Qeveria italiane na garanton se do të bëjë diçka për të garantuar autonominë e universiteteve. Universitetet italiane ishin autonome në Mesjetë dhe funksiononin më mirë se sot. Universitetet amerikane, për përsosmërinë e të cilave përralliset shumë, janë autonome. Universitetet gjermane varen nga Landi, por një qeverisje lokale është më e zhdërvjellët se një administratë qendrore edhe për shumë probleme, si zgjedhja e profesorëve. Landi thjesht ratifikon atë që ka vendosur universiteti. Në Itali, nëse një shkencëtar zbulon se flogisto* nuk ekziston, rrezikon që këtë zbulim ta bëjë të njohur vetëm duke dhënë mësim lëndën Aksiomatikë e Flogistos, pasi titulli i një lënde, nëse ka hyrë një herë në listat ministrore, nuk ka shans të ndryshohet, vetëm pas bisedimesh të mundimshme mes të gjitha qendrave universitare në vend, me vendim të Këshillit të Epërm, të ministrit e të ndonjë enti tjetër që nuk po më vjen në mend.
Kërkimi shkencor ecën përpara, sepse dikush zbulon një rrugë të re që askush nuk e kish parë më parë dhe pak të tjerë, me fleksibilitet, vendosin ta besojnë. Por, nëse për të zhvendosur një karrige në Vipiteno, duhet marrë vendimi në Romë, pasi të jetë dëgjuar Chivasso Terontola, Afragola, Montelepre e Decimomannu, është më se e qartë qe karrigia do të zhvendoset vetëm atëhere kur nuk vlen më.
Pedagogët me kontratë do duhet të ishin studiues të jashtëm të famshëm dhe me aftësi të pazëvendësueshme. Por, zakonisht, përgjigja e kërkesës së universitetit, nëse miratohet nga Ministria, vjen nga fundi i vitit akademik, kur kanë mbetur vetëm disa javë mësim. Po të kesh këtë fat, duket se është shumë e vështirë të angazhosh një fitues të çmimit Nobel për të dhënë mësim, por është e sigurt që kushërira e papunë e dekanit gjendet më lehtë.
Kërkimi shkencor ngec edhe sepse burokracia e tepruar të bën të humbësh kohë për të zgjidhur probleme qesharake. Unë jam shef i një departamenti universitar. Disa vite më parë duhet të bënim një inventar të hollësishëm të pasurive të luajtshme, por e vetmja nëpunëse që duhej të bënte inventarin, duhej të merrej njëkohësisht me njëqind punë të tjera. Për inventarin mund të nënkontraktohej një organizatë private, që kërkonte treqind mijë lira. Paratë i kishim, por në një fond për materiale të inventarizueshme. E si mund të konsiderohet i inventarizueshëm një inventar?
M’u desh të thërras një komision logjicienësh, që i ndërprenë kërkimet e veta për tre ditë. Ata zbuluan se në pyetjen që u shtroja, kishte diçka të ngjashme me paradoksin e bashkësisë së bashkësive normale. Më pas, vendosën se akti i inventarizimit, duke qenë një akt, nuk mund të jetë një objekt dhe, si i tillë, nuk mund të inventarizohet, por ata vendosën që rezultati i tij është regjistri i inventarëve, i cili, duke qenë objekt, është i inventarizueshëm. Firmës private iu kërkua të na lëshonte faturë jo për aktin, po për rezultatin, të cilin e inventarizuam. Për disa ditë i shkëputa studiues e rreptë nga detyrat e tyre specifike, por shmanga burgun.
Disa muaj më parë, pastruesit erdhën të më thoshin se mungonte letra higjienike. U thashë ta blinin. Sekretarja ndërhyri duke më thënë se tashmë kishim fonde vetëm për materiale të inventarizueshme dhe më kujtoi se letra higjienike nuk është e inventarizueshme, por priret drejt tretjes, për arsye në të cilat nuk dua të thellohem, dhe, me t’u tretur, zhduket nga inventari. Thirra një komision biologësh për t’i pyetur si mund të inventarizohet letra higjienike e përdorur dhe m’u përgjigjën se është e mundshme, por me kosto njerëzore shumë të lartë.
Një komision juristësh, me të cilët u konsultova, ma dha zgjidhjen. Unë marr letrën higjienike, e inventarizoj dhe e vendos në tualet për arsye shkencore. Nëse letra zhduket, denoncoj vjedhjen e materialeve të inventarizuara nga të panjohur. Për fat të keq, do të më duhet ta përsëris denoncimin një herë në dy ditë dhe një inspektor i DIGOS bëri insinuata të rënda për administrimin e një instituti, ku të panjohur arrijnë të futen lehtësisht në mënyrë periodike. Jam i dyshuar por i kam letrat të kopsitura e s’më prekin dot.
Por e gjithë kjo e ka një të metë. Për të gjetur zgjidhjen, m’u desh të hiqja nga kërkimet në dobi të vendit për ditë me radhë shkencëtarë të njohur, duke shkapërderdhur kështu paratë publike, si në rastin e kohës së personelit akademik e joakademik, ashtu edhe të telefonatave apo letrës. Por askush nuk inkriminohet se shkapërderdh paratë e Shtetit, nëse gjithçka bëhet sipas ligjit.
*Element kimik imagjinar i alkimistëve
Përktheu Dhurata Shehri


Leave a comment