Çanta | Ervin Nezha

Published on

in

, ,
Gaspër Keçit i mbetën sytë te çanta e vogël me lëkurë kastori që mbante në sup emigranti Gaston Prela. E kishte pasur shok shkolle, ndërsa tani do të ishin komshinj pasi Gastoni qe kthyer nga Amerika, ku pati jetuar mjaft vjet. Ai kishte blerë vilën e madhe të rusit Ludovik Stazinski, i cili kishte një javë që kishte vdekur në azil.
Dy ditë pasi u bë banori më i ri i lagjes, të dy personazhet, siç tham, u takuan rastësisht në udhë. E njohën njëri- tjetrin që larg se nuk kishin ndryshuar shumë, mirpo, biseda e tyre qe e ftohtë dhe të dy qenë të bindur se nga shoqëria e dikurshme nuk pati mbetur gjë. Përkundrazi, seç ndjenë një si lloj shpërfilljeje pa kuptim për tjetrin.
Si e lustruan bisedën me ca përshëndetje formale, u ndanë me premtimin se tani e tutje që do jetonin afër do takoheshin shpesh. Do pinin ndonjë birrë e do kapërdiseshin bashkë edhe njëherë si dikur. Dhe vërtet kështu ndodhi.
Të nesërmen kur u zgjua, nga dritarja e dhomës së gjumit që binte paralel me oborrin e vilës, Gaspri pa komshiun e ri që kishte ngritur Chervoletin në krik dhe po punonte poshtë me një çelës, i shtrirë në kurriz. Ndërsa në pasqyrën e makinës, qe varur çanta e vogël që i kishte parë të hedhur krahëqafë.
Mendja iu tundua. Qe kurioz i madh të dinte sesa para ndodheshin brenda saj.
-Vjen nga vendi i Dollarit qerratai,- pshertiu me vete,-e ka mbushur deng, ndaj e mban gjithmonë pranë vetes.
Kështu doli nga shtëpija dhe u afrua drejt avllisë me blloqe. E kapërceu dhe u gjend në oborrin e fqinjit.
-Mirëmëngjes o Gaston,- e përshëndeti Gaspri,- u prish eee, epo afër mendsh, s’kemi autostradat e Amerikës ne or lum miku !
Gastoni qeshi me zë që poshtë makinës ku po shtrengonte një bulonë, ndërsa Gaspri u lumturua sepse diti të futej me stil në bisedë.
Gaspri bëri dy tre manovra të shkathëta dhe u gjend një hap larg çantës. Zemra po i rrihte si orë me kurdisje, mirpo frika nuk e la ta zinte me dorë.
Dhe mirë bëri, sepse nga dera doli Marta, gruaja e Gaston Prelës, e cila mbante në duar dy gota bosh dhe një shishe konjak.
-Epo gëzuar,- o miq ia priti Gaspri me gotën në dorë, – mirëseardhët dhe qofshi mirë !
Pas të parës rrakëlleu dhe një gotë tjetër dhe u largua, mirpo kokën e kishte të dyzuar.
Pamja e çantës, që kishte pasur vetëm një hap larg, i qe stampuar në tru si pullë poste.
Kështu, vila e komshiut u bë objekt vëzhgimi për Gaspër Keçin.
Pasdite ky pikasi në dritaren e dhomës, fqinjin që e kishte hapur çantën dhe diç po fuste ose po nxirte në të.
-Dreqi ta marrë,-tha,- që s’po mund të dalloj gjë, por plaça po se rregullova këtë punë !
Dy ditë më vonë Gaspër Keçi, bleu në kancelarinë e Ylber Mezinit, një teleskop, që e zakonisht e merrnin nxënësit e shkollës për të vështruar qiellin.
Teleskopi, edhe pse i thjeshtë, ia lehtësoi punën shumë. E vendosi në dritare dhe që andej vështronte dritaret e fqinjit orë e pa orë.
Dhomat e sipërme të shtëpisë së Gaston Prelës, tani dukeshin në pëllëmbë të dorës. Kështu përgjimi zgjati shumë net, por Gaspri nuk pa ndonjë gjë të madhe, përveçse nja dy herë Martën thuajse zhveshur, mirpo kjo gjë nuk i hynte hiç në punë. Shpresa e tij, për të zbuluar ndonjë gjë në lidhje me çantën, qe dhoma e gjumit të fqinjit, ku çifti do vinte se s’bën për të fjetur, por shpejt e kuptoi se edhe aty nuk do mësonte ndonjë gjë kushedi se çfarë, sepse në orën 10 perdet mbylleshin dhe drita fikej. Kështu ndodhte gjithmonë, mbylleshin perdet pastaj fikej drita.
Mirpo një natë ndodhi ndryshe, në orën 10 të darkës, perdet u mbyllën, por drita nuk u fik. Gaspri mund të vështronte tani vetëm dy hije pas perdeve të kuqe, si në teatër kukullash, të cilat dukeshin sikur bënin dashuri, vallëzonin apo kacafyteshin. Kjo zgjati pak minuta, sepse pastaj gjithçka ra në errësirë, pasi drita u fik.
Tërë natën Gaspri nuk fjeti sepse iu duk e dyshimtë ajo që kishte parë.
Herë pas here ngrihej nga shtrati dhe vështronte në drejtim të shtëpisë së fqinjit. Jasht qe heshtje dhe errësirë. Dëgjoheshin vetëm të lehura qensh.
Kur dita po zbardhte, gjumi i doli nga zhurma e motorrit të makinës së Gastonit. Tinëz doli në dritare për të parë. Dita akoma nuk kishte zbardhur si duhet, por jasht dukej qartë. Makina e fqinjit doli nga porta e oborrit, mori rrugën dhe u zhduk në kryqëzimin e parë që hasi. Oborri ra në heshtje.
Dera e garazhit qe lënë hapur, si kurrë më parë. Sytë e Gasprit u fiksuan mbi çantën që pati mbetur e varur si lavjerrës ore, në dorezën e grilës së garazhit.
Si duket Gastoni e kishte harruar kur kishte hapur garazhin. Rast më të madh se ky për ta grabitur nuk kishte. Gaspri harroi të vishet nga gëzimi. Zbriti shkallët me pizhama, përshkoi oborrin me një frymë, kapërceu avllinë dhe eci në drejtim të çantës.
E rrëmbeu që andej, siç bëjnë fëmijët e kopshit në lojën me shami dhe ia dha vrapit. Por në ikje e sipër, mendja i tha se do qe më mirë ta mbyllte derën e garazhit, sepse kështu fshihte gjurmën e vjedhjes, duke ngatërruar kujtesën e Gastonit po të kthehej mbrapsht.
Kështu bëri.
Pastaj ia dha vrapit sa mundi.
Kur u ndodh në oborrin e tij, vështroi rrotull mos e kishte parë njeri, por u qetësua sepse zor se qe zgjuar kush aq herët. Ama zemra i rrihte shumë fort.
Hapi çantën i hutuar siç ishte dhe futi duart brenda pa kujdes. Hutimin në fytyrë ia zëvëndësoi tmerri sepse në dorë po mbante një thikë të përgjakur…

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.