Një fëmijë i cili ende nuk i kishte bërë të pesë vjetët dhe që kishte humbur të ëmën mes turmës së pazarit, i afrohet një polici dhe e pyet: “Mos keni parë gjë një zonjë që po ecën pa një fëmijë si unë?”
*
Meri Ho, fëmijë e moshës dy vjeç, po mëson të luajë në errësirë, pasi prindërit e saj, zoti dhe zonja Mej, u detyruan të zgjedhin midis vdekjes së vajzës dhe verbërisë. Të voglës Meri Ho ia kishin nxjerrë sytë në Klinikën Majo, pasi gjashtë nga specialistët më të dëgjuar i kishin dhënë diagnozën: retinoblastomë. Katër ditë pas operacionit, e vogla nisi të thotë: “Mami, nuk po zgjohem dot… Nuk po zgjohem dot”.
*
Është drama e një të zhgënjyeri që vendosi të hidhej nga kati i dhjetë, dhe ndërkohë binte, shihte kah dritaret intimitetin e fqinjëve të tij, tragjeditë e vogla shtëpiake, marrëdhëniet e fshehta të dashurisë, çastet e shkurtra të lumturisë, lajmet që nuk kishin mundur ende të ngjitnin shkallët e zakonshme; kështu që në çastin e përplasjes me trotuarin buzë rrugës, kishte ndryshuar plotësisht konceptin për botën dhe kishte dalë në përfundim se ajo jetë të cilën tashmë po e braktiste përkahera përmes derës së rreme ia vlente të jetohej.
*
Dy eksplorues arritën të strehoheshin nën një kasolle të braktisur, pasi kishin jetuar tri ditë të trishta nëpër dëborë. Në krye të tri ditëve të tjera, njëri prej tyre vdiq. I mbijetuari hapi një gropë në dëborë, rreth njëqind metra prej strehës ku ndodheshin dhe e varrosi. Të nesërmen, megjithatë, pasi u zgjua nga gjumi aq shumë i qetë, e gjeti përsëri brenda kasolles, të vdekur dhe të ngrirë nga akulli, por të ulur si t’i kish ardhur për vizitë mu buzë shtratit. E varrosi përsëri, këtë herë në një varr edhe më larg të parit, por me tu zgjuar ditën tjetër, e gjen përsëri ulur pranë shtratit të tij. Atëherë e humbi durimin. E vërteta e historisë së tij u zbulua prej ditarit që kishte mbajtur gjatë atyre ditëve. Mes shpjegimeve të shumta që u përpoqën të gjenin, njëri syresh dukej të ishte më i besueshmi: i mbijetuari qe prekur aq shumë nga vetmia, saqë çgroposte somnambul kufomën të cilën e varroste kur ishte zgjuar.
*
Toga e pushkatimit e nxori prej qelisë gjatë një agimi të ftohtë dhe të gjithë duhej të ecnin mespërmes fushës me dëborë për të mbërritur në vendin e ekzekutimit. Rojat veshur civilë, edhe pse mbroheshin prej të ftohtit nga pelerinat, dorashkat dhe trikot e leshta, përsëri dridheshin si purtekë gjatë ecjes në shkretëtirën e akullt. I burgosuri i gjorë, veshur vetëm me një xhaketë stofi, nuk kishte ç’të bënte tjetër veçse të fërkonte trupin e ngurtësuar ndërkohë që vajtonte me të madhe për të ftohtin vdekjeprurës.
Pas një copë rruge, komandanti i togës, i lodhur nga ankesat e të dënuarit, bërtiti:
– Pusho o mut, mjaft bëre martirin me këtë dreq të ftohte. Pa mendo njëherë për ne që kemi për tu kthyer.
Përktheu nga spanjishtja Antonio Çikollari


Leave a comment