Baza filozofike
Studimet e Sigmund Frojd dhe Karl Gustav Jung për psikoanalizën, të cilat ofrojnë studimet e para serioze për nënvetëdijen/subkoshencën.
Shkrimtarët pas 1890-ës e zhvendosin vëmendjen nga shoqeria tek mendja e indivi-dit: në veprat letrare veprimi/aksioni pushon së qeni i jashtëm dhe përqëndrohet tek labirintet e errëta të psikës njerëzore, ku njeriu përballet me vetëveten, pre e pasigurive dhe zhgënjimeve, në një ndjenje ankthi gjithnjë në rritje, e cila gjen shprehje të plotë në veprat e Franz Kafka (Kështjella, Procesi) dhe bëhet e njohur botërisht nëpërmjet veprave të Xhejms Xhojs.
Citimi i Aldous Huksli në Ape and Essence (Majmuni dhe thelbi) më 1948 se «frika është baza e vërtetë dhe themeli i jetës moderne», nxjerr në pah se ku ishte zhytur njerëzimi në mes të dy luftërave botërore: kjo sjell një pesimizëm të përgjithshëm shoqëror.
Stili i Xhojsit
- Në rrëfimin e veprave të shkrimtareve moderniste si Xhojs shkrihet realiteti dhe mendja, vetëdija/koshenca dhe nënvetëdija/ subkoshenca.
- Shkrimtari nuk përqëndrohet tek ndodhitë e ndryshme në vepër, por tek emo-cionet që zgjojnë ato tek personazhet. Pra, çdo fakt ka një interpretim të ve-çantë nga çdo personazh.
- Përdoret teknika e monologut të brendshem direkt/të drejtpërdrejtë, e cila rrjedh nga teoria e rrymës së ndërgjegjes.
- Rryma e ndërgjegjes/monologu i brendshëm direkt (rrëfim në vetën e parë), nënkupton shpalosjen e lirë të mendimeve dhe të kujtimeve të personazhit ashtu siç i vijnë në mendje, pa i organizuar nga logjika/arsyeja dhe pa pjesë-marrjen/paraqitjen e rrëfyesit.
- Rryma e ndërgjegjes/monologu i brendshëm i tërthortë/indirekt (rrëfim në vetën e tretë) nënkupton shpalosjen e lirë të mendimeve dhe të kujtimeve të personazhit nëpërmjet zërit të një personi të tretë rrëfyes/narrator.
- Kjo teknikë rrëfimi realizohet nëpërmjet monologëve të brendshëm direkt në romanet psikologjikë, aty ku në plan të parë është individi me konfliktet e tij të brendshme, emocionet dhe ndjenjat, pasionet dhe ndijimet.
- Përjashtohet çdo barrierë mes perceptimit real të gjerave dhe përpunimit mendor.
- Ndodh që narracioni zhvillohet plotësisht brenda ëndrrës së protagonistit.
- Përjashtohen rregullat e gramatikës, drejtshkrimit dhe pikësimit në shkrim, fjalët shkrihen mes tyre për të riprodhuar gjuhën/ligjërimin onirik (nga gr. oniros=ëndërr) e jermit/ëndrrës/fantastik/ireal/sureal/iracional), duke dalë shumë i errët dhe i pakuptueshëm.
- Trajtimi i kohës: koha e brendshme e monologut të brendshëm direkt zgjatet nëpërmjet teknikës së ashtuquajtur monolog i brendshëm indirekt, i përdorur për të paraqitur hendekun mes kohës kronologjike dhe kohës se brendshme. Në vend që të ndjekë sekuencën/rrjedhën lineare të ndodhive në mënyrë tradicionale (e shkuar, e tashme, e ardhme), interesohet për impresionet e personazheve, të cilët i përjetojnë keto ndodhi në botën e tyre të brendshme.
- Vepra nuk ndjek rrëfimin sipas pozicionit të rrëfimtarit gjithëditës, por merr këndvështrimin e vetë personazheve, duke folur nga brenda mendjeve të tyre, duke treguar mendimet, ndjenjat dhe ndijimet e tyre drejtpërdrejt. Monologjet e Ulf nuk janë asnjëherë jashtë kontrollit, kurse të Xhojsit janë ndonjëherë, dhe në monologjet indirekt ka ende një prani të rastësishme të rrëfimtarit, i cili u jep rend logjik mendimeve të personazhit.
- Rrëfimi shpërbëhet në shumë këndvështrime.
- Kalohet në relativitetin e mendimeve, historia e ndodhisë konceptohet në mënyrë të shumëfishtë, aq sa personazhe ka.
- Analiza e shoqërisë bëhet shumë objektive, pa ndërhyrjen e shkrimtarit. Nuk ka gjykime vetjake personale me qëllim që lexuesi ta arrijë vetë vetëdijen e realitetit, i cili i shfaqet atij përmes rrjedhjes dhe materializmit. Pra, realizmi bëhet shumë i rëndësishëm, në mënyrë që të mos ndërhyhet tek lexuesi, i cili duhet të ndërtojë vetë për të kuptuar ndodhinë.
- Teknika e “epifanisë”: epifania është ai çast i jetës në të cilin njeriu zbulon domethëniet e fshehura brenda sendeve ose ndjenjave, të cilat e ndryshojnë plotësisht mënyrën e të menduarit të personazhit. Me epifaninë shpesh shoqërohet edhe tema e arratisjes, për të shpëtuar nga jeta e vjetër dhe për të ndërtuar një të re, e cila shpërthen pasi personazhi zbulon ide të reja.
- Temat kryesore lidhen me shkallët e ndryshme të rritjes së njeriut, nga fëmijëria, adoleshenca e deri tek pjekuria.


Leave a comment