Shpeshherë lind pyetja ç’është përkthimi? Të përkufizosh përkthimin nuk është aq e thjeshtë sa duket, sepse nuk ekziston një përkufizim i vetëm për këtë term dhe kjo është e vërtetuar nga përkufizimet e shumta të teoricienëve të ndryshëm në lidhje me këtë fushë studimore. Mendojmë se në këtë rast, është e udhës të paraqesim këndvështrimet e teoricienëve të përkthimit dhe të shohim pikat e përbashkëta dhe dallimet midis tyre. Kështu, Bell[1] pohon se “përkthimi është të shprehurit në gjuhën e synuar e asaj çka është shprehur në gjuhën burimore, duke ruajtuar barazavlefshmërinë semantike dhe atë stilistike”. Newmark[2] është i mendimit se përkthimi është thjesht përcjellja e një mesazhi në një gjuhë tjetër , nga gjuha e origjinës. Kurse Toury[3] e përkufizon këtë dukuri si “një lloj aktiviteti ku përfshihen në mënyrë të pashmangshme të paktën dy gjuhë dhe dy tradita kulturore, që nënkupton të paktën dy bashkësi me sisteme normash në secilin nivel”. Ndërsa, studiuesi, shkrimtari, përkthyesi dhe semiologu Umberto Eco[4], e konsideron përkthimin si ‘proces negociate’, jo vetëm ndërmjet autorit dhe përkthyesit, por në marrëdhënien: autor-përkthyes-lexues. Përkthimi, sipas tij, nuk është thjesht kalimi nga një gjuhë në tjetrën, por edhe kalimi nga një kulturë në tjetrën, nga një enciklopedi në tjetrën, nga një psikologji në tjetrën, nga një sistem kulturor në një sistem tjetër kulturor. Pra, rezulton se përkthimi është vënia e një teksti në një kontekst tjetër. Përkthyesit “lipset të mos i trembet syri, jo vetëm nga rregullat rreptësisht gjuhësore, por edhe nga elementet kulturore, në kuptimin më të gjerë të fjalës”[5]. Eco e vijon mendimin e tij, duke pohuar se të përkthesh do të thotë: “të kuptosh sistemin e brendshëm të një gjuhe dhe strukturën e një teksti të caktuar në atë gjuhë, pastaj të ndërtosh një sistem të dyfishtë tekstor që, me përshkrim të caktuar, mund të shkaktojë pasoja të ngjashme tek lexuesi, si në planin semantik, metrik, fonosimbolik, e po aq në efektet gjithë pasion që teksti burim prirej të sillte”[6]. Të përkthesh do të thotë “të thuash të njëjtën gjë në një gjuhë tjetër”, dhe për të bërë këtë duhet që të kesh pasur përvojë aktive dhe pasive në përkthim.[7]
Puna e përkthyesit, ndonëse jo aq e çmuar, madje shpesh edhe e ndëshkuar[8], është shumë e ndërlikuar. Para së gjithash, një përkthyesi të mirë, krahas njohurive gjuhësore i duhet edhe kulturë e gjerë. Prandaj, studiuesit e teorisë së përkthimit janë marrë edhe me aftësitë që do të duhej t’i zotëronte një përkthyes për t’u cilësuar si i mirë. Para së gjithash është ardhur në përfundimin se cilësitë e përkthyesit të mirë janë këto: të njohë shumë mirë gjuhën amtare në të cilën përkthen; të njohë mirë gjuhën e huaj nga e cila përkthen; të analizojë dhe të kuptojë një tekst a ligjëratë të dhënë; të dijë të bëjë një përkthim jo vetëm gjuhësor, por edhe interpretativ; të ketë kompetenca që dalin jashtë kuadrit gjuhësor, pra të ketë kulturë të përgjithshme; të zotërojë njohuri mbi përkthimin si teknikë, shkencë, art apo profesion; të ketë pasionin apo dhuntinë e të lexuarit, të kuptuarit, të folurit, të shkruarit dhe të krijuarit në gjuhën amtare dhe atë të huaj; të ketë kureshtje të mprehtë intelektuale dhe të jetë i hapur ndaj botës që e rrethon[9].
