– Të isha si ju, don Hoakin! – i tha një ditë po i njëjti varfanjak që qe çtrashëguar në Aragonez, babai i pesë fëmijëve, pasi i kishte marrë para hua.
– Ti do të jesh si unë! Nuk të marr vesh!
– Do të jepja gjithçka për të qenë si ju, don Hoakin.
– Dhe çfarë do të jepje?
– Gjithë sa kam, gjithë sa mundem.
– E ç’na qenka kjo?
– Jeta ime!
– Je gati të japësh jetën për të qenë si unë! – dhe në këtë kohë Hoakini shtoi: “Dhe unë do e jepja jetën për të qenë dikush tjetër!”
– Po, do të jepja jetën për të qenë si ju.
– Ja një gjë që nuk e kuptoj, miku im; nuk kuptoj pse dikush është i gatshëm të japë jetën për të qenë dikush tjetër, madje nuk e kuptoj pse dikush dëshiron të jetë dikush tjetër. Të jesh tjetër do të thotë të reshtësh së qeni një, të jesh ai që je.
– Padyshim.
– Kjo do të thotë të ndalësh së ekzistuari.
– Ashtu është.
– Por jo për të qenë dikush tjetër…
– Sigurisht.
– Atëherë…
– Dua të them, don Hoakin, që me kënaqësi do të reshtja së qeni, apo më qartë, do i futja një plumb vetes ase do të mbytesha në lumë, nëse do ta dija që të pjellat e mia, ata që më lidhin me këtë jetë kurvë, ata që nuk më lënë ta pres jetën në mes, do të gjenin një baba si ju. Më kuptoni tani?
– Po, të kuptoj. Në një mënyrë të atillë që…
– Që mallkuar qoftë gjithë ç’më lidh me jetën, sepse me kënaqësi do të ndahesha nga vetja ime dhe po me të njëjtën kënaqësi do të vrisja kujtimet e mia po të mos ishte për fëmijët. Megjithëse ka edhe diçka tjetër që më pengon.
– Çfarë?
– Më pengon frika. Frika se mos kujtimet dhe historia e kësaj bote do të më shoqërojnë përtej vdekjes. Eh, të isha si ju, don Hoakin!
– Po sikur mua të më mbanin në jetë, miku im, arsyet që sapo më numëruat?
– Eh, por ju jeni i pasur.
– I pasur… posi.
– Dhe një i pasur nuk ka asnjë arsye të dorëhiqet prej jetës. Juve nuk ju ndodh asgjë. Zonja, bija, pacientët, reputacioni… Ç’do të donit më shumë kaq? Ju nuk ju hoqi babai nga trashëgimia, as vëllai nuk ju shporri nga shtëpia… Nuk jeni i detyruar të lypni! Sa dua të jem si ju, don Hoakin!
Dhe kur mbeti vetëm, tha: “Cili jam unë? Ai njeri më ka zili, më ka zili! Dhe unë, si kush dua të jem?”
Përktheu nga spanjishtja Antonio Çikollari


Leave a comment