Fillesa e një romani; çështje zhanrore

Published on

in

, , ,

Do të humbnim shumë nëse do të vendosnim se historia e kulturës në tërësi është e parëndësishme, dhe se njerëzimi e ka kaluar kohën duke dëshmuar në lidhje me asgjë dhe për asgjë. Do të humbnim shumë nëse do ta hidhnim prapa shpinës dimensionin e së kaluarës, e aq më tepër, do të humbnim në themel, në atë që mund ta mësojmë për vetveten si qenie që mendojmë… Çdo debat është edhe i vjetër edhe i ri; edhe atëherë kur ne mendojmë se i përket kohës së shkuar, ai vazhdon të qarkullojë në ne.[1]

|Judith Schlanger

Ka vepra ndaj të cilave nuk mund të rrimë indiferentë, nuk mund të heshtim për fillesën e tyre, por as për procesin nëpër të cilin ato kanë kaluar për të arritur gjendjen përfundimtare (nëse mund të ketë një gjendje të tillë – përderisa autori është ende gjallë dhe ka gjithë të drejtat për t’a riparë e përpunuar tekstin e vet!) Këto vepra që me kalimin e viteve kanë pësuar ndryshime, duke kaluar nga njëri zhanër në tjetrin, mbajnë mbi vete gjurmën e kohës në të cilën janë shkruar, duke u bërë kështu një dëshmi e përbashkët kulturore. Ato janë dëshmia e parë, vegimi i parë i autorit, sythi prej të cilit do të burojë e gjithë ajo çka do të vijë më pas. Një ndër nga këto vepra është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i konsideruar si një nga veprat më të mirat të shkrimtarit Ismail Kadare. Është i njohur fakti që Kadare për këtë vepër ka punuar në mënyrë të vazhdueshme, për të mos e konsideruar asnjëherë një proces të mbyllur, me arsye se ky tekst nuk e kënaqte asnjëherë plotësisht. Ndoshta do t’ju duket e çuditshme, por kam përherë dëshirën t’i rikthehem romanit tim të parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ndonëse e kam ripunuar disa herë tashmë. Ndoshta nuk i kam shfrytëzuar ende të gjitha mundësitë.[2] Kadare do ta konsiderojë marrëdhënien me këtë libër si marrëdhënien e dy njerëzve që sa më shumë duhen, aq më fort e torturojnë njëri-tjetrin. Nga pozita e autorit, teksti mund të ligjërojë si i pambaruar, që ndodhet në gjendje dinamike, në atë kohë kur pikëshikimi i jashtëm (i lexuesit, i autorit, i redaktorit), do të gjakojë t’i mveshë tekstit përfundimin. Mbi bazën e kësaj, lindin raste të shumta konfliktesh ndërmjet autorit dhe lexuesit. Lev Tolstoi refuzonte t’i shikonte fletët e korrektuara autoriale si tekste të përfunduara, duke parë në to veçse etapa të një procesi të pandërprerë.[3]

Sipas teoricienëve të romanit, romani është i vetmi lloj që nuk ka rregulla, dhe kjo shpjegohet me faktin se ai është i vetmi në transformim të përhershëm dhe ende i papërfunduar. Kjo mungesë rregullash nuk shihet si një dobësi e teorive, por si një përbërës i romanit. E nëse Kadare do t’i kthehej në mënyrë të vazhdueshme romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kjo me gjasë diktohej nga vetë rregullat që e bëjnë të funksionojë një roman.  Sepse ai nuk njeh as kufizime, as pengesa: ai është i hapur ndaj të gjitha mundësive, i pakufizuar dhe në zgjerim të vazhdueshëm; me këtë aftësi krijuese, humorin e shqetësuar dhe gjallërinë e tij, ai i ngjan vetë shoqërisë moderne, ku ai mori zhvillimin vendimtar.[4]

