Llogarita shumë gjëra të humbura, por ajo pasdite kur vdiq tezja ime Sesilia nuk ishte zhdukur. Qëndroja pranë shtratit të saj, ulur në karrige, e shihja duke ngritur krahët gjatë gjithë kohës si për të mbrojtur veten nga ajo sëmundje që i sillte dhimbje dhe me të cilën kishte qenë në mosmarrëveshje prej agimit.
Mbaj mend që i dridheshin krahët si një të verbre që kërkonte në errësirë diçka prej nga i vinte dhimbja. Më vonë çlodhej. Shtrinte këmbët dhe çlodhej. Dëgjoja vetëm frymëmarrjen e rëndë që i dilte prej gojës si të qe duke i fryrë zjarrit. Të një frymëmarrje me siguri të ligë, pasi buzët kumbonin prej hyrje-daljeve të ajrit.
Mendoj për kohën që ka kaluar prej ditës së vdekjes së saj, sepse prej atëherë kam mbetur vetëm. Ajo, e cila ishte aq e kujdesur për mua gjatë jetës, harroi plotësisht të besonte dikë të kujdesej për mua pasi vdiq. Në atë kohë isha dhjetë vjeç. Dhe jo, nuk më besoi tek askush.
Më kujtohet që atë natë kishin ikur të gjithë dhe u zgjova i vetëm. Qëndroja ulur mbi krevatin e teze Sesilias dhe ajo ndodhej aty me mua, duke më parë me ata sy të pa pulitshëm që nuk shkëputeshin asnjë grimë prej meje, sikur nëpërmjet tyre dëshironte të më thoshte diçka prej të cilës nuk do të trembesha kurrë.
Më kujtohet kjo pasi, me t’i mbyllur ata sy me dorën time, u duk sikur drita u resht përngahera dhe gjithë ç’qe rrotull u mbulua prej territ.
Jam shtrirë mbi shtratin e saj, ku ajo vendosi trupin shpalosur në mënyrë që të mos ishte vështirë për vdekjen që ta merrte, dhe mendoj se nuk duhej të kishte vdekur ashtu papritur, duke e ditur se isha unë ai që do të vuaja më tepër duke mos e parë më.
Ndonjëherë mendoj se nuk më donte aq sa thoshte përderisa iku ashtu si iku, si të mos kishte asnjë peng dhe, mbi të gjitha, duke mundur të shoh edhe me sy mbyllur se do të më kanosej diçka kur të mos e gjeja më. Po, i kishte bërë hesapet gabim. Dhe ajo që them gjithmonë është se duhej të qëndronte pak, një apo dy orë më shumë; duke u mbajtur disi, dhe gjatë asaj kohe do të kishte përfituar të më bënte për vete, të më thoshte diçka, diçka të cilën do ta ruaja si kujtim dhe sot e kësaj dite.
Por bëri krejt të kundërtën. Duket se filloi të kërkojë me gjeste për një forcë të cilën e njihja dhe që më pëlqente ta shihja tek ajo. Gjithashtu duket se doja ta mbushja veten me atë forcë përgjithmonë, si një dhuratë që ma la në mënyrë që jeta të mos më trembte kurrë. Tani e mendoj në këtë formë. Imagjinoj se këtë dëshironte teze Sesilia të më thoshte mes atij shikimi, duke kërkuar mënyrën më të thjeshtë për të ma shprehur.
Dhe nëse nuk do të kisha qenë aty, por dikush tjetër t’ia kishte mbyllur sytë duke më thënë: “Nuk është më mes nesh”, nuk do të kisha luajtur vendit, sepse jo, sepse e dija që ai shikim ishte i njëjti me të cilin ajo më shprehte dashurinë që kishte për mua.
Përktheu nga spanjishtja Antonio Çikollari


Leave a comment