Revolta letrare ndaj një sistemi në rënie. (Letërsia shqipe e pas viteve ’90 si aktivizim) 

Izolimi shumëvjeçar i Shqipërisë dhe veçanërisht sundimi surrealist gjysmëshekullor i Partisë së Punës, pati pasoja tepër negative për këmbimet intelektuale e kulturore. Në Shqipëri, këto vite të gjatë e të errët krijuan një mungesë të madhe njohjesh objektive për botën e jashtme, deri sa dhjetëra mijëra refugjatë papritur dolën në brigjet e Italisë jugore në 1991. Por nuk do të jetë vetëm kjo ngjarje që do të shënjojë historinë e Shqipërisë së pas nëntëdhjetës. Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, ranë edhe mjaft elementë të tjerë që patën një ndikim jo pak të rëndësishëm në ecurinë e shteti shqiptar dhe komponentëve kulturorë të tij. Siç mirë dihet dy ishin drejtimet kryesore që pësuan një bjerrje të katërcipërishme krahasuar me gjendjen e mëparshme: regjimi politik dhe kultura, e më konkretisht produktet letrare e artistike. Në këtë ditë, pas gjithë asaj zallamahije diskutimesh e fjalësh në lidhje me atë periudhë shënjuese të shteti tonë, e shohim si të volitshme të themi disa mendime në lidhje me letërsinë e asaj periudhe, e cila rezultoi të ishte më tepër një revoltë letrare ndaj një sistemi që ishte i destinuar të bjerrej.

            Aspirata kryesore e shkrimtarëve të letërsisë së pas viteve nëntëdhjetë qe fort të qarta, rrëzimi i metodës dhe i rregullave të ngurta estetike të socrealizmit, e cila pati për vite me radhë statusin e metodës zyrtare, prej së cilës kaloheshin në sitë të gjitha veprat letrare para se t’i përcilleshin lexuesit shqiptar. Përmbysja e kësaj metode, që erdhi fill pas rënies së regjimit komunist, u pa si diçka e ligjshme e njëkohësisht revolucionare, që i ktheu letërsisë frymëmarrjen e natyrshme. Në mjedisin letrar viheshin një sërë qëndrimesh artistike, filluan të formoheshin gjithfarë rrymash, mendimesh e drejtimesh, të cilat sollën një larushi krijuesish e veprash.

            Por, parë me syrin e sotëm letërsia e asaj kohe mund ta krahasohet me rrjedhën e një lumi, e cila bashkë me demokracinë solli edhe mbeturina, pasi përveç letërsisë së mirëfilltë, mjaft prej botimeve nuk u pritën mirë, për të mos thënë që u shprishën që në redaktim apo në shtypje. Por përse kjo letërsi arriti përsëri të botohej dhe të përtypej prej lexuesve? Sepse tashmë çdo gjë që botohej kundër regjimit, duhej të ishte kulturë. Pasi tashmë kishte demokraci dhe cilido kishte të drejtë të thoshte fjalën dhe mendimin në një copë letër, që më pas bëhej libër i shtypur. Editoria në këtë mënyrë pësoi një ndryshim të skajshëm, shtëpitë e para botuese private nisën të botojnë gjithçka që ofronte shitje, pra u vunë në kërkim të fitimit monetar, duke prodhuar sasi të mëdha librash me cilësi të dobët. Tashmë askush nuk kujdesej më për stilistikën, estetikën, retorikën, figuracionin, rimën. Figuracioni më i përdorshëm dukej të qe metafora dhe krahasimi. Metrika u zëvendësua me vargun e lirë. Proza qe diçka më ndryshe, pasi fshihej pas subjektit, i cili prej punëve socialiste, sakrificës së punëtorit komunist, kaloi në zbërthim të prapaskenave mbi burgosjet, arratitë, vuajtjen e sistemit, përndjekjen e disidentëve. Nëse do të flisnim dhe për shkrimtarët e dy botëve, nisën të përshtaten dhe të krijojnë një identitet të ri, ndoshta atë real. Ishin pikërisht disa prej tyre të cilët e mbajtën letërsinë pa dalë nga shinat estetiko-letrare.

            Cilët ishin shkrimtarët e parë, të cilët të shtypur nga sistemi, botuan veprat e tyre të para? Në prozë u dalluan emra si ai i Virion Graçit, vepra e të cilit bazohet thuajse e gjitha mbi letërsinë denoncuese, me njëfarë tisi të thellë subjektiv. Ai solli një strukturë të re të romanit post-realist dhe veç kësaj një stil krejt të ri në prozën e letërsisë shqipe. Veprat më kryesore të autorit janë Të çmendur në parajsë, Dead End, Pëllumbat i vrasin natën. Agron Tufa është një emër tjetër, i cili erdhi në vitet ’90 si një ndër autorët më aktivë, për shkak të persekutimit dhe ndrydhjeve politike. Një ndër të paktët, i cili si me poezinë, ashtu edhe me prozën, shfryn gjithë mllefin stilistik, politik dhe real ndaj një rryme letraro-politike të mëparshme. Një ndër pjesëtarët e grupit avangardist “E për7shme”, i cili vijon ende sot në aktivitetin e tij letrar të lëvrojë letërsinë e kujtesës. Veprat më të rëndësishme në prozë janë Tenxherja, Dueli, Fabula Rasa, Mërkuna e zezë. Veç krijimtarisë artistike, qe një ndër penat më aktive në përkthime dhe eseistikë. Me procedura artistike, me ligjërime të diferencuara, me një regjistër të veçantë shprehjesh, Tufa me dhuntinë e shkrimtarit krijon radhë pas radhe vepra me rëndësi. Fatos Kongoli, duke qenë se kishte krijuar njëfarë stabiliteti letrar para viteve ’90, është konsideruar edhe si K-ja e dytë më e rëndësishme pas Kadaresë, pati po të njëjtin stabilitet letrar edhe në fillim vitet ’90 e deri më sot. Duke qenë një ndër intelektualët e asaj kohe, mundi të përshtatej më së miri me stilistikën dhe tranzicionin e letrave shqipe. Veprat më të rëndësishme të atyre viteve ishin Karuseli, Kufoma, I humburi. Rudi Erebara, duke qenë pjesëtar i grupit “E për7shme”, ishte një ndër poetët dhe prozatorët më ‘agresivë’ (në aspektin letrar) të viteve ’90. Letërsia e tij denoncuese është pjesë e rëndësishme e historisë së letërsisë. Njëjtë si bashkëkohësit e tij, u njoh thuajse në të gjitha gjinitë, duke botuar veprat e para me poezi moderniste dhe me dy romane epikë Vezët e thëllëzave, Epika e yjeve të mëngjesit, botuar në dhjetëvjeçarin e fundit.