Eric Donald Hirsch, Jr.[5], në esenë e tij Në mbrojtje të autorit shënon se, çdokush që ka shkruar dhe shkruan e di se opinioni (reflektimi) i veprës së tij ndryshon dhe përgjigjja (në kuptimin e qasjes) ndaj tekstit ndryshon lexim pas leximi, pra pas çdo rileximi. Në mënyrë të vazhdueshme autorët nuk pajtohen me mendimet dhe shprehësitë e tyre të mëparshme të shprehura në tekste, dhe ndaj zgjedhin t’i rishqyrtojnë e rishkruajnë tekstet. Pra, rishqyrtimi dhe rishkrimi i teksteve është një proces i cili lidhet me vetë aktin shkrimor, që në vetvete është i pacak. Ky lloj procesi që shënon një mosshkëputje të autorit prej veprës, përbën për filologët, kritikët gjenetikë apo edhe gjuhëtarët, një pikë referimi për të njohur sadopak laboratorin krijues të autorit, arsyet që e kanë shtyrë atë të ndërmarrë rishqyrtime dhe rishkrime të tilla, ndryshimin që ka pësuar gjuha letrare pas standardizimit, fjalorin që ai përdor në kohë të ndryshme etj.

Përveçse romacier e poet, Ismail Kadare lëvroi me sukses edhe llojin e tregimit dhe novelës. I prirur spontanisht si një shkrimtar i ri për të shkruar ndryshe, që në vitet ‘60, thyerja që ai synon, bashkon ndjeshmërinë ndaj formave dhe tematikave potenciale, të pashfrytëzuara më parë. Për Kadarenë, tregimi është hapësira ku ngjizet kureshtja parësore e një shkrimtari. Brenda saj shestohen pikëpyetjet e shkrimit, vramendjet e kumtit, mohimet dhe pohimet e formës, matet dhimbshëm liria e artit, e shkrimtarit dhe e gjithësecilit. Aty gjenden pikëprerjet e të gjitha historive, të një vendi, të një populli, të një letërsie, të një shkrimi. Aty është gjurma e procesit që modifikon pandërprerë leximin, botën, nën ritmin e një tregimi. Është gjurma e një procesi marramendës, ku çdo shkronje, çdo fjale, fjalie të thjeshtë e të ndërvarur, kumti emotiv a neutral, filozofik, metafizik apo thjeshtë të përditshëm, i duhet të gjejë vendin që i përket në tekstin letrar.[6] Në këtë punim do t’i kushtojmë rëndësi tregimit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” që shënon pikënisjen e veprës me të njëjtin titull. Për herë të parë Gjenerali i ushtrisë së vdekur botohet në revistën e përmuajshme letrare-artistike-shoqërore-politike, Nëndori (e cila pas standardizimit të gjuhës quhet Nëntori), që ishte Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shipërisë, Tiranë, nr.5, maj 1962, bashkë me dy vizatime në brendi të cilat ilustrojnë tekstin. Një muaj më vonë botohet, më 30 qershor 1962, ribotohet (por pa historinë e shtëpisë publike) në revistën Zëri i Rinisë, ku përsëri shoqërohet me vizatime.

Sipas studiuesit Ag Apolloni, tregimi i Kadaresë është ekzemplar i zhanrit, i cili në letërsinë shqipe kohën e artë e jetoi në vitet ’30 – ’40 të shekullit të njëzet, me tregimet sociale (Migjeni), politike (Konica), etnografike (Koliqi) dhe folklorike (Kuteli), të gjitha herë-herë të përshkruara nga një fill psikologjik. Gjenerali vjen si një sintezë e këtyre modeleve paraprake. Kadare  përfshin aktualitetin social e politik, si dhe realitetin etnografik e folklorik, duke e mbitheksuar komponentin psikologjik.[7] Tregimi dhe dy versionet e romanit botohen para standardizimit të gjuhës shqipe, prandaj te Gjenerali shihet jo vetëm konsolidimi gjuhësor e artistik i Kadaresë, por edhe evoluimi i gjuhës shqipe në përgjithësi.[8] Nëse kalimi nga njëri zhanër në tjetrin, nga njëri motërzim në tjetrin përbën një dëshmi letrare, atëherë kjo vepër në tërësinë e saj përbën një dëshmi kulturore sepse është dëshmuese edhe shkrimit shqip të asaj kohe. Si shembull sjellim fragmentin e mëposhtëm, i cili dëshmon për disa trajta të shqipes para standardizimit:

Sonde ish e shtunë. Ai duhej të çlodhej, të dëfrente. Por ç’të bënte i vetëm me këtë prift të mvrojtur e të heshtur si një korb, përballë? Do t’i pëlqente përshëmbull sondedanconte por nuk mundte.[9]

Ky tregim me një bosht qendror ideor, një personazh kryesor dhe të tjerë dytësorë, me një kompozicion dramatik në fillim, mes dhe fund, dëshmon parimet bazë të këtij zhanri që janë: efekti, skicimi, selektimi dhe ekonomizimi. Tregimi efektin e arrin me temën e madhe, formën e vogël, kompozicionin e ngjeshur dhe me klimaksin dramatik. Gjithashtu, tregimi duhet të përfillë edhe këto parime: të krijojë  botën në miniaturë, të japë ndjenjën e tonalitetit, ta  lidhë ngjarjen fort me karakterin, të përqendrohet në një ose dy karaktere, të ketë një ide dominuese, ngjarjet të krijojnë emocione, duke shmangur digresionet dhe përsëritjet. Nëse si tharm i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” shërbeu tregimi në fjalë, lexuesi interesohet të dijë se cili ka qenë elementi fillestar që ka ngacmuar dhë tërhequr vëmendjen e autorit për shkrimin e vetë tregimit. Duke e njohur këtë dëshirë të hershme të lexuesit, Kadare ka folur përherë për fillesën e veprave të tij. Për Gjenerali i ushtrisë së vdekur ai ka thënë: Gjenerali e ka pasur të ndërlikuar zanafillën e vet. Bërthama e parë e tij ishte tregimi për hapjen e shtëpisë publike të ushtarëve në Gjirokastër, një nga kujtimet më trazuese të fëminisë sime. Nuk e teproj aspak po të them se ajo e pasuroi në atë kohë fantazinë time më tepër, ndoshta, se biblioteka dhe kinemaja e qytetit. Madje, ende sot mendoj me njëfarë frike se pa të, ndoshta, edhe romani im i parë, ai që më solli aq fat, nuk do të lindte. (Petros Anteosi në Moskë i pat thënë: ti ke rënë në flori, nuk duhet ta harxhosh lehtë këtë gjë).…Episodi i shtëpisë publike u zhvendos disa herë sa nga njëri roman te tjetri dhe, meqënëse, me sa dukej, fuqia tërheqëse e të dyve ishte e barabartë, ai mbeti i askujt.[10] Por nuk ka qenë vetëm kjo histori që e ka ngacmuar autorin: ju tregova për eshtrat e një prostitute, që përbënin tharmin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por tani që po e rimendoj më duket se jam përafërsisht i saktë, por kurrsesi plotësisht. Eshtrat e një prostitute kanë qenë vërtet në themel të këtij libri, por ato s’ishin veçse një fazë e mëvonshme, një sendërtim i mëtejshëm i një turbullire të vjetër, kurse zanafilla e vërtetë duhet të ketë qenë më e thellë. Një rrasht kali, ndoshta një rrasht kurrizor kali i zbardhur, me një mbeturinë palce përbri djerrinës së fushës së aeroportit, që e kasha parë gjatë një pikniku në fëmini dhe që më mbeti në mendje për një kohë të gjatë.[11]

Vihet  re, se romani i 1963 dhe  motërzimet e tij të mëvonshme, ushqehen herëpashershëm nga tregimi, që përbën fillesën e veprës; ai ka të njëjtën teknikë përshkrimi e rrëfimi, monologjet e përsiatjet ndjekin të njëjtën linjë etj. Peizazhi, gjendja shpirtërore e gjeneralit, mendimi që ky i fundit ka për tokën shqiptare dhe njerëzit e saj do të mbeten ato të tregimit. Në roman është ruajtur nga tregimi teknika e shkrirjes së zërit të rrëfimtarit me zërin e personazhit për të zbuluar gjendjen e rënduar që ai përjeton. Struktura dhe arkitektura e romanit kanë pranuar një larmi të pakufizuar elementesh strukturorë, këmbimin e lirë të planeve, kapërcimet dhe kalimet e vazhdueshme, pasurimin e teknikave rrëfimtare.[12]

