Romantikja | Patricia Highsmith

Published on

in

, ,

Kur mamaja e Izabela Krejnit ndërroi jetë nga një sëmundje që i solli rrotull nëpër spitale dhe në prag të fundit i mbylli në shtëpi, Izabela mendoi se jeta e saj do të ndryshonte rrënjësisht. Ajo ishte njëzetetre vjeç dhe që në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, atëherë kur shumë nga moshatarët e saj nisën katër vitet e universitetit, Izabela qëndroi në shtëpi… dhe në punë sigurisht, për të ndihmuar me ekonominë e shtëpisë. Dashuriçkat dhe festat kishin qenë të rralla. Vetëm një herë ra në dashuri, ose një herë e një çikë, nëse përfshinte edhe atë që e konsideronte një aventurë prej adoleshenteje me një burrë të martuar, i cili ishte mjaft i gatshëm të kishte një marrëdhënie, por Izabela u tërhoq, duke menduar se ishte një rrugë pa krye. I dashuri i parë nuk ishte aq i dhënë pas saj, por ama ai kishte jetuar shumë gjatë në ndjenjat e Izabelës, për më shumë se një vit.
Megjithatë, gjashtë javë pas funeralit të mamasë, Izabela kuptoi se jeta e saj nuk kishte ndryshuar shumë. Kishte fantazuar gjallëri, festa në apartament, rini. Epo sigurisht, kjo mund të ndodhte. Kishte humbur kontakte me shumë nga miqtë e vjetër të gjimnazit, pasi ata ishin martuar apo shpërngulur dhe tani nuk dinte si të rilidhej me shumicën prej tyre. Por bota ishte plot me njerëz.
Madje as apartamenti në rrugën “Uest 55” nuk kishte ndryshuar dhe iu kujtua, teksa mamaja ishte akoma gjallë, imagjinonte të ndryshonte perdet e mërzitshme ngjyrë kremi në të kuqerremtë, tani të zverdhura nga koha, dhe të hiqte qafe ato dreq “ulësesh” të vogla, siç i quante e ëma, që bllokonin hapësirën dhe dukeshin si nga 1940-a apo nga qëmoti. Këto ishin pupa prej druri, pa krahë dhe pa mbështetëse, në të cilat nuk ulej kurrë njeri, sepse dukeshin si tavolina dhe ishin shumë delikate. Pastaj aty ishin dhe librat e vjetër, nuk ishin as klasikë, dhe zinin më shumë se gjysmën e dy rafteve (ose të vendoste libra më të mirë ose të paktën më të rinj). Izabela mendoi t’i flakte dhe të krijonte hapësirë për ndonjë kinkaleri ose statujkë apo diçka tjetër, siç kishte parë plot nëpër revista: fotografi mjaft tërheqëse të dhomave të ndenjës. Por pas javësh e javësh, shumë pak nga këto ishin bërë, perdet sigurisht që jo, dhe Izabela zbuloi se nuk mund të dhuronte as edhe një ulëse, pasi askush nuk kishte interes për to. Të paktën, rrobat dhe çantat e mamasë ia kishte dhuruar Ushtrisë së Shpëtimit.
Izabela punonte si sekretare në firmën “Ueiler dhe Digs”, një agjenci imobiliare e specializuar për ambiente zyrash në zonën e Manhatanit dhe Kuinsit. Daktilografinë dhe stenografinë i kishte mësuar në vitin e fundit të gjimnazit. Punonin dhe katër sekretare të tjera, por vetëm Izabela dhe dy të tjera, Prishila (Prisi) dhe Valeria, ndërronin turne një herë në javë për të qëndruar në hollin hyrës sepse ishin më të reja dhe më të bukura se dy sekretaret e tjera. Kështu tha një ditë Prisi, e cila ishte shumë fjalamane, dhe Izabela mendonte se ishte e vërtet.
Prisi Kuperman do të martohej brenda dy muajve dhe të fejuarin e kishte takuar gjatë një turni në recepsion. Recepsioni ishte vendi i përkryer për të takuar njerëz, meshkuj në karrierë, kështu thoshin të gjitha vajzat. Tetëdhjetë përqind e klientelës së “Ueiler dhe Digs” ishin meshkuj. Një vajzë mund të hedhë hapin e para, ta shoqërojë burrin në zyrën që dëshiron dhe kur të largohet, ta pyeste nëse vizita ishte e suksesshme dhe t’i thotë “Unë quhem Prisi (apo kushdo qoftë) dhe nëse keni nevojë për ndonjë shërbim të posaçëm apo të dërgoni një mesazh, unë do të bëj ç’është e mundur që të kryhet.” Prisi kishte bërë diçka të tillë ditën që hyri Xhefi i saj.
Valeria, vetëm njëzet vjeç dhe më e shpenguar se Prisi, kishte pasur disa takime me djemtë që kishte takuar në punë. Nuk ishte gati për martesë, thoshte ajo, dhe përveç kësaj, e kishte një të dashur fiks të cilin e pëlqente. Izabela kishte provuar të njëjtat taktika, shoqëronte djemtë në zyrën që ata kërkonin, por deri tani nuk kishte pasur asnjë takim. Ajo do të donte me gjithë shpirt një “shoqërim të dytë” siç e quante ajo, me dikë nga këta djem, të cilët mund të merrnin në telefon dhe të kërkonin Izabelën. Ëndërroi ta ftonin për darkë, mundësisht në një vend ku mund të kërcehej. Izabelës i pëlqente kërcimi.
