Kënaqësia | Miguel de Unamuno

Published on

in

,

Një kabaljero i vërtetë nuk duhet, nuk mund ta durojë një fyerje të tillë!
Kur dëgjoi se bëhet fjalë për kabaljero të vërtetë, Anastasio uli kokën, i mori erë trëndafilit në vrimën e kopsës dhe tha me buzëqeshje:
-Do t’ia shtyp kokën qelbësirës… Ej, djali!
Ai nxori nga xhepi një duro si për të shpërblyer shërbyesin, pastaj edhe dy monedha floriri të cilat përbënin kapitalin e tij të përhershëm dhe të paprekshëm, që i mbante gjithmonë me vete, ia dhuron shërbyesit dhe, pa pritur të merrte tepricën (në këtë rast, sipas mendimit të tij duhej të hiqej i hutuar) doli nga Arka.
Arka ishte emërtimi i çuditshëm dhe i pakuptimtë, emër abrakadabra, siç u shpreh njëri nga frekuentuesit e përhershëm të kësaj kazinoje. Këtu mblidhej shoqëria më aristokrate dhe elegante që ndodhej në Sideria, lulja e shoqërisë së lartë dhe ata, që kronikani i “Korrieri siderian” në artikujt e tij, të shkruara në stilin modern dhe që mbanin erë fryme bulevardi, i quante gentleman, sportsmen, clubmen, bonvivants, blases, comme il faut[1], e të tjera në këtë frymë, me një fjalë, kabaljerot më të nderuar të edukatës së qytetit.
Njëri prej tyre importoi nga Gjermania, ku ai jetoi një vit e gjysmë fjalën filister. Dhe që prej asaj kohe frekuentuesit e përhershëm të kazinosë nderuan me këtë nofkë të gjithë borgjezët e pagdhendur e brutalë.
Ziliqarët, pedantët dhe budallenjtë thoshin se tek Arka mblidheshin njerëzit e qytetit me mendje më të kufizuar dhe që e kishin po aq të vështirë të dilnin nga bataku i poshtërsisë, sa ç’e kishte të pamundur baroni Mynhauzen ta tërhiqte veten nga veshët për të dalë nga këneta ku kishte rënë.
Gojët e liga (dhe ato ishin më shumë se mjaftueshëm) shquanin në këtë shoqëri të ngrohtë të frekuentuesve të Arkës, grupin e idiotëve dhe banditëve të vërtetë, grupin e banditëve që shtireshin si idiotë dhe, më së fundi, grupin e idiotëve që shtireshin si banditë.
Por nuk do t’i kushtojmë vëmendje këtyre thashethemeve; lehjen e qenit e merr era; le të kthehemi më mirë tek Anastasio. Si doli në rrugë, heroi ynë u ndal një çast. Si doli në rrugë, heroi ynë u ndal një grimëherë ballë një karroce me qira dhe mori pamjen e njeriut që mendohet. Ta marrë apo jo një karrocë. Më në fund tha me vete: Jo, në këtë rast nuk duhet shkuar me karrocë. Në këmbë! Vetëm në këmbë!
Karroja që kaloi aty pranë ia ndoti pantallonat me llucën e rrugës. Ndjesia e parë që i lindi Anastasios nga kjo katastrofë ishte hidhërimi i thellë, ai provoi pikërisht atë që ndjen hermelini kur i ndotet lëkura e bardhë si bora. Por Anastasios iu kujtua në çast fyerja që kishte pushtuar zemrën e tij dhe vendosi të mos i kushtojë vëmendje lëmshit fatal të baltës.
Sikur Anastasio të ishte sadopak filozof, sikur ta kishte këtë dobësi jodinjitoze për një kabaljero të vërtetë. Oh, atëherë ai do t’i jepte dorë të lirë gjykimit për simbolikën e natyrës. Por e gjithë filozofia e tij përmblidhej në një tezë krejtësisht praktike, që thoshte se bota është krijuar nga Zoti për njeriun dhe njeriu është krijuar për një nder dhe se gjithësia përfaqëson në vetvete një Arkë të madhe.
Kur mbërriti te godina ku ndodhej redaksia Grethi, ai u ndal, qëndroi para portës ku ishte pikturuar një greth i madh, pastaj nxori shaminë e tij të livandosur (ai i parfumoste vazhdimisht shamitë, me gjithë thumbat e abonentëve të kazonosë që mendonin se shamia e hundës duhet të ketë qëllime krejt praktike) dhe e vuri atë në hundë.
Nga redaksia vinin zëra debati. Midis tyre shquhej njëri në mënyrë të veçantë:
-Unë e përsëris edhe një herë, se, nga të gjitha marrëzitë që kanë shpikur dembelët, për ta vrarë disi kohën dhe për t’i rritur vlerën vetes, më e pakuptimta është nocioni për nderin. Njerëzit, nuk e di pse flisnin për fisnikërinë e luanit, e kësaj krijese nga më të dëmshmet, kurse unë mendoj se gomari është shumë më fisnik. Është më e mundshme që pikërisht ky grabitqar gjakatar, luani, ta ketë shpikur vetë nocionin e nderit, ndërsa nocionin e detyrës e ka shpikur gomari i shkretë, kafsha e ngarkesës. Dhe, veç kësaj, zotërinj, nga se niseni ju se, të mbrohesh me dhëmbë e kthetra, siç bën luani, na qenka fisnike, ndërsa të mbrohesh me forcën dhe shpejtësinë e këmbëve të tua siç bën lepuri, apo me dinakëri siç bën dhelpra, apo me vogëlsinë e vet siç është mushica, ose me ngjyrimin si kameleoni nuk na qenkësh fisnikëri? E pra, po ai Zot, që i ka dhënë kthetra e sqep shqiponjës, i ka dhënë madhësi fare të vogël mushicës dhe aftësinë për të ndryshuar ngjyrën kameleonit. Të gjitha janë budallenj…
Duke dëgjuar këto ligjërata, Anastasio herë i shtrëngonte e herë i lironte grushtat, përdridhte mustaqet dhe, më së fundi, iu ngritën nervat nga këto broçkulla të mësuara, ngriti bastunin siç mbajnë qirinjtë në një procesion fetar, hapi derën dhe hyri në redaksi.
Ai kapërceu pragun duke nxjerrë përpara këmbën, me qëllim që secili ta shihte dhe vlerësonte copën e baltës në pantallonat e tij, dhe tha:
-Kush bën karikatura këtu, në këtë… gazetën tuaj?
-Mirëmbrëma!
-Mirëmbrëma. Kush është këtu karikaturist po ju pyes?
-Unë! – përgjigjet djaloshi, i zënë me krijimin e pëllumbave prej letre.
-Pra ju jeni ai që pikturoni ato ndyrësisra në… gazetën tuaj? – pyeti përsëri Anastasio.
-Si urdhëron.
Anastasio i hodhi sytë mbi tavolinë dhe pa në të pëllumbin prej letre. Ai ndjeu nevojën ta shqyente e ta bënte copë-copë krijuesin e tij, por arriti ta marrë veten në dorë. Për këtë atij iu desh të ulte kokën dhe t’i merrte erë trëndafilit – ah, lule e pafajshme – e pastaj pyeti prej përsëri:
-Domethënë ju jeni autori i kësaj karikature të neveritshme?
-Neveri-tshme… ne-ve-ri-tshme… Shumë saktë… Bukur e thatë… Po senjor, unë jam!
-Ja kartëvizita ime, – tha Anastasio.
-Bukur… Hoakin Ortis, rruga Suso, treidhjetenjë, kati i tretë. O, ju paskeni shtëpinë tuaj. Unë nuk përdor kartëvizita.
“Një qelbash i mjerë, – mendoi Anastasio, – nuk u frikësova kot se mund të kem punë me dikë që s’është kabaljero… Por që të ishte i tillë! Të mos përdorë kartëvizitë! Pse, burrë është ky? Mund të biesh më poshtë se ky hiç?”
-Ju kërkoj me kënaqësi një duel. Në mbrëmje do të vijnë këtu dy miqtë e mi, – shtoi ai duke dalë nga dhoma. Kur mbyllte derën, ai dëgjoi prapa shpine të qeshura. Anastasio buzëqeshi. Me keqardhje i mori erë trëndafilit dhe foli me vete: “Nuk ka kartëvizitë!” Atëherë ai e vuri re shëmtinë që i kishte shkaktuar balta në pantallona. Dhe meqenëse balta ishte tharë, ai në çast e shkundi mu tek shkallët e redaksisë Grethi.
Në rrugë të gjithë e shikonin. “Ju të gjithë keni për ta parë se kush është Anastasio”, mendonte ai.
Pa se po ziheshin dy karrocierë. Ata shaheshin si senjorë. Njëri i thoshte tjetrit: “Eja pra të shohim se kush ka për t’ia thyer kokën tjetrit…”
Pa se ata po largoheshin dhe mendoi: “Po policia çfarë sheh? Ajo madje as që përpiqet t’i japë fund kësaj rrëmuje… Uf, sa harbutë! Nuk ke se çfarë shkruan! Populli është popull… Gjithmonë e kam thënë se ne në Spanjë nuk jemi pjekur në republikë… Populli është harbut, shtypi i paturpshëm. Shpëtimi është vetëm një gjë. Aristokracia duhet të institucionalizojë tutelën mbi popullin, kuptohet, tutelë vëllazërore… Por vetëm aristokracia e vërtetë dhe jo ajo e vjetra, rrangalla totalisht e kalbur…”
