Mbi akmeizmin

Published on

in

,

Akmeizmi është një lëvizje, rrjedhë, shkollë, drejtim letrar, i cili reflekton tendenca të reja estetike në arkivin rus të viteve 1910. Ai përfshiu jo vetëm letërsinë, por edhe pikturën (K. Korovin, F. Maljavin, B. Kustodijev), edhe muzikën (A. Ljadov, Igor Stravinskij). Akmeizmi, si term, rrjedh nga greqishtja e vjetër: akmé – agim, majë, kulm – kulmi i lulëzimit të diçkaje.

Akmeizmi lindi si reaksion nga “simbolizmi teurgjik” i skajshëm, ndaj të cilit akmeistët qëndronin në pozicione të kundërta. Me simbolizmin, akmeistët i ofronte qëllimi i përbashkët: “etja për kulturën”, që kombinonte në vetvete traditat kombëtare dhe europocentrizmin; ndërsa i ndante shumëllojshmëria në zgjedhjen e rrugëve për realizimin e këtij qëllimi.

Sulmin ndaj simbolizmit, akmeizmi e nis me daljen e revistës “Apolon” (1909). Në artikujt programorë të Inokenti Anenskijt: “Mbi lirizmin bashkëkohor”, të Mihaill Kuzminit “Mbi të bukurën dhe të qashtrën”, të Nikollai Gumiljovit “Jeta e vargut”, u hodhën idetë qendrore të akmeistëve, që hynë edhe në programet artistike të tyre. Paralelisht, brenda simbolizmit, në të cilin nganjëherë nuk kishte unitet, përkeqësohej lufta ndërmjet ithtarëve të “simbolizmit realist”, i cili predikonte “jetëkrijimin” dhe “teurgjinë” (Vjaçesllav Ivanov, Aleksandër Bllok, Andrej Bjellij) dhe Valerij Brjusovit që mbështeste parullat akmeiste të artit autonom dhe të poezisë së qashtër (“klarizmi”).

Duke filluar nga viti 1909, ideja qendrore e artistëve që mohonin çfarëdolloj abstragimi në art dhe që u bë gur themeli për mjeshtërinë dhe për kërkimet formale, udhëhiqet nga Nikollaj Gumiljov (poezia “Kapitenët”). Në periudhën e përkeqësimit e mosmarrëveshjeve brenda simbolizmit, bashkëmendimtarët mblidhen në shoqërinë letrare “Esnafëria e poetëve” (20 tetor 1911), emërtimi dhe përmbajtja e së cilës qe nxjerrë nga tradita mesjetare e artizanëve argjendarë. Prijës të “Esnafërisë” u bënë Gumiljovi dhe Sergej Gorodeckij, ndërsa në pozitat e nxënësisë hynë Ana Ahmatova, Osip Mandelshtam, Georgij Ivanov, Georg Adamoviç, Mihaill Llozinskij, Vladimir Narbut, Mihaill Zenkeviç etj. Në vjeshtën e vitit 1912 kjo lidhje e re mori emrin akmeizëm. Në tetor të atij viti akmeistët organizuan revistën e tyre speciale “Hiperborea”, ndërsa në fund të vitit Gumiljovi shtiu në dorë revistën “Apolon”, e cila u kthye në zëdhënëse të akmeistëve. Pikërisht në këtë revistë u shfaqën artikujt e Gumiljovit, “Trashëgimia e simbolizmit dhe akmeizmit” dhe të Gorodeckijt, “Disa rrjedha në poezinë bashkëkohore ruse”, ndërsa manifesti i tretë i planifikuar i Osip Mandelshtamit (dhe më i rëndësishmi), doli vetëm pas gjashtë vjetësh. Duke shpërfaqur programet estetike të akmeizmit, secili prej autorëve përcaktonte e përkufizonte misionin e tij vetjak. Prandaj akmeizmi zanafillor nuk zotëronte një koncepsion unik; më vonë, akmeistët shtjelluan lirisht konceptet e tyre në krijimtarinë individuale, duke dalë nga kornizat e ngushta të shkollës akmeiste (Gumiljovi, Ahmatova, Mandelshtam).

Në lëmin e letërsisë botërore, estetika akmeiste priret për kah traditat franceze me “ironinë e kthjellët dhe konkretësinë”. Gumiljovi mbështetet te modelet e Teofil Gotjesë (“Përsosuria e formës”), Fransua Vijonit (jetëpranimin), Fransua Rabëlesë (“fiziologjia e mençur”); këtu përfshihen dhe parnasianët (Lëkont dë Lilë, Zhorzh Ereida) dhe përvojën e depërtimit në “botën e brendshme të njeriut” të Shekspirit. Nga tradita ruse, Gumiljovi veçon modelet e Brjusovit (eleganca e kompozicionit, figurshmëria e harlisur), të Bllokut (burrërinë e artistit para jetës dhe vdekjes), të Kuzminit (zhgënjimin nga vogëlsirat e jetës). Ndërmjet llojeve të tjera të artit, akmeizmi parapëlqeu pikturën dhe grafikën: artin primitiv, traditën e artit të popujve të Afrikës, Oqeanisë dhe Amerikës, krijimtarinë e artistëve europianë të epokës së Rilindjes, primitivizmin bashkëkohor. Një ndikim të padyshimtë në formësimin e akmeistëve kanë dhënë idetë e shkollës fenomenologjike të Edmund Huserlit (vlerën e njeriut real në botën reale), popullarizues i të cilave u bë revista e përvitshme ndërkombëtare për filozofi kulture, “Logos”.

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.