– Duhet të jesh pak më… e gjallë, – i tha Valeria një ditë, kur ishin në tualet. – Ndonjëherë, dukesh shumë serioze, Izabela. E di që i largon meshkujt?
Duke lyer buzët përballë pasqyrës ishte dhe Prisi dhe të dyjave i shpëtoi një buzëqeshje, iu bashkua dhe Izabela. Ajo e mori atë vërejtje, ashtu si çdo vërejtje tjetër, seriozisht. Do të përpiqej të dukej më e shpenguar, njësoj si Valeria. Njëherë vajzat kishin komentuar për bluzën që ajo mbante veshur. Kjo ndodhi fill pas vdekjes së mamasë. Bluza ishte e purpurt dhe e bardhë me jakën me pala dhe bustin me fruta. Vajzat e kishin cilësuar si “shumë demode” dhe mbase ashtu ishte, edhe pse Izabela pati menduar se e bënte të dukej ekstravagante. Sidoqoftë, ajo nuk e veshi më. Ajo e kuptonte që vajzat kishin synime të mira, sepse e dinin që pesë vitet e kaluara kishin qenë sfilitëse, duke u kujdesur për mamanë, sidomos pa ndihmën e kurrkujt. Babai i Izabelës vdiq nga një infarkt kur ajo ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç dhe fatmirësisht, kishte siguruar jetën, por jo mjaftueshëm për të punësuar një infermiere personale që të vinte herë pas here, apo me kohë të pjesshme.
Izabelën e merrte malli për babain. Ai kishte qenë rrobaqepës dhe punëtor në një pastrim kimik dhe kur u shfaq sëmundja e mamasë së Izabelës, filloi të punonte me orare të zgjatura, duke ditur se sëmundja do të ishte një kalvar i gjatë dhe i kushtueshëm. Izabela ishte e sigurt se prej kësaj ai pësoi një infarkt. Babai i saj, një burrë i shkurtër me flokë të errët në gri dhe me sjellje modeste, të cilën ajo e adhuronte, kthehej i kërrusur nga lodhja rreth orës dhjetë të natës, por gjithmonë i zgjaste krahët përpara, i buzëqeshte dhe e pyeste “Si është vajza ime e preferuar sonte?” Ndonjëherë, vendoste duart lehtësisht mbi shpatullat e saj dhe i puthte faqen, por ndonjëherë nuk e bënte, sikur edhe për këtë ishte mjaft i lodhur, ose sepse mendonte se asaj nuk i pëlqente.
Sa për jetën sociale, Isabela kuptoi se nuk kishte përparuar shumë që nga mosha shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë vjeçare, tek-tuk disa takime me djem që i kishte takuar përmes njohjeve të gjimnazit, për më tepër gjimnazi i saj kishte qenë vetëm për vajza. Izabela nuk mendonte se ishte e bukur, ndoshta, por as e shëmtuar nuk ishte. Ajo ishte një metër e gjashtëdhjetë e shtatë centimetra, me flokë gështenjë të hapur me dredha, të cilat mund të rregulloheshin lehtësisht dhe shpejt. Ajo kishte një fytyrë të pastër, sy ngjyrë kafe (edhe pse do të donte që sytë të ishin pak më të mëdhenj), dhëmbë të rregullt dhe një hundë mesatare, e cila ngrihej paksa përpjetë. Sigurisht, prej shumë kohësh kontrollohej për cenet e zakonshme, si era e keqe e trupit apo e gojës, ose qime në trup. Me shumë rëndësi, këto vogëlsira!
Fill pas komentit të Prisit mbi pamjen e saj shumë serioze, Izabela shkoi në një festë në Bruklin që e organizonte një nga shoqet e saj të gjimnazit, e cila do martohej dhe u përpoq me gjithë shpirt të ishte e lirshme dhe sociale. Aty ishte një djalë i ri mjaft tërheqës, i quajtur Çarls Grem, ose Grehëm, i gjatë dhe me flokë të drejtë, me një buzëqeshje të ëmbël dhe pak i ndrojtur. Ajo bisedoi me të për disa minuta dhe do të gëzohej shumë nëse ai do ta ftonte për një takim të ardhshëm, por nuk e bëri. Më vonë, qortoi veten që nuk e ftoi Çarlsin në një festë apo për një drekëz, të dielën në apartamentin e saj.
Këtë bëri, pak a shumë një javë më vonë, ftoi Harietën, mikpritësen e festës në Bruklin dhe të fejuarin e saj, dhe i kërkoi të ftonin Çarlsin, meqë mund të lidheshin me të. Kështu u bë, Çarlsi dha fjalën se do të vinte dhe më pas nuk erdhi ose nuk mundi. Drekëza e Izabelës shkoi mirë me vajzat e zyrës (të gjitha përveç njërës që nuk mund të vinte), por përpjekjet e saj nuk u shpërblyen me një partner dhe as drekëza nuk e lidhi me një mashkull.