Todorov në esnë e tij “Origjina e zhanreve”[13] duke folur për zhanret e ndërmjetme dhe për ndryshimin që ka pësuar nocioni i zhanrit me kalimin e kohës, sqaron se, zhanri si i tillë nuk është zhdukur, thjesht zhanret e së kaluarës janë zëvendësuar nga të tjera. Duke dashur t’i japë përgjigje pyetjes “Nga vijnë zhanret?”, thotë se ato e kanë prejardhjen nga zhanret e tjera. Një zhanër i ri gjithmonë është një transformim i një zhanri të mëparshëm, ose edhe i disa zhanreve: me anë të inversionit, me anë të zhvendosjeve, me anë të kombinimeve.[14] Fakti se vepra e “tradhton” zhanrin e vet, nuk do të thotë se zhanri nuk ekziston. Në rastin e “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” transformimi i tregimit në roman është realizuar duke përfshirë brenda tregimin, pa i shkaktuar shterpësi romanit. Sipas studiueses Isufaj[15], kalimi nga tregimi në roman ishte një domosdoshmëri artistike. Ndërrimi i zhanreve do të sillte një tekst të gjallë e të larmishëm.

Tregimi si zhanër letrar

Në shkencën e letërsisë ekzistojnë përkufizime të ndryshme të tregimit si zhanër letrar. Por pa marrë parasysh disa ndryshime, të gjithë teoricienët bashkohen në një pikë: tregimi është një prej formave të vogla të narracionit ose të letërsisë epike, në të cilën jepet përshkrimi i njëfarë ngjarjeje nga jeta e një heroi. Pra, deri në këtë pikë jemi plotësisht dakord me tregimin e Kadaresë, pasi është krijuar më së miri figura e Gjeneralit, dhe gjithashtu përshkruhet një ngjarje prej jetës së tij – fragmenti i misionit të tij në mbledhjen e eshtrave të ushtrisë naziste. Por amerikanët kanë një tjetër kriter klasifikimi, në bazë të karaktereve. Tregimi stepet në shumën e dyzetmijë karaktereve. Mbi këtë kufi, kalon në novelë apo në një zhanër të ndërmjetëm të cilin e quajnë noveletë.

Tregimi si ndërtim homogjenik

Sipas Xhek Londonit, “tregimi është uniteti i ndërtimit, situatës dhe veprimit.” Koha e shkurtër e ngjarjeve të paraqitura, sasia e pakët e personazheve veprues – janë specifikat e kësaj forme të vogël letrare. Ndërkohë Kadare e shkel hapur, duke ndërfutur një numër të konsiderueshëm personazhesh, më shumë se pesë të tillë ( tregimi mund të përballojë dy!). Gjithashtu, vërehet se në tregim kemi disa rrafshe rrëfimi njëherësh. Paralelisht me Gjeneralin tonë shfaqet një tjetër Gjeneral, hapen fusha veprimi në disnivel me linjën e krijuar prej fillit, si rrëfime historish ku heroi kryesor nuk është prezent, por një i tretë i rrëfen duke e vendosur fatin e tregimit në fill dhe duke e hedhur atë drejt një tjetër zhanri, novelës. Për të patur një tregim të mirëfilltë, duhen kopsitur të gjitha shtigjet dhe duhet vendosur i cilido personazhi dytësor, ndërkohë që Kadare e ka “mangësi” këtë pikë duke lënë hapur mjaft skuta historish, të cilat në pamje të parë duken si vatra të shuara.

