ku e ku një punë më të lehtë, më të pastër dhe më të këndshme të gjej.
– Hëm, atëherë mbetsh me shëndet, moj mashë.
– Mbetsh me shëndet, o njeri.
Nisi masha rrugën e saj përsëri. Pa shih – na i del përpara një kovaç.
– Tungjatjeta, moj mashë.
– Tungjatjeta, o njeri.
– Për ku je nisur kështu?
– Kërkoj një punë për vete.
– Çap me mua.
– Po çfarë pune do të bëj?
– Bashkë me mua çelik do të shkrish: qymyrin në furrë do gërmosh, për zjarrin do kujdesesh, skoriet hekurit do t’i heqësh, çelikun e shkrirë nga furra do derdhësh.
– Jo, nuk është kjo punë për mua. Më duhet ku e ku një punë më të lehtë, më të pastër dhe më të këndshme të gjej.
– Hë, atëherë mbetsh me shëndet, moj mashë.
– Mbetsh me shëndet, o njeri.
Nisi masha rrugën e saj përsëri. Pa shih – na i del përpara një major nga Urdhri i Fshehtë.
– Tungjatjeta, moj mashë.
– Tungjatjeta, o njeri.
– Për ku je nisur kështu?
– Kërkoj një punë për vete.
– Çap me mua.
– Po çfarë pune do të bëj?
– Bashkë me mua armiqtë e popullit do t’i torturosh: thembrat do t’u djegësh, koqet do t’u shtrëngosh, damkën shtetërore në bythë t’u vendosësh. Punë e pastër, e lehtë dhe e gëzueshme.
Na u mendua dhe u mendua masha dhe pranoi. Që nga ajo kohë, ajo punon me Urdhrin e Fshehtë.
Përktheu Korab Hoxha
©Arka e Noes. Imazhi ©Andrea Koroveshi


Leave a comment