Mbi llojet e kritikës

Published on

in

, ,

Kritika letrare –  (gr.  kριτική,  kpίυω –  gjykoj, vlerësoj) – është një degë e shkencës së letërsisë e cila merret me vlerësimin dhe gjykimin e vlerave letrare të veprës  artistike. Ajo  shpesh  cilësohet  si ndërmjetësuese midis veprës letrare dhe lexuesit. Ka për qëllim që sa më thellësisht ta zbulojë kuptimin  dhe bukuritë që fshihen në veprat konkrete letrare të së tashmes e të së kaluarës, për t’u lehtësuar lexuesve kuptimin sa më të plotë dhe kënaqësinë që ndjejnë kur i lexojnë ato. Ndërtohet  dhe zhvillohet  eksluzivisht  mbi  bazat  e  përshtypjeve individuale  të veprës  së  lexuar  dhe  mbresave të cilat i lë vepra letrare, pa pasur nevojë që ato të përfshihen në ndonjë sistem shkencor të të menduarit dhe të studiuarit të letërsisë. Si degë e veçantë e shkencës së letërsisë, ka për detyrë ta vlerësojë vlerën e veprës letrare dhe të tregojë se ç’rëndësi ka ndonjë vepër në çastin kur ajo botohet (publikohet). Detyra e kritikës letrare është të shpjegojë atë që është më e fshehtë dhe më e ndërlikuar në veprën letrare, e këto janë mendimet dhe idetë e shkrimtarit. Ajo  duhet të  flasë për rrethanat dhe kushtet shoqërore nga të cilat kanë dalë idetë e shkrimatrit, t’i  shpjegojë karakteret si bartës të pikëpamjeve të caktuara dhe si përfaqësues të mjedisit të caktuar, të  klasës apo shtresës shoqërore dhe të  tregojë për ndikimet e shkrimtarit. Kritika duhet të tregojë se ç’risi paraqet publikimi i një vepre në letërsi, në kohën kur ajo është shfaqur  dhe ç’ndikim ka pasur ajo në zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë. Kritika letrare e vlerëson veprën me masat që zotërojnë në letërsinë bashkëkohore, por duhet  të futë në të dhe shijen e kohës kur ka lindur vepra, ta kuptojë nivelin e zhvillimit letrar, ajo, jo vetëm që  ndërmjetëson midis veprës dhe lexuesit, por shpjegon edhe kuptimin e veprës dhe nxjerr në pah ato përfundime mbi jetën nga e cila ka dalë shkrimtari me veprën e tij letrare. Vepra letrare, si botë më vete, mund të interpretohet në mënyrë të  ndryshme. Nga kjo edhe forma të ndryshme të kritikës letrare.

Kritika stilistike – si lloj i kritikës është e lidhur ngushtë me stilin dhe stilistikën. Kritika stilistike mbështetet në elementet stilistike të veprës letrare.

Kritika estetike – e  studion veprën letrare vetëm në aspektin estetik dhe zbaton kriteret estetike në vlerësimin e veprës letrare duke lënë anash vlerat e tjera të veprës. Kriteret e kritikës estetike kanë ndryshuar gjatë historisë. Rilindja evropiane në pjesën më të mirë i ka gjetur modelet e veta në veprat e shkrimtarëve antikë grekë e romakë. Ata përpiqen t’i  gjallërojnë  idealet antike, klasicistët francezë dhe teoricienët e tyre në shekullin XVII, por jo për një kohë të gjatë.  Paraqiten synime të tjera dhe kritika estetike do të vërë ideale të tjera të cilat do të vijnë me shënime doktrinare: sërish për  një kohë të caktuar. Megjithatë, në  shqyrtimin  e mundshëm historik të kritikës estetike vërtetohet bindja gjithnjë e më e madhe që veprën letrare duhet vështruar, në të vërtetë, me të gjitha rrethanat e rëndësishme dhe të domosdoshme, por para së gjithash në autonominë e saj relative. Kritika estetike bashkëkohore thekson nevojën që vepra artistike sa më shumë të çlirohet nga varësia e të  tjerave,  nga synimet  jashtartistike dhe antiartistike.

