Im atë | Juan Rulfo

Published on

in

, ,

Im atë qe burrë i mirë. Jetoi në atë kohë kur gjithçka qe keq. Në atë kohë kur ishte e pamundur të bëje plane për të nesërmen, pastaj e nesërmja ishte e pasigurt dhe e sotmja nuk kishte përfunduar ende. Kohët ishin të këqija: nuk mund të shihje as qiellin e as tokën; e as nëse kishte diell apo nëse ishte në lindje apo në perëndim. Gjithçka ishte keq për botën. Por im atë qe njeri i mirë dhe besonte tek jeta.
E vranë që pa gdhirë, por nuk iu dha llogari kur e vranë dhe përse e vranë. E qëlluan dhe ia prenë jetën. Vazhdoi të ekzistojë e për pak kohë dhe dalëngadalë u largua qetësisht nga kjo botë, duke bërë që uji i shiut të qe përsëri i dukshëm dhe i tundi burrat aq shumë, sa iu riktheu ndërgjegjen e tyre të shpresës.
Im atë vdiq një buzëdite të errët, pa e parë kush, mes mugëtirës. E groposën si të qe dosido dhe e mbuluan nën tokë si çdo burrë të zakonshëm. Na thanë: “Babai ju vdiq”, në orën e zgjimit, kur gjërat nuk dhembin dhe aq; kur lindin fëmijët, kur pushkatojnë të dënuarit me vdekje. Në orën e ëndrrave, kur gjithkush gjendet mes trilleve të gjumit fëmijënor, por të lodhshme; fatale, por të nevojshme.
– Yt atë vdiq.
Ëndërrova sikur kisha një dre mes krahëve. Një dre gjumash, të vogël si të qe zog pa krahë; i ngrohtë si një zemër që rreh ngadalë, por e mpirë nga frika.
– Kaq e pat’.
Qe agim, kaq zymtë, kaq pangjyrë; kaq shumë pa ngjyrë. Gjithçka dukej e largët.
Dhe më duhej të qaja, të shtrydhja zemrën aq fort sa të nxirrte lot. Duke u shtrënguar deri në ngashërim. Tek një zemër që ëndërron gati përgjumësh, ta godasësh me çekiçin e pikëllimit dhe ta bësh të ndiejë dhimbjen e saj. E bëj këtë vetëm për disa lot. Për të mos qëndruar në heshtje.
“Dreri vdiq. Është thjesht një kafshë e ngordhur mes krahëve të tu.”
Lërmëni të ndjek ëndrrat e mia. Gjithçka tjetër është gënjeshtër. Askush s’mund të vdesë në gjumë.
– Tashmë është tre e mëngjesit dhe kemi sjellë tët at’. E vranë mbrëmë.
Mbrëmë. Ç’mbrëmë? Jeta ime nuk ka mbrëmje. Nuk është e errët. Jeta gjithmonë shëtit ditën. Ç’po thua?
– Që është tre e mëngjesit. Çohu. Yt at’ është këtu, shtrirë. E vranë mbrëmë.
– Kë? Po flet për tim atë? Ai s’mund të vdesë. Askush s’mund t’i bëjë gjë. Drejtësia do ta vriste tokën. Do t’i thante duart dhe do ta bënte jetën të padobishme për njeriun. Ai na ka dhënë jetë dhe nëse ndiejmë që ka ditë, është për të; dhe nëse ndiejmë që ka jetë, është përsëri për të. Nuk mund të vdesë.
– E kanë vrarë.
– Kur? Në ç’orë?
Nuk dëgjoja asgjë, e as bota bashkë me mua.
– Këtë mbrëmje. Ngrihu. Eja shihe.
– Gënjeshtër.
– Do ta varrosin pasdite.
– Nuk do varrosin askënd. Im atë s’mund të jetë i vdekur. Do të vdesë pas nesh. Jeta e tij nuk është mizerje si e jona, e as e pavlerë siç është…
– Nuk do vish ta shohësh? Eja pa ardhur ata që e duan a e njohin.
– Im atë nuk ka vdekur. Ti më urren. Vjen e më zgjon sepse më urren. Më ler të mbaroj së pari ëndrrën.
– Si të duash, por aty nga mesdita do e varrosim.
– Fike dritën. Fike atë dritë dhe ik. Pse qesh kur thua se im atë ka vdekur? Ik. Kam pranë drerin që fle. Mos ma zgjo. E di kush je. E di se vetëm djalli ngrihet herët në mëngjes për të trembur ata që flenë. Nuk ka vdekur, ti gënjen. Gënjen hapur. Ik!
Dhe lotët rrodhën rrëke si gjaku. Dhe kur dëgjova diku larg të qarën e sime ëme, gjaku mu bë ujë.

Përktheu nga spanjishtja Antonio Çikollari

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.