            Në poezi kanë kryesuar emrat si Rita Petro, e cila qe ndër poeteshat e para që solli poezinë erotike, me anë të një leksiku të zgjedhur, përçimit të ndjesisë dhe përjetimeve trupore. E pashkruar ndonjëherë në letërsinë shqipe, kjo letërsi shërbeu si sipar i poetëve të tjerë për të ndërmarrë një rrjedhë të tillë. Petro trajton më së tepërmi figurën e femrës, duke u përpjekur ta baras vleftësojë me atë të mashkullit në mentalitetin shqiptar. Një emër tjetër qe Mimoza Ahmeti, e cila trajtoi në veprën e saj një poezi krejt të zakonshme, me mendime të thjeshta, fjalor bisedor (thuajse në zhargonin e bisedave të përditshme), plot figuracion, në nivel disi më të ulët estetik, por me stilistikë të pasur dhe plot risi. Figuracioni  i saj qe shpotitës dhe provokues. Me anë të shkrimeve të saj kërkonte të sillte një ndryshim drastik në letrat shqipe.

              Në skenën letrare të një vendi si Shqipëria, ku femrat ishin realisht analfabete dyzet vjet më parë, gratë shkrimtare e poete nuk janë dukuri e zakonshme. Kjo është arsyeja që përligj trajtimin e tyre më fort si gra (që shkruajnë) se sa si shkrimtare e poete (që janë edhe gra). Ai vizion për poezinë, për të cilin Mimoza Ahmeti bën fjalë në atë rast, gjen shprehjen e vet më së miri në vëllimin Sidomos nesër, libri i saj i dytë. Padyshim me një kuptim simbolik, Mimoza Ahmeti e hap përmbledhjen e saj me strofën e thjeshtë: “Ne jemi si bimë të reja, / kudo na gjen. / Ne kemi shpërthyer,” nga poezia me titulli Këngë e brezit tim.

            Ervin Hatibi, erdhi në poezinë shqipe si një zë krejt i veçantë, që diti ta ruante veçanësinë e vetë edhe me kalimin e viteve. Ai i mëshoi më së tepërmi poezisë së revoltës. Një ndër avangardët e parë në poezi, nisi të kritikonte gjithçka në lidhje me kohën, sistemin, mentalitetin, bashkëkohësinë. Dukej sikur lexuesi integrohej me poezinë e tij, bëhej pjesë e saj. Ai shkroi një poezi gjysmë-hokatare, ku nuk mungonte ironia e hollë me anë të së cilës po turbullonte mendjen intelektuale për të sjellë në shina një komb të tërë.

Luljeta Lleshanaku u përkushtua vetëm në poezi. Tematikat e saj qenë disi më të larmishme. Ndoshta ndër të vetmet e cila iu përkushtua poezisë estetike dhe stilistike. Dukej sikur krejt krijumtaria e saj i përkiste intelektualizmit, kjo për shkak edhe të formimit. Përgjithësisht u bazua në një frymë të kundërt me letërsinë e para viteve ’90. Ndjenja, nënndërgjegja, përroi i mendimit filozofik qëndronin në krye të çdo analize që i bëhej krijimtarisë së saj. Dhe kaq sa u tha mund të vërehet thuajse në çdo poezi, për shembull “Metamorfoza”; Dhe më vonë, në mungesë të shpresës,/ ne i kthejmë objektet përsëri në forma abstrakte,/në atë që kanë qenë dikur/në gjendjen e tyre origjinale:/një shtëpi që nxjerr tym blu, një lëmsh i verdhë verbues,/një mollë dhe një zemër. Dhe përgjigja e saj për zgjedhjen e saj në poezi qe e thjeshtë; “Ndoshta sepse poezia, më shumë se çdo formë tjetër arti, celebron jetën, duke veshur çdo moment të sajin me një kuptim. Si e tillë, besoj se poezia ndikoi pozitivisht për të zbutur banalitetin e frikës nga vdekja, që na shoqëroi dhe po na shoqëron gjatë kësaj periudhe.”

            Në përmbyllje të këtij shkrimi vlen të theksohet se në letërsinë shqipe të pas viteve nëntëdhjetë u vu re një ndryshim cilësor, ku si tipar kryesor i veprave u bë ligjësia artistike dhe estetike. Në ato vite u afirmua një brez i ri krijuesish, të cilët përveçse krijues u bënë edhe bartës të vlerave e njëkohësisht të risisë. Veprat e tyre thyen traditën e realizmit socialist, si dhe shënuan një kthesë të rëndësishme, ndoshta më thelbësoren deri më sot, në letërsi e më gjerë në kulturën shqiptare, duke e hapur atë kah botës perëndimore dhe tendencave më të reja letrare.

Anxhela Lepuri &Antonio Çikollari

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.