Hera e parë që jam ndeshur me Machado në origjinal ka qenë gjatë studimeve letrare. Dhe nga dëshira për ta sjellë në shqip, nisa kërkimet nëse qe përkthyer apo botuar më herët. Këtu hasa dhe me përkthimin e tij në shqip tek libri Poezi spanjolle të shekullit XX (antologji), me përkthim të Aurel Plasarit dhe redaktim të Xhevahir Spahiut. Me leximin dhe interpretimin e poezive (si edhe me njohurinë time në gjuhën spanjolle) nisa të bëj një qasje krahasuese mes origjinalit dhe përkthimit. Në këtë punim kam sjellë sipërfaqësisht disa arsye dhe argumente në lidhje me një përkthim të dytë (qoftë dhe ripërkthim). Këndvështrimi është filologjik dhe lë hapësirë për debat, ndaj jam përpjekur të jem i thukët dhe lakonik.
Punimi ndahet në shtatë pika, katër nga të cilat kanë të bëjnë me poezinë në origjinal dhe tre përkthimet në shqip (përkatësisht përkthimi i Aurel Plasarit, përkthimi i fjalëpërfjalshëm dhe përkthimi alternativ bërë nga personi im); ndërsa pikat e mbetura kanë të bëjnë me krahasimin fonetik, sintaksor dhe morfologjik të tre varianteve. Punimi është më i gjerë dhe më i thellë, pasi duhet trajtuar figuracioni, metrika, rima, stili. Gjithashtu duhet zbërthyer mesazhi i poezisë, si edhe të vihen në pah ndikimet biografike. Nëse do të kishim të bënim me prozë, do të ishte krejt ndryshe, ndërsa në poezi është thuajse e pamundur që autori t’iu shpëtojë ndikimeve nga elementë të tillë.
1. Poezia në origjinal
HE ANDADO MUCHOS CAMINOS
He andado muchos caminos,
he abierto muchas veredas,
he navegado en cien mares
y atracado en cien riberas.
En todas partes he visto
caravanas de tristeza,
soberbios y melancòlicos
borrachos de sombra negra,
y pedantones al paño
que miran, callan y piensan
que saben, porque no beben
el vino de las tabernas.
Mala gente que camina
y va apestando la tierra…
Y en todas partes he visto
gentes que danzan o juegan
cuando pueden, y laboran
sus cuatro palmos de tierra.
Nunca, si llegan a un sitio,
preguntan adònde llegan.
Cuando caminan, cabalgan
a lomos de mula vieja,
y no conocen la prisa
ni aun en los días de fiesta.
Donde hay vino, beben vino;
donde no hay vino, agua fresca
Son buenas gentes que viven,
laboran, pasan y sueñan,
y en un día como tantos
descansan bajo la tierra.
2. Përkthim i fjalpërfjalshëm
KAM SHKUAR NË SHUMË RRUGË
Kam shkuar në shumë rrugë
kam hapur shumë shtigje
kam lundruar në njëqind detra
dhe kam ankoruar në njëqind brigje
Në të gjitha vendet kam parë
Karvanë e trishtimit
krenarë dhe melankolikë
të dehur prej hijes së zezë
dhe pedantët e rrobave
që shohin, heshtin dhe mendojnë
që dinë, përse nuk pinë
verën e tavernave.
Njerëz të këqinj që ecin
dhe do të ndyjnë tokën…
Dhe në të gjithë vendet kam parë
njerëz që kërcejnë ose luajnë
kur mundin, dhe punojnë
mbi katër inc të tokës
Asnjëherë, nëse arrijnë diku
pyesin ku arrijnë
Kur udhëtojnë, kalërojnë
Hypur mbi mushkën e vjetër,
dhe nuk e njohin nxitimin
as dhe në ditët e festave.
Ku ka verë, pijnë verë
ku nuk ka verë ,ujë të freskët
Janë njerëz të mirë që jetojnë
punojnë, kalojnë dhe ëndërrojnë
e në një ditë si shumë të tjera
pushojnë nën tokë.
3. Përkthimi prej Aurel Plasarit
KAM BREDHUR SHUMË RRUGË
Kam bredhur shumë rrugë
Shumë shtigje kam çelur
Kam lundruar njëqind dete
Njëqind lumenj kam hedhur
Dhe në çdo anë kam parë
Varganë të trishtë të mjerësh,
Kokëfortë e vetullvrenjtur,
Sarhoshë me hijet sterrë.
Çdo gjë, çdo gjë mund të bëjmë,
Shohin heshtur dhe e pandehin
Veten të zgjuar, se s’pinë
Verë e raki në tavernë,
Avdallë që venë e vijnë
Dhe tokën e mbytin me erë…
Pastaj kam parë gjithandej
Njerëz që vallen e heqin
Kur mundin, edhe lërojnë
Atë pëllëmbë tokë të keqe.
Kur venë në ndonjë vend,
S’pyesin ku venë aspak.
Kur shkojnë, shkojnë kaluar
Mbi shpinë të mushkave plaka.
