Mbi Kështjellën e Kafkës

Published on

in

, ,

Më 27 janar të vitit 1922 Franz Kafka shkon, së bashku me doktorin që e kuron për sëmundjen e tuberkulozit, e cila i është shfaqur qysh më 1917, në Spindelmühle në masivin malor midis Çekisë dhe Polonisë. Prej shtatorit 1920 nuk është marrë më me krijimtari letrare, tani që në ditët e para të vendosjes në hotelin Krone fillon të shkruajë një roman të ri, të tretin në radhë pas “I humburi” (Amerika) dhe “Procesi”. Spindelmühle është sikurse fshati i “Kështjellës” i mbuluar me dëborë, por për të tjerat ky vend i zhvilluar turistik pak i ngjan fshatit të humbur, të mbyllur e arkaik të romanit. Pas një qëndrimi tri javor, Kafka kthehet në Pragë dhe kërkon zgjatje të lejes nga Shoqëria e sigurimeve të aksidenteve në punë, e më pas, duke qenë se shëndeti vazhdon të përkeqësohet, dalje në pension të parakohshëm. Nga 23 qershori deri më 18 shtator shkrimtari qëndron tek e motra Ottla në qytetin e vogël Planá të Bohemisë, ku vazhdon punën intensive me romanin, të cilën megjithatë e ndërpret aty nga fundi i muajit gusht. Në një letër të fillim shtatorit i shkruan mikut të tij Max Brod: “m’u desh ta ndërpres me sa duket përgjithmonë historinë e kështjellës, nuk isha më në gjendje ta rifilloja prej “krizës” që nisi një javë përpara udhëtimit për në Pragë, megjithëse pjesa e shkruar në Planá nuk është dhe aq e keqe sa ajo që e njeh ti”. Ndër tri romanet që la dorëshkrim Kafka, “Kështjella” është më i gjati. Romani u botua më 1926, por jo në tërësinë e tij, pasi Max Brod, duke dashur “të japë përshtypjen e një vepre të plotë”, e ndërpriste historinë aty ku Frida e lë përfundimisht K-në – pra në këtë botim mungonin episodet e Byrgelit, të shpërndarjes së dosjeve, biseda mes Pepit e K-së etj. Më 1951, në botimin e tretë, Brodi e jep veprën të plotë, duke ndërhyrë vetëm në disa fjalë dialektore ose të vjetruara e në çështje të pikësimit. Vetëm më 1982 me daljen e botimit të plotë kritik të veprës së Kafkës (dorëshkrimi i “Kështjellës”, 6 fletore të formatit kuart, ruhet bashkë me të tjera dorëshkrime të Kafkës në Bodleian Library të Oxfordit), u bë i mundur edhe një riprodhim i saktë i “Kështjellës” që respektonte deri dhe pikësimin e autorit e sidomos ndarjen e mbititullimin ose numërimin e kapitujve përbërës. Natyrisht nuk jepeshin pjesët të cilave autori u kishte hequr vizë; kështu p.sh. ka qenë i ndryshëm fillimi, vepra nga kapitulli 1-3 ishte nisur në vetën e parë etj. Përkthimi shqip mbështetet mbi variantin përfundimtar që del prej botimit kritik të origjinalit. Janë të shumta interpretimet që i janë bërë “Kështjellës” nga këndvështrime letrare, psikologjike, psikanalitike, teologjike, hebraike etj., po kaq të shumta edhe alegoritë e simbolet që i mvishen figurës së Kështjellës. Nuk do të sjellim këtu shembuj prej tyre, pasi dhe nuk ka ndonjë vlerë ta ngarkosh lexuesin me to. Por le të më lejohet nënvizimi i disa çasteve siç e kam parë dhe ndier “Kështjellën” në muajt e bukur, por edhe të tendosur të shqipërimit të saj:

Miti i shkrimtarit: Kështjella është një organizëm i epërm që ka në dorë fatet e njeriut. Ndërtimi i saj në pamje të jashtme është burokratik, por në të vërtetë së brendshmi është mitologjik. Sa më shumë që i afrohet K-ja, aq më e paarritshme duket ajo; edhe kur kemi përshtypjen se kemi njohur një radhë zyrash, marrim vesh se këto janë vetëm “zyrat e përparme”, se pas tyre ka të tjera zyra më të thella, ose zyra kontrolli. Kështu del që struktura e Kështjellës është e pafundme, në fillim na thuhet se ajo i takon njëfarë konti Westwest, por ky pastaj humbet sa më shumë që hyjmë në brendësi të mitit. Megjithëse tundimi është i fortë, është e kotë të kërkohen paralele biblike ose hebraike me Kështjellën, pasi paralelet gjithmonë do të ngecin ose thyhen në origjinalitetin e veprës. Edhe vetë veprimet burokratike që shtrihen në gjithë indin e Kështjellës i përjashtojnë këto paralele. Duket ka të drejtë studiuesi Rainer Stach që e quan Kështjellën një mit privat të Kafkës: “Komponentët e mitit janë… imazhe dhe metafora… që krijojnë së bashku një tërësi imagjinare dhe logjike. Imazhet shumohen në variacione shumëfishe, ato vargëzohen me njëri-tjetrin duke krijuar… një pëlhurë me sythe të imta që rritet e rritet: një mit privat. Në qendër të kësaj pëlhure është siguria që ekzistojnë fuqi të cilat kanë në dorë fatin e çdokujt” (Kafka, Die Jahre der Erkenntnis, Frankfurt A.M. 2008, f. 480). Luhatja dhe misteri: Një tjetër veti e Kështjellës është papërcaktueshmëria e saj, misteri që e mbështjell. Në fillim ngjan sikur brenda saj gjithçka funksionon në mënyrë të përkryer – asnjë i huaj nuk mund ta kalojë natën në fshat pa miratimin e autoriteteve; ose shpjegimi i gjatë i kryeplakut mbi mundësinë tepër të rrallë të një gabimi. Mirëpo qysh në komunikimin në telefon, në krye të librit, ose edhe në pamundësinë e kryeplakut për të gjetur një x (iks) dosje, shohim se konstrukti është me shumë të çara, me shumë kundërthënie. Edhe një figurë qendrore sikurse Klami është krejt e papërcaktuar: “thonë se ai ka pamje tjetër kur vjen në fshat dhe tjetër kur ikën nga fshati, tjetër pamje para se ta ketë pirë një birrë e tjetër pas kësaj, tjetër pamje kur zgjohet e tjetër ku fle, tjetër i vetëm e tjetër në bisedim” (në çekisht fjala klam do të thotë mashtrim, shajni). Ky Klam i dërgon papritur një letër absurde K-së, në të cilën e lëvdon për punët e tij matëse si gjeometër.

Mungesa e dhunës: Kështjella vendos mbi fatet e njerëzve, po këtë nuk e bën duke ushtruar ndonjë forcë apo përmes ndonjë aparati dhune; K-ja disa herë refuzon t’u bindet autoriteteve dhe këta nuk e detyrojnë dot që t’u bindet; vetëm se stigma ose tëhuajtja që pëson njeriu kur nuk i bindet Kështjellës, është e pamëshirshme. Këtë e tregon më së miri fati i familjes së Barnabasit që izolohet dhe degradon deri në minimumin e ekzistencës pa kurrfarë veprimi të jashtëm të Kështjellës, e cila mallkimin mbi këtë familje e ka shqiptuar veç në rrugë misterioze.

Vetëlëvizja: Kështjella, si aparat i stërmadh, duket sikur merret me administrimin e çështjeve të fshatit. Mirëpo këto do të ishin shumë pak për të përligjur ekzistencën e gjigantit; në skena të veçanta si për shembull veprimi te zyrat e përparme ose shpërndarja e dosjeve herët në mëngjes në Oborrin e zotërinjve shohim se Kështjella ka një moment vetëlëvizjeje e vetëfunksionimi, gati të pavarur nga fatet e personave të ndryshëm që janë regjistruar nëpër protokollet: protokollet fillojnë e bëjnë një jetë të mëvetësishme. Edhe kjo përforcon përfytyrimin e Kështjellës si një mit i pavarur nga bota reale.

Në pëlhurë ëndrrash: Në shumë pjesë të tij romani ecën nëpër struktura ëndrrash: K-ja vë re se pas ndjesisë së tij s’kanë kaluar as dy orë nga mëngjesi, megjithatë është errur; errësira, dimri dhe dëbora mbretërojnë gjatë gjithë romanit; ose të vihet re se si çdokush në çdo çast ka marrë dijeni për veprimet e K-së, sikur këto t’i thoshte dikush publikisht në mes të fshatit; ose se si njëri nga ndihmësit, Jeremiasi, brenda një dite është plakur (“ishte më i moshuar, më i lodhur, më me rrudha”). Ndaj dhe dy ëndrrat që sheh K-ja gjatë monologut të Byrgelit na duken si ëndrra në mes ëndrrash. Ndërtime sureale janë një numër skenash si larja e burrave në shtëpinë e Lazemanit, dëbimi i shërbëtorëve me kamxhik nga Frida, veprimi në zyrat e përparme të Kështjellës, shpërndarja e dosjeve te Oborri i zotërinjve etj.