Kur Anastasio mbërriti në kazino, takoi aty mikun e tij Erminio dhe e pyeti për Pepito Kurdan.
-Pepito… në këtë kohë!
-Ah po! – përgjigjet Anastasio serioz, mbasi u kujtua se në këtë kohë Kurda dehet deri në atë gjendje sa e këput gjumi në vend dhe bie si i vdekur, – kjo gjë i jep mundësi t’i harrojë të gjitha dështimet e tij komerciale.
-Po Huanito?
-Lere atë, ai sot ka fituar!
-Ah, ky djalë! Kur do të ndreqet? – tha Anatasio po me atë ton gjithë prezencë, siç e donte pozita e tij.
-Ai ka për të përfunduar keq.
-Ç’thua! Ai e di ç’bën, rri i qetë. Ai do vendosë kapital me një përqindje të mirë.
-Po Ambrosio ku është?
-Ja ku është.
Dhe vërtet, në tavolinën aty pranë disa frekuentues po diskutonin një propozim tepër tundues. Dikujt i shkoi mendja që ta detyrojë bashkinë e Siderisë t’i lidhë rrogë dy djemve, korrierëve të Arkës. Një kombinim i përkryer që kishte si qëllim t’i tërbonte fare filisterët e varfër të dukatës së qytetit.
-Duhet t’i japim mundësinë kësaj tufe derrash ta hapin gojën. Këta budallenj punojnë si mushkë dhe grumbullojnë para, të cilët pastaj fëmijët e tyre i harxhojnë kot së koti për qejf të tyre. Dhe prapë, ata mendojnë se në botë ka një arsye të shëndoshë!
Dikush i ndrojtur u shpreh kundër kombinimit të zgjuar për rrogën e korrierëve dhe u përpoq t’i bindë anëtarët e klubit se për realizimin e këtij operacioni duhet të paktën të ruhet ligjshmëria e veprimit.
-Ai ka të drejtë! – e mbështeti dikush.
-Hë! Ç’do të thotë ka të drejtë apo nuk ka të drejtë? Ç’rëndësi ka kjo? – foli me përçmim Ambrosio, i cili njihej në Arkë si orakull.
Kjo frazë i shokoi të gjithë, i entuziazmoi dhe në çast tërhoqi sytë e të gjithëve.
Anastasio e thirri Ambrosion, ia shpjegoi atij dhe Erminos thelbin e çështjes dhe e mbylli me fjalët:
-Një ndjesë të plotë, absolute, të pakundërshtueshme, sipas të gjitha rregullave, po nuk e bëri… do të ndeshemi me shpatë!
Mbasi tha këtë, Anastasio shkoi te mësuesi i skermës, me të cilin u ushtrua gjithë mbrëmjen për të sulmuar dhe zmbrapsur goditjet.
Mbas gjithë emocioneve të kësaj dite, ai u kthye në shtëpi krejt i këputur dhe nisi të mendonte se cili kostum do t’i shkonte më së tepërmi për duel.
Zgjodhi atë që duhej, u vesh dhe zuri përsëri të bënte skermë, por këtë radhë me bastun. Pastaj u ul t’i shkruante Enriketës. E kishte për detyrë. Duhej ta qetësonte dhe ta përgatiste për gjithçka, që pastaj të mos i vinte si goditje e papritur ndonjë lajm që s’duhej.
Kur u zgjua në kolltukun e tij, ishte duke zbardhur. Ai nisi ecjaket nëpër dhomë derisa ora shënoi shtatë. Në këtë orë ai duhej të takohej me mësuesin e skermës që të ushtrohej sërishmi.
Miqtë e gjetën në sallën e skermës. Ai i zmbrapte me zell goditjet e mësuesit.
-Kjo nuk ka ç’të duhet më, – thanë shokët, – çështja u rregullua sa nuk ka ku shkon më mirë.
-Si midis Kabaljerëve… – shtoi tjetri.
“Por ai nuk përdor kartëvizitë…” – mendoi Anastasio.
-Ai është dakord të kërkojë ndjesë. Sipas të gjitha rregullave. Ashtu siç deshe ti. Ai do ta bëjë këtë në numrin e ardhshëm të Grethit, të dielën.
Mësuesi i skermës i shtrëngoi dorën Anastasios dhe i tha:
-Unë shpresoj të shihemi prapë bashkë. Ju jeni të rinj, bëni pjesë në ajkën e shoqërisë sonë dhe prandaj nuk duhet t’i shpërfillni këto gjëra. Or djalë, ju, zaten jeni i aftë. Zotësia për të përdorur armën nuk është tekë, por një masë paraprake e domosdoshme e cila i duhet çdo të forti. Veç kësaj, kjo i bën të tjerët të të respektojnë.
Anastasio e shpërbleu paq mësuesin dhe doli me miqtë e tij. Duke i buzëqeshur të gëzuar, ata e çuan atë për t’u fotografuar.
-Por…
-Mos kundërshto. Ti na besove ne nderin tënd.

