Wislawa Szymborska

Realiteti

Realiteti s’ka si me t’u përvjedhë,
Siç përvidhen andrrat.
Asnjë shushurimë, asnjë tringëllimë
Atë s’mund me e trembë,
Asnjë britmë, asnjë buçimë
Prej tij s’kanë me shkepë.

Të turbullta e shumëkuptimëshe
Janë imazhet në gjumë,
Mundesh me i shkoqitë ato
Kështu e ashtu.
Realiteti don me thanë – realitet,
Dhe bash këtu ma ke enigmën.

Për andrrat ka çilësa.
Realiteti hapet vetë,
Dhe dot s’ia del me e mbyllë.
Bien prej tij
Atestatët shkollorë dhe yjet,
Fluturat e koleksioneve fëmijnore,
Shpirtnët e hekurit prej petkave të gjysheve,
Kapelat pa krye
Dhe kafkat e reve.

Konfigurohet prej gjithçkaje t’ksisojtë
Një rebus i pashpleksun.

Andrrat s’kishin mujtë me ekzistue pa ne.
Ai, pa të cilin, s’kishte me pasë realitet,
Asht i panjohun,
Dhe mundi i pagjumësisë së tij
I jepet gjithkujt,
Kush zgjohet.

Nuk janë andrrat të çmenduna,
I çmendun ashtë realiteti,

ma s’paku kokfortësia,
Me të cilën ai mbahet
Pas dromit të ngjarjeve.

N’andrra asht ende gjallë
I sapovdekuni ynë i mbramë,
Gëzon shëndet të plotë
Dhe një rini t’gastartë.
Realiteti vê para nesh
korpin e tij të vdekun.
Realiteti nuk ban asnjë hap mbrapa.

Andrrat janë efemere,
Kujtesa ato i fshin me lehtësi.
Realitetin dot s’e harron.
Ai është i pakapërcyeshëm.
Na peshon mbi qafë,
Na shtyp zemrën,
Na bie ndër kambë.

Asht e pamundun me ikë prej tij,
Ai ka me kênë gjithkund me ju.
Në të gjitha rrugët e hetimeve tona –
Nuk ka ndonjë stacion të tillë –
Ku mos me na pritë ai.

Përktheu nga origjinali Agron TUFA

Visllava Shimborska u lind më 2 korrik 1923 në qytetin Kurnik, jo larg nga Poznani. Që nga mosha tetë vjeçare ajo u zhvendos në Krakov ku jeton sot e kësaj dite. Këtu Visllava mbaroi gjatë kohës së okupimit gjerman shkollën ilegale polake; për një farë kohe ka punuar shërbyese në hekurudhë. Formimi universitar i Shimboskës përfshin Polonistikën dhe sociologjinë. Poezitë e para të saj u botuan në gazeta fill pas luftës së Dytë, më 1945, ndërsa sy vëllimet e para me poezi – në vitet 1952 (“Ndaj jetojmë”) dhe 1954 (“Pyetje vetvetes”). Stili i Shimborskës ka qenë asokohe tradicional realistik, e madje dhe me ndonjë gjurmë të socrealizmit. Poezitë i kushtohen luftës, ushtrisë, atdheut. Dhe midis tyre jo pak sosh janë shumë të mira. Në njërën prej tyre, duke folur për fatin e Polonisë, Shimborska shprehet në mënyrë aforistike: “Trofeu ynë i luftës është njohja e botës”. Kjo frazë u bë gjerësisht e njohur. Në vitin 1956 në Poloni ngjanë trazira dhe rebelime të punëtorëve në Poznan; në pushtet erdhi Vladisllav Gomulka; filluan reformat në parti dhe në shtet. Këto janë vitet e “shkrirjes” polake. Në vitin 1957 botohet vëllimi i tretë poetik, që shënon kthesë në krijimtarinë e Shimborskës – “Thirrje Jetisë” (“Jeti” – është njeriu i dëbortë sipas gjuhëve himalaje). Kritikët kapën në këtë njeri të dëbortë një aluzion, aludim për prijësin e vedit fqinj “të dëbortë” (d.m.th., për Nikita Hrushovin e BRSS-së)

Në këto vite stili i Shimborskës ndryshon ndjeshëm; ajo gjithë e më shpesh shkruan verlibër, karkteristikë për poetët bashkëkohor të Europës Perëndimore. Dhe megjithatë poezitë e Shimborskës dallohen nga verlibristët e Polonisë dhe Perëndimit. Ato janë konkrete dhe të kuptueshme, në to nuk ka abstraksione të mjegullta, formacione fjalësh e frazash kasten, të pakuptueshme prej kujt, përveç autorit, dhe që i shërbejnë vetëm qëllimit të “simulimit me thellësinë kuptimore”. Gjithësej vëllimet poetike të Shimborskës shkojnë tek njëzetë libra. Vëllimet e tjera të Shimborskës janë librat me poezi «Kripa» (1963), «Të vdesësh së qeshuri» (1967), «Çdo rast » (1972), «Sasia e madhe » (1976), «Njerëzit mbi urë » (1986), «Fund dhe fillim» (1993), “Pamje në kokrrën e rërës” (2002 poezi të zgjedhura). Më 1996 Visllava Shimborska u nderua me çmimin Nobel për letërsinë me motivacionin «për poezinë, e cila me një saktësi të madhe përshkruan dukuritë historike e biologjike në kontekstin e realitetit njerëzor».

