Një ndër librat më të lexuar të Yan Lianke është romani Katër Librat. I ndaluar në Kinë, libri vendoset në një peizazh të zbrazët të historisë zyrtare; bëhet fjalë për vitet 1958–1962 dhe ndodhitë e tmerrshme që partia krijoi dhe të cilat tani po përpiqet t’i gërryejë nga kujtesa kombëtare.
Ishte koha e Hapit të Madh Përpara, skemës gjysmake të industrializimit të Maos. Agrokultura dështoi, popullsia ishte e rraskapitur dhe thuajse 40 milion njerëz vdiqën prej urisë. Ndërkohë që populli vdiste urie, Kina eksportonte orizin që kishte prodhuar.
Liankes iu nevojitën njëzet vjet planifikim dhe dy vjet shkrim për Katër Librat. E shkroi pikërisht siç e dëshironte, pa mëdyshje dhe pa censurë. U refuzua prej njëzet botuesish, pasi ata e kuptonin që botimi i këtij libri për ta do të thoshte të mbylleshin përngaherë.
Ngjarjet zhvillohen në një kamp përqëndrimi në veri të Kinës, pranë lumit të Verdhë. Intelektualët janë emëruar sipas profesionit – Teologu, Mësuesi, Gjuhëtari, Inxhinieri, Muzikantia, Shkrimtari – dhe cilësohen si të djathtë, ndaj, janë sjellë për tu “riedukuar” politikisht nëpërmjet punës së rëndë, nën kontrollin e komandantit të kampit, një figurë rioshe e çuditshme quajtur Fëmija. Fëmija i mbijeton të ftohtit të dimrit nën flakët e ngrohta të djegies së librave të të burgosurve, të cilët i kanë sjellë me vete në mënyrë të fshehtë. Ai vjen rrotull kampit duke u bazuar në Dhjetë Urdhëresat, me të fundit e cila thekson që ata nuk duhet t’ia mbathin, dhe kontrollon sjelljen e të burgosurve nëpërmjet disa dekoratave që janë krijuar me një letër të kuqe të shndritshme në formë ylli. Ata që mbledhin mjaftueshëm ju është premtuar liria; ndërsa vetë Fëmija i mbledh shpërblimet me shpresën e rritjes në detyrë.
Titulli duket të ketë ndikim si prej Ungjijve, ashtu edhe Katër Librave kanunorë konfucian. Romani përmban fragmente të katër librave fiktivë të vetë Liankes, dy prej të cilëve janë shkruar nga Shkrimtari – Dosjet Penale, raporte sekrete mbi shokët e tij të burgosur, shtyrë prej Fëmijës mbi premtimin e lirisë; dhe fragmente nga Kursi i Vjetër, romani 500 faqësh i Shkrimtarit (personazh). Gjithashtu ka fragmente nga Fëmija i Parajsës, një dorëshkrim anonim i shkruar në stilin biblik; dhe Miti i Ri i Sizifit, një refleksion filozofik mbi dënimin hyjnor dhe përgjigjen njerëzore. Përzierë së bashku, këto “tekste” pasqyrojnë katastrofën e kohërave dhe meditojnë mbi kuptimin e integritetit, të vërtetës, dashurisë dhe etikës kur përballen me tmerrin. Lianke është shprehur me shpresën se një ditë do të krijohet memoriali për amnezinë, në mesin e Sheshit Tiananmen, ku të gjenden të gdhendura të gjitha kujtimet e dhimbshme të kombit kinez të shekullit të kaluar. Ajo ditë është e largët, por ndërkohë që pret, ai ka krijuar një roman të jashtëzakonshëm, i cili përkujton viktimat e shtetit dhe që sfidon amnezinë e sponsorizuar nga shteti i Kinës.


Leave a comment