Dyqani historik i salcave dhe turshive të familjes Jian nuk ekzistonte më, ai që shërbeu si një laborator në oborrin e pasmë, tani është një oborr i zakonshëm rezidencial në të cilin janë rritur barërat e këqija dhe hardhitë janë kacavjerrë mureve, në të gjendet vetëm një litar për varëse rrobash ku teren disa veshje grash me ngjyrë të hapur; e vetmja gjë që kujton ç’ka qenë në të kaluarën, janë disa kavanozë të vjetër, ngjyrë okër dhe të kuq, që përdoren për të ruajtur salcën e sojës, disa janë bërë pirg njëri mbi tjetrin, të tjerët më të dëmtuar janë mbështetur në cep të murit, brenda kavanozat janë mbushur me ujëra të ndotura dhe gjethe. Dy dyer druri të gozhduara ndajnë në mënyrë rigoroze oborrin nga dyqani dhe vendosin një vijë midis jetës së pastër dhe të qetë të motrave Jian dhe botës së zhurmshme.
Brenda dyqanit, salca e sojës ende tregtohet, ngarkesa transportohet me një karrocë nga fabrika e fermentimit dhe salca shitet me një çmim sipas rastit, në varësi të ngjyrës së saj, përveç kësaj ka edhe vaj Canola, kripë, oriz, uthull, sake dhe të gjitha llojet e turshive, dyqani është i mbushur me aromën e ëmbël dhe të thartë të produkteve të sojës gjatë gjithë ditës. Të tria ndihmëset e dyqanit kanë shitur salcë për një kohë aq të gjatë sa janë mësuar me erën e salcës së sojës në flokë, gishta dhe lëkurë. Në mesditë dhe pasdite vonë vendi shpesh është i zbrazët dhe i heshtur. Dërrasat e dyshemesë mbi tre ndihmësit e dyqanit kërcasin, ndërsa motrat Jian lëvizin dhe pastrojnë dyshemenë sipër. Motrat Jian shpesh janë të heshtura dhe të matura, por pavarësisht kësaj, shitësja arrin të dallojë çdo detaj të jetës së izoluar të motrave Jian. Gu Yaxian, në veçanti, mund të dallojë me saktësi tingullin e motrës së saj në katin e sipërm që bën tualetin. Ajo madje mund të dëgjojë zhurmën e gjilpërës dhe fijes që bie në tokë nga rrjeta e qëndisur.
Por shitëset e dyqanit shumë rrallë mund t’i takojnë motrat Jian. Motrat Jian hyjnë dhe dalin përmes një dere anësore, që është jashtëzakonisht e ulët dhe e ngushtë, e cila ishte krijuar vetëm për pronarin që ishte i vogël dhe i hollë. Burrat duhej të përkuleshin për të hyrë, por askush nuk kaloi kurrë. Fqinjët që jetonin në rrugë plot me pemë sofër, e dinin se Jian Shaozhen dhe Jian Shaofen nuk janë martuar kurrë. Për shumë vite, dy motrat kishin jetuar të izoluara lart, në kopshtin e dyqanit të salcave dhe turshive.
Vetëm shitësi i verës i shihte shpesh dhe e dinte se atyre u pëlqente vera e thartuar dhe sa herë që godiste rrahësin e bambusë përpara kopshtit të salcës, ai shikonte një fytyrë të zbehtë dhe të mjegullt të një prej motrave që ndriçonte në dritaren e ndërtesës, dhe pastaj një dorë po aq e zbehtë që ulte një litar, dhe një shportë të varur nga brenda dritares që përmbante një monedhë dhe një tas të vogël prej porcelani të imët me lule bojëqielli.
Përktheu nga gjuha kineze Ardita Osmani
“另一种妇女生活, ling yi zhong funv shenghuo” – Jetë grash të tjera, është një histori e shkurtër nga shkrimtari bashkëkohor Su Tong, botuar në revistën Fiction World, n. 4, 1991.
Su Tong, i njohur më së shumti për romanin e tij “Gratë dhe konkubinat”, nga i cili u bazua filmi “Red Lanterns” nga Zhang Yimou, është një shkrimtar kinez avangardist. Pas një hapjeje më të madhe të vendit krahas Perëndimit dhe rizbulimit të rrënjëve të tij, realizmi socialist ngadalë fillon të lihet mënjanë: fenomeni me të cilin përballet lind nga nevoja e shkrimtarëve për një rrymë unitare që kundërshton kufijtë, që ishin vendosur deri atëherë mbi letërsinë, gjuhën, mbi të gjitha njohuritë.
Në historinë, Jetë grash të tjera, tregohen paralelisht dy histori grash: njëra është ajo e motrave Jian, gjithmonë të mbyllura në shtëpinë e tyre, krejtësisht të vetmuara dhe pa dashuri, dhe tjetra është e Gu Yaxian dhe dy shitësve të dyqanit që përkundrazi, jetojnë me fermentimet e njerëzve dhe thashethemeve. Përmes grave, autori tregon rebelimin e jetës së përditshme të grave të qytetit kundër rrethanave shtypëse të ekzistencës.


Leave a comment