Zbigniew Herbert

Raport nga qyteti i rrethuar

Jam tepër plak që të ngjesh pushkën dhe të luftoj si të tjerët –

më ngarkuan për mëshirë rolin modest të kronikanit
shënoj – një zot e di për kë – historinë e rrethimit

lypset me qenë i saktë por nuk di kur nisi sulmi
dyqind vjet më parë në dhjetor shtator
a ndoshta mbrëmbë ndaj të gdhirë
këtu të gjithë janë të sëmurë me humbjen e ndjenjës së kohës
mbetur na ka sall vendi i lidhjes me vendin
ende s’i kemi lëshuar rrënojat e tempujve fantazmat e kopshtieve e shtëpive
nëse i humbim rrënojat asgjë nuk na mbetet
shkruaj si mundem në ritmin e javëve patësosur
e hënë: depot janë bosh njësi e këmbimit u bë miu
e martë: burgomistrin e vranë dofarë të panjohurish
e mërkurë: flitet për pajtime kundërshtari internoi ambasadorët
nuk i dimë vendndodhjet e tyre d.m.th. vendet e ekzekutimit
e enjte: pas një mbledhje të furtunshme me shumicë votash hodhën poshtë
propozimin e tregëtarëve të manifakturave për kapitullim pa kushte
e premte: fillimi i murtajës e shtunë: i dha fund me vetëvrasje
N.N. një mbrojtës i palëkundshëm e diel: s’ka ujë thyem
sulmin e portave lindore të quajtura Portat e Testamentit

këto të gjitha i kuptoj njëtrajtshëm askënd s’e shqetëson
u shmangem komentarëve përmbaj emocionet shkruaj për faktet
më duket se vetëm ato vlerësojnë në tregjet jashtë shtetit
por me një krenari të madhe qejfi ma kish t’i rrëfej botës
se falë luftës kemi edukuar një varietet të ri fëmijësh
fëmijët tanë nuk i duan përrallat luajnë veçse në vrasje
në ëndërr dhe zhgjëndër ëndrrojnë për supë bukë dhe kocka
krejt si qentë dhe macet

mbrëmjeve ma ka ënda të bares kufinjve të Qytetit
përgjatë sinoreve të pasigurta të lirisë sonë
së larti sodis si një fole gjigande thneglash ushtarët dhe zjarrthet e tyre
dëgjoj gjëmimet e daulleve vigmën e barbarëve
dhe vërtet s’e kuptoj qysh ende mbahet Qyteti

rrethimi vazhdon aq gjatë armiqtë si duket ndërrohen
asgjë të përbashkët nuk kanë përpos babëzisë për vdekjen tonë
gotët tatarët suedezët ushtarët e Perandorit
divizionet e Shndërrimit të Perëndisë
s’kanë të numëruar
ngjyra e flamujve të tyre ndërrohet si pylli në horizont –
verdhëzi delikate zogthi n’prag pranvere
jeshilishte purpurake llurbe dimërake

ndajnatë çliruar prej faktesh mund të vras mendjen
për punë të ra të qëkurit përshembull për aleatët tanë
përtej detit e di sinqerisht na kanë pikë në zemër
na çojnë miell e thasë rrumbull me dhjamë dhe këshilla të urta
madje as nuk e dinë që ne na tradhëtuan etërit e tyre
aleatët tanë të kohës së Apokalipsisit të dytë
bijtë e tyre s’janë fajtorë meritojnë mirënjohje
dhe u jemi mirënjohës
ata s’e kanë përjetuar rrethimin e gjatë sa përjetësia
ata që i ka pllakosur kobi janë prore të vetmuar
mbrojtësit e dalaj-lama-s kurdët malësorët afganë

njitash kur po shkruaj këto rradhë ithtarët e kompromisit
morën capak të përpjetë mbi partinë e të patundurve
paqëndrueshmëria e rëndomtë e gjendjes shpirtërore zgjidhet ende prej fatit

gjithë e më tepër varre mbrojtës gjithë e më pakë
por barrikada s’është shembur dhe gjer në fund do qëndrojmë
dhe nëse Qyteti bie dhe dikush do shpëtojë
ai do ta bart në vetvete Qytetin udhëve të syrgjynit
ai do të jetë Qyteti

e shohim në fytyrë zjarrin dhe urinë dhe vdekjen
dhe atë mënxyrën e mënxyrave – fytyrën e tradhëtisë

Dhe sall ëndrrat tona janë të pamorta

 