Izabela lexonte shumë. I pëlqenin romanet e dashurisë me fund të lumtur. Që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare lexonte romanca dhe që nga vdekja e mamasë, meqë kishte më shumë kohë, lexonte tre ose katër romane në javë. Shumicën e merrte nga biblioteka publike, ndërsa disa i blinte me çmim të lirë. Në mbrëmje, më shumë se sa dramat televizive, preferonte të lexonte romane dashurie. Romane të tëra me përshkrime peizazhesh dhe me detaje të shtëpive e çonin në një botë tjetër. Historitë e dashurisë ishin më shumë si një drogë dhe ashtu siç ndodh me çdo varësi, ajo priste me padurim mbrëmjet që të zhytej në divanin e dhomës ku e priste thesari i saj fundit. Por librat janë të padëmshëm, mendonte Izabela. Sigurisht që nuk ishte hashash apo kokainë, të cilat ndonjëherë Prisi thoshte se i konsumonte nëpër festa. Në këto romane, Izabela pëlqente takimet e para të vajzës dhe djalit, tërheqjen magnetike ndaj njëri-tjetrin, pengesat që duhet të kapërcenin, që më në fund të bashkoheshin. Ndodhitë e tmerrshme ia tensionin trupin dhe mendjen, por në fund, çdo gjë përfundonte mirë.
Një ditë prilli, një djalosh i gjatë dhe i pashëm me flokë të zinj hyri me hapa të mëdhenj në hollin e “Ueiler dhe Digs”, edhe pse Izabela nuk ishte në recepsion atë ditë. Ishte Valeria. Izabela mbante ngarkuar një grumbull të rëndë me letra të fotokopjuara, thuajse katër kile e gjysmë dhe kalonte përmes hollit. Ajo pa qerpikët me rimel të Valerias të përpëliten, buzëqeshjen t’i zgjatej, teksa shikonte djaloshin, dhe i tha “Mirëmëngjes, zotëri! Si mund t’ju ndihmoj?”
Si çdo herë tjetër, një minutë më vonë, djaloshi u gjend në zyrën e zotit Digs, ku Izabela po vendoste fotokopjet. Dhe zoti Digs tha:
– …në një zyrë tjetër. Isabela? Mund të marrësh nga dosja A-6 zonën gjashtë? A është e lirë?
– Po zotëri, është këtu. Një nga këto.
Izabela nxori nga fundi i grumbullit me fotokopje dosjen e kërkuar nga z. Digs.
– Faleminderit, e dashur, – tha z. Digs.
Izabela u nis me sytë ngulur derës, por i rrëshkitën dhe u takuan me të djaloshit për një çast dhe ndjeu një rrëqethje t’i shkonte tej e tej. Çfarë kuptimi kishte? Izabela hapi dhe mbylli derën me kujdes.
Në më pak se pesë minuta, Z. Digs e thërriti përsëri. Duheshin fotokopjuar dy faqe nga dosja. Izabela bëri kopjet dhe ia solli. Këtë herë djaloshi nuk ia hodhi shikimin, por Izabela ia ndiente praninë, shpatullat e gjera nën xhaketën elegante blu të errët.
Izabela hëngri drekën si e trullosur. Bashkë me të, ishin dhe Valeria dhe Linda (një nga sekretaret jo dhe aq të bukura).
– Kush ishte ai Tarzani që erdhi sot në mëngjes? – pyeti Linda me një buzëqeshje prej mistreceje, sikur nuk i interesonte fare. I ishte drejtuar Valerias.
– Edhe ç’Tarzan se! Ai duhet të jetë aktor në vend të “çfarëdo gjëje që bën”.
Valeria qeshi nën hundë.
– Emri i tij është Dadli Holl. Dadli. Merre me mend.
Dadli Holl! Papritmas, djaloshi i gjatë kishte një identitet. Emri i tij dukej sikur ishte shkëputur nga romanet që ajo lexonte. Izabela nuk pipëtiu.
Në mesditë, Dadli Holl u kthye. Izabela nuk e pa kur erdhi, por kur u thërrit në zyrën e z. Digs, ai ishte aty. Z. Digs shtoi detaje të tjera për hapësirat e zyrës në bulevardin Leksigton, për të cilat ishte i interesuar z. Holl. Kjo punë zgjati thuajse një orë. Z. Holl hyri bashkë me të në një zyrë (që përdorej nga sekretaret, por tani ishte bosh) dhe Izabelës iu desh të bënte katër telefonata për z. Holl, të cilat i kreu me mirësjellje dhe me durim, duke mbajtur shënim me kujdes informacionet që merrte për kushtet e dyshemeve dhe mureve, si dhe orarin kur mund të kryheshin vizitat dhe kush i mbante çelësat. Teksa zoti Holl fuste në xhep të dhënat, i tha: – Jeni shumë e sjellshme, zonjusha…
– Izabela. – turpshëm tha ajo. – E sjellshme, jo. Është detyra ime. Izabela Krejn quhem. Nëse keni nevojë për të tjera informacione, ose ndonjë gjë tjetër, kërkoni për mua.
Ai buzëqeshi:
– Atë do bëj. Mund t’i telefonoj ortakut tim tani?
