Dashuria është një sëmundje nga më të rrezikshmet dhe më ngjitëset. Ne të sëmurëve nga dashuria, na dallon kushdo.
Sy, thellësisht të mavijosur, kallëzojnë se kurrë nuk flemë, të pagjumë natë pas nate prej përqafimeve, ose prej mungesës së tyre, vuajmë prej ethesh dërrmuese dhe ndiejmë një nevojë të papërmbajtshme për të thënë marrëzira.
Dashuria mund të shfaqet, kur, ashtu rastësisht, lëshon nga dora një grusht me pluhur “dashuromë” tek supa apo tek pija.
Dashuria mund të të zërë, ama nuk mund të parandalohet dot.
Nuk e parandalon dot as uji i bekuar, as gjaku i kurbanit; madje as kokrra e hudhrës që s’vlen për asgjë.
Dashuria është e shurdhër ndaj Fjalës se shenjtë dhe përbetimit të shtrigave.
Nuk ka dekret qeveritar që mund ta ndalojë, as bar mjekësor që ta evitojë, edhe pse shitëset vënë tellallin, nëpër tezga, për barëra shëruese, të garantuara e gjithçka tjetër.
Kush nuk është rob i nevojës, është rob i frikës: disa nuk i zë gjumi nga ankthi për të pasur atë që s’kanë; të tjerët nuk i zë gjumi nga paniku se mos humbasin atë që kanë.
Ekziston vetëm një vend ku e djeshmja dhe e sotshmja takohen dhe njihen e përqafohen. Ky vend është e nesërmja.
Nuk më zë dot gjumi. Kam një femër, ngecur mes qepallave. Nëse do mundesha, do t’i thosha të largohej; por, ngecur në grykë, kam këtë femër.
Përktheu Bajram Karabolli


Leave a comment