Zbigniew Herbert

Libri i parë poetik i Zbignjev Herbertit doli në Varshavë më 1956. Kishte rrafshuar asokohe 32 vjeç. Për shumë vjet ai priti kohën e tij dhe shkroi për sirtar. Prandaj dhe libri i tij i parë u vlerësua shumë lart. Pas një viti doli vëllimi i dytë, fill pas tij – i treti, e mandej dhe libri me ese, i shkruar pas udhëtimit të tij nëpër Itali, Greqi, Francë, të cilën e vizitoi për herë të parë më 1958.
Viteve të udhëtimeve u paraprinë vitet e studimit. Fill pas luftës së Dytë Herberti studioi për pak kohë në Akademinë e Arteve në Krakov, mbaroi po atje Akademinë tregëtare me diplomën e ekonomistit, fakultetin juridik në universitetin e Torunit, studioi në Torun dhe Varshavë filozofinë. Por para gjitha këtyreve, para diplomimeve – mori pjesë në kurset ilegale gjatë viteve të okupimit, shkollën e fshehtë të rezistencës, si atestimim të pjekurisë. Pjesëmarrja në Rezistencën polake mbeti përjetimi kryesor i jetës së tij.
Herberti në katër librat e tij të parë është poet historik. Në librat e tij është Lufta e dytë botërore, sakur dhe gjithë historia e përbotshme, por më së shumti – antikiteti. Mësuesit e tij janë historianët antikë – Herodoti, Tuqiditi, Taciti. Të gjithë ata kanë shkruar për bashkëkohësinë, ende gjakderdhëse, dramatike; ata rrëfejnë për luftrat dhe despotizmin, meditojnë për problemet e pushtetit dhe personalitetit, lirisë dhe dhunimit.
Në fillim të viteve ‘70-të Herberi u kanonizua edhe në Poloni edhe në Europë. Tanimë poezitë e tij janë botuar në njëzetë gjuhë. Ai është tashmë një klasik i gjallë. Poeti më “antik” nga gjithë poetët bashkëkohorë të Europës. Por më i papritur ka qenë libri i tij “Pan Коgito” (1974). Ky është një roman origjinal intelektual në vargje. Zbulim artistik i rrallë është vetë figura e pan Kogitos – një intelektuali të zakonshëm të botës bashkëkohore. Herberti i vesh zotëri Kogitos tipare të veçanta të biografisë personale, prirjet e tij, rrethin e interesave vetiake. Nganjëherë ai është pothuaj alter ego e autorit, por veç pothuajse. Vëllimi pati një sukses të bujshëm nëpër të dyja anët e oqeanit. Në njërin prej qyteteve universitare të SHВA ka zgjatur përgjatë 7 vjetëve një revistë me titull “Mr. Cogito”, kushtuar Herbertit dhe “traditës humaniste që përfaqëson ai”. Në shqip libri “Zoti Коgitо” është publikuar në Kosovë nga shtëpia botuese “Dukagjini” përkthyer nga Masllum Saneja.
Herberti qe lidhur me “pothuajse dytësin e tij”, pasi edhe në librat e mëpasmë dyzina poezish janë të lidhura me pan Cogiton.
Porse kuptimi i librit të ri – “Raport prej qytetit të rrethuar” – përkufizohet si objekti kryesor epigrafik. Libri është shkruar nën mbresat e ngjarjeve në Poloninë e viteteve 1980—1982, por u botua në Paris më 1983. Në Poloni një libër i tillë mund të qarkullonte asokohe veçse në samizdat , dhe menjëmend, samizdati polak riprodhnte shpesh botimet pariziene (ndarsa një libërth që përmbante gjysmën e poezive, 18 prej 35-ësh, doli në samizdat që më 1982). Formula “qyteti i rrethuar” u bë për polakët e viteve 1980 simbol i rezistencës morale.
“Raport nga qyteti i rrethuar” – është gjëja më polake që ka shkruar Herberti. Por dhe këtu ai mbetet poet mbarënjerëzor, universal. “Qyteti i rrethuar” – nuk është medoemos qytet. Ai mund të jetë edhe mal, edhe greminë, edhe grykë; ajo është temë rrethimi, sikundër “Kështjella” e Kadaresë, – temë për ata që luftojnë për të drejtën e të qenit vetvetja, sikundërse “mbrojtësit e Dalaj-Lamës, kurdët, malësorët afganë”. (Grykën afgane të Panshirit Herberti do ta kujtojë mandej në poezinë “Metamorfozat e Tit Livit ”.) Megjithqë mund të jetë dhe qyteti. Roma, e rrethuar prej gotëve. Apo dhe më thellë në lashtësi – Vetiluja e rrethuar nga Oloferni.
Fjala nuk është domosdo për polakët. Sidoqë më së pari – për polakët.
“Rrethimi vazhdon aq gjatë…” Këtu kemi edhe rrethimin e luftëtarëve polakë në Ebarazh më 1649 nga hordhitë kazako-tatare nën udhëheqjen e Hmelnickit, dhe rrethimi i manastirit të Jasnogurskit më 1655 prej suedezëve. Mund të jetë dhe rrethimi i Varshavës më 1794, më 1831. Dhe rebelimi i Varshavës më 1944, kur çdo lagje, çdo shtëpi, që shndërruar fortesë për kryengritësit. Së mbrami, është Polonia e viteve 1980—1981, e cila priste e tendosur intrervenimin e të huajve, Polonia e gjendjes së luftës, e cila gjithaq ishte “rrethim”, sprovë e qëndresës shpirtërore nacionale e çdocilit polak. Lexuesit plakë të viteve 1980 nënkuptonin tek Herberti më së pari këtë shtresë të mbrame të “arketipit” shumështresor të qytetit të rrethuar.
Pikërisht kjo shtesë e fundit historike nënkuptohet para së gjithash edhe në një poezi tjetër të Herbertit – “Metamorfozat e Tit Livit” që hap librin e tij “Elegji në largim” (Paris, 1980). Poezia kushtuar kujtimeve gjimnaziste mbi Romën perandorake, mbaron me profecinë – “shembet perandoria”. U shemb perandoria dhe ra më 1991. Si dikur, pas të shtënës në Sarajevë më 1914, u shemb e ra një tjetër perandori, Austro-Hungaria.
Në Galicinë austro-hungareze jetonin babai dhe gjyshi i Herbertit. Në Galici pati ardhë dikur stërgjyshi i Herbertit, pinjoll i dinastisë së vjetër inglize të Herbertëve, që ka dhuruar që në shekullin XVI dhe XVII jo vetëm kontër, por poetë e filozofë të dëgjuar. I ati i Herbertit qe patriot polak dhe në luftën e parë botërore luftoi në legjionet e Pilzudskit. Imazhin e t’et Herberti e krijon në poezinë “Fotografia”. Babai e lidh të birin me nocionin antik të detyrës, për domosdoshmërinë e vetësakrifikimit. Gjeografia është stilizuar sipas Herodotit: Bugu i Jugut emërtohet Hipanius.
Imazhin e Lvovit – qytetit të lindjes së Herbertit – lexuesi i vëmendshëm do ta gjejë në poezinë “Nëna”:

Duart e shtrira shndrisin në terr si një qytet i lashtë

Ky është edhe qyteti i vjetër Lvov, dhe Qyteti i Vjetër – qendra historike e Lvovit, Tregu i tij, Ratusha, Renesanca dhe Baroku i shtëpive të tij dhe kishave katolike. Herberti u rrit midis këtyre shtëpive, shumë prej të cilave janë ndërtuar prej arkitektësh italianë. Poezitë italiane të Herbertin shfaqen në librin e tij të fundit “Rovigo”: sipas një qytetëthi të vockël italian. Tanimë libri botohet jo më në Paris, por në Poloni më 1992, njëkohësisht me ribotimin polak të “Elegji në largim”. Të dy librat janë botuar nga po e njëjta shtëpi botuese vrocllavase me kopertina të njëtrajtshme, me po të njëjtin tirazh, gjigand për Poloninë, 50 mijë ekzemplarë dhe u bënë betsellera të dyfishtë. Suksesi i shtëpisë botuese – dhe kjo nën kushtet e tregut – qe aq bindës, saqë ajo rrezikoi me të tillë kopertinë dhe me të tillë tirazh, të ribotojë menjëherë dhe vëllimin “Pan Kogito”, që pati dalë njëzet vjet më parë, si dhe vëllimin e parë të Herbertit “Telat e dritës”.
Tema e dy librave të fundit të Herbertit është – “ikja”: ikin miqtë, ikën i ati, nëna, mësonjësit. Jo, nuk ikin – largohen, përlargohen, ende të shqueshëm nga Herberti, dhe ai nxiton, gjersa s’është vonë, t’i fiksojë imazhet e tyre. Miqësorja, farefisnorja, shtëpiakja zënë vendin qëndror në poezitë e fundit të Herbertit. Thjeshtësia dhe mirëbesimi i intonacionit të Herbertit u përplotësuan me sinqeritetin e drejtëpërdrejtë.
Por dhe në këto libra poezitë intime të Herbertit për miqtë, farefisin dhe të afërmit shfaqen si poezi mbipersonale, historike.
Poezinë “Komçat” Herberti e publikon me përkushtim kujtimit të xhaxhait, oficerrit polak që u vra si qindra oficerrë të tjerë polakë, në Katyni. Por edhe ky është një mbishkrim në përmendoren e gjithë të vrarëve atje. Jo rastësisht poezia është shkruar me jamb të skalitur, masë metrike së cilës Herberti nuk i qe kthyer (më të rrallë në librin e parë) për tridhjetë vjet.
Njëkohë me kthimin e poezisë së Herbertit në Poloni kthehet dhe vet Herberti.

Përktheu Agron Tufa

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.