– Sigurisht që po! Vazhdoni. – thotë ajo dhe bën me gisht një telefon mbi tavolinë. – Mund të përdorni këtë telefon.
Izabela ngurronte, drejtonte letrat mbi tavolinë, në pritje të një pyetje të mundshme ose një kërkesë nga zoti Holl për të shënuar diçka. Por ai po caktonte një datë me ortakun e tij, të cilin e quante A1, për t’u takuar pas një orë e gjysmë në rrugën Leksigton. Zoti Holl u largua.
A e vuri re ndopak? Pyeste veten. Apo ishte thjesht një tjetër sekretare mes dhjetëra sekretareve që ai kishte parë së fundmi? Thuajse besonte se kishte rënë në dashuri, por dashuria ishte e rrezikshme, e në të njëjtën kohë një ndjesi e bukur: në të vërtetë, mund të mos e shikonte më Dadli Hollin.
Nga mesjava tjetër, situata kishte ndryshuar. Zoti Dadli u kthye disa herë në zyrat e “Ueiler dhe Digs” për disa çështje ligjore. Izabela u thërrit çdo herë sepse tani e njihte çështjen. Ajo shkroi letra dhe mbajti shënime të sakta dhe të qarta, që ia dorëzoi Dadli Hollit dhe Albert Frënejit.
– Të kam një pije borxh… ose një darkë, – tha Dadli Holl me buzëqeshjen e tij marramendëse. – Sot nuk mundem, si thua për nesër? Është një birrari këtu poshtë. Bëjnë biftek të mirë, i kam provuar. Si thua rreth orës gjashtë ose kurdo që mbaron punën? Apo mos është shumë herët?
Izabela sugjeroi orën gjashtë e gjysmë, nëse ai s’e kishte problem.
Ra mbi re, në një botë tjetër, e personazhi kryesor ishte ajo. Nuk ia përmendi takimin Valerias apo Prisit, të cilat këto ditët e fundit kishin komentuar mbi “devotshmërinë” e saj ndaj Dadli Hollit. Izabela caktoi orën 18:30 në mënyrë që të kishte kohë të ndërrohej përpara se të shkonte në birrari. Shkoi në shtëpi dhe u sorollat aq shumë për makijazhin e fytyrës, sa iu desh të merrte një taksi deri në vendtakim.
Priste t’i shfaqej Dadli Holl duke pritur pranë derës, brenda ose mbase në banak, por ai nuk ishte aty. As në ndonjë tavolinë. Hodhi shikimin përreth. Jo! Pasi vari pallton e saj të lehtë, iu drejtua banakut dhe gjeti një vend, vetëm sepse dikush ia liroi, duke thënë se për të nuk ishte problem qëndrimi në këmbë. Ky po fliste me një mik pranë një stoli të gjatë. Izabela i tha banakierit se po priste dikë dhe nuk do qëndronte gjatë aty. Ajo hidhte shikimin nga dera sa herë që hapej dhe kjo ndodhte çdo 15 sekonda. Në shtatë e njëzet, porositi një skoç dhe një pije të gazuar. Kishte mundësi që Dadli po punonte akoma ose kishte vështirësi të gjente një taksi. Ai do t’i kërkonte falje pafundësisht, e ajo do t’i thoshte se ishin të panevojshme. Izabela kishte rregulluar apartamentin, dhe makineta e kafesë ishte pastruar dhe gati, në rast se ai do të pranonte ftesën e saj në fund të mbrëmjes për t’u ngjitur lart për një kafe. Kishte dhe konjak, edhe pse nuk e pëlqente.
Jepej muzikë e lehtë, me këngët e vjetra të Kol Portërit. Zërat dhe të qeshurat përreth e mbushën me gëzim dhe era e biftekut të freskët të skarës i ngjalli uri. Dekori ishte me dru të vjetër të murrmë dhe me tunxh të lustruar, “burrëror, por romantik” mendoi Izabela. Kontrolloi paraqitjen në pasqyrën prapa rreshtit me shishet e ngjeshura alkoolike. Kishte veshur fustanin më të mirë, të shkurtër e të zi, me jakë V, një zinxhir të hollë floriri që e kishte trashëguar nga mamaja dhe vathë me gur nefriti. Flokët i kishte larë herët në mëngjes dhe dukej më së miri. Një çast, mendoi, duke vështruar përsëri derën, Dadli do të hynte furishëm, do e kërkonte në turmë, do ia ngulte sytë dhe do të buzëqeshte ndërsa ajo e përshëndeste me dorë.
Kur Izabela pa orën, kishte shkuar më shumë se 7:30. Një tronditje e dhimbshme e përshkoi, thuajse u shemb në ngashërim. Deri tani, kishte besuar se ishte thjesht pak me vonesë, që një kamerier do të thërriste “Zonja Krejn?” e do t’i thoshte se zoti Holl do të vinte nga minuta në minutë, por papritmas kuptoi se ai mund të mos vinte fare. Tani po pinte skoçin e dytë, të cilin po e gjerbte ngadalë që ta zgjaste sa më shumë, i kishte mbetur edhe gjysma.
– Po prisni dikë? T’ju qeras me një pije ndërkohë? – e pyeti dikush i ulur në të majtë, në anën e kundërt të derës, shikimin e ngulët të të cilit kishte kohë që e ndiente.
