Luginës Dagëstanit në mesditë
Me plumb në gjoks un’ isha shtrirë atje.
Qe hapur plag’ e thell’ e gumëzhit,
Dhe rrithte pik e pik’ gjaku përdhe.
I vetëm jam mbi rërën në luginë.
Shkëmbi me krahë rotull më rethon.
Malet dhe mua djelli ngroh e ndrin,
Po në gjum’ vdekje trupi im pushon.
Dhe ëndëroj … mes dritave gazmore
Gosti po bëjnë larg në vëndin tim.
Dhe grat’ e ra me lule e kurorë
Për mua bisedojnë papushim.
Veç njëra s’flet në rethin e gëzuar.
Qëndron ajo me mëndjen diku hedhur.
Shpirti i saj në ëndër të trishtuar
Zoti e di përse do t’ishte kredhur.
Në Dagestan mendimet kish tiposur.
Një trup i njohur dergjej në luginë.
Në gjoks gufonte plag’ e mavijosur
Dhe çurkë akull gjaku shushurin.
Përktheu Ismail Kadare


Leave a comment