Uniteti si komponent bazë

Uniteti i veprimit është i kushtëzuar me vëllimin e veprës. Si rregull, në tregim përshkruhet një ngjarje, e më të rrallë, dy deri në tre, të cilat bëhen kryesore: ato ngjizin syzhetin (subjektin). Por edhe në rastin kur në një tregim ngërthehet një periudhë relativisht e gjerë nga jeta e personazheve, ai gjithsesi i kushtohet shtjellimit të një veprimi dhe konfliktit. Dhe Gjenerali e shmang plotësisht pohimin e mësipërm. Linjat paralele nuk plotësojnë kriteret për të qenë diçka, më tepër se ngjarje kryesore. Zhvillohen në rrafshin dytësor si ngjarje pa interes parësor për shkak të mungesës së konfliktit. Të tilla janë historia e bordellos, rrëfimi i plakës Nicë, apo edhe epilogu prej narratorit tashmë homodiegjetik.

Uniteti i veprimit është i lidhur drejtpërdrejt me situatën e përshkruar në tregim (ose në tërësinë e ngjarjeve). Në tregim shtjellohet rëndom një fill fabular, me një ndryshim/këmbim kryesor të situatës. Prandaj veprimi në tregim ndodh në një sasi të kufizuar vendesh, e më së shpeshti – vetëm në një vend.

Ndërtimi mbi bazën e një heroi

Në hapësirën e tregimit ekziston një hero kryesor, e shumta dy. Kjo nuk do të thotë që, personazhet dytësorë të mos jenë më shumë. Por të gjithë ata kanë role funksionale – detyra e tyre është të krijojnë një sfond për një zbërthim sa më të qartë të karakterit të heroit kryesor. Shpesh ndeshen tregime, të shkruara në vetë të parë. Kjo të jep mundësinë jo vetëm të raportosh mbi ngjarjet që ndodhin, por edhe të shprehësh raportin e drejtpërdrejt të personazhit ndaj asaj që paraqitet. Ndërkohë që tek Gjenerali kemi një kryqëzim të vetave të rrëfimit. Nis me vetën e tretë, dhe hera herës kalon në vetën e parë, ku gjenerali jep përshtypjet mbi situatat e krijuara në formën e monologut. Kjo ndodh për faktin se autori përpiqet të distancohet dhe të krijojë një situatë të fshehjes së faktit. Pra, duke i vënë fjalët në gojën e personazhit, ai tashmë nuk është më i gjithëdijshëm. E kështu nisin hapësirat ndërmjet rrëfimit dhe boshllëqet në linjat paralele dytësore, të cilat nuk arrijnë të gjejnë dot fundin.

Tregimi i tipit novelistik

Ky lloj zbërthen karakterin në ngjizje të heroit. Në bazën e rrëfimit kemi një ngjarje, që ka ndryshuar botëkuptimin e personazhit, ose disa rrethana nga jeta e heroit, që e kanë sjellë atë te ky ndryshim. Rrëfimi i tipit novelistik dallohet për nga mprehtësia e konfliktit dhe zgjidhjes së shpejtë të tij, madje, shpesh të papritur. Tregime tipike të këtij lloji mund të jenë “Joniç” i Çehov apo “Bilblilat e Plepishtit” të Koliqit.

Gjenerali i Kadaresë e plotëson kryekëput këtë klasifikim. Heroit ngjarja në fjalë i ka ndryshuar botëkuptimin – mbledhja e eshtrave të ushtrisë fashiste. Dhe fundi i papritur i Gjeneralit është takimi me plakën Nicë dhe hedhja përpara këmbëve e eshtrave të një oficeri të lartë. Pra, me këtë tejzgjatje, jo vetëm që e ka klasifikuar krijimin në ujëra të ndërmjetme zhanrore, por edhe në llojin tipik të kësaj mënyre narrative.

Përse noveletë?

Tema

Ndonëse tregimi ka temën e luftës, ai është i mbushur me mjaft njësi të tjera tematike siç janë dhunimi, vrasja, grindja, dasma. Kjo bën të mundur zhdukjen e fjalëpakësisë dhe zgjerimit të përshkrimeve deri përtej kufijve të tregimit si zhanër. Dhe në mungesë të përshkrimeve apo shtjellimit të mëtejshëm të motivit, krijohen hendeqe të cilët e bëjnë të mangët si zhanër.