Të shkruarit si forcë eprore: E lidhur ngushtë me të mësipërmen, është mënyra se si e kupton ose e përjeton Kafka të shkruarin: ai është për të një akt çlirimi, një jetë e dytë që e shpërblen për gjithë mundimet dhe zhgënjimet e jetës reale, një jetë që jo doemos ka të bëjë me të parën (kjo bën të dështojë shumica e interpretimeve alegorike apo simbolike që i vishen veprës së tij). Kafka shpreson se vetëm krijimi letrar do mund ta shpëtojë prej shembjes përfundimtare fizike, siç i shkruan mikut të tij doktorit Klopstock atë dimër. Ja si e përshkruan shkrimtari terapinë që do të thotë për të krijimtaria në një letër drejtuar Max Brodit më 27 janar 1922, pra ditën e mbërritjes në fshatin Spindelmühle: “Ngushëllimi i çuditshëm i të shkruarit, misterioz, ndoshta i rrezikshëm, ndoshta shpëtues: Kërcimi përtej radhës vrasje – vëzhgim, vrasje – vëzhgim, duke krijuar një lloj më të lartë vëzhgimi, më të lartë por jo më të mprehtë dhe sa më lart që ngjitet, sa më e pambërritshme që është nga “radha” aq më i pavarur bëhet, aq më shumë ndjek ligje të veta të lëvizjes, aq më e paparashikueshme, e gëzueshme, ngjitëse është rruga e tij.” Kurse në një letër tjetër drejtuar po Brodit më 12 korrik të atij viti, Kafka i njeh të shkruarit atributin e shtëpisë, vatrës, strehës, që jepen të gjitha nga fjala gjermane “zuhause”: “Jam larguar prej shtëpisë dhe më duhet të shkruaj drejt shtëpisë, edhe pse Shtëpia [streha, ngrohtësia] ka kohë që është marrë prej ujërave tej, larg në përjetësi”; mirëpo po këtu të shkruarin e quan “shërbim për djallin” dhe “zbritje te fuqitë e errëta”.

Jeta reale: Por, megjithëse të shkruarit te Kafka si te çdo shkrimtar i vërtetë, bën një jetë të pavarur, ne nuk mund të rrimë pa diktuar edhe te “Kështjella”, përjetimet, vuajtjet dhe ngushëllimet e njeriut Kafka. Të vihet re se si bien disa nga personazhet e tij qendrore, në radhë të parë K-ja, në minimumin e ekzistencës, në mjerimin e mjerimit, duke mbetur, megjithatë, brenda një kornize “reale” (në ndryshim nga personazhe të tjera të prozës kafkiane, si p.sh. nëpunësi-insekt Gregor Zamza te “Shndërrimi”, ose majmuni-njeri te “Letër akademisë” që kapërcejnë përtej kufirit realist). Kështu e zëmë, K-ja e fillon jetën në fshat me njëfarë statusi: ka të drejtë të ketë një dhomë në Bujtinën e Urës, po pastaj prej andej detyrohet të strehohet në një shkollë, të flejë me të dashurën dhe dy ndihmësit e tij në një qosh të improvizuar të një klase, kurse në fund të romanit, duket se pajtohet me ofertën e Pepit për t’u rrasur, fshehurazi, në dhomën e tri shërbyeseve, ku shtretërit – më shumë sesa me shtretër normalë – ngjajnë me raftet e një dollapi… Edhe qortimet e vazhdueshme që pëson K-ja në rrugën e tij, gjithë ato të meta, paturpësi, poshtërsi që i vihen në dukje, na kujtojnë lajtmotivin e përhershëm të K-së, birit të dëbuar, të larguar nga vatra, të tëhuajtur, që gjithmonë duhet ta brejë ndërgjegjja për kushedi çfarë gabimesh, një kompleks që e ka gjetur zbërthimin më të hollësishëm, përveçse te tregimet emblematike “Dënimi” e “Shndërrimi” te Letra e gjatë drejtuar babait. Në botimin e vitit 1951 (Frankfurt A. M., f. 481) Max Brodi dëshmon se sipas fjalëve të Kafkës romani do të përfundonte me vdekjen e K-së në kohën që i vjen lajmi nga Kështjella se ishte miratuar për të leja e qëndrimit. Në këtë mënyrë edhe kjo vepër sikurse dhe “Procesi” ose “Shndërrimi” ose “Dënimi” ose “Artisti i urisë” etj., do të përfundonte me vdekjen e protagonistit si fund për një makth të pafund. Vetëm se në këtë rast vdekja nuk na duket shumë si mbyllje logjike e zhvillimit të romanit. Ajo që tentohet, ajo që tundon protagonistin nga fillimi në fund është zhbirimi i Kështjellës, afrimi tek ajo, zbulimi i misterit të saj. Mirëpo në vend që të afrohet, ky zbulim largohet gjithmonë e më shumë, gjithmonë e më i pamundshëm duket afrimi i K-së në Kështjellë. Nëqoftëse në fillim ai merrte letër të drejtpërdrejt nga Klami, komunikonte me kryeplakun, komunikonte me Fridën, këta në njëfarë mënyrë ishin shumë më pranë Kështjellës sesa personazhet e mëpasshme Barnabasi, Olga, Pepi, Lazemani që janë gjithmonë e më të dobëta, gjithmonë e më të pashpresa ura drejt saj. Në këtë kuptim romani duket sikur as që ka nevojë për një fund pasi fundi është i dhënë në lëvizjet e dy përbërësve kryesorë: Kështjellës, gjithmonë e më shumë drejt misterit, K-së, gjithmonë e më pa shpresë për të hyrë ndonjëherë në të.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.