– Jo, faleminderit! – përdrodhi buzët Izabela dhe hodhi shikimin tutje. I njihte këta tipa: ujq të vetmuar në kërkim të një kafshate të shpejtë, një nate të shpenguar, të pavlerë. Përshëndetje dhe mirupafshim! As që ia vlente!
Në tetë pa pesë, Izabela pagoi pijet e saj dhe u nis. Mendoi se priti mjaftueshëm. Ose Dadli Holl nuk donte të takohej me të ose kishte ndodhur një aksident. Fantazoi një këmbë të thyer nga një rrokullimë nëpër shkallë, një sulm grabitqar në rrugë që e kishte lënë pa ndjenja. Veçse e dinte se këto mundësi nuk kishin gjasa.
Ditën tjetër, Dadli Holl telefonoi për të kërkuar falje. Kishte ngecur në një takim me ortakun e tij dhe dy kolegë të tjerë nga ora gjashtë deri rreth orës tetë dhe e kishte pasur të pamundur të shkëputej qoftë edhe për një telefonatë dy minutëshe, dhe se i vinte shumë keq.
– Oh, nuk ka rëndësi. Të kuptoj. – tha me mirësjellje Izabela. Ajo kishte bërë prova për fjalët që do i thoshte, në rast se ai do të telefononte.
– Mendova se rreth orës shtatë e tridhjetë me siguri do ishe larguar, ndaj nuk tentova të telefonoj në birrari.
– Po, isha larguar. Mos u shqetësoni.
– Epo… mbase, një herë tjetër. Kërkoj ndjesë për natën e shkuar, Izabela!
E mbylli, duke e lënë Izabelën të tronditur, pa e kuptuar si kaluan ato pak sekonda deri sa telefonata u mbyll, aq shpejt.
Mëngjesin e të dielës së ardhshme, Izabela shkoi në muzeun Metropolitan për të kaluar kohën, më pas bëri një shëtitje qetësuese në Central Park. Ishte mëngjes vere me diell. Njerëzit kishin nxjerrë qentë. Mamatë dhe infermieret – gra me uniforma, dado të familjeve të pasura – shëtisnin me karrocat me fëmijë ose uleshin në stola duke biseduar, me karrocat të kthyera nga dielli që fëmija të merrte sa më shumë rreze. Sytë e Izabelës hidheshin sa nga pemët, që aq i pëlqente t’i kundronte, sa nga foshnjat dhe fëmijët që mësonin të hidhnin hapat e parë, duke shtrënguar fort duart e mamasë ose babait.
Mendonte se Dadli Holl nuk do e merrte më në telefon. Fare thjeshtë mund ta merrte ajo dhe ta ftonte për një drekëz të dielën ose thjesht një pije në apartamentin e saj. Por kishte frikë mos dukej shumë e dëshpëruar, se mos po e kërkonte me ngulm.
Dadli Holl nuk erdhi më në zyrë sepse nuk kishte më nevojë. Megjithatë, takimi me të kishte qenë drithërues, këtë s’e mohoje dot. Ato pak orë kur mendoi se kishte një takim me të – në fakt, ajo e pati – kishin qenë më të lumturat, kishin kaluar si në ekstazë, si kurrë ndonjëherë për aq sa mbante mend ajo. Këtë ndjesi e kishte provuar paksa kur lexonte një roman të mirë dashurie, por takimi ishte i vërtetë. Dadli kishe pasur dëshirë të vinte, ajo ishte e sigurt. Edhe pse mund të ishte treguar më i sjellshëm kur telefonoi, por Izabela ishte e bindur se kishte qenë vërtetë i ngarkuar.
Në netët e saj të vetmuara, duke bërë punët e përditshme të shtëpisë, si larja dhe nderja e rrobave, Izabela rijetonte ato minuta në birrari, kur dukej aq tërheqëse dhe priste Dadlin të hynte nga sekonda në sekondë. Ishte magjike! Magji e zezë! Nëse përqendrohej, ose kur ndonjëherë nuk e bënte, një drithërimë i kalonte nëpër trup teksa imagjinonte trupin e tij të gjatë, sytë e tij në kërkim të syve të saj kur shfaqej në derën e birrarisë.
Eva Ruso, një shoqe e së ëmës, telefonoi një mbrëmje dhe këmbënguli që të kalonte nga shtëpia sepse sapo kishte përgatitur një sauerbraten dhe donte që t’i jepte pak Izabelës. Nuk mundi të refuzonte, pasi Eva jetonte fare pranë dhe mund të vinte në këmbë deri në shtëpinë e saj dhe përveç kësaj, ajo e kishte ndihmuar aq shumë me mamanë, sa ndihej në borxh. Eva erdhi me një tigan të rëndë me vete.
– E mbaj mend që të pëlqente shumë sauerbrateni, Izabela. A po ushqehesh mirë, bija ime? Dukesh pak e zbehtë.
– Vërtet? Nuk ndihem fare e zbehtë. – Izabela buzëqeshi.
Sauerbrateni ishte ende i ngrohtë dhe lëshonte aromën e shijshme të mishit të lopës të gatuar ngadalë e të përzier me xhinxher.
