Riba e konsideron veten po aq lexues sa edhe botues. Praktikisht e kish lënë botimin për shkak të shëndetit, por ai mendon se pjesërisht qe edhe për shkak të viçit të artë të romanit gotik, i cili trilloi legjendën idiote të lexuesit pasiv. Ai ëndërron që, një ditë, prishja e magjisë së best seller-it , t’i hapë rrugë rishfaqjes së lexuesit të talentuar dhe të rishikohen kushtet e kontratës morale midis autorit dhe publikut. Ëndërron që, një ditë, të mundë të marrin frymë sërish botuesit letrarë, ata të cilëve u digjet shpirti për një lexues aktiv, për një lexues që është aq i hapur sa ta blejë një libër dhe të lejojë në mendjen e tij skicimin e një vetëdijeje krejtësisht të ndryshme nga ajo e veta. Ai beson se, nëse i kërkohet talent botuesit letrar apo shkrimtarit, gjithashtu duhet t’i kërkohet edhe lexuesit. Sepse nuk duhet ta gënjejmë veten: rruga e leximit shpesh herë kalon nëpër terrene të vështira që lypin aftësi për emocione inteligjente, dëshirë për ta kuptuar tjetrin dhe për t’iu qasur një gjuhë të ndryshme nga ajo e tiranisë sonë të përditshme. Siç thotë Vilem Voku, nuk është aq e thjeshtë ta ndiesh botën siç e ndjeu Kafka, një botë ku mohohet lëvizja dhe është e pamundur të shkosh qoftë edhe nga një fshat në tjetrin. Të njëjtat aftësi që lypsen për të shkruar, lypsen edhe për të lexuar. Shkrimtarët i zhgënjejnë lexuesit, por ndodh edhe e kundërta, edhe lexuesit i zhgënjejnë shkrimtarët, kur kërkojnë tek ata vetëm konfirmimin që bota është ashtu siç e shohin vetë…
Përktheu Erion Karabolli
©Arka e Noes


Leave a comment