Historiani arab El Ishaqi na rrëfen këtë ngjarje: “Besimtarët e denjë tregojnë (po vetëm Allahu është i gjithëditur dhe i gjithfuqishëm dhe mëshirëmplortë dhe nuk fle) se në Kajro na qe një njeri shumë i pasur, po aq shpirtmadh e i gjerë sa i humbi të gjitha, hiq këtu shtëpinë e të atit, dhe se u detyrua të punonte për të fituar bukën e gojës. Punonte aq shumë, sa një natë e zuri gjumi rrëzë fikut në kopshtin e vet dhe pa në ëndërr një njeri të beftë që nxori prej gojës një monedhë të artë dhe tha: ‘Fati yt është në Persi, në Ispahan; shko kërkoje’. Të nesërmen që pa gëdhirë u nis për udhë të gjatë dhe u përball me rreziqet e shkretëtirave, të gjemive, të piratëve, të paganëve, të lumenjve, të bishave dhe të njerëzve. Mbërriti më së fundi në Ispahan , po kur u ndodh brenda mureve të këtij qyteti e zuri nata dhe ra të flinte në oborrin e një xhamie. Pranë xhamisë qe një shtëpi dhe me vendim të Zotit të Gjithfuqishëm një bandë hajdutësh përshkoi xhaminë dhe hyri në atë banesë, ndërsa njerëzit që flinin u zgjuan nga rrëmuja e hajdutëve dhe kërkuan ndihmë. Edhe fqinjët bërtitën, derisa kapiteni i rojave të asaj lagjeje shkoi me njerëzit e vet dhe banditët ia mbathën nga çatia. Kapiteni dha urdhër që të kontrollohej xhamia dhe aty gjetën njeriun nga Kajro dhe e goditën me shkopinj bambuje aq sa mend dha shpirt. Mbas dy ditësh, u përmend në burg. Kapiteni kërkoi që t’ia sillnin dhe i tha: “Kush je dhe nga vjen?” Tjetri u përgjigj: “Jam nga shumë i dëgjuari Kajro dhe quhem Mohamed El Magreb”. Kapiteni e pyeti: “Çfarë të solli në Persi?”. Tjetri u shtrëngua të thotë të vërtetën dhe tha: “Një njeri më dha urdhër në ëndërr që të vija në Ispahan ngase këtu është fati im. Tani jam në Ispahan dhe shoh se fati që më premtoi është ai druri që ma dhatë me aq shpirtmadhësi”. Nga këto fjalë, kapiteni qeshi aq sa mend i ranë dhëmbët dhe më në fund tha: “O njeri i pa mend, o avdall, tre herë kam parë në ëndërr një shtëpi në qytetin e Kajros, me një kopësht nga pas, dhe në kopësht ndodhej një orë dielli dhe mbrapa orës së diellit një fik dhe mbrapa fikut një krua dhe poshtë kroit një thesar. As që i besova fare kësaj gënjeshtre. Ndërsa ti, pjellë e kryqëzimit të një mushke me djallin, je endur qytet më qytet vetëm duke i besuar një ëndrre. Të mos të të shoh më në Ispahan. Merri këto monedha dhe ik”. Njeriu i mori dhe u kthye në vend të vet. Teposhtë kroit të kopshtit (i cili i qe shfaqur kapitenit në ëndërr) zhgroposi një thesar. Kështu, Zoti i dha bekimin, e shpërbleu dhe e ngriti lart. Zoti është Shpitmadhi, i Fshehuri”.
(Nga libri i 1001 Netëve, nata 351)


Leave a comment