– Kjo duket e mrekullueshme, Eva! – thotë me siguri Izabela.
Vendosën mishin në një enë tjetër, që Eva të merrte tiganin me vete. Izabela e lau tiganin e madh në lavaman. Më pas, i ofroi një gotë verë Evës, që kjo gjithmonë e shijonte.
Eva ishte rreth gjashtëdhjetë vjeç dhe kishte tre fëmijë të rritur, të cilët nuk jetonin me të. Nuk kishte punuar asnjëherë, por mund të bënte shumë gjëra, si: punë hidraulike, thurje, riparime elektrike, gjithashtu merrte vesh pak nga infermieria dhe mund të bënte injeksione. Gjithashtu, ishte shumë e dashur, ose kështu mendonte Izabela. Kishte flokë të errët me onde, tani thuajse gri, ishte pak e kolme, por vishej sikur nuk i interesonte se si dukej, për aq kohë sa mbulohej. Tani ajo uroi Izabelën për apartamentin e rregullt.
– Me siguri je e lumtur që nuk ka më oturakë! – thotë Eva duke qeshur.
Izabela rrotulloi sytë dhe nxori një buzëqeshje, as nuk donte të mendonte për oturakët. Të dy i kishte hedhur shumë kohë më parë.
– Po del mjaftueshëm? – pyet Eva, mbështetur në karrige me verën në dorë. – Mos je e vetmuar?
Izabela e siguroi se nuk ishte.
– Teo vjen të dielën për drekë, do të vij bashkë me një koleg nga zyra. Eja për drekë nga ne, Izabela! Rreth orës një. Nuk do ketë sauerbraten. Do gatuaj diçka tjetër. Do të të bëjë mirë e dashur, dhe është vetëm dy hapa larg.
Teo ishte i biri i Evës.
– Unë do të… Sa e mirë që je, Eva!
– Mirë? – Eva u ngrys. – Të pres! – thotë me vendosmëri.
Izabela nuk shkoi. Të dielën në mëngjes, mori guximin dhe rreth orës dhjetë telefonoi Evën për t’i treguar një gënjeshtër të vogël, edhe pse nuk i pëlqente ta bënte. I tha se kishte disa dosje nga puna që duhej t’i mbaronte, edhe pse nuk kishte shumë punë, mendonte se ishte më mirë mos ta ndërpriste në gjysmë. Do kishte qenë më mirë t’i thoshte që nuk ndihej mirë, apo se ishte ftohur, por e dinte se Eva do t’i vinte në shtëpi me ndonjë lloj ilaçi apo supë të nxehtë.
Të dielën pasdite, Izabela shikoi apartamentin me një vendosmëri të re dhe me qetësi. Kishte aq shumë mbetje të mamasë për t’u flakur, gjëra të vogla si shaje të vjetër, që ajo nuk do t’i vishte kurrë. Zhvendosi divanin në anën tjetër të dhomës, afër dritares dhe vendosi një ulëse mes dritares dhe divanit, duke e kthyer në tavolinë, funksion më i përshtatshëm për atë objekt dhe Isabela u ndje keq që nuk e kishte menduar më parë. “Ulëse” nuk ishte as emri i saktë, Izabela aksidentalisht gjeti kuptimin kur po kërkonte diçka tjetër. Një ulëse kishte mbështetëse dhe ishte më e gjatë. Një zakon i çuditshëm i mamasë, nga shumë të tjerë që kishte. Ripozicionimi i kanapesë, së bashku me tavolinën dhe kolltukun e bënë dhomën e ndenjes të dukej më e madhe dhe më të çelur. Izabela mendoi sa me fat ishte që kishte një apartament me tri dhoma. Gjendej në një ndërtesë të vjetër dhe qiraja ishte rritur fare pak në pesëmbëdhjetë vitet e fundit që kur familja e saj banonte aty. Me qiranë që paguante, këto ditë ishte e vështirë të gjeje një apartament me një dhomë dhe një kuzhinë të vogël. Izabela ishte e lumtur sepse kishte bërë plane për darkën e të shtunës.
Plani i saj, qëllimi i saj, i dha një gjendje shpirtërore të mirë të gjithë pasditen, edhe pse qëllimisht nuk e kishte menduar shumë gjatë ditës. I tha vetes merre me qetësi. Rreth orës pesë, vendosi kasetën e preferuar të Sinatrës dhe kërceu me veten.