Midis autorëve më të vlerësuar për Shimborskën, në një radhë me filozofët bashkëkohorë, – janë Paskali, Montenji, Dekarti, Spinoza. Shimborska është në thelb poete filozofe. Poezia e saj është poezia e dyshimit. Dekart, siç e dimë, thoshtë, se kur ai dyshon, mendon dhe kur ai mendon, atëherë është i sigurtë që ekziston. Për fat poezitë e Shimborskës nuk dallojnë për ndonjë seriozitet për vdekje. Erudicioni i saj nuk e shtyp lexuesin; ajo fshihet pas ironisë, lojës, shakasë. Në poezinë e saj mendimi lind bashkë me formën poetike dhe është e pandarë prej tij. Duke zotëruar stile të ndryshme, ajo gjen për çdo poezi stilin e saj adekuat. Në një intervistë ajo e shpreh vetë: “Do të doja, që çdo poezi e imja, të ishte tjetër, e pangjashme me ndonjë tjetër”. Dhe shton dëshirën tjetër: “në secilën poezi në vetvete dëshiroj të arrij deri në unitetin absolut të stilit me materien”.

Sa i përket formës së poezisë, në librat e saj të hershëm ndeshim krijime me varg të rregullt dhe rima të rregullta. Më vonë të tilla poezi nuk ndeshim. Si artiste ekspresive ajo bën një punë të gjatë me vargun dhe poezinë. Librat e saj poetikë kanë ruajtur një ritëm 3-4 vjet nga njëri-tjetri. “Akumulatori im, – thotë ajo, – karikohet ngadalë”.

Pas librit “Numra të mëdhenj” (1976) zgjat një pushim prej 10 vjetësh. Libri i saj i tetë dhe i nëntë – “Njerëzit mbi urë” (1986) dhe “Fund dhe fillim” (1993) – dallohen dukshëm nga krijimtaria e mëparshme. Për nga forma dhe thelbi. Këtu kemi më pak aludime mbi rimën dhe regullsinë. Më pak lojëra dhe humor. Më shumë nuanca e përkufizime. Më shumë politikë.

Në konfliktin e përjetshëm të intelektualëve dhe pushtetit totalitar, ajo, vetëkuptohet, jep kontributin e sak kundër totalitarizmit. Pikëvështrimin e pushtetit mbi intelektualët ajo e ironizon në poezinë “Opinion mbi pornografinë”: “S’ka perversion më të madh, se sa mendimi…”. Në vlerësimin e poezisë së saj, kritikët nuk kanë mundur të mos mbështeten në referencat të ndryshme lidhur me veprën e Lajbnicit, Dekartit apo Hajdegerit. Mirëpo kjo poezi është e përshkuar, mbi të gjitha, me atë ndjeshmëri delikate e karakteristike të femrës, ndaj pikërisht mendimi dhe ndjeshmëria e veçantë e bëjnë Shimborskën një individualitet të fuqishëm. Mendimi intelektual te Shimborska është i mbërthyer me hidhërimin dhe pezmin e vetëdijes apo të njohjes mbi ngathtësinë e njeriut bashkëkohës dhe pamundësinë që t’i humanizojë raportet në shoqërinë njerëzore dhe ky pezëm, dendur përshkohet me humor të lehtë e sarkazëm therës, ndërsa kur poetja flet për veten, edhe me autoironi. Humanizmi në botën poetike të Shimborskës është një humanizëm pa patos dhe pa fjalë të mëdha. Kjo e bën atë autentike dhe symprehtë karshi një bote të dehumanizuar, ku e keqja dhe dhembja janë të pafundme.
“Në të dalë të shekullit” – është titulli i një prej poezive të saj dhe një ndër temat që e përshkon krijimtarinë e vonë të poetes. Ajo ndan me njerëzimin zhgënjimin e vet për fundin e shekullit XX. Libri i saj i fundit është shkruar me një tonalitet mjaft të ngrysur e të errët. “Kjo më nevrikosi, sepse kam frikë mos i pikëlloj lexuesit”, thotë Shimborska.

Në vitin 1995 gjatë marrjes së diplomës së doktorit Honoris Causa në universitetin e Poznanit, Shimborska e mbaroi ligjëratën e saj me fjalët: “Përvoja na mëson ne, që e ardhmja do të jetë krejt ndryshe, nga sa e kemi përfytyruar. Jo aq të errët, sa e gjykojnë pesimistët, jo aq të ndritshme, sa e gjykojnë optimistët. Unë prirem ta shoh atë në shumë ngjyra njëherësh. dhe besoj, që do të gjendet në pakëz kaltërsi: për ata që parapëlqejnë të meditojnë”

 

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.