S’dinë ç’është të nguturit
As dhe në ditët e festës.
Kur ka verë – pinë verë,
Kur s’ka verë – ujë të freskët.
Janë njerëz të mirë që gjallojnë,
Punojnë e ëndrra shohin,
Dhe një ditë, si gjithë të tjerët,
Zbresin nën tokë e pushojnë
4. Përkthimi alternativ
NË SHUMË RRUGË KAM SHKUAR
Në shumë rrugë kam shkuar
Ku kam hapur shumë shtigje
në njëqind dete kam lundruar
kam ankoruar në njëqind brigje
Ngado sytë më kanë parë
Disa karvanë trishtimi
krenarë dhe melankolikë
prej hijes së zezë dehur
Dhe endacakët pedantë
shohin, heshtin e mendojnë
që dinë, përse nuk pinë
verërat e tavernave.
Farë e keqe që ecën
Dhe shkon duke ndyrë tokën…
Ngado sytë më kanë parë
Njerëz që tunden a luajnë
kur mundin, edhe punojnë
Mbi katër metra tokë.
Nuk ndodh, që kur arrijnë diku
të pyesin se ku arrijnë.
Kur largohen, kalërojnë
Hypur mbi mushkat e vjetra.
Dhe nuk e njohin nxitimin
as në të festave ditë.
Ku ka verë, pijnë verë;
ku nuk ka, ujë të freskët pijnë.
Ka bujarë që jetojnë,
punojnë, shkojnë, ëndërrojnë
dhe në një ditë të zakonshme
nën këtë tokë pushojnë.
5. Rrafshi fonetik
Për të arritur bukurtingëllim tek Plasari vërehen: bashkëtingëlloret hundore [m], [n] të ripërsëritura në tërësi të strofës. P. sh.: mund, bëjmë, shohin, pandehin, veten, s’pinë, tavernë, venë, vijnë, tokën, mbytin. Ndërsa tek strofa e Çikollarit bukurtingëllimi arrihet përmes rimimit brenda vargut. P. sh.: shohin, heshtin… dinë – pinë…
Përsa i përket zanoreve kemi tek Plasari mbizotërim të [ë]-së fundore. P. sh.: Gjë, bëjmë, s’pinë, avdallë, verë, venë, vijnë, verë, ndërsa tek Çikollari kemi alternim brenda vargut, çifte zanoresh të tipit: e – a. Endacakët pedantë; e – o: shohin, heshtin dhe mendojnë; i – e: që dinë, përse nuk pinë…
6. Rrafshi sintaksor
Përsa i përket rrafshit sintaksor, vërehen disa dallime ndërmjet krijimit në original dhe variantit të parë përkthimor prej A. Plasarit.
Tek vargu i parë në strofën e parë kemi mungesën e shenjës së presjes e cila krijon një pengesë rrjedhshmërie në leximin e poezisë, gjithashtu ndan dhe vargjet nga njëri-tjetri për të dhënë një tjetër kuptim ndërmjet fjalive bashkërenditëse.
Në strofën e dytë varianti përkthimor nis me lidhëzë, ndërkohë që origjinali nis me parafjalën “në”. Kjo besohet se ndodh pasi përkthyesi Plasari kërkon t’i japë rrjedhshmëri vazhdimësisë së poezisë prej strofës së parë në atë të dytën, pasi dhe në strofën e parë nuk ka vendosur shenjën e pikësimit (pikë) në fund të vargut.
Strofa e tretë në variantin përkthimor në fjalë është bashkuar me strofën pasardhëse përbërë prej dy vargjesh në origjinal. Kjo përbën një pengesë në receptim, pasi kufizohet kuptimi dhe ngatërron receptuesin në interpretimin e vargjeve.
7. Rrafshi morfologjik
Përkthimi prej Plasarit sjell një variant krejt ndryshe prej origjinalit. Duket sikur ai na largon deri diku prej motivit të poezisë.
Andado (shkoj) – bredhur: nuk janë e njëjta gjë në gjuhë. Kur dikush shkon, ka një pikëmbërritje, ndërsa kur dikush bredh, duket sikur nuk ka një destinacion përfundimtar, nuk ka një mision, por veç një udhëtim kuturu.
Ndërsa vargu i fundit i strofës së parë vjen në shqip në mënyrë të deformuar. Qëllimi i vargut ka të bëjë me vazhdimësinë e vargut më sipër. Lundrimi në njëqind dete sjell ankorimin në po njëqind brigje, pasi kontinentet apo gadishujt ndahen prej detesh dhe oqeanesh e jo prej lumenjsh.
Tek strofa e tretë kemi një tjetërsim vargu prej përkthyesit. Kjo për arsye se nuk mund të ketë gjetur fjalën e duhur. Por një modifikim i tillë cënon krijimtarinë e autorit dhe gjithashtu shmang receptuesin prej kuptimit real. Madje pengon dhe në rrafshin fonetik përsa i përket rrjedhshmërisë së mesazhit, kuptimit dhe mendimit.


Leave a comment