Vështrim mbi Kremlini prej sheqeri | Antonio Çikollari

Published on

in

,

Në mbyllje të leximit të një prej librave botuar së fundi, Kremlini prej sheqeri, ndjeva një farë angështie, një farë mërzie të lehtë kalimtare, pasi në mënyrën e shkrimit, Sorokin të mbante të lidhur si në hipnozë.
Vepra është ndërtuar nga 15 kapituj të vegjël, veçantë njëri-tjetrit, pa një rend numerik, por me elementë përshkrimorë që fshehin në vetvete përbërjen e një romani. Si fillim duket sikur kemi të bëjmë me një tjetër tregim të shkurtër, imcak, lakonik, të ngarkuar me figuracione stilistike dhe letrare, por jo, vepra duhet të lexohet si një e tëra.
Ngjarjet zhvillohen në Rusinë e vitit 2028, gjë e cila duket sikur nuk është gjë tjetër veçse një manipulim i shkrimtarit mbi lexuesin. Përse manipulim? Sepse pavarësisht se viti 2028 nuk është larg prej ditëve të sotme, teknologjia ka përparuar së tepërmi, por realiteti është po i njëjti, për të mos thënë që i përqaset më shumë të shkuarës së largët. Ndryshimi i vetëm janë elementët fantastiko-shkencorë, që për mendimin tim, përdoren në formën e ironisë dhe satirës për moszhvillim. Nëse do të hiqja këta elementë, do të thoja se të gjitha ngjarjet në libër po zhvilloheshin jo në 2028-n, por një gjysmë shekulli më parë, kur Rusia pretendoi se i dha fund diktaturës. Dhe kjo është shumë e thjeshtë. Autori luan me ngjyrën e Kremlinit, duke e ndryshuar nga e kuqja në të bardhë. Duket sikur i zhvesh petkun e komunizmit dhe i vesh atë të asnjanësisë. Ama, ai nuk le pa shtuar një përbërës të rëndësishëm me të cilin jo vetëm përgënjeshtron veten, por edhe thumbon; në një fragment ai përshkruan sundimtarin – të cilin qëllimisht e quan të tillë – i cili del në ballkon dhe përshëndet me të lëkundurën e dorës si qëmoti. Dhe fill pas këtij gjesti nga qielli bien mijëra tullumbace të kuqe. Pra, në një Kremlin të bardhë si bora, bien tullumbace të kuqe. Dhe bashkë me tullumbacet gjendet një karamele sheqeri në formën e Kremlinit. Mesazh ky që Kremlini iu përket të gjithëve; edhe sundimtarit, edhe nëpunësit, edhe fëmijëve, edhe të varfërve, edhe konspiracionistëve, edhe armiqve. Dhe dëshira tek të gjithë këta është e njëjtë. Ata duan ta copëtojnë Kremlinin, ta thyejnë, ta zhdukin, ta tretin. Dhe në çdo kapitull ndodh e njëjta gjë. Askund nuk shihet më një Kremlin i plotë. Kur në krye të një vendi ka sundimtar dhe sundimtareshë, nuk ka sovran. Të gjithë personazhet janë të varfër. Familja e Marfushkës duhet të mbajë radhë për të blerë ushqime, sakatët duhet të lypin, xhuxhët duhet të sillen si kafshë të bindura për një monedhë, Arisha duhet të vuajë internimin e familjes. Tek Arisha shohim njerëzit të cilët janë kundër sistemit, të cilët do të bënin gjithçka për të rrëzuar sistemin, dhe këtu përshkrimi arrin ekstremin nëpërmjet kanibalizmit, pavarësisht se autori i jep një zgjidhje artificiale duke përdorur elementin e shndërrimit në kafshë dhe duke luajtur me nënndërgjegjen e personazheve.
Tek kapitulli Ushqimimi, vërejta mbajtjen e pushtetit me dhunë. Punë e detyruar, një vakt ushqim, një vakt dhunë. Dhe kështu ata nuk do të flasin e as do të ngrenë krye. Kështu ata do të binden dhe nuk do të ngrihen kundër sistemit. Madje dhe kur përpiqen të organizohen, është Urdhri i Fshehtë (shërbimi informativ) që i përndjek dhe i shpërbën. Por në të kundërt me diktaturën e vjetër, kjo diktaturë e re e pranon fenë. Dhe përpiqet ta shfrytëzojë në çdo çast të mundshëm. Ose ndoshta është një përbërës për t’i lënë personazhet në dorë të dikujt më të fuqishëm dhe më të drejtë se sundimtari. Kjo mbetet për tu parë. Por është e sigurt që edhe feja përdoret si propagandë nga pushteti. Kjo shfaqet haptazi tek kapitulli Kinemaja, ku spiuni dhe kolaboracionisti rus që bashkëpunon me amerikanët shfaq shenja homoseksualizmi. Megjithëse seksi brenda të njëjtës gjini ndalohet dhe nga feja dhe nga diktaturat. Madje të dyja palët përgjatë historisë kanë arritur deri në ekzekutim të tyre. Por një tjetër mesazh mendoj që është se vërtet Amerika po përpiqet vërtet të dalë mbi Rusinë nëpërmjet spiunazhit dhe komplotit (metaforikisht në aspektin ekonomik). Dhe kjo ndodh për shkak edhe të vetë rusëve të cilët po e lejojnë këtë gjë. Ose autori deri diku e përdor edhe për të ofenduar pushtetin, apo duke thënë se patriotët e vërtetë rus janë populli i thjeshtë i cili shtypet dita-ditës.

Tek kapitulli i fundit, Rrënimi, ndodh ajo që ndodh në çdo pushtet dhe politikë; një kundërshtar i sundimtarit që lë pas mëritë e vjetra dhe bëhet ortak me pushtetin për shkak të favoreve që mund të përfitojë. Dhe me vrasjen e Komjagës, duket sikur vritet e vetmja forcë kundër pushtetit.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.