Një libër në ditë: Gosti gënjeshtrash, Amin Zaoui

Published on

in

Gosti gënjeshtrash ose rrëfimi i gënjeshtërt

Shkrimi është ai që përcakton identitetin letrar të një vepre.[1] Kështu shkruan Roland Bart në esenë e tij Utopia e ligjërimit. Duke folur për romanin sartian, Barti pohon se Sartri provoi të thyejë vazhdimësinë romaneske duke e dyfishuar rrëfimin për të shprehur gjithpraninë e realitetit. Shkrimi rrëfimtar rikomponon një kohë të vetme dhe homogjene, kohën e rrëfyesit, zëri i veçorive të diktueshme mirë, e ngarkon shpalimin e historisë me një njësi parazite dhe i jep romanit ndërndymjen e një dëshire që ndoshta është e rrejshme.[2]

Këtë ndërdymje të rrëfimit kishim parasysh kur shënuam si titull të këtij shkrimi: “rrëfim i gënjeshtërt”. Lexuesi i shtron vetes pyetjen: a janë të vërteta këto rrëfime? Kemi të bëjmë me një tëhuajsim të historisë apo thjesht me një realizim të një historie të ëndërruar? Këto rrëfime vijnë përmes një përmbysjeje të së zakonshmes, ku e pabesueshmja bëhet e besueshme, dhe ku vetë rrëfimtari, një gënjeshtar esnaf, beson se gënjeshtrat e tij janë të vërteta dhe të besueshme.

Kemi të bëjmë me një libër të shkruar nga Amin Zaoui, një shkrimtar algjerian dygjuhësh. Si rrëfimtar i këtyre radhëve na del një fëmijë i vogël që i shtron herë pas here vetes pyetjen: “Pse xhanëm më pëlqen kaq shumë të bëj dashuri me gratë që janë shumë më të mëdha se unë në moshë?”. Është ky djaloshi 10 a 14 vjeçar, pak rëndësi ka kjo, që rritet me Znj. Bovari të Floberit në njërën dorë dhe me Kuranin në dorën tjetër. Ai rritet në një familje besimtarësh, në një shtëpi të madhe “mbushur me intriga, xhelozi dhe tradhti bashkëshortore”, në një fshat të zhytur në mjerim dhe hipokrizi, në katundin pa shpirt, ku burrat ishin të dhënë pas kurvërisë, ndërsa gratë pas tradhtisë bashkëshortore. Kështu pra, çfarë i mbetej të bënte djaloshit? “Unë nxora fyerje të pamenduara, të vërteta, të fëlliqura të jetës sime, apo gjëra të cilat i kam dëgjuar nga gojët e atyre që më detyruan të jem zot i frikës dhe i mirë. E dua të vërtetën e gënjeshtrave. Dhe vetëm Allahu e di të vërtetën, të vërtetën e madhe. Betohem që këto gënjeshtra janë të vërteta.”

Gosti gënjeshtrash sjell një rrëfim imagjinativ në dymbëdhjetë sythe ose kapituj të vegjël të cilët mund të qëndrojnë shumë mirë në vete dhe të merren si premisë e rrëfimit. Lexuesi e ka të vështirë të besojë vërtetësinë e këtyre rrëfimeve sepse është rrëfimtari ai që herë pas here i përshpërit në vesh se këto rrëfime janë gënjeshtra dhe se gënjeshtra është mbretëria e tij.

Të gjitha gënjeshtra. Kënaqesha kaq shumë kur gënjeja. Por edhe ajo, kur më dëgjonte, bënte si naive dhe kinse i besonte të gjitha ato që thosha unë. Në përndritjen e vështrimit të saj lexoja një fije tallëse. Gënjeshtra është mbretëria ime.

A mos është ky një truk për lexuesin apo rrëfimtari ka pësuar një krizë identiteti sepse jemi në luftë dhe ai e përmend dendur se nuk i pëlqen lufta: “Unë quhem Kusaila dhe nuk i dua luftërat”. Ky udhëtim imagjinativ, patjetër që përmban edhe shenja të reales. Bëhet fjalë për Algjerinë e viteve ‘60 – ‘70, në një klimë puçesh ushtarake dhe intrigash politike. Në një kohë kur urrejtja fetare është arsyeja e çdo krize, si politike, atdhetare dhe familjare. Dhe në këtë klimë krize ky djalosh vazhdon të bëjë dashuri me tezen e tij 60 vjeçare, e cila është binjake e nënës së tij, me të cilën ngjan si dy pika ujë. Ai zbulon dashurinë për nënën dhe xhelozinë për xhaxhanë që është bërë burri i saj, një dukuri kjo e përgjithshme e fëmijërisë së parë. Çdokush ka qenë njëherë Edip, Kusaila shumë më shumë!