Po të hedhim një vështrim në origjinën e fjalës përkthim, do të shohim se vetë fjala përkthim (traduction) u përdor në gjuhën frënge për herë të parë në vitin 1540 nën pendën e Etiene Dolet, një shtypshkrues humanist dhe përkthyes. Vetë varianti në frëngjisht i fjalës traduction buron nga folja në gjuhën italiane tradurre me origjinë të hershme latine trans-ducere që do të thotë “të kalosh përmes, përtej” pra “kalim prej diku, transportim përtej”. Fjala e përdorur para shekullit XVI në gjuhën frënge është “translation”, e cila u ruajt në anglisht si e tillë dhe e gjen rrënjën e vet në latinishten klasike “translation” çka do të thotë “zhvendosje”, “transferim”, “përçim”. Ndonëse me baza latine, gjuha shqipe ka parapëlqyer një term origjinal për të emërtuar këtë veprimtari intelektuale: përkthim, përkthej, nga rrënja gjuhësore kthej. Madje jo vetëm këtë, por në gjuhën shqipe kemi dhe një tjetër term tejet origjinal: shqipërim, shqipëroj, që parapëlqehet shpesh sidomos për përkthimet me shkrim në gjuhën shqipe ndryshe nga termi përkthim/përkthej.
Nëse do t’i referohemi Fjalorit të Shqipes së Sotme (2002) shpjegimi jepet kështu:
Përkthej – 1. Kthej diçka të folur a të shkruar nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, duke e ruajtur tërësisht kuptimin e fjalëve e përmbajtjen.[10]
Shqipëroj – 1. Përkthej në gjuhën shqipe një vepër nga një gjuhe tjetër; kthej shqip një fjale të huaj ose i jap trajtën shqiptare një emri të përveçëm të huaj.[11]
Ndërsa në “Fjalorin enciklopedik letrar”, gjejmë vetëm një përkufizim për përkthimin artistik:
Përkthim artistik – Riprodhimi me mjetet e një gjuhe, të një vepre letrare, që është shkruar në një gjuhë tjetër. […].[12]
Përkthimi i jep një teksti kontekst tjetër. Pra, tekstin nistor (origjinal) e vendos në një kontekst tjetër kulturor, social, shoqëror, duke krijuar kështu tekstin synim (përkthimin). Përkthimi është mundësi takimi me një vepër tjetër që e ka lindur një kulturë tjetër, por që është i hapur edhe për një kulturë që e bën të vetin pasi përkthehet. Detyrimisht, teksti i përkthyer gjithmonë varet prej një teksti tjetër që ka ekzistuar më parë. Njëkohësisht, çdo vepër në përkthim tingëllon ndryshe nga origjinali, e në veçanti librat poetikë. Gjatë përkthimeve, çdo popull i jep një personazhi disa specifika të veta, teksa ai bëhet pjesë e një letërsie kombëtare. Kështu, Don Kishoti, Kasollja, Hamleti, Makbethi e shumë vepra të tjera, kanë kuptim krejtësisht tjetër te shqiptarët pas përkthimit që ua bëri Noli. Sistemi kulturor shqiptar, i cili i pranoi veprat në fjalë, i kundroi ato nga konteksti i vet sociokulturor. Procesi i ndërthurjes së tekstit origjinal dhe kontekstit është i pashmangshëm, prandaj, jo rastësisht, krahas studimeve për cilësinë e përkthimit, studiuesit merren edhe me receptimin e një vepre letrare.
Kësisoj, themi përkthyesi është ndërmjetësues gjuhësor dhe kulturor. Puna e tij konsiderohet si punë e një “interpretuesi” dhe përfaqësuesi kulturor. Kritiku nuk është vetëm bartës mekanik i një vepre prej një sistemi në sistemin tjetër letrar, por është edhe kritik. Ai gjithmonë është i lidhur me “letërsinë burimore” për të krijuar “letërsinë vendase”. Letërsisë që përkthehet, gjithmonë i mbetet një pjesë që nuk pranohet nga sistemi letrar në të cilin përkthehet, sepse letërsia e përkthyer asnjëherë nuk e humb prejardhjen e huaj. Prandaj, themi se përkthimi është një veprimtari e pazakonshme, ku leximi i një teksti të huaj do të prodhojë një tekst të ri, sozi të të parit. Duke e krahasuar me gjuhën burimore, te çdo përkthim mund të shihet njëfarë zbehjeje. Mirëpo, duke e parë nga aspekti i gjuhës së synuar, teksti i përkthyer merr kuptime dhe dimensione të reja. Pra, me fjalë të tjera, mund të shprehemi se kemi të bëjmë me njëfarë tradhtie.
Në lidhje me këtë, Ciceroni shprehet se përkthimi i ngjan një gruaje: kur është e bukur, nuk është besnike dhe kur është besnike, nuk është e bukur. Përkthim do të thotë që teksti të paraqitet në pasqyrën e një gjuhe dhe të një kulture të huaj. Në këtë pasqyrë kemi vetëm imazhin që nuk është besnik, por i ndryshëm.