Përzgjedhja e një tematike kaq të gjerë, me kaq motive të përfshira në të, e bën të pamundur përcjelljen e plotë të një imazhi. Vërtet që “Gjenerali” bëri bujë si tregim, por kishte mangësi në linjat e rrëfimit. Duket sikur në një mënyrë a në një tjetër huazimi mitik është i pashmangshëm nga letërsia: Goliati dhe Davidi. Historia e një Gjenerali të huaj që vjen në kërkim të ushtrisë së tij të vdekur, peripecitë e tij, kanë nevojë për shterim të hapësirave dhe të pyetjeve, kanë nevojë për rezaurim dhe për hermeticitet të ndikimit të shkrimit tek lexuesi.

Struktura

Krijimi i Kadaresë ndahet në nëntë kapituj, që për një tregim të mirëfilltë janë shumë. Njëzetegjashtë faqe tregim[16] dhe degëzimi i toposeve bën që strukturalisht të luhatet mes tregimit dhe novelës. Metaforikisht nëse do të paralelizohej me rrathët e Ferrit, do të përzihej prej rrethit të tregimit, pasi “mëkatet strukturore” nuk e klasifikojnë aspak në këtë segment.

Personazhet

Gjenerali nuk është i vetmi personazh i mirëkrijuar, por është i vetmi i cili pushton gjithë hapësirën tregimit.[17] Me të qëndron edhe prifti. Thënë më sipër (apo më poshtë kësaj analize), tregimi mban vetëm një personazh, me raste dhe dy. Ndërsa këtu do të gjejmë dhe plakën Nicë si arketip, një tjetër Gjeneral si pasqyrim ku shfaqen mangësitë apo tepritë në karakter të Gjeneralit parësor, një popull i cili nxjerr si përfaqësues individë të cilët flasin dhe rrëfejnë apo që vijnë edhe në ndihmë të plotësimit të këtij pazëlli rrëfimor duke plotësuar kështu të gjithë tablonë. Në një tregim mirëfilli, nëse këta personazhe dytësorë do të zhdukeshin, tabloja ende do të kishte kuptim. Ndërsa tek Gjenerali luajnë një rol parësor në dytësinë e tyre duke e bërë të mangët jo vetëm si rrëfim, por edhe si tregim. Kështu, ata nuk do të mund të zëvendësoheshin me narrator apo me diç tjetër.

Zhanri

Konturet e zhanrit të tregimit i krijojnë: forma e shkurtër në prozë, një bosht ideor, një personazh qendror dhe një kompozicion dramatik me fillim, zhvillim dhe fund. Por Gjenerali duket sikur i ka të trija gjysmake, pasi nuk është aspak prozë e shkurtër (përmendim përsëri ndarjen në nëtë kapituj, ose numrin e faqeve si argument formal, plot 46), boshti ideor mund të analogjizohet mjaft mirë me një pemë – pema ka një trung, por gjithashtu ka edhe degë. Nëse degët nuk krasiten mjaftueshëm, atëherë rëndësia e tyre baraspeshohet me atë të trungut, duke marrë po të njëjtën rëndësi dhe sasi vëmendjeje, madje hera-herës duke zhvendosur dhe vëmendjen. Pra ndryshimi mes trungut fillestar dhe degëzimit shndërruar në trung është vetëm një: rrënjët, që ne tashmë do e njohim si pikënisje.

Tregimi pra, nuk njeh si të parë vetëm narratorin e gjithëdijshëm, i cili rrëfen gjithë kohës në vetën e tretë; por edhe një narrator të dytë heterodiegjetik, i cili e shfaq veten në epilog dhe që rrëfen në vetën e parë. Dhe kjo metodë deri më tash është përdorur vetëm në romane e rrallëherë në novela.