Kritika impresioniste (fr.  impressionisme  –  përshtypje) – është lloj i kritikës letrare, e cila si kriter themelor  për  vlerësimin  e  veprës  letrare  merr përshtypjen, impresionin të cilin e ngjall vepra letrare. Sipas Zhyl  Lemetrit,  kritiku letrar duhet të mbështetet në mbresat që ngjall vepra letrare tek ai. Detyra e kritikës është të kumtojë përjetimin e veprës artistike dhe kritiku shpesh merret me atë që e preokupon më së shumti në vepër dhe rreth veprës. Në vend që të gjykojë në bazë të sistemit të caktuar kritik dhe të  parimeve të  caktuara,  kritiku do të duhet  të tregojë shenja simpatie ndaj veprës. Në esencë të saj qëndron bindja se nuk ekziston e vërteta mbi veprën aristike dhe kritiku nuk duhet të gjurmojë kot pas saj, por duhet që spontanisht të lëshohet në përshtypjen estetike të cilën e shkakton vepra dhe që spontanisht t’i përshkruajë reaksionet e shpirtit dhe të sensibilitetit të tij në atë përshtypje.

Kritika semiologjike – në qendër të studimeve të  saj  ka shenjën  (gr. semeion  –  shenjë). Metodën semiologjike i pari e ka përcaktuar Ferdinand de Sosyri në  gjuhësinë strukturale. Meqë vepra letrare realizohet përmes gjuhës dhe analiza e saj nuk mund  të  bëhet pa analizën  gjuhësore të veprës e cila shpjegohet përmes shenjave.

Kritika biografike – e shpjegon veprën letrare duke u mbështetur në biografinë e shkrimtarit. Poetët  romantikë shkruanin shumë për veten, për ndjenjat e thella të tyre, duke lënë pas vetes shumë rrëfime autobiografike (Bajroni, Pushkini etj.). Parimet themelore të metodës biografike i ka formuluar shkrimtari dhe kritiku francez  Sent-Bev,  i  cili  në  lidhje me këtë thotë: Mund të kënaqem me veprën letrare, por e kam vështirë të jap gjykim pa pasur parasysh njeriun i cili e ka shkruar (Sait-Beuve: Chateaubriand). Por  sot  kjo metodë është vjetëruar.

Kritika filozofike – në analizën e veprës letrare mbështetet  në  konceptet  filozofike  që  shfaqen  në  veprën,  siç janë  çështja  e  ekzistencës  njerëzore, absurdi, kotësia e jetës etj. Kjo metodë ka mbështetjen në  fenomenologjinë  e  Edmund  Huserlit, pastaj  në ontologjinë si shkencë filozofike dhe mbi të qenit, mbi  atë  që  ekziston.  Sipas  studiuesve  të  ndryshëm (Rene Velek etj.), vepra letrare nuk mund të vlerësohet vetëm në bazë të mendimeve filozofike, duke pasur parasysh si janë strukturuar  mendimet e tilla. Tomas Stern Eliot thotë: as Dante, as Shekspiri  në të vërtetë nuk  kanë  menduar  asgjë. Dostojevski  dhe  Tolstoi shpesh janë shqyrtuar vetëm si filozofë dhe mendimtarë fetarë.  Në kohën e simbolizmit në  Rusi paraqitet një shkollë e tërë e kritikëve “metafizikë”, e cila e interpreton letërsinë me anë të qëndrimeve të veta filozofike. Kjo do të thotë se mënyra e organizimit të veprës letrare është ajo që e përcakton edhe vlerën e saj.

Kritika gazetareske –  është formë specifike e kritikës letrare artistike e cila shkruhet nëpër gazetat e përditshme dhe në ato  periodike letrare e kulturore. Ajo kryesisht merret  me veprat  letrare,  me letërsinë, artet e tjera, por edhe me radion dhe televizionin. Për nga forma e jashtme kritika gazetareske  është pjesë e gazetarisë, respektivisht e gazetarisë letrare, kurse për nga esenca ajo është pjesë e letërsisë.  Ajo e përcjell krijimtarinë  letrare  bashkëkohore,  veprat  e sapobotuara. Ajo shkruhet për publikun e gjërë lexues, andaj duhet të jetë komunikative. Meqë publikohet në një kënd të caktuar në gazetë, në një kohë të kufizuarnë  radio  apo  televizion,  ajo  duhet  të  jetë  shumë koncize,  duke  i  thënë  vetëm ato  që  janë  qenësore (esenciale) për një vepër letrare, anët pozitive dhe të metat e veprës letrare.

©Filologus

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.