Duke kaluar nga njëra grua plakë tek tjetra, ai nuk i bën ballë nënshtrimit seksual të parakohshëm, por vazhdon të nënshtrohet dhe kjo gjë i pëlqen. Ashtu siç dëshiron gratë, do edhe librat, të cilët i falin po aq emocione sa edhe seksualiteti. Një shoqëri sa morale po aq edhe e shthurur, sa fetare po aq edhe ateiste, sa e rregullt po aq edhe e rrëmujshme. Kusailës, këtij Guliveri të vogël, i zihet fryma prej ndikimit shtypës të kësaj shoqërie. Ai ndihet i paaftë dhe i dobët përpara problemeve që vetëm “gjigandët” do të dinin t’u jepnin zgjidhje. Jetojmë të gjithë nën shenjën e Guliverit. Ajo që karakterizon më së shumti shpirtin e njeriut të ditëve të sotme, është pa dyshim ndjenja guliveriane e ekzistencës. Ky djalosh e gjen zgjidhjen për të dalë nga ky ngërç: lexon dhe vetëm lexon, pa pushim, sikur librat të ishin ajër. Dhe ashtu ishin, edhe pse të shkruara në gjuhën e Satanait. Gjuha frënge, gjuha e zogjve, gjuha e lirisë ishte gjuha e shpirtit.

Për t’i qëndruar temës sonë – pra rrëfimit të gënjeshtërt i referohemi teorisë së Paul Ricouer-it, i cili e kthen vëmendjen tek pohimi që mund të jetë i vërtetë ose i rremë. Sipas tij, teksti letrar nuk i referohet diçkaje – siç ndodh në të folur ose në dokumente historike. Përkundrazi, ai përmban referenca të rreme (për kohën, për veten dhe vendet) dhe një “aftësi për t’iu referuar aspekteve të qenies sonë në botë”[3]. Edhe pse narratori ynë, është një narrator omnishent, pra i gjithëdijshëm, ai nuk e zotëron rrëfimin në të gjitha pikat e tij. Kalimet analeptike dhe proleptike e bëjnë atë të pohojë gjëra në kundërshtim të njëra – tjetrës. I shkruar në vetën e parë duket sikur ky rrëfim në një pikë të tij përmban çdo gjë të mundshme nga jeta e rrëfimtarit dhe nuk ka as fillim as mbarim, porse thjesht prezanton një gjendje të vazhdueshme, por gabohemi, rrëfimtari nuk ka preferuar të na i rrëfejë disa gjëra, dhe na i rrëfen tani duke na mbushur me dyshime për vërtetësinë e tyre. Kthimet analeptike e bëjnë të harrojë atë që po rrëfente dhe rrëfen diçka tjetër që ka ndodhur shumë kohë më parë, që rastësisht ka ngjashmëri hutuese me rrëfimin e tanishëm. Padyshim ky është një trill për lexuesin! Lexuesi s’mund të pretendojë se e zotëron rrëfimin, këtë atribut e ka vetëm ai: djaloshi rrëfimtar që lexon Kuranin teksa bën dashuri me plaka të regjura.

Cili është ky rrëfimtar që është bir i Satanait dhe që lexon Kuranin? Ai është Kusaila, ose Nemsi, ose ai që këlthiste: “Liri, liri!”. Një fëmijë i qiellit dhe i fatit. Një fëmijë i erës, i hiçit, i asgjësë.

Përse po i rrëfejmë të gjitha këto?!

Anxhela Lepuri

[1] Bart, Roland. Aventura semiologjike, Utopia e ligjërimit, Dukagjini, Pejë, 2008, fq.135.

[2] Bart, Roland. Aventura semiologjike, Utopia e ligjërimit, Dukagjini, Pejë, 2008, fq.135.

[3] Jefferson, Ann. Roby, David. Teoria letrare moderne, Albas, Tiranë, 2006, fq.198.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.