Tregimi efektin e arrin me temën e madhe, formën e vogël, kompozicionin e ngjeshur dhe me klimaksin dramatik. Gjithashtu ai krijon një botë imagjinare në miniaturë, jep ndjenjën e tonalitetit, përqëndrohet në një ase dy karaktere, ka një ide dominuese, shmang digresionet, etj. Dhe Gjenerali çalon pak tek të gjitha. Tema është mjaft e madhe dhe e plotëson parësisht si kusht, por i humbet pikët në trajtesën e saj. Kompozicioni nuk është aspak i ngjeshur, disa herë harron të japë detajet duke kaluar nga një topos në tjetrin, nga një ngjarje në tjetrën. Dhe lexuesi nuk arrin ta shijojë si duhet imazhin e përftuar. Asosacionet janë të turbullta dhe aspak të plota, thuajse si nëpër mjegull. Në plan të parë shfaqet Gjenerali dhe Prifti dhe duket sikur do të udhëtojmë në të gjithë tregimin vetëm me këta të dy. Por rrugës shfaqen një sërë personazhesh të rinj, të cilët hera-herës tërheqin vëmendjen dhe vendosin në hije rëndësinë e tyre (të tillë janë prostituta, plaka Nicë, e deri edhe narratori në kapitullin e fundit i cili luan rolin e epilogut). Shpesh Gjenerali udhëton në kohë, ka kthime pas, lufton me subkoshiencën dhe bën atë të cilën një tregim me kompozicion të ngjeshur nuk mundet ta mbajë në supe: përsëritjen dhe flashback-un.

[1] Cituar sipas Gerard Genette në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 13.

[2] Faye, Éric. Tri biseda me Kadarenë, Onufri, Tiranë, 2007, f.45.

[3] Llotman, Jurij. Kultura dhe bumi, përktheu A. Tufa, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, f. 161-162.

[4] Chartier, Pierre. Hyrje në teoritë e mëdha të romanit, përktheu Gj. Kola, Onufri, Tiranë, 2015, f.17.

[5] Hirsch, E. D. Jr. Në mbrojtje të autorit, në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 283.

[6] Asllani, Persida. Shehri, Dhurata. Hartimi i një antologjie të tregimit shqiptar në turqisht, f. 174-175.

[7] Apolloni, Ag. Gjeneza e “Gjeneralit”,Gjenerali i ushtrisë së vdekur, OM, Prishtinë, 2012, f.86-87.

[8] Apolloni, Ag. Gjeneza e “Gjeneralit”,Gjenerali i ushtrisë së vdekur, OM, Prishtinë, 2012, f.91.

[9] Kadare, Ismail. Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Nëndori, 5 maj 1962.

[10] Kadare, Ismail. Vepra 18, Ftesë në studio, Onufri, Tiranë, 2009, f.66.

[11] Kadare, Ismail. Dialog me Alain Bosquet, Onufri, Tiranë, 2002, f.31.

[12] Isufaj, Viola. Gjeneza dhe përkryerja e një vepre, Jeta e Re, nr.2, Prishtinë, 2011, f.453, 465.

[13] Todorov, Cvetan. Origjina e zhanreve, në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 316.

[14] Todorov, Cvetan. Origjina e zhanreve, në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 318-319.

[15] Isufaj, Viola. Gjeneza dhe përkryerja e një vepre, Jeta e Re, nr.2, Prishtinë, 2011, f.464.

[16] Bazuar në tregimin botuar tek Revista letrare “Nëndori, 1962”.

[17] Vazhdojmë ta quajmë tregim, për aq kohë sa ende klasifikohet si i tillë.

Anxhela Lepuri

Antonio Çikollari

Leave a comment


Hey!

Hey there, fellow Robloxian! Whether you’re here to discover hidden gem games, level up your building skills, or just stay in the loop with the latest events, you’re in the right place. This blog is all about sharing the coolest things in the Roblox universe—from developer tips to epic game reviews. So grab your Bloxy Cola, hit that follow button, and let’s explore the world of Roblox together! 🚀


Join the Club

Stay updated with our latest tips and other news by joining our newsletter.