Tri ligje
Ligji i Borg-ut
Para disa kohësh, gazetari Roberto Gervaso i bëri këtë pyetje tenistit të madh Björn Borg: ‹‹Përfshiheni më shumë në një ndeshje me Lendl-in apo në një me McEnroe-in?›› (ashtu si Borg, dy tenistët më të mëdhenj të kohës). Borg u përgjigj: ‹‹Përfshihem në çdo gjë, qoftë edhe në një ndeshje me tim gjysh››. Gjëja e parë që duhet të dimë teksa shkruajmë është: përfshirja. E cila është në vetvete një normë e mirë edhe kur shkruajmë një e-mail apo listën e pazarit. Nëse përfshihemi në këto gjëra të thjeshta, pra nëse jemi të kujdesshëm, të përmbajtur e të saktë, do të jemi të kujdesshëm, të përmbajtur dhe të saktë edhe në gjëra më komplekse dhe të rëndësishme. Këtë ligj, i pari nga tre që do të japim, do ta quajmë Ligji i Borg-ut.
Ligji i Silvio Dante-s
Në një ndër skenat e paharrueshme të Soprano (kërkoni Gerry whacked në YouTube), mafiozi Silvio Dante ndodhet në një restorant me mafiozin Gerry Torciano, i cili më pas do të vritet mu aty. Gerry dëshiron t’i thotë diçka Silvio-s, por e bën me kujdesi të madhe, edhe thotë edhe nuk thotë, sepse nuk e di si mund të reagojë Silvio. Në njëfarë pike, Silvio i acaruar i kthehet: ‹‹Wanna say something? And say it then, Walt fucking Whitman, over here!››. Walt fucking Whitman, over here! Silvio Dante ka të drejtë, ndonjëherë poetët si Walt Whitman mund të flasin në mënyrë të komplikuar, të errët (edhe pse Whitman në të vërtetë nuk është dhe aq i errët: por është për Silvio-n, i cili nuk ia thotë për poezi…); kush flet dhe shkruan për t’u kuptuar duhet të flasë e shkruaj qartë. Ju, edhe nëse nuk shkruani poezi, shkruani për t’u kuptuar; pra gjëja e dytë për t’u mbajtur mend është: shkruani qartë. Është një rregull, që si Ligji i Borg-ut, nuk njeh përjashtime. Do ta quajmë këtë ligj të dytë, Ligji i Silvio Dante-s.
Ligji i Catone-it
Gjëja e tretë dhe e fundit që duhet mbajtur mend kur shkruhet, përmblidhet në një maksimë të njohur latine: Rem tene, verba sequentur, pra ‹‹Nëse e njeh mirë gjënë mbi të cilën do të shkruash, fjalët do të rrjedhin vetë››. Që do të thotë se, shkruhet me vështirësi rreth diçkaje që nuk njihet: ose më mirë të themi, nëse shkruajmë rreth diçkaje që nuk e njohim do të përfundojmë pashmangshmërisht duke u shtirur se e dimë, për t’ia kaluar mëpastaj ripërtypjen lexuesit; ky trillim i nevojshëm do të na bëjë konfuzë dhe të hutuar. Me pak fjalë, nëse e njohim mirë një argument, do t’i gjejmë lehtësisht edhe fjalët për ta shpjeguar. Shumë persona, që ndoshta nuk kanë lexuar asnjë libër në jetën e tyre, bëhen gojëtar të mëdhenj kur bie rasti të tregojnë një ndeshje futbolli apo kur flasin për ndonjë këngë a ndonjë film të preferuar: pikërisht sepse flasin për diçka që e kanë përzemërt dhe që e njohin mjaft mirë (për këtë, në shkollë, një gjë e mençur që duhet bërë është që herë pas here të pyetet studenti, i cili nuk di të lidhë dy fjalë mbi Varret të Foscolo-s, të shkruajë nja dhjetë të tilla mbi ndonjë pasion të tijin, qoftë futbolli, rap-i apo motoçiklizmi: me shumë mundësi ka për t’ia dalë). Gjithsesi, nuk ka asnjë mundësi zgjedhjeje: për të shkruar mirë mbi poezinë e Petrarca-ës, apo mbi kinemanë e Kubrick-ut, apo mbi historinë e ‘900-ës, duhet ta njohësh mirë Petrarca-ën, Kubrick-un dhe historinë e ‘900-ës. Pra, gjëja e tretë për t’u mbajtur mend është: për të shkruar mirë rreth diçkaje, duhet ta kesh studiuar seriozisht. Do ta quajmë këtë ligj të tretë, Ligji i Catone-it, sepse fraza Rem tene, verba sequentur, i atribuohet pikërisht atij.
Këto janë tri gjërat, tri ligjet që duhen kujtuar sa herë që merret në dorë pena apo kur fillohet të shtypet mbi tastierë.
Përktheu Anxhela Lepuri


Leave a comment