Xhon dhe Meri takohen.
Ç’ndodh pastaj?
Për të lexuar një fund të lumtur, zgjidhni A.
A.
Xhon dhe Meri dashurohen dhe martohen. Të dy kanë një punë të dobishme dhe fitimprurëse, që i mban aktivë dhe ambiciozë. Ata blenë një shtëpi marramendëse. Vlera e pronës së patundshme rritet. Vjen momenti kur mund t’i lejojnë vetes shërbyes që banojnë në shtëpi, atëherë bëjnë dy fëmijë, pas të cilëve janë të devotshëm. Fëmijët rriten përsëmbari. Xhon dhe Meri kanë një jetë seksuale aktive dhe ambicioze, si edhe miq të rëndësishëm. Ata shkojnë për pushime bashkë. Dalin në pension. Të dy kanë pasione që i mbajnë aktivë dhe ambiciozë. Vjen momenti dhe vdesin. Ky është fundi i historisë.
B.
Meri dashurohet me Xhonin, por Xhoni nuk dashurohet me Merin. Ai e përdor trupin e saj për të shuar epshin dhe për të përmbushur egon e tij të zverdhur. Ai paraqitet në apartamentin e saj dy herë në javë ndërsa ajo gatuan darkën. Vini re se ai as nuk e konsideron të denjë të dalë me të për një darkë jashtë. Kështu pasi ka ngrënë, ai e pallon dhe bie gjumë, ndërsa ajo lan enët, se ai nuk duhet të mendojë që ajo është e rrëmujshme dhe i lë enët e palara. Vë buzëkuq që të duket sa më mirë kur ai të zgjohet, por kur ai zgjohet, as që e vë re. Vesh çorapet dhe mbathjet, pantallonat, këmishën, kollaren dhe këpucët, sipas një radhe të kundërt kur i hoqi në fillim. Ai nuk ia heq rrobat Merit, ajo zhvishet vetë. Ajo bën sikur po lëngon, por jo ngaqë i pëlqen seksi, në fakt nuk i pëlqen, por dëshiron që kështu të mendojë Xhoni, sepse nëse e bëjnë aq shpesh, atëherë Xhoni do mësohet me të, do të krijojë varësi dhe do të martohen. Por Xhoni largohet dhe mezi nxjerr një “natën e mirë”. Tre ditë më vonë, shfaqet në orën gjashtë dhe gjithçka përsëritet.
Meri është e rraskapitur. Nuk i bën mirë fytyrës kur qan, të gjithë e dinë këtë, edhe Meri, por ajo nuk ndalon dot. Kolegët në punë e kuptojnë. Miqtë i thonë se Xhoni është një mi, një derr, një qen, se ai nuk e meriton, por asaj nuk i besohet. Thellë-thellë, Xhoni është një tjetër Xhon, shumë herë më i mirë. Ky Xhoni tjetër do të çelë si një flutur nga krimbi, do të shpërthejë si një kukull surprize nga kutia, si një farë kumbulle, mjafton që Xhoni i tanishëm të shtrydhet pak.
Një natë, Xhoni ankohet për ushqimin. Asnjëherë më parë nuk është ankuar për ushqimin. Meri lëndohet.
Miqtë i tregojnë se e kanë parë Xhonin në restorant me një tjetër femër, të quajtur Mexh. Nuk është Mexh ajo që e lëndon Merin, por restoranti. Ai kurrë nuk e ka çuar Merin në një restorant. Meri merr çdo hape gjumi dhe aspirinë që i gjendet në shtëpi dhe i pi, si dhe një gjysmë shisheje sherry. Mund të vërehet qartë ç’lloj gruaje është Meri pasi nuk po pi as uiski. Lë një shënim për Xhonin. Me shpresën se ai do ta gjejë dhe do ta çojë në spital në kohë, do të pendohet dhe pastaj do të martohen, por kjo nuk ndodh dhe ajo vdes.
Xhoni martohet me Mexhin dhe çdo rrjedh sipas versionit A.
C.
Xhoni, është një mesoburrë, që dashurohet pas Merit. Dhe Meri, që është veçse njëzet e dy vjeç, ndien keqardhje për Xhonin, pasi ai merakoset për rënien e flokëve. Ajo fle me të edhe pse nuk e dashuron. E takoi në punë. Ajo dashuron dikë me emrin Xhejms, gjithashtu njëzet e dy vjeç, por ky nuk është ende gati për t’u mbledhur.