Në orën shtatë, gjendej në një lokal të madh dhe të rehatshëm, në bulevardin Siks. Veshi përsëri fustanin e lezetshëm të zi me jakë V, një varëse me rruaza nefriti, ose më mirë me gur të gjelbër, pa vëth. Bëri sikur kishte një takim në orën 7:30, jo domosdoshmërisht me Dadli Hollin, por me dikë tjetër. U ul përsëri në banak dhe porositi një skoç dhe një pije të gazuar, e gjerbte ngadalë, teksa hidhte shikimin, herë pas here, nga dera. Gjithashtu, shikonte me qetësi edhe orën që mbante në dorë. Ishte e vetëdijshme që askush nuk do vinte në takim me të, por të paktën tani mund të hidhte sytë nga turma e qejfit me një ndjesi indiferentizmi, pa ankthin e mëparshëm, njësoj sikur të ishte një nga ta. Madje, mund të bisedonte me atë tipin sipërmarrës, ulur në stolin pranë saj (edhe pse nuk e pranoi ftesën e tij për një pije) duke u justifikuar se po priste dikë. As nuk ndihej në siklet apo e vetmuar, siç ishte ndierë herën e fundit në birrari. Gjatë pijes së dytë, fantazoi për djalin që do t’i vinte në takim: këtë herë do të ishte flokëverdhë, rreth tridhjetë e katër vjeç, i gjatë dhe sportiv, me një fytyrë paksa të ravijëzuar nga mprehtësia e erërave të ftohta teksa rrëshkiste me ski. Duart do t’i kishte të mëdha dhe do të ishte tip skandinav. Për këtë tip mashkulli po kërkonte kur hodhi shikimin përsëri nga dera dhe pa fytyrat e tre apo katër burrave që po hynin në birrari. Izabela e ndjente se disa njerëz afër saj e kishin kuptuar, edhe pse pa interes, se ishte në pritje të dikujt. Kjo e bënte të ndihej më e çlirët, sikur të ishte në banak vetëm fare, ashtu siç ishte në fakt.
Në tetë pa çerek, u largua e lumtur, por edhe me një padurim të lehtë, të cilin e përformonte për çdo shikues, thua sikur kishte humbur çdo shpresë se personi që po priste do të vinte.
Sapo mbërriti në shtëpi, u vesh me rroba më të rehatshme dhe ndezi TV-në për pak minuta, ndihej e çlodhur dhe e lumtur, sikur kishte kishte kaluar një natë të gjatë nën shoqërinë e alkoolit. Përgatiti pak darkë, më pas kapi me grep fijen e një fundi dhe përsëri ishte herët të shtrihej e të përpinte disa faqe nga romani që po lexonte, “Një zemër e prangosur”.
Valeria tha se dukej më e lumtur. Izabela nuk ishte e vetëdijshme, por i bëhej qejfi kur e dëgjonte. Kohët e fundit, ishte më e lumtur. Tani dilte më shpesh…sigurisht vishej bukur…dy herë në javë në takimet e saj imagjinare, siç edhe kishte qejf t’i quante. Ç’të keqe kishte? Nuk porosiste më shumë se dy pije, nuk harxhonte më shumë se gjashtë ose shtatë dollarë nata, pra ishte një mënyrë zbavitjeje, por pa shumë shpenzime. Ajo kishte një kujtesë të mjegullt të meshkujve me të cilët kishte pasur takime imagjinare javët e shkuara, po aq të mjegullt sa fytyrat e vajzave që kishte njohur në gjimnaz, të cilat i kujtonte me vështirësi kur shikonte albumin e maturës, sepse shumica e tyre iknin e vinin ose braktisnin shkollën, një shkollë plot e përplot me vajza. Tipat skandinavë dhe burrat mulat, pak a shumë si Dadli Holl e tërhiqnin dhe ajo fantazonte që pas pijeve, kalohej në një darkë dhe më pas, mbase ajo i ftonte në apartamentin e saj. Sigurisht, mund të kishte takime të dyta me të njëjtin mashkull. Kurrë nuk i imagjinonte të flinin me të, edhe pse meshkujt mund ta kishin shfaqur këtë dëshirë.
Një të diel, Izabela ftoi për drekë Eva Rusonë. Kishte përgatitur proshutë të ftohtë, sallatë me patate, si dhe verë të bardhë, të mirë, të ftohtë. Ajo u gëzua, e çmoi dhe tha se ishte e lumtur që po gjallërohej. Izabela e dinte që Eva nënkuptonte se nuk ishte më nën hijen e vdekjes së mamasë. Më në fund, perdet e vjetra i kishte hedhur, nuk donte as t’i mbante si rrecka, me frikën se do t’i kujtonin ditët e zymta, ndaj kishte vënë perde të reja ngjyrë të gjelbërt të hapur në vendin ku qëndronte makina qepëse e mamasë.
– Gjueti të mbarë! – i tha Valeria, teksa largohej për pushime. – Mbase ke ndonjë sekret dashurie tani. Apo jo?
Izabela do t’i merrte pushimet e fundit, ndaj shkonte akoma në zyrë.
– Vetëm aty e ke mendjen ti? – iu përgjigj, por e ndjeu nxehtësinë t’i ngjitej deri te faqet, a thua sikur kishte një të dashur sekret, identiteti i të cilit do të zbulohej kur t’i ftonte në festën e fejesës.
– Kalofsh bukur me Roxherin! – Valeria po shkonte për pushime me të dashurin e saj, me të cilin tani po bashkëjetonte.
Katër ditë përpara se të merrte pushimet dyjavore, Prisi që ndodhej në recepsion, i tha se e kërkonin në telefon. Izabela u përgjigj në zyrën tjetër.
– Uilli, – tha zëri. – Më mban mend? Uillbur nga Nebraska? – qeshi.
