Dashuria është rreze drite e tërthortë
Një pike paqeje, një besim, të kthen në botë
Zhurmë në ajër, është një pikë në mjegullnajë
Një profil, një hije, një ndalesë, është pritje e paskaj
Dashuria është një fjalë shumë e butë tek avitet,
Një fllad i lehtë, është një tingull që fashitet
Është një zë në qetësi, sikur mente shpërndan erë
Një më vonë, një dhe mundet, një qëllim, ndonjëherë
Dashuria do të mbijë mu në mes ajrit e tokës
Dhe ta prekësh, dhe ta ndjesh, po munde dhe ta shohësh
Dhe të bën t’i çelësh sytë edhe të mendosh për të
Me ledhe ta prek lëkurën, mu në vesh të bën zë.
Dashuria të shastis, e të bën të ëndërrosh
Ëndërron, edhe dorëzohesh, dhe e lë veten të shkosh
E të shkund nga përbrenda, dhe të bën të jesh më shumë
Dhe të shtyn, dhe të mund, dhe të merr nga pas me dhunë
Dhe beftë shumë lart të ngre, të hedh poshtë, e të vë flakën
Dhe në shpirt dritë të bën, dhe në vena të kall datën
Kjo të bën që të këlthasësh sikur djeg e përvëlon
E të tret, të avullon, të bën shkrumb, të rikrijon
Dhe të bën të marrësh udhë nëpër buzët e kohëve
Tek ngjitesh lumenjve të një mijë botëve.
Të ngre në piedestal edhe të dorëzon në tokë
Dhe të këqyr, të vështron, të mendon, e gjë nuk thotë.
Dhe pa mendje dashuria është drita e një flake
Që zë del, zë e largohet, fillon laget.
Është tokë e humbur nëpër mjegull ashtu befas
Është një pikë, një nuk e di, është një njollë, një grimasë
Dashuria është gjethnajë e rënë përdhe
Është një pikë, një hapësirë dendur me re
Një peshë në shpirt, një diell që hedh krahnezë
Është një pse, një sipas, një jo më, një ankesë
Dashuria bie poshtë, hap pas hapi
Me duart grusht, duke ecur, s’del hesapi
Dhe të pyet se kush je, edhe të shpall
Mezi të njeh. Çfarë po pret prej tij vallë?
Dashuria të përqesh, tallet me ty
Tashti ti rri krejt i shtangur, ç’të thuash s’di
Dhe shumë ta ka ënda, t’i shkosh mbas, t’i thuash jo,
Që të mos ikë, le të gabojë, që të kthehet, domosdo.
Dashuria t’i shkërmoq idetë e tua të mëdha
Të shkatërron, të përplas, të thërrmon copa-copa
Dhe nga vetja prej sa kohësh tash ke dalë,
Dhe të shtyn të jesh më zi, të lë në baltë
Dhe të hedh me fytyrë në ferr të fundit
Ta shqyen shpirtin, ta merr erzin, ta shkel trupin
Dhe nga malli zë e mbytesh, për t’u kthyer në asgjë
Edhe beftë zë e ndalet, të këqyr e qan pa zë.
Përktheu nga spanjishtja Alban Tufa


Leave a comment