Shitja e Grethit të dielë eci kaq mirë sa ia kaloi edhe shitjes së numrit me karikaturën e Anastasios.
Në faqe të parë ishte vendosur fotografia luksoze, që e paraqiste Anastasion me veshjen e tij të mëngjesit për shëtitje. Ajo ishte një ndjesë sipas të gjitha rregullave, absolute, e plotë, e pakundërshtueshme.
Lexuesit, që nuk e dinin se ç’pamje kishte Anastasio, tani mund ta krahasonin karikaturën me portretin e tij. Mbeti i kënaqur dhe i ofenduari, i cili me kënaqësi e demonstronte veten duke shëtitur me kostumin e mëngjesit nëpër vende me shumë njerëz të sërës së lartë të qytetit.
Atë e takoi njëri nga redaktorët e Grethit dhe i uroi shëndet. Anastasio nuhati trëndafilin e tij dhe me dinjitet iu përgjigj përshëndetjeve. “Sot ti nuk po tallesh me mua” – mendoi ai.
Ja ku është! – ia kapi veshi Anastasios kur kaloi pranë një grupi njerëzish që qëndronin në trotuar.
Por më hareshëm e pritën këtë ngjarje në Arkë. Ajo shkaktoi një mbresë madhështore. U organizua një banket dhe kryetar i tij u zgjodh Anastasio. U ngritën dolli, vera u derdh lumë, pasi nderi kërkon sakrifica, ai nder me të cilin ata brenda tyre talleshin duke ndjekur shembullin e kryetarit të tyre Ambrosios, ndonëse në dukje dukeshin si përkrahës xhelozë të tij.
Numrin e Grethit me ndjesën e kërkuar e vendosën në mes të tavolinës në vend të buqetës.
Anastasio u mbërthye kaq shumë nga krenaria për ruajtjen e pastër të nderit të vet, si dhe nga gotat e panumërta, që rrokullisi me kërkesë të shokëve, sa, më së fundi u plandos në tavolinë.
Qysh prej asaj kohe Anastasio u bë abonent i sallës së skermës.

[1] Xhentëlmenë, sportistë, abonentë klubesh, qejflinj, të velur nga jeta

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.