Ndërsa Xhoni është mbledhur prej shumë kohësh: kjo është ajo që e bezdis. Xhoni ka një punë të qëndrueshme e të respektueshme dhe po përparon në karrierë, por Merit nuk i bën përshtypje, asaj i bën përshtypje Xhejmsi, motoçikleta e tij dhe koleksioni madhështor me disqe. Mjaft shpesh Xhejmsi zhduket me motoçikletën e tij, në shijim të lirisë. Por liria nuk vjen e njëjtë për vajzat, ndaj në këtë kohë Meri i kalon mbrëmjet e të enjteve me Xhonin. Të enjtet janë ditët e vetme kur Xhoni mund të shkëputet nga familja.
Xhoni është i martuar me një grua të quajtur Mexh dhe kanë dy fëmijë, një shtëpi marramendëse të blerë përpara se vlera t’i rritej, dhe kanë pasione aktive dhe ambicioze, që i ndjekin kur kanë kohë. Xhoni i rrëfen Merit rëndësinë që ajo ka për të, por nuk mund të ndahet nga gruaja sepse një zotim është një zotim. Ai vazhdon të dërdëllisë jashtë nevojës për këtë zotim dhe Meri trashet, por meshkujt në moshë i zgjat më shumë akti, ndaj përgjithësisht ajo ia kalon mirë.
Një ditë, Xhejmsi shfaqet para saj me motoçikletën e tij dhe me një mall hibrid kalifornian të një cilësie të lartë dhe ata bëhen shumë dru dhe hidhen në krevat. Çdo gjë turbullohet, por ja ku vjen Xhoni që ka një çelës të apartamentit të Merit. I gjen dru dhe të korkolepsur me njëri-tjetrin. As nuk ka vend për t’u bërë xheloz, kini parasysh Mexhin!, por prapësëprapë ai pushtohet nga dëshpërimi. Tanimë, një mesoburrë, edhe dy vjet e do të bëhet qeros si një vezë, dhe ai nuk e duron dot. Ble një pistoletë, me arsyen se i duhet për të praktikuar shënjestrën – kjo është pjesa delikate e historisë, por mund ta trajtojmë më vonë – dhe i qëllon të dy, bashkë me veten.
Pas një kohe të arsyeshme zie, Mexhi martohet me një burrë të kuptueshëm të quajtur Fred dhe çdo gjë rrjedh sipas versionit A, por me emra të ndryshëm.
D.
Fredi dhe Mexh nuk kanë probleme. Shkojnë shumë mirë me njeri-tjetrin dhe janë të zotët të zgjidhin vështirësitë e vogla që mund të lindin. Por shtëpia e tyre marramendëse gjendet pranë detit dhe një ditë, një baticë vigane afrohet. Vlera e pronës së patundshme bie. Vazhdimi i historisë shtjellon arsyet e përplasjes së dallgës së baticës dhe se si ia dolën të largohen. Ia dalin, edhe pse mijëra u mbytën, por Fredi dhe Mexhi janë virtuozë dhe mirënjohës, dhe çdo gjë rrjedh sipas A.
E.
Po, por Fredi ka një zemër me probleme. Vazhdimi i historisë shtjellon sa të mirë dhe të kuptueshëm janë ata deri sa Fredi vdes. Më pas, Mexhi i dedikohet bamirësisë deri në fund të versionit A. Mund të jetë “Mexhi”, “kanceri” “fajtorë dhe të hutuar” dhe “vëzhgim i zogjve”, si të doni.
F.
Nëse ju duket shumë borgjeze, mendoni sikur Xhoni është një revolucionar dhe Meri një agjente kundërspiunazhi dhe shikoni sa larg do shkoni. Kini parasysh, jemi në Kanada. Përsëri do përfundoni te versioni A, edhe pse për midis do të gjeni një sagë me kërleshje epshore me përfshirje pasionante, pak a shumë, një kronikë të kohëve tona.
Fundet janë të njëjta ngado që ta kthesh, kjo është e vërteta. Mos u mashtroni nga ndonjë fund tjetër, janë të gjitha mashtrime, mashtrime me dashje, me qëllimin e ligë për të gënjyer, ose të shtyra nga optimizmi i tepërt, në mos sentimentalizma kryekëput.
I vetmi fund origjinal është ky më poshtë:
Xhoni dhe Meri vdesin. Xhoni dhe Meri vdesin. Xhoni dhe Meri vdesin.
Kaq pra për fundet. Gjithmonë fillimet janë më argëtuese. Sidoqoftë, specialistët e vërtetë dallohen se përkrahin tejzgjatjen midis, meqë është më e vështira për t’u zhvilluar.
Kaq mund të thuhet për fabulat, që janë në fakt një problem pas një tjetri, një çfarë dhe një çfarë dhe një çfarë.
Tani provoni Si dhe Pse.
Përktheu Anila Balla


Leave a comment