Në përgjithësi përkthimi është konsideruar si urë shpirtërore, mbartje e vlerave estetike dhe ndërmjetësim kulturor, pa një ngurtësim absolut në veçantitë gjuhësore të origjinalit, veçanërisht gjatë përkthimeve poetike, ku finesat e një poezie nuk mund që të mbarten në një gjuhë tjetër, në rast se pretendohet për një saktësi absolute. Megjithatë, këto tejkalime nuk duhet që të kalojnë kufirin sepse mund të dëmtohet vepra origjinale që mbartet në një kulturë tjetër. Po t’i rikthehemi pyetjes së mësipërme, do të thoshim se përkthimi konsiderohet si një shkencë që ka lidhje të ngushta me gjuhësinë, psikologjinë, leksikologjinë dhe leksikografinë; konsiderohet si teknikë, që ruan lidhje të forta me gramatikën, stilistikën dhe artin e të shkruarit; konsiderohet edhe art, sepse përkthyesi letrar, gjatë procesit përkthimor, kryen edhe një përvetësim estetik të një realiteti gjuhësor, që rrjedh nga një përvetësim estetik i një realiteti jashtëgjuhësor[13].
Lexuesit, në shumicën e rasteve, lexojnë libra të përkthyer, sepse është e pamundur njohja e të gjitha gjuhëve të botës. Prandaj, domosdoshmërisht, letërsia e përkthyer merr statusin e lëvizjes së proceseve ndërkulturore gjatë komunikimit ndërmjet letërsive dhe kulturave. Studiuesi i letërsisë së krahasuar, Iv Shevrel, konsideron se “tekstet e përkthyera janë sektor kapital në këmbimet kulturore.” Sipas tij, përkthimi mbetet mjet i zakonshëm takimi me një vepër të huaj. Ky studiues është i mendimit se teksti letrar i përkthyer mbetet burim i një diskutimi që ka të bëjë me vetë thelbin e tij: a është ky tekst vepër “si gjithë të tjerat”, d.m.th. a ka autonomi, qoftë kjo edhe relative? Apo është kopje ase stampë e origjinalit? Mos vallë është interpretim? Apo duhet të ketë vetëm një rrugë të vetme deri te origjinali? Këto pyetje, sipas Shevrel, në një masë të madhe, kanë të bëjnë me kuptimin që i jepet përpunimit të gjuhës, çka ngërthen çdo veprimtari përkthimore[14]. Ai e vijon mendimin duke u shprehur se “të përkthesh, të botosh një përkthim nuk do të thotë vetëm të kryesh një veprim gjuhësor; do të thotë gjithashtu të marrësh një vendim, që vë në diskutim një ekuilibër kulturor dhe shoqëror. Përkthimi i tekstit rrallë herë është i pavarur nga sistemi, që është paracaktuar ta presë” [15].
[1] Po aty, f. 5.
[2] Peter Newmark “A Textbook of Translation” Prentice Hall International, 1998
[3] Toury, G. (2004). “The nature and role of norms in translation”. In L. Venuti (Ed), (2000) The translation studies of Reader. London and New York: Routledge, f. 205.
[4]E,Umberto. “Të thuash gati të njëjtën gjë”. Përvoja përkthimi. Dituria, Tiranë, 2006.
[5]Po aty, f.171. Cituar nga Snell-Hornby (1988) fliste, në shkencën e përkthimit, për një cultural turn, për analogji me filozofinë, në të cilën është folur për një linguistic turn. Lefevere (1992:XIV) pohon që gjuha është ndoshta ajo më pak e rëndësishmja.
[6]Po aty, f.17.
[7]Po aty, f.14.
[8]Si shembull ilustrues mund të marrin rastin e humanistit dhe përkthyesit të njohur francez, Etienne Dolet-it (1509-1546), i cili u var për herezi dhe ateizëm, sepse nuk e kishte përkthyer sipas “frymës së fjalës” së origjinalit, një fragment nga shkrimet e shenjta.
[9]Tupja, E. Këshilla një përkthyesi të ri, Onufri, Tiranë, 2000, f. 19-20.
[10]Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Fjalori i Shqipes së Sotme, Botimet Toena, 2002, f. 979.
[11]Po aty, fq. 1288.
[12]Zheji Gjergj, Xhafka Natasha, Fjalori enciklopedik letrar, Shpërndarja e Librit shkollor, 2001, f. 160.
[13]Tupja, E. Këshilla një përkthyesi të ri, Onufri, Tiranë, 2000, f. 10-11.
[14]Chevrel, I. ( 2002). op.cit. f.17.
[15]Po aty, f.25-26.


Leave a comment