Papritmas, Izabelës i erdhi në mendja imazhi i një burri rreth të tridhjetave, jo shumë i gjatë, jo shumë i pashëm, i cili kishte ardhur në zyrë para pak ditësh dhe kishte gjetur zyrë për biznesin e tij. Iu kujtua se i kishte thënë, kur i kishte dhënë emrin për ta mbajtur shënim; – Pikërisht Uillbur. Asnjë nuk quhet më Uillbur dhe asnjë nuk vjen nga Nebraska, por unë po. Izabelës mezi i doli një “Po.”
– Mirë… Si thua sikur të ftoj për darkë? Si thua të premten mbrëma? Vetëm për të të falënderuar, si thua Izabela?
– J…jo. Sa i sjellshëm që jeni, z. Miller.
– Uilli. Po mendoja për një restorant në qendër. Në rrugën Grinuiç. Quhet “Peshku perandorak”. Të pëlqen peshku? Karavidhet? – përpara se të kthente përgjigje, ai vazhdoi. Më mirë të vinte ta merrte të premten te zyra apo preferonte të takoheshin në restorant?
– Mund të takohemi aty ku doni ju, nëse më jepni adresën.
Ai i dha adresën. Ata ranë dakord për orën shtatë.
Izabela vështroi adresën e restorantit dhe numrin e telefonit, të cilat i kishte mbajtur shënim. Tani, iu kujtua fare qartë Uillbur Mileri. Ai ishte i sinqertë dhe miqësor, ndryshe nga shumica e njujorkezëve dhe në të njëjtën kohë të jepte përshtypjen e një njeriu plot vetëbesim. Ai kërkonte një zyrë me dy dhoma, diçka në lidhje me shpërndarje pjesësh: pjesë elektronike? Nuk kishte rëndësi. Iu kujtua gjithashtu se prania e tij jepte një ndjesi të pazakontë ekuilibri, diçka si miqësore, por edhe emocionuese në të njëjtën kohë. Sa komike! Por ajo as nuk i kishte dhënë ndonjë sinjal. Kishte zbutur ndjenjat dhe ishte bërë më pak formale me të. Ishte Uilli Miler i duhuri? Kalorësi me kalë të bardhë, siç përshkruhej me shaka në romanet e dashurisë që ajo lexonte, me të cilin do të lidhte fatin e saj përgjithmonë.
Deri sa erdhi mbrëmja e së premtes, mendja dhe kujtesa e Izabelës nuk udhëtoi fare drejt pamjes së Uilli Milerit, zërit të tij, edhe pse ajo i mbante mend fare mirë. Të premten, nja dy herë gjunjët iu drodhën, mbase edhe duart.
Rreth orës gjashtë, Izabela u vesh për takimin e saj. Nuk pati të njëjtin përpjekje për pamjen e jashtme, siç bëri me Dadli Hollin. Një fustan pa mëngë, bojëqiell i lehtë sepse mbrëmja ishte e ngrohtë, një pardesy plastike thuajse transparente, meqë ishte parashikuar për shi, një palë sandale të bardha dhe kaq.
Ishte përballë tendës bardhë e blu të “Peshkut Perandorak” në orën shtatë pa pesë dhe hodhi shikimin nëse Uilli ishte mes njerëzve të ulur në tavolinat e trotuarit… mbase ishte duke pritur brenda. Izabela vazhdoi të ecë tutje, pastaj u kthye dhe kaloi përsëri poshtë tendës. Mendoi arsyen e hezitimit të saj. Mos do dukej më interesante nëse vonohej? Jo. Mund të kalonte një mbrëmje të këndshme me Uillin, me një darkë dhe bisedë të mirë, dhe mbase një kafe në apartamentin e saj, mbase jo.
Po sikur ai të mos vinte? Ajo hodhi shikimin përsëri nga restoranti dhe një ngërdheshje nervoze i shpëtoi. Ai do të kishte porositur një pije të dytë dhe hidhte shikimin nga dera, ashtu siç bënte dhe ajo. Ta kuptonte dhe ai se si ndiheshe! Sidoqoftë, nuk kishte asgjë kundra Uill Milerit. Thjesht kuptoi se nuk donte të kalonte mbrëmjen me të, nuk donte ta njihte më mirë. Parandjeu se mund të fillonte një lidhje me të, sepse ishte më e madhe dhe më e mençur dhe do të ishte më e rëndësishme se përvoja qesharake – as nuk e dinte si ta quante atë lidhje që zgjati një natë me dashurinë e saj të dytë, që nuk kishte qenë aq e rëndësishme sa e para, me të cilin as nuk kishte fjetur: i dyti ishte burri i martuar.
Donte të kthehej në shtëpi. Apo nuk donte? E ngrysur, shikoi derën e “Peshkut Perandorak”. Mos duhej të hynte dhe të thoshte “Përshëndetje, Uilli. Më fal për vonesën?” Ose “Më fal, Uilli, por unë nuk dua të të takoj. Preferoj takimet e mia imagjinare,” mund të shtonte.
Kjo ishte e vërteta. Një kalimtar u përplas me të sepse po qëndronte si pykë në mes të trotuarit. Ajo ishte mjaft e vendosur. Do iki në shtëpi, i tha vetes në formë urdhri, dhe u nis në drejtim të shtëpisë së saj dhe meqë ishte veshur mirë, mori një taksi.

Përktheu Anila Balla

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.